More
    KreuLetërsi shqipe në përkthimAnna Latanzi: Ditët e fundit e diktatorit në librin e ri të...

    Anna Latanzi: Ditët e fundit e diktatorit në librin e ri të Mira Meksit (Botimi në italisht i “Diktatori në kryq”)

    Diktatori në kryq: kështu titullohet libri i ri i Mira Meksit, njëra ndër shkrimtaret më të çmuara të panoramës letrare shqiptare të tanishme, i botuar nga A&B Editrice, 2023, me përkthimin e Giovanna Nancit.

    Faqet e para

    Diktatori qëndronte në këmbë dhe sodiste detin. Ishte i veshur në mënyrë të çuditshme, me një tunikë të bardhë tejet të gjatë, një kapelë partizani me yllin pesëcepësh që i spikaste mbi ballë. Ecte brenda detit, ndërkohë që frynte një erë e fortë, e cila i ngriti ujërat si male përpjetë, saqë ndjeu rrafshin prej rëre të funddetit. I mjaftoi një gjest, lëvizja e krahut, që deti të hapej e të dukej toka. Ujërat u ndanë që njerëzit të ecnin pas figurës së veshur me të bardha.

    Kishte një stap në dorë, fuqia e tij, udhërrëfyesi i tij, kur, duke kthyer kokën pas, vuri re se ishte i vetëm, se nuk ishte askush prapa tij. Tronditja iu shndërrua pothuaj në tmerr: e megjithatë  qëllimi i tij ishte të printe popullin e tij drejt së ardhmes së ndritur. Çfarë po ndodhte? Vuri dorën mbi ballë, i befasuar, vërejti se nuk kishte më kapelen partizane, por trupin e ftohtë dhe të qullët të një kandili deti që i mbështillte kokën.

    Ishte vetëm një ëndërr, nga e cila diktatori u zgjua i mbytur në djersë të akullta. Por të qenit i vetëdijshëm zgjati shumë pak: bota e ëndrrave nuk vonoi t’i rimarrë arsyen për të çuar serish trupin e tij në ujërat, kësaj here jo të detit, por të një lumi. Ishte i veshur akoma me tunikën e bardhë, kur iu desh të binte në gjunjë para një njeriu, i cili i hodhi ujë mbi kokë, duke i dhënë një ndjenjë lehtësie, gati shpëtimtare . 

    Ishte sikur të ndihej i çliruar nga të gjitha ligështitë e kryera: ishte sikur të ishte bërë, papritur, biri i Atit. Ai njeri, i cili e kishte lehtësuar nga të gjitha vuajtjet, kishte sigurisht fytyrën e Pagëzorit, për këtë ishte i bindur. Por ja, sytë e tij i treguan diçka tjetër: panë fytyrën e Stalinit, jo me tiparet e tij të natyrshme, por në gjithë shëmtinë e tij. Nuk mundi të bënte gjë tjetër, veçse të zgjohej e të largonte dëshirën për të fjetur.

    Ajo që më shumë e frikësonte ishte ëndrra e parë, sepse më të vërtetë ngjante sikur të paralajmëronte të ardhmen, ndërsa e dyta, ndoshta, nuk kishte asnjë peshë: në thelb, Stalini ishte pjesë e së kaluarës së tij. Patjetër, i kishte thur lavde revolucionarit sovjetik, e kishte mirëpritur kur gjithë bota e kishte izoluar. E kishte  adhuruar dhe kishte ndërtuar një sistem qeverisës, që dukej i bazuar mbi parimet staliniste, por që në realitet vërtitej rreth një figure të vetme, asaj të njeriut, të Atij vet. A nuk duhej vërtet të merrej parasysh ëndrra e fundit? Ishin dy pamje të ndara apo ishin në ndonjë mënyrë të ndërlidhura? Nuk mundi të mos mendonte për Pagëzimin dhe për atë që e kishte pagëzuar. E kotë të kishte ende iluzione: fundi ishte tanimë i afërt.

    Rreth dhjetë vjet më parë kish pësuar dy infarkte, të cilat e kishin dobësuar mjaft. Ndër të tjera, jetonte me tmerrin se i kishin vendosur në kraharor një bombë me sahat, e cila mund ta bënte copa-copa nga çasti në çast. Ishte një njeri i sëmurë dhe kjo ishte e pamohueshme: kishte diabet; përveç kësaj, përpara një viti, një problem cerebral ia pati bllokuar këmbët gati për një muaj, ia pati turbulluar gjykimin dhe e pati bërë të çaprashiste fjalët. Nga ajo kohë, i shihte të tjerët me dyshim sepse ishte i bindur se nuk po i tregonin të vërtetën.

    Intriga e romanit

    Në ditët e fundit të jetës së tij, diktatori ripërshkon tërë ekzistencën e tij, duke u përqendruar tek episodet më domethënëse, ato që e kanë shenjuar më shumë. Pra, në romanin Diktatori në kryq, Mira Meksi rrëfen, nëpërmjet kujtimeve të njeriut, për Dashurinë që ai ka përjetuar, për fëlligështitë që ka bërë, tmerrin që ka qenë për njerëzit e tjerë. Diktatori nuk dorëzohet dhe kërkon një formë tjetër shpëtimi, një tjetër mundësi jete në tokë, nëpërmjet Ashklës së Shenjtë të Ringjalljes, ndërsa përgatitet të vdesë. Shkrimtarja rrëfen për rrënjët pagane të kishës së Hyjlindjes në Labovën e Kryqit, për origjinat e lashta të gjuhës shqipe, duke zbuluar misterin e “Graalit të Shenjtë”, i cili përfaqëson shpresën e shpëtimit të njerëzimit.

    Përtej personazhit

    Mira Meksi prezanton diktatorin në mënyrë unike dhe origjinale, krejtësisht ndryshe nga mënyra si ka qenë paraqitur gjithmonë. Shkrimi i rrjedhshëm dhe i kthjellët nuk e zvogëlon kuptimin e thellë të tekstit dhe kompleksitetin e analizës që rrjedh prej tij. Në pamje të parë, mund të duket se figura e diktatorit është thelbi i romanit, por në realitet ajo përbën vetëm një pjesë të asaj që shkrimtarja ka dashur të rrëfejë. 

    Ai përfaqëson motorin e narracionit, që lëviz në një botë shumë më të ndërlikuar dhe të artikuluar, duke hyrë në lidhje të ngushtë me personazhin e tij. Me fjalë të tjera, vepra shkon përtej profilit të njeriut të përshkruar me kthjelltësinë e detajeve: Diktatori në kryq nuk është një roman mbi diktatorin. Struktura e tij, në thelb, përbëhet nga tri pjesë: ditët e fundit të tiranit; përpjekja për të vjedhur kryqin, që mban ashklën e drurit të shenjtë që i përkiste Kryqit të Krishtit, për kthimin në jetë; dhe zbulimi i misterit të kishës së Labovës, në skutat e saj më intime.

     Pjesët përzihen, ndërlidhen dhe krijojnë diçka që shkon përtej historisë së rrëfyer, duke mbartur një mesazh me aromë universale. Mira Meksi përpiqet të tërheqë lexuesin në një dimension kuptimshmërie që shkon përtej vet leximit, i cili është në vetvete shumë pozitiv; bën një përpjekje të arrirë për ta çuar atë në një dimension që ndjell emocione të fuqishme, duke i ofruar lexuesit nxitje reflektimi që largohen nga objektiviteti, për të arritur te një interpretim vetjak të mendimit, të njohjes dhe të veprimit njerëzor, në sferën absolute dhe ekskluzive të procesit historik.

    Diktatori si të gjithë

    Që kur s’mbahet mend, njeriu përpiqet t’i kundërvihet vdekjes, ta tejkalojë momentin me anë të rilindjes, të ringjalljes: është diçka që përpiqemi ta zbulojmë që nga kohërat e Ringjalljes së Krishtit. Në roman vihet në dukje se sa shumë kjo dëshirë njerëzore është e përhapur, duke u bërë antiteza e konceptit të mëkatit.

    Këtu ndërhyn sarkazma e përdorur nga Mira Meksi, jo aq për të paraqitur figurën e diktatorit, se sa për ta shkatërruar atë, sepse autorja, duke përshkruar ankthin, paranojat dhe frikën e tij për t’u gjykuar, ndonëse ngadalë, e shpërbën njeriun, personin dhe veprimet e tij, si edhe çdo formë mëshire që mund të ndihej ndaj tij. Aftësia introspektive e penës së saj është e madhe, duke arritur të depërtojë thellësisht te personazhi dhe në realitetin e tij, nëpërmjet paraqitjes se shqetësimeve, të ëndrrave të llahtarshme, të tmerreve dhe të nevojës që në rikthim gjithçka të jete ndryshe.

    Të jetë e qartë: nuk dallohet asnjë shenjë pendimi nga ana e diktatorit. Gjithçka tek ai është vetëm tmerri dhe fobia nga dënimi. Prandaj, Meksi i jep personazhit karakteristika universale, që mund t’i jepen cilitdo në krye të një regjimi totalitar, duke skicuar një profil tragjik, emblemë të kundërvënieve që e helmojnë, mes përgatitjes së tij për vdekjen dhe vullnetit për t’u kapur pas jetës, mes dëshirës për të pasur dashurinë pranë dhe vullnetit për t’u arratisur.

    Në një çast del në dritë synimi i angështuar për ta rikthyer dashurinë, por pabesia e tij, që ka qenë forma e tij e të qenurit, e njeriut që u ka bërë të këqia njerëzve të tjerë, e ka tradhtuar, e ka goditur, dhe me gjasë do të bëhet shkaktari i vdekjes së tij, sepse vetëm dashuria mund të përcaktojë kthimin në jetë. Ky është momenti në të cilin diktatori, i cili përfaqëson çdo diktator, lan hesapet me realitetin brutal të ndërtuar prej atij vet. Një njeri që ka mbjellë vetëm kob, urrejtje, mllef, ligësi, që ka vrarë, torturuar, burgosur, a mund të ketë fuqi mbi Kryqin e Shenjtë aq sa të rikthehet në jetë?

    Albanologu Guttenberg

    Albanologu është shprehja e interesit që shumë studiues kanë dëshmuar ndër vite ndaj gjuhës dhe kulturës shqiptare dhe jo vetëm. Hulumtimi mbi historinë e themelimit të kishës së Labovës nuk është vetëm një temë që rezulton shumë interesante, por synon të jetë një rikthim në epokat që datojnë shumë shekuj më parë.

    Pjesa e romanit kushtuar studimit dhe kontributit të tij, vishet me magji të ndritshme. Lexuesi përkëdhelet me fjalë të pasuruara me domethënie historike dhe njëkohësisht emblemë të një bote të shuar, të mistershme, të magjishme, e cila, nga njëra anë lidhet me pjesët e tjera të romanit, por nga ana tjetër del në pah emocionalisht. Meksi krijon një personazh imagjinar, në të cilin faktet studimore dhe fantazia arrijnë një baraspeshë të përsosur.

    Në këtë roman dallohet gjithashtu vullneti i autores për të mos i lënë asgjë rastësisë, përkundrazi ofron nocione të dokumentuara me një përsosmëri ekstreme. Del në dritë, pra, një libër me sfond historik, i ngarkuar me simbolikë, përveç realitetit të gjallë. Një prej simboleve më autentike dhe njëkohësisht i egër, është ashkla e shenjtë e ruajtur brenda Kryqit, si simbol i sakrificës, të cilën askush nuk arrin ta kapë, sepse duhet të jesh i denjë për të, dhe diktatorët, ndonëse kanë  pushtetin, nuk kanë fuqi përballë gjithë kësaj shenjtërie.

    Në fund…

    Romani i Mira Meksit është përqendruar te njerëzimi, te  gjendja e tij shpirtërore, te humbja e besimit dhe te rigjetja e tij, te ndjenja e tij për Dashurinë e humbur, te nguti për të rifituar një prej ndjenjave njerëzore më të mëdha dhe te dëshira, tanimë e kthyer në domosdoshmëri, për të kryer një veprim shpëtimtar ndaj ekzistencës së vet. Diktatori në kryq është një libër intrigues,i rrjedhshëm, pasionant, i fuqishëm dhe thellësisht realist.    

    përktheu: Giovanna Nanci

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË