More
    KreuLetërsiBibliotekë"Ujqërit e mi", poezi nga Arbër Ahmetaj

    “Ujqërit e mi”, poezi nga Arbër Ahmetaj

    * * *

    Kur isha ujk i ri
    me gjak blu
    (eh, ato ditë të largëta!)
    mblidhja manaferra
    në fund të rrezeve të diellit
    aty ku piqeshin
    majat e gjinjve të tu

    I mbytur në dritë
    me frymë ndizja shkarpa të lagështa


    * * *

    Më buçiti zemra
    kur vodha zjarrin e syve të ujqërve
    për ty!

    Buzë lumit që rridhte luginës së blertë
    u përqafuam;
    zjarri i ndezur e ne pranë tij.

    Gjithçka kishte ndodhur!

    Më lindi dëshira t’ia mbathja,
    bashkë me ujqërit e mi të verbër,
    të prerë në besë!


    Qumësht e zjarr

    Me buzët
    në majën e gjirit tënd,
    dukem
    si bletë naive,
    që e ka humbur
    qiellin.
    Aty më merr gjumi,
    në Udhën e Qumështit,
    ti,
    ujqërve brenda meje
    u mësove
    si të ndezin zjarr!


    Kënga ime

    Le të qajë kënga ime,
    prapë do ta këndoj;
    zog i egër me krahë të fortë.

    Nxora nga balta një mjellmë.
    Kjo është kënga ime,
    e shpëtimtarit,
    që nuk ia tregon mjellmës
    emrin e vet!
    Ajo s’duhet t’ia dijë për nder!

    Një mjellmë e shpëtuar
    është një hijeshi më shumë.
    Një vdekje më pak;
    kjo e pasuron jetën.

    Zogj si unë enden rrallë qiejve,
    toka është e ndotur nga tytat e zjarrit,
    me shenjëtarë të sprovuar
    na e këpusin jetën.
    Me shumë zotësi!

    Mbijetova sa për të shpëtuar një mjellmë
    nga balta,
    më vrisni pa u errur
    nata!

    Le të qajë kënga ime;
    unë e këndova!


    Ujqërit e mi

    Tufën e ujqërve të mi e ruaj vetë!
    Asnjë dele nuk mund t’u hyjë atyre pafajshëm
    mes dhëmbëve,
    asnjë kësulëkuqe
    mes këmbëve.

    S’do të mbajnë kurrë mbi kurriz,
    turpin e krimit mbi qenie të prajta.
    Ata do sulmojnë bariun e deleve
    e burrat koqevegjël të kësulëkuqeve.
    Ujqërit e mi,
    vdesin urie e s’pranojnë t’i hanë,
    as të lënë shtatzënë me dhunë
    kësulëkuqe me shporta,
    mbushur me fruta,
    të buta,
    për gjyshet.

    Ujqërit e mi të egër,
    të bukur,
    sy jeshilë,
    i ulërijnë hënës,
    lëpijnë gjakun e plagës së vet
    e ecin me mijëra kilometra
    në këmbë,
    pa pikë uji në gojë,
    për të ushqyer fëmijët e vet!
    Delet i therim ne,
    për qejf
    e kësulëkuqet i përdhunojmë,
    në rresht, me listë!
    Ujqërit e mi ndryshojnë,
    ata janë të egër;
    ne jemi thjesht të pistë!


    * * *

    Pak para se të mbërrish,
    s’do t’i shohësh më gjurmët e asaj
    drejt së cilës je nisur,
    ato që të ndihmuan ta gjeje
    rrugën në terr.

    Mos u habit,
    t’i ka hedhur duart në qafë
    e po të puth.

    Ja pse ti s’i sheh
    gjurmët e saj mbi pluhur.


    Këngë e keqe dimri

    M’ka kapur një frikë
    Siç të shpon një thikë
    Ti ke me ikë!

    Në gjoks më dhemb hëna
    Si t’i kish qoshet të ngrëna
    Ti s’do të rrish brenda

    Më rrjedh në tru një Danub
    I turbullt, i ngathët, si plumb
    Ti nga sytë po më humb

    M’duket e harrove bregun tjetër
    Ku të ulur në një bar të vjetër
    Më shkruaje me puthje një letër

    S’ta shoh në sy lindjen e yjeve
    Vjeshtën, as pranverën e pyjeve
    Ti shpirtit tim s’u bie më fyejve

    Ky dimër po mbjell akull arterieve
    Po ngrin në faqe lotët e drerëve
    Ti po largohesh si dielli pas reve

    Shkon një mjegull ultas mbi tokë
    S’shihen trungje e degë mbi kokë
    Bryma e ngrirë më thinj në flokë

    I shqyhet partitura zogut në rrem
    As këngë, as vaj, as vrem
    Ti po i largohesh shpirtit tem!


    Ujkonja

    E dashur ujkonjë!

    Ti s’i lexo mesazhet e mia,
    as statuset me zogj,
    në takime s’vjen,
    do ndahem nga ty!
    Pa ty mbetsha
    e hëna që të habit
    më lëntë pa sy!
    Sytë që s’të shohin ty
    s’janë më të tillë.
    Ujk i vdekur në përrua,
    pa qengj përfundi.
    Askush s’ma turbullon ujin
    as qiellin.
    S’ka qiell, as det pa ty!
    Hënës këndoja ninullën e gjumit,
    mes gjëmash ujkonjë,
    grua e harruar në majë të një guri,
    gur që m’peshon në zemër.
    s’je as ujkonjë, as femër,
    hënë e largët,
    ujkonjë që s’lexon mesazhe,
    rri e më m’baj të egër!
    Nata e hëna janë të tuat,
    përroi i ngrirë i imi,
    takohemi në akull,
    pa çelur agimi.

    Kjo është kënga e një ujku që të do!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË