Te filmi i Kujtim Çashkut “Të paftuarit” (1985), skenarin e të cilit e shkroi Ismail Kadare, autori i romanit “Prilli i thyer”, koha, hapësira e personazhet nuk ndryshojnë. Filmi i përmbahet kryekëput romanit me disa zhvendosje strukturale apo ndonjë personazh që nuk e ka romani, ndërsa është shtuar në film. Te filmi brazilian “Prapa diellit (“Behind the sun”), apo ( Abril Despedaçado) (2001) të regjisorit Ualter Sales (Walter Salles), po ashtu sipas romanit të Kadaresë “Prilli i thyer” koha, hapësira dhe karakteret ndryshojnë.
Janë një varg pyetjesh e mëdyshjesh, të cilat i dalin para skenaristit në çastin kur e fillon procesin e shkrimit të skenarit, duke e pasur për bazë romanin e caktuar, ose, kur producenti i ka dhënë detyrë skenaristit të përshtatë një vepër letrare, sipas së cilës duan të bëjnë film. Në këto çaste halli më i madh i skenaristit është si të sillet me veprën letrare: t’i qëndrojë besnik apo ta shpërfillë romanin, duke i dhënë krah imagjinatës së tij? Skajshmëritë janë të rrezikshme. Maturia e kujdesi janë fanar udhëzues që ndihmojnë shumë. Prandaj përpiquni të gjeni mesin. Që nga çasti kur e lexoni romanin për ta adaptuar e deri në finalen kur e keni përfunduar procesin e adaptimit, ju do të ecni nëpër një rrugë të gjatë, plot të papritura e vështirësi. Të papriturat duhet t’i kaloni, nëse i keni vënë detyrë vetes të keni sukses. Mëdyshja e pasiguria do t’ju ndjekin gjatë gjithë kohës, por ju duhet t’i përballoni, t’i mundni, sepse gjatë çdo procesi të krijimit a rikrijimit, sikurse është skenari i adaptuar, ka mëdyshje e pasiguri.
Teoritë e adaptimit janë të ndryshme. Pa u përqendruar hëpërhë te skeptikët, që mendojnë se letërsia nuk mund të përkthehet në film dhe se filmi duhet të jetë i pastër, e i pandikuar nga letërsia e teatri, ne po përmendim ato teori sipas të cilave letërsia është e pashmangshme në kinematografi.
Sipas grupit të parë duhet t’i qëndrojmë besnik romanit të adaptuar, meqë sipas tyre besnikëria garanton sukses, qoftë atëherë kur romani tashmë ka bërë jetën e vet publike (është i popullarizuar), qoftë atëherë kur romani ende nuk ka bërë jetë publike, por ka situata të gjetura me mjeshtëri, karaktere të skalitura për mrekulli dhe ka rrëfim të mirë. Por vetëm këto dy segmente nuk mjaftojnë për t’i qëndruar besnik romanit, ashtu sikurse duhet të jemi të kujdesshëm atëherë kur i shmangemi romanit, duke e ritreguar me mjetet tona shprehëse dhe me mënyrën tonë, sepse edhe për këto shmangie duhet të dimë arsyet. Nuk mjafton arsyetimi i shpeshtë se adaptuesi ka liri të pakufishme shprehëse, se është i pavarur të bëjë ç’të dojë me romanin, sepse ai mund të ketë liri edhe më të madhe shprehëse nëse e bën skenarin origjinal, pa e kërkuar frymëzimin në roman, tregim, novelë apo tekst drame dhe pa i dhënë llogari askujt pse e bëri në këtë mënyrë e jo në një mënyrë tjetër. Atëherë do të varet vetëm nga imagjinata dhe kreacioni i tij.
Në këtë punë të vështirë e me plot të papritura, disa nga autorët e romaneve janë të kënaqur me veprat e tyre të adaptuara, të tjerët janë po aq të dëshpëruar, ndërsa të tretët që të mos e shprehin haptas pakënaqësinë e tyre shpesh deklarojnë: filmi është ndryshe. Ata nuk pranojnë se kjo është vepra e tyre, por nuk duan të acarojnë më shumë raportet me producentin a skenaristin. Megjithatë mbeten të thartuar me atë që shohin nga vepra e tyre në ekranin e kinemasë. Prandaj, adaptimi është punë me përgjegjësi.
Por para se të flasim për adaptimin, duhet të dimë ç’është adaptimi.
Adaptimi është bartje, transformim, distilim, përkthim, transponim nga një medium në mediumin tjetër, përkatësisht përshtatje nga romani e drama në film. Teoritë për adaptimin e skenarit merren me shqyrtimin e qasjeve të ndryshme, analizojnë mundësitë e teknikat e përshtatjes së një teksti letrar (tregim, novelë, roman), apo të shkrimeve të gazetave (reportazhe, analiza sociale, lajm i zgjeruar, fejtone) në film.
Adaptimi i skenarit është faza e parë më e rëndësishme e bartjes së një teksti nga një medium në një medium tjetër, përkatësisht nga një art në artin tjetër. Nga mjeshtëria e bartjes, aftësia e transformimit dhe nga kreativiteti i skenaristit varet se si do të funksionojë ky skenar, sa do t’i ofrojë mundësi regjisorit dhe se si do të duket në film.
Për shkallën e përshtatjes së skenarit ka qasje e teori të ndryshme. Disa janë të mendimit se s’ka roman apo dramë që s’mund të bartet në film, të tjerët mendojnë se kjo nuk është bartje, adaptim, por është një lloj tradhtie që i bëhet letërsisë! Sepse bartje (siç e vënë në pah kundërshtarët e adaptimit) nuk është e mundur të bëhet në atë masë sa të ruhet integriteti i tekstit të bartur.
Sergej Ajzenshtajni (Sergei Eisenstein), gjeniu i kinematografisë, njëri ndër regjisorët që i dha shumë filmit, ishte i mendimit se edhe “Kapitali” i Marksit mund të bëhet film, madje këtë mendonte ta bënte personalisht. Thuhet se pati bisedime edhe me autorin e romanit “Uliksi”, Xhejms Xhojs, që ta ekranizonte romanin e tij[1]. Të tjerët mendojnë se shndërrimi i këtillë është i pamundur. Sipas tyre nuk është e mundur shndërrimi nga një medium në tjetrin, por është fjala për një proces të ri, madje për një vepër të re. Prandaj ata e mbrojnë teorinë se për filmin duhet të bëhet skenari origjinal që nuk frymëzohet nga letërsia a mediumet e tjera, por kryekëput frymëzimin e ka në imagjinatën e autorit të skenarit a regjisorit. Madje shumë prej tyre mendojnë se letërsia e mediat e tjera nuk duhet të barten në ekran të madh, sepse vetëm mund të deformohen.
Pavarësisht mëdyshjeve të vazhdueshme të kritikëve të adaptimit për film, pavarësisht kundërshtimit që letërsia të ushtrojë ndikimin e vet në film përmes adaptimit, në historinë e filmit shumë nga romanet e njohur janë bartur, pra janë adaptuar në film, disa janë adaptuar më shumë se dy-tri herë, ndërsa më vonë ky proces u bë diçka e zakonshme. Ndonjëherë gati gjysma e filmave të prodhimtarisë kombëtare ishte adaptim, përshtatje e romanit, tregimit, novelës e tekstit të dramës. “Historia e letërsisë ka regjistruar shembuj të panumërt të përshtatjeve të veprave klasike dhe të krijimit të kryeveprave nëpërmjet përshtatjeve”[2].
Ndërkaq, kur është çështja te bartja nga letërsia në film shumë nga teorikët e filmit e skenaristët mendojnë: “Kultura në përgjithësi dhe letërsia në veçanti s’kanë ç’humbin nga aventura ë përshtatjes [3]. Përkundrazi. Bazen mendon se letërsia mund të fitojë.
Nëse përshtatja është e suksesshme, statistikat kanë dëshmuar se edhe tirazhi i librave të shitur është më i madh. Ndërkaq, po dështoi filmi i bërë sipas romanit, këtë gjë do ta marrin vesh vetëm një numër i vogël i lexuesve, të cilët e kanë lexuar romanin. “Dihet fare mirë se letërsia dhe romani janë elitare, ndërsa filmi u dedikohet numrit shumë më të madh të shikuesve [4]. Pra, në këtë rast përfiton edhe letërsia, e cila popullarizohet, sepse shikuesi cytet ta lexojë romanin, tregimin a dramën, por përfiton edhe kinematografia, sepse merr subjekte të gatshme, ka në dispozicion karaktere të formuara, nuk e çan kokën të krijojë situata as të shpikë veprime[5]. Mbi tekstin që e merr për ta adaptuar ai mund të veprojë pastaj duke shtuar apo hequr, duke e plotësuar apo ndryshuar. Por edhe për këto veprime janë disa rregulla, ka procedura, ndiqet përvoja nga e kaluara dhe adaptimet në mediat e tjera, ashtu sikurse duhet të përfillet mënyra se si do të bëhet adaptimi.
Mënyra e adaptimit
Mënyra e adaptimit kërkon njohje të caktuara teorike, mësim të rregullave të adaptimit, sikurse kërkon të shikojmë filma e të lexojmë sa më shumë romane. Janë një lloj i romanit dhe i tregimit të përshtatshëm për adaptim, apo sikurse thonë disa njohës të letërsisë e kinematografisë të gatshëm për film. Ndër shkrimtarët e preferuar thuhet se Çarls Dikens është shkrimtari më i përshtatshëm për adaptim në film, prandaj është njëri ndër autorët veprat e të cilit më së shumti janë bartur në ekranin e kinemasë. Ndërkaq Shekspiri, megjithëse nuk mund të thuhet se është shumë vizual, dramat e tij prapëseprapë janë më të adaptuarat në film. Por kjo nuk do të thotë se ne duhet të kërkojmë tekstet letrare të përshtatshme për adaptim. Ne duhet të kërkojmë subjektet interesante, personazhe të skalitura me mjeshtëri, ngjarjet dinamike dhe porosinë e duhur, krahas vlerave artistike të dëshmuara. Asgjë që na hyn në punë nuk duhet të shpërfillet. Duhet të kërkojmë edhe romane të tjera, të cilat mund t’i adaptojmë, ndërsa nuk e kanë atë lehtësi rrëfimi, apo atmosferën e gatshme për përshtatje, mirëpo brenda teksteve të tyre mund të gjejmë atë që është e përshtatshme për shikues, pavarësisht se i mungon aftësia e komunikimit. Sidomos duhet të bëhen krahasimet e romaneve të shkrimtarëve të mëdhenj, të cilët janë adaptuar, duke i shikuar filmat dhe duke i krahasuar me “rimejk” (filmat e njëjtë që janë ekranizuar më herët), ne do ta kapim fillin e fshehtësisë. Kjo mënyrë ndihmon, sepse mundëson që përmes përvojës së adaptimeve të bëra nga skenaristë të njohur, apo shkrimtarëve të cilët ishin njëkohësisht edhe skenaristë të filmave të tyre, të bëjmë përçapjet tona.
Edhe në këtë aspekt ka përvoja të ndryshme. Do ta bëni adaptimin e romanit duke i qëndruar besnik kohës, hapësirës, ngjyrave mjedisore, personazheve e frymës së romanit, apo romani mund të të shërbejë vetëm si shtytës, si kornizë, ndërsa të tjerat janë pjellë e imagjinatës suaj. Motivet e veprës së frymëzuar mund të të shërbejnë si pikënisje, të tjerat pastaj i shtroni sipas kërkesave të tjera.
Koha, hapësira dhe karakteret janë të njëjta te filmi “Dashuria në kohën e kolerës” (2007), sipas romanit të Gabriel Garsia Markezit, nën regji të Mike Newel. Është vetëm çështja e shkurtimeve, e dendësisë së ngjarjeve ajo që e dinamizon. Madje edhe fillimi është i njëjtë si në roman ashtu edhe në film. Këto tri elemente nuk ndryshojnë as te filmi tjetër “Festa e cjapit” (Fiesta del chivo”) (2005) të shkrimtarit tjetër latin-amerikan, Mario Vargas Llosa, sipas skenarit e regjisë së Luis Llosas, me Isabell Roselinin në rolin kryesor, ku përmes kryeprotagonistes rrëfehet në mënyrë kronologjike shumë vjet pas për diktaturën dhe diktatorin në një shtet të Amerikës Latine.
Ndërkaq te filmi i Kujtim Çashkut “Të paftuarit” (1985), skenarin e të cilit e shkroi Ismail Kadare, autori i romanit “Prilli i thyer”, koha, hapësira e personazhet nuk ndryshojnë. Filmi i përmbahet kryekëput romanit me disa zhvendosje strukturale apo ndonjë personazh që nuk e ka romani, ndërsa është shtuar në film. Te filmi brazilian “Prapa diellit (“Behind the sun”), apo ( Abril Despedaçado) (2001) të regjisorit Ualter Sales (Walter Salles), po ashtu sipas romanit të Kadaresë “Prilli i thyer” koha, hapësira dhe karakteret ndryshojnë. Skenaristi dhe regjisori morën vetëm disa motive nga “Prilli i thyer”, ndërsa të tjerat i përpunuan, i hoqën apo i shtuan, duke iu përmbajtur parimit të Riçard Krevolinit, i cili thotë se gjatë adaptimit të skenarit mund të ndryshosh kohën, hapësirën gjeografike, personazhet e ngjyrat e tjera mjedisore[6]. Filmi “Prapa diellit” është më afër filmit italian “Padre Padrone” të vëllezërve Taviani sesa tekstit të frymëzuar.
Pra, nuk është e thënë që filmi t’i përmbahet romanit, as të bëjë bartjen besnike të tij në ekran, sepse atëherë do të bëhej adaptimi-leximi i romanit në film. Ndërsa leximi besnik i romanit nuk është qëllim i asnjë regjisori.
Adaptimi për film nënkupton përshtatjen, adaptimin, kthimin nga një formë në një formë tjetër, përkatësisht nga rrëfimi a lajmi i gazetës, i tregimit, i novelës e romanit, në skenar filmi. Adaptim për film është bartja e romanit, e tregimit e të formave të tjera letrare në ekran të madh, duke iu përmbajtur rregullave dhe, njëkohësisht, duke krijuar rregulla të reja. Gjatë adaptimit duhet të përfillen rregullat e skenarit, teknikat e bartjes, mënyra se si do të përshtatet tregimi a romani në film.
Janë dy mënyra themelore të përshtatjes: adaptimi i tregimit, i novelës dhe i romanit, duke iu përmbajtur në masë të madhe romanit të cilin e adapton, ose adaptim duke krijuar vepër të re, sipas motiveve të romanit bazë. E para është kur vepra letrare ka ushtruar ndikim të madh në autorin e skenarit, përkatësisht të atij që është duke e përshtatur romanin për film, me të gjitha karakteret, situatat e veprimet që i merr në pikëvrojtim. Kjo nuk do të thotë se pavarësisht ndikimit të madh që ushtron romani mbi autorin e skenarit, ai duhet të bëjë shfletim të romanit faqe për faqe, apo kaptinë për kaptinë. Me shfletimin do të bëhej filmi i mërzitshëm, i gjatë e i ngadalshëm. Në këtë mënyrë nuk do t’i bënte shërbim të mirë as romanit. Dihet se filmi e ka kohëzgjatjen, e ka ritmin e rrëfimit, e ka dramën e brendshme dhe disa rregulla të tjera të veçanta, të cilat ndryshojnë nga romani apo nga tregimi e novela.
Mënyra tjetër, mënyra e adaptimit të tregimit, të novelës apo të romanit është përshtatje, frymëzim, sipas motiveve. Edhe në këtë plan mund të ketë shmangie të mëdha apo të vogla nga romani. Jo rrallë ndodh që skenaristët të cilët e bëjnë adaptimin e romanit bëjnë shmangie nga koha kur e rrëfejnë, që ndryshon dukshëm nga ajo që e ka romani.
Adaptimi është i njohur nga lashtësia. Dramaturgë antikë kanë adaptuar mitet e legjendat e ndryshme. Homeri është mbështetur në legjendat për Luftën e Trojës kur e ka shkruar kryeveprën “Iliada”. Dramaturgët romakë po ashtu në mbështetje të legjendave janë frymëzuar për dramat e tyre, ashtu sikurse edhe Shekspiri, duke bërë adaptimet e rrëfimeve, legjendave dhe ndodhive të ndryshme të mesjetës së hershme, ka shkruar dramat më të realizuara për teatër dhe për film. Edhe filmi ka vazhduar gjurmëve të traditës së arteve pararendëse, por në teknikën tjetër, në teknikën e shiritit të celuloidit. Nga legjendat e lashta, nga literatura antike greke, romake e hebraike janë bërë dhjetëra, të mos themi qindra filma. Mbi bazë të dramave antike e mbi veprën e Homerit, pastaj dramat që i ka shkruar Shekspiri, dramat kalorësiake të mesjetës e deri në ditët tona.
Mirëpo për të bërë adaptimin e suksesshëm duhet të njihet natyra specifike e adaptimit, nga romani deri te format më të lehta dhe më të përshtatshme të adaptimit- shkrimet e gazetave, të cilat pavarësisht faktit që në pamje të parë duken të lehta, kërkojnë përkushtim serioz sikurse gjinitë më të vështira. Tekstet e shkrimeve në gazeta, kronikat sociale a reportazhet janë më jetësore, më dinamike dhe më të kapshme, por ato njëkohësisht kërkojnë përpunim shumë më të përkushtuar.
Fragment nga libri “Adaptim filmi – si të shkruash skenar origjinal ose të frymëzuar nga romani, drama e kronika sociale e gazetës” që këto ditë del nga shtypi.
[1] D. A. Cook: A history of narrative film 1999 , 1996, W. W. Norton &Company, Inc, faqe 254-256.
[2] Balazh, Bela, Filmkultura, faqe 269, përkthyer nga Kristaq Dhamo, Albin, Tiranë, 2008.
[3] Andre Bazen, Ç’është kinemaja, përkthyer nga Elvis Hoxha, Zenit Etitions, Tiranë, 2012, faqe 98.
[4] Po aty.
[5] Pas suksesit që pati filmi “Apokalipsi tash”, nën regji të Frensis Ford Kopoles e “Daullja e llamarintë” i Folker Shlendorfit, redaksia e botimeve të “Rilindjes” në Prishtinë, përktheu romanin e Xhozef Konradit “Zemra e errësirës” dhe të Gynter Grasit “Daullja e llamarintë”.
[6] Richard Krevolin: How to adapt anything into a Screenplay, USA, John Wiley & sons, inc.
Filmi brazilian sipas romanit “Prilli i thyer”