More
    KreuHistoriAurel Plasari: Akademia shqiptare si projekt i një zonje të madhe

    Aurel Plasari: Akademia shqiptare si projekt i një zonje të madhe

    Kur historia e Rilindjes kombëtare shqiptare të shkruhet për së mbari, do të vihet re sesi vetëm e gjymtojmë duke e filluar atë me vitin 1879, domethënë me “Shoqërinë e Stambollit”, sikundër është sanksionuar në gati të gjitha botimet e historiografisë zyrtare shqiptare për lëvizjen e Rilindjes dhe mendimin e saj politik e shoqëror. Pa qenë ndonjë “shpikje” e historiografisë zyrtare, një fillim i tillë ngjan me imitimin e një teze të vjetruar periodizuese të Namik Ressulit nga një shënim i tiji parathënës me titull Lëvizja kulturore letrare shqiptare që nga viti 1878 (1941). Dallohet që Ressuli ka pas vendosur për kufi Lidhjen e Prizrenit, duke nënkuptuar që të ketë qenë lëvizja politike e Rilindjes ajo që ndikoi mbi lëvizjen kulturore rilindëse, jo e kundërta.

    Faktet e regjistruara historikisht dëshmojnë që fillimet e Rilindjes kombëtare shqiptare i kanë shenjuar, dhjetëvjetësha para 1879-s, intelektualë shqiptarë ose me origjinë shqiptare të Europës së rilindur. Ndër ta edhe princesha Elena Gjika (1828-1888) me emër të betejës kulturore Dora d’Istria. Prej veprimtarisë së saj të viteve ’60-’70 të shekulli të Rilindjes kombëtare mund të rindërtohet pothuaj e gjithë platforma ideologjike e asaj Rilindjeje, duke përfshirë edhe kryengritjen armatosur, mbasi edhe për furnizimin e Shqipërisë me armë punoi zonja e madhe.

    Mund të nxirren tezat e platformës së saj ideologjike, fjala vjen, nga shkëmbimi i shpeshtë i ideve mes princeshës dhe dy arbëreshëve të mëdhenj, themelues të lëvizjes iluministe arbëreshe, Dhimitër Kamarda dhe Jeronim de Rada, nga njëra anë. Skiròi e pati vënë re me kohë që përpjekjet sidomos të De Radës e të Kamardës shënuan rifillimin e marrëdhënieve të arbëreshëve të Italisë me shqiptarët e mëmëdheut dhe hodhën themelet, ndoshta mes më të fortave, të “zgjimit kombëtar shqiptar”. Nga ana tjetër, të njëjtat ide rezulton t’i ketë shkëmbyer zonja e madhe edhe me atdhetarët veprimtarë të mërguar, si Thimi Mitko, Leonard de Martino, me shumë gjasë edhe Prend Doçi, sidomos me Zef Jubanin, ky herë në atdhe e herë i arratisur prej tij si i përndjekur. Kur më 1899 Sami bej Frashëri botonte si anonim traktatin magjistral Shqipëria ç’ka qenë ç’është e ç’do të bëhetë (1899), Dora d’Istria nuk ishte më gjallë. Por ajo prej tre dhjetëvjetëshash e kishte bërë tanimë të ndjeshëm opinionin kulturor europian për çështjen kombëtare shqiptare me studimet e saj në frëngjisht, italisht, gjermanisht etj.: Kombësia shqiptare simbas këngëve popullore (1866), Shqiptarët e të dy brigjeve të Adriatikut (1866), Shkrimtarët shqiptarë të Italisë Jugore (1867), Shqiptarët myslimanë: Shkodra dhe Bushatllinjtë (1868/1870), Shqiptarët në Rumani (1874) dhe dhjetëra punime të tjera në revista kulturore dhe shkencore të Europës.

    Në e heqshim m’anësh princeshën rumune, e cila lavdërohej me origjinën e vet shqiptare, nuk mund ta skajojmë Zef Jubanin, bashkëluftëtar i saj në Shkodër. Ai qysh më 1871 kishte botuar punimet social-kulturore dhe ekonomiko-politike: Aktualiteti i popullit të Shqipërisë së Epër (1870/1871), Kundrime mbi gjendjen morale e mbi kulturën  intelektuale të popullit shqiptar (1871), Sistem i ri shkronjash shqipe mbi alfabetin latin (1871) etj. Shqipëria vërtet varej nga Stambolli, por kishte edhe Shkodër, ku rilindja kulturore kryente procesin e vet. Mund të gjesh edhe ndër punimet e Jubanit gati të gjitha tezat e platformës ideologjike të Rilindjes sonë: ringjalljen e traditës së lashtë kulturore dhe historike si bazë për rimëkëmbjen e Shqipërisë; nevojën për një sistem të ri administrativ e gjyqësor për t’i dhënë fund gjendjes së anarkisë nëpërmjet hartimit të kodeve të reja administrative e juridike; detyrën për shkolla publike laike të mbajtura e të mbrojtura nga qeveria përkundrejt rrezikut nga klerit i huaj e i paguar nga të huajt; përmirësimin e gjendjes materiale të vendit me anë të ndërtimit të një rrjeti modern rrugor; projektin e organizmit të shoqërive sipërmarrëse publike për lundrim e tregti dhe sidomos tregti të jashtme – më shqip nevojën për futjen e marrëdhënieve kapitaliste; deri edhe urgjencën për themelimin e një alfabeti të përbashkët dhe për nxitjen e një lëvizjeje letrare kombëtare etj.   

    As lëvizja e romantizmit shqiptar, bashkëfunksionale me Rilindjen kombëtare, nuk ka pasur mundësi ta zinte fillin me romantikët e Stambollit, sikundër është vijuar të ngulmohet edhe te Historia e letërsisë shqiptare, botuar nga Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë i Akademisë së Shkencave të RPS të Shqipërisë (Tiranë 1983). Me gjithë specifikat e veta shqiptare, romantizmi shqiptar e mori hovin i ndikuar nga romantizmi europian, që dihet se u përhap nëpër kontinent si lëvizje me valë nga perëndimi i tij drejt lindjes dhe jo ndryshe. Pra: nga lëvizja romantike e Anglisë dhe e Gjermanisë tek ajo Francës, e Italisë dhe më në fund e arbëreshëve të kësaj, romantizëm kombëtar e deri revolucionar ndonjëherë. Vetë romantikët e Stambollit sytë nga Europa romantike i mbanin dhe prej saj i merrnin hua modelet. Për të dëftuar sa anakronik rezulton ndërtimi i historisë së romantizmit shqiptar duke e filluar atë, siç është bërë deri sot, me Naimin dhe mandej për ta vijuar me De Radën me shokë, do të mjaftonte të vihet re që Naim Frashëri për kronologji ishte “bir” i Jeronim de Radës. Madje kur De Rada kishte botuar kryeveprën e vet Këngët e Milosaat (1836), Naim nuk kishte lindur ende: do të lindte plot dhjetë vite më vonë, më 1846. Edhe në një histori të re të romantizmit shqiptar kontributi i zonjës Dora d’Istria do të spikasë për promovimin ndërkombëtar që ajo i bëri, me botimet e veta, lëvizjes romantike shqiptare në fillimet e saj dhe asaj arbëreshe veçan.

    Nuk ka – as mund të ketë – historiografi duke manipuluar kronologjinë, e cila përbën sistemin e organizimit dhe të klasifikimit të ngjarjeve në bazë renditjes së tyre përgjatë rrjedhës kohore. Qenia njerëzore me mend ka qenë e detyruar ta përdorë kronologjinë qysh prej mijëvjeçarësh, edhe për nevojat e jetës praktike, kur historiografia nuk ekzistonte ende as si përrallë dhe jo më si shkencë. Nëse kjo parantezë hyrëse për respektimin e kronologjisë në shkrimin e historisë ishte apo jo e nevojshme do të kuptohet tani që po i kthehem zonjës Dora d’Istria për të vlerësuar njërin nga kontributet e saj në platformën ideologjike të Rilindjes kombëtare shqiptare, më sak të Rilindjes intelektuale shqiptare.

    Zonja e madhe rezulton e para që të ketë shtruar nevojën e themelimit të një Akademie shqiptare. Madje të ketë përvijuar edhe projektin e organizmit të saj. Ecuria e projektit për një akademi të tillë mund të ndiqet në letërkëmbimin e saj të gjerë, më së shumti edhe të dalë në dritë, sidomos në 105 letrat në këmbim me De Radën, që ruhen në AQSh në origjinalin frëngjisht dhe në një variant të përkthyer shqip. Për fat të keq – në të vërtetë për mungesë nismash hulumtuese – letrat këmbyese të De Radës për Dora d’Istrian nuk janë gjetur ende se ku ndodhen.

    Ka qenë viti 1866 kur, në letrën historike të datës 14 nëntor, Dora d’Istria i ka parashtruar De Radës idenë e nevojës së themelimit të një “Akademie shqiptare” (letra XI). Kishte ngulmuar qysh në një letër të mëparshme për domosdonë e bashkimit intelektual, shkencor dhe moral të shqiptarëve si bazë për “bashkimin e tyre politik”. E kishte rrokur kontekstin në momentin e duhur historik duke u shprehur: “edhe koha është e përshtatshme për rilindjen e kombeve” (letra IX).

    Anëtarët e Akademisë shqiptare, simbas projektit të saj, duhet të ishin “me prejardhje shqiptare”, ka nënkuptuar pra edhe veten padyshim. Si të jetë themeluar me pëlqimin e anëtarëve kryesorë të kolonive dhe t’u ketë lëshuar anëtarëve themelues diplomat përkatëse, ka saktësuar ajo, Akademia do të plotësohej me anë të zgjedhjeve. Duke llogaritur nevojën e tërheqjes së interesit të studiuesve të huaj “për zhvillimin dhe të ardhmen e kombësisë shqiptare”, Akademia duhej të zgjidhte edhe anëtarë korrespondentë nga radhët e dijetarëve që merreshin me studimet shqiptare: “Por kjo nuk do të thotë që këta të fundit gëzojnë të drejtën për të marrë pjesë në vendimet e Akademisë” (po aty).

    Akademia shqiptare e projektuar prej saj duhej të kishte një kryetar dhe një sekretar, që do të zgjidheshin për vit. Në letrën e 19 janarit 1867 ajo është ofruar: “Unë mund ta merrja vetë përsipër, me gjithë dëshirë, hartimin e Statutit të Akademisë”. Po aty ka premtuar që diplomat, me të përfunduar organizmi i Akademisë, do t’i porosiste vetë në Paris (letra XIV). E shqetësuar nga intrigat greke, që i ka quajtur “tuhafllëqet e panhelenizmit”, ajo ka ndërhyrë përsëri te De Rada me këshillën: “nuk duhet vonuar organizmi i forcave intelektuale dhe morale të shqiptarëve, përndryshe ka rrezik të na e hedhin” (letra XV).   

    Faqja e parë e studimit të Dora d’Istrias: Kombësia shqiptare simbas këngëve popullore (1866)

    Si një “hallkë” të Akademisë, në kuptimin e një institucioni nën autoritetin e kësaj, Dora d’Istria ka parashikuar krijimin e një “shoqate letrare”, në bazë të parimit të qenësishëm të formuluar më se një herë prej saj: “çdo lëvizje e madhe rigjenerimi politik duhet patjetër të paraprihet nga një lëvizje letrare. Në Greqi Bigasët dhe Korajt kanë paraprirë Kanarisët dhe Karaiskaqët” (letra IX). Edhe më 14 nëntor 1866 e ka trajtuar si të ngutshme nevojën e krijimit të “institucioneve letrare”, me aq sa lejonin rrethanat e kohës, duke saktësuar: “Këto institucione, duke mos mundur ende të jenë politike, duhet të marrin formë letrare dhe të jenë në dukje sa më të padëmshme për turqit” (letra XI). Një institucion të tillë letrar ajo e ka përfytyruar të shtrinte veprimtarinë e rrjetit të tij “në të katra krahinat shqiptare”, me të cilat kuptoheshin në atë kohë Gegnia, Toskëria, Labëria, Çamëria. Meqë ra fjala, në një shkrim të dikurshëm në shtypin shqiptar studiuesi Lefter Dilo e quante zonjën e madhe qysh në titull “Vajza jetime nga Çamëria” [!] Ne t’i besojmë Lumo Skëndos së ditur që familja Gjika e sunduesve të Vllahisë ishte me origjinë nga Përmeti i Janinës.     

    Për zonjën e madhe detyra e parë e Akademisë shqiptare, në shembullin e Akademisë franceze, do të ishte hartimi i një fjalori të gjuhës shqipe. Ishte detyra që e realizoi më vonë, më 1907, shoqëria “Bashkimi”, e themeluar më 1899 nga abati atdhetar Prend Doçi, admirues i hershëm i Dora d’Istrias. Në përmbledhjen e Kamardës (1870) – që do ta përmend – Prend Doçi rinor i kishte kushtuar asaj poezinë Kâjkë per Zojen Doren d’Istries.

    Tjetër mision parësor i Akademisë së projektuar do të ishte organizimi i kërkimeve nëpër arkivat e Europës dhe ato të Lindjes për të zbuluar dhe mbledhur burimet dokumentare mbi bazën e të cilave do të duhej rindërtuar historia e Shqipërisë. Prej letrës së 19 janarit, nga Venediku, kuptohet që ajo i ishte vënë vetë asaj pune posa që njoftonte: “prej kohësh kam vënë njerëz të kopjojnë nga arkivat dokumentet e çmuara që kanë të bëjnë me Shqipërinë…” (letra XIV).

    Dimë, për shembull, se kush ishte bashkëpunëtori i ngushtë i saj për kërkimet në arkivat e Venedikut: ishte historiani arkivist Bartolomeo Cecchetti (1838-1889), specialist i paleografisë në Arkivin e përgjithshëm të Fretërve (dei Frari) dhe, në ndërkohën e bashkëpunimit me Dora d’Istrian, drejtor i përgjithshëm i Arkivave të Venedikut. Ai kishte filluar t’i kryente kërkimet arkivore për burimet mbi Shqipërinë me kërkesën e zonjës së madhe, – me gjasë edhe me pagesën e saj, – siç kuptohet prej letërkëmbimit mes tyre. Dëshmon për marrëdhëniet mes tyre një rrallësi që ruhet në Arkivin e Bibliotekës sonë Kombëtare në Tiranë: Di alcune opere della principessa Dora d’Istria, cenni di Bartolomeo Cecchetti (Venezia 1868) me shënimin e daktilografuar “Njëra nga kopjet fort të rralla në letër të verdhë. Ekzemplar që ruhet në Arkivin e Shtypshkronjës botuese”. Me një shtojcë të mëvonshme Cecchetti e plotësoi bibliografinë e Dora d’Istrias për vitet 1855-1873 (Firenze 1873).  

    Cecchetti jepte e merrte edhe me De Radën. Mund të thuhet që Dora d’Istria dhe De Rada e kthyen atë në shtegun e albanologjisë. Një bashkëpunim tresh, mes të dyve dhe zonjës së madhe, kuptohet nga një tjetër botim i parënë në sy, një fashikull 31-faqesh me titull Dora d’Istria e la poesia albanese (Venezia 1869). Gjenden në të: një letër e Cecchettit, e janarit 1869 nga Venediku, drejtuar De Radës; një poezi e De Radës shqip dhe italisht, e 10 shtatorit 1868 nga Shën Mitri, kushtuar Cecchettit në shenjë falenderimi për punimet e tij për zonjën Dora d’Istria; vlerësime të Cechettit për De Radën; bibliografia e përmendur e punimeve të Dora d’Istrias të botuara gjatë viteve 1855-1869; shënime për bibliografinë e mësipërme dhe për studiuesit që kanë shkruar për Dora d’Istrian.

    Kërkuesi i sotëm që shkon për hulumtime në Arkivin shtetëror të Venecias ka kënaqësinë të gjejë në regjistrin e përdoruesve të tij të hershëm emrin “madame Dora d’Istria” për kërkimet e kryera prej saj më 1868 veçan në dy fonde: 1) Akte të Përbetimeve të zotërve kryesorë të Arbërisë e të Serbisë kundër Turkut dhe 2) Gjurmë të orvatjeve të peshkopit të Kurcolës për të kryengritur Arbërinë në të mirë të Romës. Falë këtij bashkëpunimi me Dora d’Istrian, Cecchetti botoi pak vite më vonë një përkujtesë me vlerë për burimet arkivore mbi marrëdhëniet Venedik-Arbëri: Degli stabilimenti politici della Republica Veneta nell’Albania e delle sollevazione in Oriente fino al secolo XVI (Venezia 1874).

    Çështjen e akademizmit shqiptar Dora d’Istria e vështroi edhe më gjerë, duke mos e quajtur Akademinë të vetmin mjet të ringjalljes intelektuale të shqiptarëve. Në letrën e 28 qershorit 1867, nga Venediku, ajo ka parashtruar idenë që Kolegji i Shën Adrianit tek arbëreshët “të shndërrohet në një universitet të gjallë dhe veprues”. Si model ka dhënë Kolegjin e Shën Lazarit të armeneve të Italisë, i cili simbas saj hapi rrugën e ringjalljes intelekt-uale të armenëve. Dhe zonja e madhe ka përsëritur: “Dihet mirë se nuk ka ringjallje politike pa ringjallje letrare” (letra XXVI).

    Për themelimin e Akademisë shqiptare ajo ka rënë në marrëveshje edhe me filologun arbëresh Dhimitër Kamarda (1821-1882), më i rëndësishmi studiues i gjuhës shqipe në shek. XIX si autor i të parave monumente shkencore të kulturës arbëreshe. Ishte autor i veprës prijatare Sprovë e gramatologjisë krahasuese mbi gjuhën shqipe (Livorno 1864), që e kishte botuar me shpenzimet e veta. “At Kamarda, si e kuptoi rëndësinë që unë i kushtoja projektit të Akademisë dhe që ky propozim ishte bërë me të vërtetë nga ana ime, përqafoi edhe ai mendimet tona, – i shkroi ajo De Radës më 17 shkurt 1869. – Çështja do të zgjidhet sa më shpejt dhe në mirëkuptim të plotë, gjë që është fort e dëshirueshme” (letra XXXII). Kamarda do të ishte ai që u bë nismëtar dhe botues i asaj vepërze unike të kulturës shqiptare me kontribute përnderuese të 12 letrarëve shqiptarë kushtuar zonjës së madhe: “A Dora d’Istria. Gli Albanesi” (Livorno 1870). “Një manifestim i letërsisë shqipe në fillimet e lëvizjes kombëtare” e ka pas vlerësuar atë botim Shuteriqi në respekt të kronologjisë historike të lëvizjes kombëtare shqiptare. Letërkëmbimin e Dora d’Istrias me Dhimitër Kamardën nuk e njohim ende, por ai ruhet në arkivin privat të familjes Schirò në Palermo.

    Me interes fakti që Dora d’Istria zbulon me letrën e 29 dhjetorit 1866 nga Venediku: ajo e ka diskutuar qysh herët projektin e Akademisë shqiptare edhe me gjeneralin Garibaldi dhe ai atë “e miraton plotësisht” (letra XIII). Më 13 shkurt 1867, po nga Venediku, ajo i ka shkruar gjeneralit përsëri “lidhur me projektin e Akademisë” (letra XVII). Garibaldi jo vetëm që mbahej me origjinë arbëreshe, por ishte mbështetës i pasionuar i lëvizjeve kryengritëse të popujve të Ballkanit për t’u çliruar nga turkokracia. Bashkëpunimi me të i Dora d’Istrias nuk ishte vetëm “akademik” dhe nuk e përmenda kot përfshirjen e saj për furnizimin e Shqipërisë me armë. Qysh në dhjetor të vitit 1866, duke shpresuar për shpërthimi e një “kryengritjeje të përgjithshme në Shqipëri” në pranverën e ardhshme, ajo njoftonte De Radën dhe nëpërmjet tij edhe Vincenzo Dorsan: “kemi 15 deri 20 mijë pushkë (15 franga për copë të një cilësie shumë të mirë), të cilat mund t’i tërheq sapo ai [Garibaldi] të më lajmërojë” (letra XIII).

    Akademiku italian Angelo de Gubernatis (1840-1913), figurë kulturore europiane, rezulton po kështu një nga emrat në zë me të cilin Dora d’Istria të jetë konsultuar për projektin e Akademisë shqiptare. Mbeten për t’u studiuar letrat e dendura të Dora d’Istrias drejtuar De Gubernatisit, të cilat ruhen në Arkivin e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë (ASA). Ndërkaq shkëmbimin e ideve emancipuese të saj për një Europë “të popujve të lirë”, jo vetëm me Giuseppe Garibaldin dhe De Gubernatisin, por edhe me të tjera figura me ndikim në kulturën e kohës, si Giorgio Asproni, Lorenzo Valerio, Edgar Quinet etj., lexuesi kureshtar mund ta ndjekë në librin e studiuesit Antonio d’Alessandri: Il pensiero e l’opera di Dora d’Istria fra Oriente europeo e Italia (Roma 2008).

    Prej letërkëmbimit të zonjës së madhe mësohet që projektin e Akademisë Shqiptare ajo e ka diskutuar edhe me politikanin arbëresh Farnçesko Krispi, revolucionar garibaldin dhe në atë kohë kryeministër i Italisë. Prej tij është zhgënjyer dhe nuk e ka fshehur brengosjen: “është për të ardhur keq që z. Krispi nuk merret aq sa duhet me çështjen e  Akademisë” (letra XXVI).

    Për ç’i takon vendosjes së Akademisë shqiptare në fillimet e projektit ajo mendoi Kalabrinë, ndoshta e ndikuar prej De Radës (letra XI). Me kalimin e kohës ndërroi mendje. Edhe për gazetën që De Rada do të nxirrte, ajo ia çrekomandoi Kozencën e Kalabrisë, duke i propozuar Raguzën; nëpërmjet saj mund të ishte më i praktikueshëm depërtimi i së përmuajshmes së tij në Shqipëri. Fundja për vizionin e saj europian, me gjithë vlerat kulturhistorike që Kalabria bartte, ajo mbetej një “katund” i Europës. Atëherë Dora d’Istria i ktheu sytë nga Shkodra.

    Ajo, si edhe de Rada, qenë ushqyer prej historisë me kultin e Shkodrës. Kur ka dëgjuar, për shembull, që Gegnia ka rrokur armët kundër turkokracisë, i ka shkruar gjithë ngazëllim De Radës nga Venediku më 8 janar 1869: “Shpresoj se ne do të jetojmë deri asaj dite kur mbi kullat e Rozafës të valëvitet përsëri flamuri i Skënderbeut” (letra XXXI). Edhe mbas tre muajsh nga po aty: “Ia mbërritshim asaj dite të festojmë në Shkodër ditën e madhe të ringjalljes së popullit tonë zemërmadh dhe të shohim simbolin e qytetërimit të krishterë të shkëlqejë në kulmin e Rozafës, Akropolit të shenjtë të etërve tanë, në zjarret e diellit të Shqipërisë sonë [sic]!” (letra XXXIV). E sapokthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa ka treguar se po jetonte ende “me kujtimet e atij vendi të bukur dhe të njerëzve të tij të shkëlqyer”, e ka mbyllur letrën e 6 nëntorit 1880 nga Firencja me ledhatimin e shpresës për veten dhe për De Radën: “Duke pritur me gëzim ditën që do të kem fatin t’ju shtrëngoj dorën në Shkodër…” (letra XLVI). Kur më 1883 De Rada mundi të nxirrte, më në fund, numrin e parë të gazetës së tij Fiàmuri i Arbërit, tok me urimet ajo i shprehej: “Dua të besoj që flamuri i Shqipërisë ka për të marshuar ngadhënjimtar dhe ka për t’u ngritur një ditë mbi majat e Shkodrës, fitimtar dhe prijës të mirash” (letra L).

    Pllaka përkujtimore kushtuar Dora d’Istrias në kopshtin e ish-banesës së saj në Firence, Via Leonardo da Vinci, 28

    Shkodra e lidhi edhe më ngushtë zonjën e madhe me Zef Jubanin, të cilin ajo e “zbuloi” qysh më 1867 dhe ia prezantoi De Radës si “njeriu më i ditur i Gegëve” (letra XIV). Një muaj më mbas ajo është e brengosur për humbjen nga përmbytja prej Bunës e koleksionit me “këngë gege” që Jubani kishte mbledhur me synimin për botim (letra XVII). Me Jubanin kuptohet të jenë takuar qysh më 1867 dhe të kenë biseduar edhe kokë më kokë, sikundër Jubani është takuar edhe me De Radën si i ftuar i këtij (letra XLVI). Nëse ka ndodhur që tezat rilindëse të Jubanit të kenë rezultuar më të guximshme se të sajat, ajo ia ka mbështetur ato. Të tilla qenë, për shembull, tezat e tij për një arsim laik dhe publik, për t’u çliruar nga prirja e monopolizimit të kulturës prej klerit të huaj në Shqipëri etj. Edhe kur kleri i Shkodrës ia dënoi me ndalim Jubanit atë të parën përmbledhje të folklorit shqiptar nga një shqiptar brenda Shqipërisë, Raccolta di canti popolari e rapsodie di poemi albanesi / Tradotti nell’idioma italiano da Giuseppe Jubany albanese (Trieste 1871), Dora d’Istria ia mbajti anën Jubanit duke nxjerrë edhe përfundimin: “Padyshim që kleri katolik ushtron një ndikim të madh në Gegëri, nuk pranon asnjë lloj patronazhi, siç e provoi edhe botimi i veprës së z. Jubani, që u sulmua rëndë nga ana e tij. Rilindja intelektuale kundërshtohet jo vetëm nga osmanët, por edhe nga një varg traditash që e bëjnë mjaft të vështirë ecjen e saj përpara” (letra LXVII). 

    Rezulton që Dora d’Istria të ketë ndjekur me vëmendje punimet e Komisionit të Stambollit për alfabetin e gjuhës shqipe më 1869-1870. “Komisioni i caktuar nga Porta për të krijuar dhe zbatuar një alfabet shqip u dha fund punimeve të tij”: ka njoftuar ajo De Radën më 7 prill 1870 nga Torino (letra XXXIX). Çështjen e alfabetit ajo e ka përsëritur disa herë, jo vetëm në suazën e projektit për Akademinë shqiptare, por edhe para tij. “Po të guxoja, zotëri, të shprehja mendimin mbi një çështje që del nga fusha e studimeve të mia të zakonshme, – i ka shkruar ajo De Radës më 1866, – do të pëlqeja të përdoreshin vetëm shkronja latine. Madje edhe një pjesë e sllavëve të Jugut i patën parapëlqyer ato ndaj shkronjave cirilike me qëllim që t’i afrohen Perëndimit, që është vatra e qytetërimit” (letra IX). Edhe më 9 dhjetor 1866 nga Venediku: “Shoh me shumë kënaqësi se shkronjat latine, që përdoren në të gjitha vendet e zhvilluara, mund të përdoren fare mirë edhe nga shqiptarët. Duke i rimarrë, rumunët u lidhën energjikisht me Perëndimin, që përfaqëson sot vatrën e shkencës dhe të kulturës intelektuale” (letra XII). “Të gjitha telashet vijnë nga gramatika”: me këtë thënie të një filozofi francez e ka filluar ajo letrën e 17 janarit 1879, nga Firencja, për De Radën. I ka kujtuar atij pikëpamjen e z. Dumont, ish-drejtor i Shkollës Franceze të Athinës, se çështja e alfabetit, e lënë mbas dore për një kohë tepër të gjatë, do të bëhej një nga telashet më të mëdha për “bashkatdhetarët e Skënderbeut” (letra LXXXI).

    Në qershor të 1878-s zonjës së madhe i ka rënë në dorë proklamata e “Komitetit Shqiptar të Stambollit”. Për vlerësimin e saj proklamata e ka përmbledhur bukur çështjen shqiptare me fjalët “Shqipëria shqiptarëve” (letra LXXVIII). Edhe për Abdyl bej Frashërin, të cilin ia ka rekomanduar Thimi Mitkoja, ajo ka shkëmbyer mendime me De Radën (letra LXXXIV).

    Ndërkaq, me Akademi pa Akademi, zonja e madhe ka vijuar punën e vet akademike, sidomos në kërkimet arkivore “mbi Shqipërinë”. Ka njoftuar më 20 janar 1870 nga Torino: “Kërkimet mbi Shqipërinë, që po bëj në arkivat e Europës, po japin rezultate krejt të papritura. Kohët e fundit z. Max de Duncker, historian i famshëm i Antikitetit dhe drejtor i Arkivave të Shtetit, më dërgoi nga Berlini disa dokumente fort të vlefshme, të cilat do t’i përdor me dobi të madhe kur të merrem me çështjen e shqiptarëve të krishterë” (letra XXXVIII). Më 7 prill të po atij viti po nga Torino: “edhe dje më erdhën nga arkivat e Vjenës një varg dokumentesh të çmueshme” (letra XXXIX). Më 10 prill 1871, nga Firencja, gjithnjë De Radës: “Do të shihni se ç’sasi dokumentesh të panjohura kam zbuluar në Venedik, në Berlin, në Vjenë, në Stamboll etj. Erdhi koha që edhe historia jonë [sic] të dalë nga varri ku e kanë futur farisenjtë e shumtë” (letra XLVI). Më 22 maj 1871, nga Firencja, po De Radës: “Ndiej padyshim, zotëri, një kënaqësi të madhe duke rindërtuar këtë histori të Shqipërisë, fletët e të cilës janë të shpërndara në të katra anët e botës, në Europë, në Azi, në Afrikë, “lojë e erërave të rrëmbyeshme”, ashtu si fletët e Sibilës së Virgjilit. Në më të shumtën e rasteve nuk di se ku t’i gjesh dokumentet në fjalë dhe duhet një ngulmim përnjëmend shqiptar për të shkruar disa faqe të historisë së paraardhësve tanë [sic] të pathyeshëm” (letra XLVII). Edhe më 18 shtator 1872, nga Porto Maurizio: “Më kanë ardhur dokumente të vlefshme nga arkivat e Parisit e të Berlinit…” (letra XLVII). Etj.

    Me gjithë orvatjet disavjeçare, projekti i Akademisë nuk ka përparuar. Në vitet ’80 të atij shekulli De Rada ishte i rënduar prej fatkeqësish familjare. Thimi Mitkoja kishte filluar të vuante nga oftalmia egjiptiane, “një ndër sëmundjet më të rënda”, siç e quante zonja e madhe e brengosur për bashkëpunëtorin e Akademisë (letra LXXXVI). Asaj vetë, pos nevralgjisë prej të cilës kishte vuajtur herët (letra LIV), i është shtuar në moshën 52-vjeçare një sëmundje sysh. Për shkak të saj mjekët e kanë ndaluar të shkruajë e të lexojë (letrat XCII, XCIII). Zef Jubanit më 1879 i shfaqej një sëmundje e rëndë, nuk gjente shërim prej saj as në Venedik, dhe vdiste në Shkodër mbas disa muajsh, më 1880. Më 1882 vdiste, në mënyrë të papritur, Kamarda. Në njërën nga letrat e saj të fundit për De Radën, më 18 prill 1884 nga Firencja, zonja e madhe i është shprehur: “Është për të ardhur shumë keq që shpesh na dalin pengesa në atë që ne bëjmë vetëm e vetëm për devotshmëri dhe dashuri. Por durimi është i domosdoshëm dhe ne duhet të kemi gjithnjë një rezervë të madhe të tillë për të ecur përpara” (letra CII). Nuk mund të bisedohej më për projektin e Akademisë shqiptare.

    Princesha Elena Koltzoff Massalski, e lindur Elena Gjika dhe me emër beteje Dora d’Istria, vdiq në Firence më 17 nëntor 1888.   

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË