More
    KreuLetërsiShënime mbi libraAli Aliu: E besueshmja – e pabesueshmja

    Ali Aliu: E besueshmja – e pabesueshmja

    1

    Gjatë panairit të librit në Prishtinë, – Qershor 2022, në kallaballëkun mes stendave, një çun i ri, i gjatë dhe simpatik, duke më përshëndetur ngrohtësisht, më lëshoi në dorë një libër; ngrita kokën, po qeshte lirshëm; mu kujtua që e kisha pare në panairin e shkuar, – Tiranë 2021, gjatë prezantimit të një poete në stendën e botuesit Onufri; ishte autori i romanit “Marrja e Gjakut”, Andreas Dushi; lindur më 1999 në Shkodër; romani në fjalë botuar në vitin 2018, botuar nga Onufri 2018; gjesti, rrethanat, më tërhoqën vëmendjen dhe unë e lexova romanin “Marrja e gjakut”.

    2

    Fabula e romanit, nisur edhe nga titulli, është kanunor, por sjellë nga një perspektivë rrëfimi, e “padëgjuar” në letërsinë shqipe, – të paktën për mua: “Kur në shtëpinë e Vocit vetëvrare, shfaqet Vilzani, vëllai i tij, një debat lind mes tij dhe djemve të të ndjerit. Sipas Vilzanit, Voci ishte edhe vrasës, edhe i vrarë, dhe prandaj familjarët e tij duhet të ndaheshin familjarët e vrasësit dhe në ata të vrarit. Të dytët kishin si detyrë marrjen e gjakut te të parët”. (Citat nga romani)

    Voci, personazhi kryesor, pa u lënë asnjë shenjë dëshmie familjarëve të vet – gruas Leticia dhe katër, djemve, -Leka, Lulashi, Leci dhe Laloshi, për arsyet e vetëvarjes; si u vetëgjetën ata, katër djemtë, në raport me të atin, si të të përkëdhelurit e tij apo si plangprishës, nuk ishte vështirë; kështu, të parët, sipas këtij kanuni, do kërkojnë gjakun e të atit nga të dytët….

    Ky është skeleti i fabulës që, besoj se e nxit kureshtjen por edhe kërkesën e lexuesit në përballje me të besueshmen dhe të pabesueshmen në art, shtruar që nga Aristoteli, i cili e nxjerr poezinë më të besueshme se historinë; tek romani “Marrja e gjakut”, faqen e pabesueshme autori i ri arrin ta shpëtojë, duke i vendosur në sfond vëllezërit biblike,- Abel, Kain…

    3

    Por ana më e rëndësishme e romanit ka të bëjë me poetikën narrative. Rrëfimin romanor me këtë rast e bartin dy shtylla: zëri i narratorit dhe zëri i rapsodit; secili në funksion drejt mbështetjes së njëri-tjetrit, ta bëjnë të besueshme fabulën e pabesueshme; zëri i parë, i narratorit, i vetëdijshëm për vështirësitë, orë e çast thërret në ndihmë edhe praninë e vëmendjes së lexuesit, i cili, pohon në heshtje, duke “tundur kokën”; në këtë poeticë narrative, autori inkuadron mori detajesh, prita, dykuptimësi, duke filluar që nga titulli i romanit, – marrja e gjakut, – marr gjak, marre,- po hanin së bashku marren me bukë (f.123) ;prani e largët e incestit, shprishje gjaku hapësirave greko-italiane, etj; ngarkesa të shumta këto që e rëndojnë kthjelltësinë e rrjedhës romanore; ngjashëm edhe me pleksjen dhe shpleksjen mes tyre, personazheve, mbase qëllimisht e mjegulluar.

    Le të kthehem edhe njëherë tek e besueshmja dhe e pabesueshmja në art, që është vijë e kuqe, e kalon s’e kalon; thamë që nuk është vendimtar fakti se diç ka ndodhur apo jo në jetë, në histori, por nëse ndodh apo nuk ndodh ashtu në jetë; i besojmë apo jo rrëfimit të autorit në romanin “Marrja e gjakut”? Ndodh apo nuk ndodh në jetë ngjarja që sjell romani? Po të thoshim edhe mund të ndodhë, do ta kthenim bëmën në rastësi, në një përjashtim ligji, gjë të cilën e mirëkupton historia por jo poezia; ajo që e shpëton nga refuzimi besueshmërinë në këtë rast, është sfondi biblik që përmenda në fillim; tek romani “Marrja e gjakut”, nisma drejt shtegut kanunor, që në fillim, në ecje e sipër, natyrshëm, dhe me shkathtësi ia hap rrugën atij biblik.

    Autori i ri Andreas Dushi është i talentuar; ritmi, ngjyrimi i rrëfimit të tij arrin ta mbajë vëmendjen e lexuesit; imagjinata e tij e bujshme, e tejdukshme krijon atmosferë në harmoni me përbërësit e tjerë të diskursit; gjuhë plot gjallëri kolorit, dhe, formim kulturor, letrar, që, së bashku e bëjnë fare periferik ndonjë manirë rinore për t’u dëgjuar me çdo kusht.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË