More
    KreuLetërsiBibliotekë"Lirikë me dhimbje", poezi nga Majlinda Rama

    “Lirikë me dhimbje”, poezi nga Majlinda Rama

    Apoteozë gri

    Prishet një ëndërr,
    pastaj një tjetër,
    edhe një tjetër,
    në qiell rënkon një djalë,
    dita zgjohet herët,
    fjala e pathënë edhe më herët,
    qyteti ecën mbrapsht,
    pastaj nisin të bien vjeshtat,
    një nga një,
    pastaj
    edhe dy nga dy,
    edhe tre nga tre,
    bien vjeshtë mbi vjeshtë.
    Një vajzë e re
    hipur mbi re.
    Një zog bie
    mbi të ardhmen,
    është gri,
    një bebush qan nëpër sytë e shitësve ambulantë,
    vajza e virgjër vrapon,
    vrapojnë pas saj mjegulla,
    shtëllunga që rendin ta kapin,
    dhe vajza ecën
    dhe mjegullat vrapojnë…
    një prift zhvishet,
    murgeshat po martohen,
    luftëtari mjekon dhimbjen,
    një gji shpërthen në lot
    edhe unë…
    dhe dua një glob të qelqtë
    dhe një kitarë-flamur
    dhe një urë harkore.
    Qielli nën djalë
    dhe një melodi funebër
    dhe nata përleshet me mua
    dhe bota hesht,
    toka mbi ne
    dhe fjala para nesh shumohet,
    një nga një,
    dy nga dy,
    tre nga tre,
    tokë e qiell në tangon e mbrëmjes,
    dasmë, ku ta dish!
    Prej pluhuri ndërtuar erëra sfiduese,
    hënat janë bërë mur
    njëherë një hënë,
    pastaj dy,
    pastaj tri, 
    hënë mbi hënë…


    Disa prej tyre

    Miqve

    Disa prej tyre janë ndërrime stinësh,
    ftohje që dërgojnë acar,
    janë gërmime plagësh
    në thellësi.

    Ka edhe nga ata që janë kripa e lotit,
    janë mosarritje,
    sekrete murgeshash, këngësh elegjiake,
    herë janë shpresa të harruara,
    herë lamtumira të pasosura.

    Ndonjëherë, si fëmijët bonjakë janë,
    endje trotuaresh herë tjetër,
    ka raste – lot që shkojnë dëm,
    buzëqeshje gurësh
    a rrugë të zbrazëta,
    disa – lumturi të pambërritura,
    të tjerë – celebrime të pabëra,
    a stuhi zjarresh.

    Ka dhe nga ata që janë ikje,
    ikje që s’bëhen kurrë kthime…


    Më pëlqen të takohemi në mbrëmje

    I

    Më pëlqen të takohemi në mbrëmje,
    vetëm ashtu mundem t’i fsheh miliona dëshira kapluese,
    mundem t’i fsheh ashtu edhe gishtat
    që duan të hyjnë në gjakun tënd
    e në natë dua të fshihem e tëra,
    t’i lidh ëndrrat në dëgjimin e një zëri,
    sekretet e mia t’i fus poshtë hënës
    e flokët e lumtur dua t’i var pas shpinës…

    Pastaj më kap dëshira e përflakur:
    nën terrin e natës dua të të fsheh ty,
    ta mbështjell trupin me veten time,
    të mos dukesh.
    Se ti je sekreti im,
    sekreti im,
    që shtrëngohen ta zbulojnë.

    Ti je hënë e ndezur çdo mesnatë,
    je mbërritja e trenit të parë në stacion,
    je dëshira ime në rrugë të mbushura me njerëz.

    Edhe sonte, e hyrë në natë,
    po të pres!


    Më pëlqen të takohemi në mëngjes

    II

    Më pëlqen të takohemi në mëngjes,
    vetëm ashtu mundem t’i ul zogjtë në këngët e tua,
    mundem të kotem në hijen e fytyrës sate,
    t’i spërkas faqkat me të butën e dritës
    e në ditën tënde të fshihem e tëra,
    të zbuloj prushin shpuzë fshehur në ty,
    diejt t’i tërheq në shkulmin e gjoksit tënd,
    me shkumës të t’i shkruaj sekretet e mia
    nën lëkurë
    e buzët e kuqe të t’i bëj luadhin tënd.
     
    Me ty dua të takohem në mëngjes,
    që dita të pikojë butë mbi trupat tanë,
    nën të bardhën e saj dua të të fsheh ty,
    të të mbështjell trupin
    me puthjen e amshueshme,
    të mos dukesh.
    Se ti je sekreti im,
    sekreti im,
    që shtrëngohen ta zbulojnë.
     
    Ti je ylli i dritës ndezur në mes të ditës,
    je dritë syri ku kyça burrat që më dashuruan,
    je ajër i bardhë lidhur në qafën time.
     
    Edhe sot, e veshur me mëngjes,
    po të pres!


    Unë të bëra burrë

    Unë – grua,
    ti – një shekull lindur,
    që më kërkon Hadit
    si Orfeu Euridikën,
    101 vjet
    që më përgjon ëndrrat në adhurim,
    një decenie
    që e shpërngul ditë-natë zemrën tek unë,
    një vit
    që fle zgjuar poshtë dëshirës sime,
    njëmbëdhjetë muaj –
    pelegrin tek unë,
    një mijëvjeçar
    që më ke vënë unazë…

    Sonte,
    oh, i dashur,
    me puthje t’i rrëzova gjithë krenaritë, 
    t’i zbrita kulmet me përqafime,
    malet e lartuara nëpër kohë
    t’i ula gjirit tim.

    Erdhe
    dhe në trupin tim u bëre fli,
    te këmbët e mia si kokë e prerë.
    I dashur, hesht,
    unë të bëra burrë!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË