More
    KreuIntervistaAli Aliu: Ndryshe ndihem mirë në Shkup, ndryshe në Tiranë, ndryshe...

    Ali Aliu: Ndryshe ndihem mirë në Shkup, ndryshe në Tiranë, ndryshe në Prishtinë

    Intervistoi: Bujar Hudhri

    I nderuar profesor, kujtimet e fëmijërisë nga Kranja, fshati juaj i lindjes buzë liqenit të Prespës, kanë diçka të paharrueshme për ju: hapjen e shkollës së parë shqipe dhe ju si nxënës i klasës së parë.

    Kujtimet që kanë lënë gjurmën më të gjallë lidhen me ditën kur Prespa, pra edhe Kranja, u bënë Shqipëri, që i thoshin koha e pushtimit të Italisë. Isha pesë-gjashtë vjeç atëherë, por mbaj mend shumë gjëra edhe para kësaj moshe, që kanë lidhje pikërisht me këtë ditë. Një nga këto kujtime është edhe ky: sa herë që vinin mysafirë në shtëpinë tonë dhe në odën e madhe shtrohej sinia rrumbullake e muhabetit, në krye të së cilës zinte vend gjyshja Meleke, për ta ngritur e para kupën e rakisë, urimin e mirëseardhjes gjithnjë e përfundonte me fjalët: “U bëfshim Shqipëri!” Gjyshja, që asokohe thoshin se kishte mbushur 90 vjeç, ishte nga fshati Nikolicë i Shqipërisë që, sa herë e zinte ngoje, thoshte: “Mos vdeksha pa shkuar edhe një herë!” Po kthehem te dita kur u bëmë Shqipëri…

    Në pritje të karabinierëve italianë në rrugë ishte e tërë Kranja, gra e burra, pleq e fëmijë, duke i shoqëruar udhëve me daulle e gërneta, diku edhe me lule. Ishte pranverë e hershme dhe Kranja ka shumë ujëra nga burimet e Pelisterit, prandaj vijat anash ishin përplot me ujë, që vende-vende i mbulonin edhe udhët. Ne fëmijët vraponim kush mbathur dhe kush zbathur për t’i ndjekur nga pas mysafirët me uniforma, por edhe disa pa uniforma, burra të ardhur nga Shqipëria bashkë me ta. Më kujtohen copëza fjalësh e fjalish nga ajo që thoshin mysafirët dhe që përcillej në turmë, si për shembull: “Të mos ishte gjoli, para se të vinim ne, në Kranjë do të vinte bullgari.” Pra, ata i paskëshin rënë trup liqenit pa shkuar rrotull dhe kishin mbërritur ta vënë kufirin me Bullgarinë përpara Kranjës. Ndërsa para këtij kujtimi, natyrisht më të zbehtë, gati si nëpër një ëndërr, më kujtohet dita e nevruzit, kështu i thoshte gjyshja Meleke, kështu i thoshim edhe ne. Gjyshja ishte myhype, që kishte marrë dorë në teqenë bektashiane, në atë të Baba Saliut në Manastir. Dhjetë ditë para festës së nevruzit, vetëm gjyshja në shtëpinë tonë nuk pinte ujë. Unë flija me të, se nëna më kishte lënë gjashtëmuajsh. Gjatë ditëve të matemit, babai merrte një libër që e quante Qerbela, i cili rinte gjithnjë mbi kurrizin e një sahati të madh të varur në mur që binte si kambanë, dhe na ulte të gjithëve në rreth për të na lexuar luftën e imam Aliut kundër Jezitit, Mavijes. Gjyshja zakonisht qante.

    Në Kranjë u hap shkolla shqipe. U mbush oborri i një ndërtese njëkatëshe, që kishte qenë shkollë në gjuhën serbe. Për herë të parë shihja aq shumë fëmijë në Kranjë, që asokohe kishte afro katërqind shtëpi thoshin dhe që unë shumicën nuk i kisha parë asnjëherë. U lidh Kranja atëherë me Korçën, meqë Prespa ishte nënprefekturë e Korçës, prej nga erdhën katër mësues nga Shqipëria. Nëpër klasa na ndanë sipas moshës dhe sipas nxënësve, që deri atëherë shkonin në shkollën serbe. Në klasën e parë, ku më regjistruan edhe mua, kishim një mësuese me emrin Dhorka Qeleshi, korçare.

    Maja e Pelisterit e ndan vendlindjen tuaj nga Manastiri, një qendër e rëndësishme e kulturës dhe patriotizmit shqiptar. Ju vazhduat arsimin fillor atje dhe siç thoni diku, konvikti ku keni ndenjur ishte ngrehina ku u mbajt kongresi i famshëm i alfabetit shqip. Po atëherë nuk është se e dinit, apo jo? Duket sikur jeni mëkuar që në moshë fare të re me dashurinë për gjuhën shqipe.

    Gjatë atij qëndrimi katërvjeçar, kur futeshim në mëhallën e shqiptarëve, në periferinë perëndimore të qytetit, ose kur na ftonte ndonjë nga shokët vendas të klasës në shtëpi, mbaj mend që flitej si nëpër ëndërr për një si fabrikë të vogël të familjes Qirjazi që nxirrte libra: ja aty pranë e kishin shtëpinë, por s’mbeti njeri. Flitej gjithashtu se në një shtëpi dykatëshe me ngjyrë të verdhë, ngjitur me spitalin, ka mësuar shkrimtari me emrin Migjen. Flitej copa-copa se në stadiumin e futbollit, ku shkoja shpesh të dielave, një sulltan i Turqisë paskësh thirrur krerët shqiptarë në një gosti të madhe dhe i paskësh vrarë të gjithë, pa lënë asnjë të dalë i gjallë.

    Në vijim të jetës shkollore përpara jush shfaqet një qytet kryesisht me shqiptarë: Tetova. Tani ishit më i rritur, por çfarë kishit kuptuar ndërkohë, cila do të ishte e ardhmja juaj, cilat ishin ëndrrat?  

    Në fillim të viteve pesëdhjetë, dy vitet e para të Normales i bëra në Tetovë. Në këtë qytet, që gjatë periudhës italiane kishte qenë qendër prefekture dhe ku gjatë atyre viteve ishte ngritur një bibliotekë e pasur, për herë të parë pashë libra shqip. Në konviktin e Manastirit gjatë katër viteve mbaj mend që të kisha lexuar ndonjë libër në maqedonishte, pa m’u kujtuar mirë titulli i librit apo autori. Gjatë luftës dhe pas ikjes së Italisë, siç thoshin banorët e Tetovës, librat e bibliotekës kishin përfunduar në biblioteka private. Njëra nga vajzat e klasës sonë, tetovare me mbiemrin Malaziu (nuk më kujtohet emri), filloi të më sjellë herë pas here libra nga shtëpia, pa ndonjë rend, çfarë i binte në dorë. Atje për herë të parë e kam prekur me dorë dhe e kam lexuar romanin e Dostojevskit “Krim dhe dënim”, më duket në përkthim të Tajar Zavalanit. Kështu fillova të lexoj libra, çfarë më binte në dorë. Pas dy viteve të qëndrimit në Tetovë Shkolla Normale, e vetmja shkollë e mesme shqipe në Maqedoni, u zhvendos nga Tetova në Shkup. Në kryeqytet ishim më komod me hapësirë, një ndërtesë e madhe me oborr, ku ishte vendosur edhe shkolla edhe konvikti, në qendër të qytetit, por nuk u familjarizuam asnjëherë me qytetin, siç ndiheshim në Tetovë, ku qyteti na dukej si shtëpia jonë.

    Keni qenë student në Shkup së pari, pastaj keni vazhduar në Beograd. Në vitet ’50 Beogradi, si kryeqytet i Jugosllavisë, ishte një qendër e rëndësishme universitare, politike dhe ekonomike. Mund të na flisni për çfarë studiuat? A kishte shumë studentë shqiptarë? Zgjedhja e degës ishte në dorën tuaj apo ishte paracaktuar që më parë?

    Nga gjysma e viteve pesëdhjetë të shekullit të kaluar e deri në fillim të dhjetëvjetëshit gjashtëdhjetë vazhdova në Beograd, si banor i qytetit të studentëve, një mjedis me rreth pesëdhjetë mijë banorë-studentë nga mbarë Jugosllavia e atëhershme. Në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe pranë Fakultetit Filozofik të Beogradit, në gjuhën shqipe na ligjëronin profesor Idriz Ajeti dhe profesor Vojisllav Dancetovic për gjuhën shqipe, ndërsa profesor Anton Çetta për letërsinë shqipe. Të gjitha lëndët e tjera i dëgjonim në gjuhën serbe, ku lënda bosht dhe kryesorja ishte letërsia jugosllave, që dëgjohej gjashtë semestra me më shumë profesorë, dhe teoria e letërsisë me katër semestra. Katedra jonë për çdo vit kishte rreth dhjetë-pesëmbëdhjetë studentë. Kishte një bibliotekë modeste të librit shqip, kryesisht të Rilindjes. Me autorë dhe libra nga letërsia jugosllave – në program të saj ishin letërsitë e gjashtë republikave dhe ndonjë autor nga dy krahinat, – biblioteka ishte e furnizuar me bollëk. Sa më kujtohet, bibliotekës në katedrën tonë asokohe i vinte revista “Nëntori” nga Tirana, në faqet e së cilës mbaj mend të kem lexuar prozë nga Shuteriqi, Ali Abdihoxha, Kim Dushi, Musaraji.

    Gjatë viteve të kaluara në Beograd kohën më të madhe e kaloja në lexim të librave, sidomos klasikët e shekullit nëntëmbëdhjetë. Frekuentoja rregullisht tribunën e njohur Kolarc, në kuadër të Universitetit të Beogradit. Aty kisha rast të përcjell takime dhe biseda, pos me shkrimtarë të njohur jugosllavë, edhe me emra të shquar ndërkombëtarë. Isha gjithashtu vizitor i parapaguar, me biletë vjetore për studentët, në teatrin jugosllav të dramës, në skenën e të cilit në ato vite, duke qenë ende student, filloi të shfaqet aktori shqiptar Bekim Fehmiu.

    Kur u kthyet në Shkup, filluat punë në gazetën “Flaka e vëllazërimit”. Jam kureshtar të di, shkrimet tuaja të para si gazetar nisin këtu? Ishte një kohë jo aq e përshtatshme për gazetari objektive, aty ku jetonit dhe vepronit ju. Si i përballonit sfidat e natyrës politike? Mos patët ndonjë pasojë? Besoj se aty ka filluar edhe interesimi për kritikën letrare. Si ndodhi që iu përkushtuat kësaj?

    Pas studimeve u ktheva në Shkup dhe u punësova gazetar në redaksinë e gazetës së përjavshme “Flaka e vëllazërimit”, vend në të cilin gati e mbylla decenien e viteve gjashtëdhjetë. Në këtë të përjavshme të vetme në gjuhën shqipe në Maqedoni mbaja dy faqe gazete për kulturë dhe arsim. Nga kultura përmblidhja ngjarjet në fushën e letërsisë dhe teatrit. Në Shkup gjatë atyre viteve kishte vetëm një teatër shqiptaro-turk, ku një ndërtesë dhe një skenë e ndanin dy pakicat, si emërtoheshin shqiptarët dhe turqit asokohe. Nga fundi i viteve gjashtëdhjetë doli edhe revista e parë letrare në gjuhën shqipe, “Jehona”. Shumë në të rrallë botohej edhe ndonjë libër shqip, e më shpesh libra të përkthyer nga autorë jugosllavë. Në Shkup, por edhe në qytetet e tjera të Maqedonisë, qysh në atë kohë kishte ngjarje dhe manifestime letrare, si Mbrëmjet poetike strugane e shumë të tjera, të cilat redaksia jonë kishte obligim t’i përcillte. Fillova kështu ta njoh botën kulturore, sidomos letërsinë maqedonase. Jashtë obligimit të kësaj natyre vazhdimisht një sy e mbaja drejt Prishtinës, ku në institucionet arsimore dhe kulturore e publicistike ishin përfshirë shumica e kolegëve të mi nga koha e studimeve në Beograd. Prandaj fillova të botoj herë pas here në faqet e gazetës “Rilindja” në Prishtinë, sidomos shkrime për teatrin, letërsinë, por edhe për manifestimet letrare të Shkupit

    Natyrisht, ajo që më së shumti më pëlqente dhe që më shumë më tërhiqte gjatë viteve të mia të gazetarisë në Shkup ishte letërsia. Duke informuar për manifestime letrare, për libra të promovuar dhe të vlerësuar me çmime vjetore, duke bërë informimin fillestar për përmbajtjen e tyre, me kohë fillova që këtë aktivitet ta përcjell edhe me ndonjë koment, me pretendime vlerësuese, që u bë më vonë fusha në të cilën u përqendrova.

    Në fund të viteve ’60 ju ftojnë në Universitetin e Prishtinës. Atje gjetët miqtë dhe shokët tuaj me të cilët kishit studiuar bashkë. “Rilindja” dhe Universiteti i Prishtinës u bënë dy qendra të rëndësishme kulturore.  Na thoni diçka më konkretisht për këtë kohë e për këtë atmosferë?

    Në fillim të viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar u vendosa në Prishtinë. Fillimisht, dy vitet e para, në shtëpinë botuese “Rilindja”, bashkë me Ramiz Kelmendin, Rrahman Dedajn, Fahredin Gungën, Nazmi Rrahmanin, të cilët, së bashku me shkrimtarë të tjerë, si Azem Shkreli, Anton Pashku, Ali Podrima etj., kishin botuar librat e parë dhe kishin bërë emër. Redaksia e botimeve “Rilindja”, që asokohe ishte ngritur në një shtëpi të shqiptarëve nga mbarë Jugosllavia, brenda këtij aktiviteti, në gjirin e vet kishte themeluar edhe një bashkëpunim, sado të kufizuar, me redaksinë e botimeve “Naim Frashëri” të Tiranës. Pos një numri botimesh të gatshme që shkëmbenim, ata na dërgonin edhe vepra në dorëshkrim, ende të pabotuara atje, që ne të mënjanonim çfarë nuk shkonte dhe çfarë nuk mund ta bluante mulliri i këtushëm dhe t’i botonim. Po në këtë periudhë për herë të parë “Rilindja” filloi të botojë romane në dorëshkrim, siç ishte edhe “Kështjella” e Ismail Kadaresë, që e kam lexuar në dorëshkrim. Në këtë hark kohor bashkëpunimi filloi edhe seria e veprave komplete, gjithnjë për herë të parë në hapësirën shqiptare, opusi letrar i Petro Markos, proza e Ali Abdihoxhës, kompleti i romaneve të Jakov Xoxës; më pas, nga gjysma e dytë e viteve shtatëdhjetë, për herë të parë do t’i botohet kompleti i veprave edhe Dritëro Agollit, Ismail Kadaresë, Eqrem Çabejit etj. Është për t’u theksuar se të gjitha këto vepra e autorë që i përmenda, dhe botime të tjera, në tregun e Kosovës gati shiteshin brenda ditës. Ekzistonte një entuziazëm i madh tek të rinjtë, ndër studentët e Universitetit të Prishtinës sidomos. U gëzoheshin botimeve letrare, organizoheshin takime të shpeshta të shkrimtarëve në Kosovë dhe jashtë Kosovës me lexues, më rrallë edhe me shkrimtarë nga Shqipëria. Në Prishtinë, pas brezit të Esat Mekulit, Hivzi Sulejmanit, Tajar Hatipit, Zekeria Rexhës, që ishin bërë gati klasikë, ishin afirmuar edhe emra, si Enver Gjerqeku, Ramiz Kelmendi, Rexhep Hoxha etj., dhe pas tyre brezi i autorëve të përmendur më sipër, si Azem Shkreli, Rrahman Dedaj, Ali Podrimja, Nazmi Rrahmani, Fahredin Gunga, Din Mehmeti, Besim Bokshi, po shfaqeshin edhe më të rinjtë, si: Sabri Hamiti, Zejnulla Rrahmani, Eqrem Basha, Mehmet Kraja, Teki Dërvishi, Beqir Musliu, Musa Ramadani etj.

    Mund të thuhet se vitet shtatëdhjetë janë vitet e një zhvillimi shpërthyes në të gjitha fushat në Kosovë. Ajo, edhe pse nuk e kishte siglën e republikës brenda ish-Jugosllavisë, i kishte pothuajse tërë nishanet e saj. Ishte dhjetëvjetëshi kur përjetoi një hov të paparë arsimor, kulturor dhe shkencor, përfshirë nga një entuziazëm shpërthyes, nga një zgjim i brendshëm që mëtonte të zërë ritmin e humbur në kohë. Prishtina u bë qendër arsimore e kulturore për mbarë shqiptarët në Jugosllavi. Universiteti i saj po rangohej pa u skuqur brenda dymbëdhjetë të tillëve në hapësirën e atëhershme jugosllave. Rektorë të rangut si Gazmend Zajmi me shokë, edhe kur e kishin radhën sipas rotacionit të atëhershëm të udhëheqin bashkimin e universiteteve jugosllave, ndiheshin të barabartë, por shpesh edhe superiorë. Njësoj, sipas të njëjtit rotacion, edhe në Lidhjen e Shkrimtarëve të Jugosllavisë, kur ajo udhëhiqej nga poeti Azem Shkreli, që si krijues dhe intelektual qëndronte midis majave, shkëlqente gjithashtu. Në këtë kontakt dhe hapësirë kohore ndodhi edhe bashkëpunimi arsimor dhe kulturor mes Prishtinës dhe Tiranës. Në fakt, ishin dy porta të hapura: mes dy universiteteve dhe dy shoqatave të shkrimtarëve, asaj të Kosovës dhe të Shqipërisë. Nën këtë ombrellë bashkëpunimi u përfshi një numër i madh profesorësh nga Universiteti i Tiranës, me leksione gati të rregullta, sidomos në fakultetet me mungesë kuadrosh nga fusha e shkencave ekzakte dhe mjekësore, por edhe në albanologji. Kishte shkëmbim institucionesh, shkëmbim shfaqjesh teatrore, ansamblesh dhe koncertesh muzikore, shoqatash folklorike etj.

    Ju po më pyesni pse nuk mund t’i heqim barrierat e bashkëpunimit të paktën në këto fusha sot. Është pyetje para së cilës njeriu i ngre supet. Të shkon mendja nganjëherë të thuash mbase pse na rri mbi kokë një shpatë që kërcënon dhe ta ndërpret çdo bashkëpunim të mundshëm, sa herë të dojë dhe sa herë t’i teket. Mbase mos jemi natyrë që, kur na lihet vetvetja në dorën tonë, jemi shpërdorues të lirisë, të vetvetes. Ju po thoni që një bashkëpunim i tillë i mungon edhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovë me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Kjo qëndron pjesërisht. Në mes dy akademive për çdo vit nënshkruhet një protokoll bashkëpunimi i dyanshëm dhe gjatë çdo viti mbahen dy deri në tri konferenca, tryeza të përbashkëta. Ekzistojnë gjithashtu marrëdhënie të mira ndërpersonale pune. Mungojnë projektet afatgjata që nuk mund të ndodhin pa përkrahjen e nevojshme nga shoqëria, kur është fjala për këto nivele bashkëpunimi.

    Kur keni shkelur për herë të parë në Shqipëri?

    Në kuadër të bashkëpunimit mes Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë dhe Shoqatës të Shkrimtarëve të Kosovës, në pranverën e vitit 1970, kjo e fundit mori një ftesë nga Lidhja për të marrë pjesë në shënimin e shtatëdhjetëvjetorit të vdekjes së Naim Frashërit. U caktua një grup, më duket prej 10 ose 12 anëtarëve, – Esad Mekuli, Mark Krasniqi, Vehap Shita, Azem Shkreli, Rexhep Qosja, Rahman Dedaj, Ali Podrimja, Nazmi Rrahmani, në mesin e të cilëve edhe unë. Ishte ngjarje e rëndësishme, sidomos për ne që do të vinim për herë të parë në Shqipëri, prandaj besoj, si të tjerët, atyre ditëve, para nisjes, isha i përfshirë nga emocionet e pritshmërisë.

    Në Shqipëri hymë nga Hani i Hotit, ku na prisnin përfaqësues të Lidhjes. U nisëm drejt Tiranës në kolonë së cilës i printe njëra nga makinat e mikpritësve që e ndiqja unë me Fiatin tim 1300, duke pritur me padurim të mbërrijmë sa më shpejt në kryeqytetin e Shqipërisë. Diku, mbase afër Tiranës, ku m’u duk rruga si më e përshtatshme për të rritur shpejtësinë, – më bëhet se e kisha Podrimjen dhe Shkrelin në makinë, – e shkela gazin, dhashë shenjë dhe dola në krye të kolonës. Nuk zgjati shumë tempi i ri i kolonës, shoferi mikpritës të cilin e kalova më dha shenjë, dha sinjalin e krahut të majtë, rriti shpejtësinë dhe doli përsëri në krye – solli rregull me shpejtësinë 50-60 km në orë, shenja e parë, elegante, e disiplinimit. Në Tiranë, para se të vendosemi në hotel, zbarkuam drejt e në oborrin e Lidhjes. Shkallëve drejt hyrjes së një godine të bukur na priste, në krahun e djathtë dera krahëhapur drejt sallës së madhe, një grup shkrimtarësh, mbase pesëmbëdhjetë a më shumë, të gjithë në këmbë. Besoj se nuk njihnim asnjërin – të paktën unë – dhe besoj se nuk njihnin as ata ndonjërin nga ne, pos ndonjërin që mund ta kishim parë, përkatësisht mund ta kishin parë ata në foto a diku. Mbaj mend që u përziemë brenda në një atmosferë dhe ambient surreal, në një si kërkim të njëri-tjetrit, si mes të njohurve moti e të mosnjohurve kurrë. Në atë gjendje gjysmëpërgjumjeje afrohet drejt meje një mesoburrë, me një qeshje të hapur mirësie, përhapëse, tërheqëse, me flokë të zinj të bujshëm dhe më mori në përqafim: jam Dhimitër Xhuvani, ma shqiptoi emrin në vesh, duke më mbajtur gjatë ashtu. Po, më kishte parë në televizionin e Beogradit. Asokohe Prishtina ende nuk kishte televizionin e vet. Kishte një dritare, më duket disaorëshe në javë, dhe brenda tyre edhe nja 15 minuta kulturë, brenda të cilave unë kisha folur për romanin e tij “Përsëri në këmbë”. Dikur dikush na ftoi – mbase Dhimitër Shuteriqi – të zinim vend rreth një tavoline të madhe, të rrumbullakët, ku ishin servirur gotat e rakisë dhe mezet. Nuk më kujtohet nëse vendet ishin të caktuara përpara për secilin apo jo, por mbaj mend se u gjenda në një karrige me shikim nga muri-xham që shikonte nga oborri, mes një zonje në të majtë, që ishte nga administrata e Lidhjes, dhe në krahun e djathë me Ismail Kadarenë, të cilin e kisha parë diku në foto. Nuk mbaj mend shumë detaje as nga ky takim, pranë gotave që, tok me gëzimin nga ftesat e Lidhjes, ditët e përgatitjes, udhëtimin… kishin krijuar ritëm real dhe virtual bashkë, por një detaj, nga ndeja në krah të Kadaresë, kureshtar, por edhe i hutuar, më ka mbetur i gjallë. Brenda një zhurmërime, pas kupës së Kryetarit të Lidhjes për mirëseardhje, që u krijua mes bisedash tani tek-e-tek, po prisja një reagim kontakti me Kadarenë. Nuk ecnin as minutat në heshtje. Ktheja kokën herë-herë me kujdes në atë drejtim dhe mbaj mend sikur Kadareja e kishte fiksuar shikimin diku në një qoshe të tavanit të lartë dhe dukej sikur nuk ishte fare i pranishëm. Heshtja dhe prisja nuk e di sa kohë, kur m’u drejtua me një pyetje: “Ju jeni redaktor i disa botimeve te Rilindja e Prishtinës, nga autorë të Shqipërisë?” “Po”, – i them, meqë si redaktor në shtëpinë botuese “Rilindja”, ku isha bashkë me Ramiz Kelmendin dhe Nazmi Rrahmanin, kisha firmën në romanet e P. Markos, A. Abdihoxhës, J. Xoxës, e vazhdimin e mëtejmë të bisedës së nxitur nga kjo pyetje e pasoi pyetja tjetër: “Dhe nuk gjete asgjë më të mirë për botim?” Gati u preva, si t’ia shpjegoja se autorë nga Shqipëria botonim ç’na binte në dorë, rastësisht, mjaftonte të ishte pa problem nga syri i censurës jugosllave. Vetëm të ishte autor nga Shqipëria dhe lexuesi i etshëm e rrëmbente si dhuratë të Zotit. Kështu mbeta pa fjalë. Ishte i papërballueshëm argumenti – besimi absolut i Kadaresë për formatin e shkrimtarit.

    Më 2005, shtëpia botuese “Serembe” në Shkup jua botoi kompletin e veprave në katër vëllime, deri atëherë ju ua botonit të tjerëve veprat në komplete. Si e pritët këtë ndërmarrje?

    Po, në vitin 2005 shtëpia botuese “Serembe” në “Vepra të zgjedhura” botoi katër vëllime nga krijimtaria ime letraro-shkencore. Falë themeluesit dhe udhëheqësit të kësaj shtëpie botuese, shkrimtarit Resul Shabani, në Shkup për herë të parë u përkrah një projekt i tillë nga Ministria e Kulturës edhe për një krijues nga radhët e shqiptarëve. Dua të përmend se ishte fatkeqësi dhe dëm për jetën letrare në gjuhën shqipe në Maqedoni që shtëpia botuese “Serembe”, në mungesë të përkrahjes nga pushteti i atëhershëm, nuk arriti të mbijetojë, që do të thotë se aktiviteti botues shqiptar në Maqedoni dhe jeta letrare shqiptare nuk e shfrytëzoi përvojën e Resul Shabanit në këtë fushë, nuk e shfrytëzoi profilin e tij si njohësi më i mirë i të dy letërsive në Maqedoni, asaj shqiptare në përgjithësi dhe asaj maqedonase, për komunikimin e të cilave është një nga kontribuesit më të shquar. 

    A nuk duket sikur është zbehur roli i kritikut që me rënien e regjimit të kaluar? Më saktë: duket sikur mungon dukshëm, siç thuhet. Dihet roli që kishte kritiku atëkohë, por edhe mbështetja e madhe që kishte nga lart, për arsye të qarta ideologjike. Mos duhet ta gjejmë këtu arsyen pse nuk kemi një koncept të qartë të kritikut në kohën e sotme? Në Tiranë dhe Prishtinë janë një numër studiuesish dhe kritikësh të rinj që kanë studiuar në Perëndim. A janë ata shpresa për një zhvillim të pritshëm të kritikës?

    Duke u pajtuar me konstatimin tuaj, përgjigjen po e nis nga fjalia e fundit e pyetjes: po, hapësira shqiptare e Ballkanit për çdo vit përcjell qindra të rinj për shkollim nëpër botë. Një numër i mirë i tyre kthehen. Natyrisht, jo të gjithë me diploma të universiteteve prestigjioze. Të tillët, edhe pse janë pakicë, për fatin tonë të keq, nuk pranohen nga kjo perspektivë përparësie, por trajtohen në turmë, bashkë me ata që kthehen me përgatitje modeste. Në mesin e pakicës ka të rinj me formim të lartë profesional që do ta gjallëronin kritikën letrare, do ta rrisnin nivelin shkencor, por u mungon hapësira që do t’i stimulonte. Media jonë e marrosur pas reklamës dhe klikimit pëlqyes mekanik ka përjashtuar, në limite minimale, vlerat në art, në estetikë, në etikë… Këta të rinj, me përgatitje të lartë dijeje dhe formim nga këto fusha, edhe me pasionin për t’iu përkushtuar shkencës letrare, qoftë në Tiranë, qoftë në Prishtinë, dalin në rol të dytë përballë shoumenëve që, përditë e më agresivisht, e pushtojnë hapësirën mediatike, sidomos në fushën e vlerave për të cilën flasim, duke mos mundur të sigurojnë as minimumin e ekzistencës së përditshme sociale. Që do të thotë se për një ndryshim serioz në këtë fushë duhet ndërhyrje e përkrahje institucionale tash për tash e munguar.

    Duke ju parë që ende drejtoni makinën dhe lëvizni shumë, jo vetëm në kryeqytetet tona, por kudo në ato vende ku flitet për librin, si në konferenca, panaire, promovime, dëshiroj t’ju bëj një pyetje të fundit: ku ndiheni më mirë?

    Nuk kam menduar, përkatësisht asnjëherë nuk e kam pyetur veten nga kjo perspektivë. Natyrisht në Prishtinë, ku kam kaluar dhe po kaloj pjesën më të madhe të jetës, ku kam kolegë e miq të shumtë të punës, ku përditë e më shumë më njohin si gjyshi i Kreshnikut apo i Valit dhe ku shpresoj të përjetoj edhe lumturinë e të bërit stërgjysh. Por i gjendur përballë pyetjes suaj kapa një dallim që s’e paskësha hetuar: ndryshe ndihem mirë në Shkup, ndryshe në Tiranë, ndryshe në Prishtinë. Në këtë të fundit, për ato që thashë më sipër dhe për ato rreth tyre. Në Shkup, ku kam bërë shkollën e mesme dhe vitet e para të punësimit, shkoj me një mall konstant për të shkelur kalldrëmin e rrugëve të Çairit me gjurmët e moshës djaloshare dhe mezi pres të pi kafenë me Luan Starovën, Kim Mehmetin, Resul Shabanin, Rexhep Zllatkun, Fejzi Bojkun, Azis Pollozhanin, Halil Zendelin… Ndërsa në Tiranë, po ta kisha më afër, do të shkoja të paktën një herë në muaj. Përpos miqve të shumtë e të mirë, atje për çdo mbrëmje mund të zgjedh një ngjarje kulturore, një shfaqje në njërin nga teatrot, një koncert, një galeri, një përurim libri a përvjetor figurash e datash dhe një ndejë me Z. Çelën, Sh. Sinanin, N. Zoton, B. London, I. Toçin, D. Çulin, S. Bejkon, Arian Lekën…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË