Jemi një kulturë e fiksuar pas mbulimit të dhimbjes. Nga qetësuesit te shfletimi pa fund i lajmeve të zymta, gjithçka që na shkakton parehati e trajtojmë si një problem që duhet zgjidhur. Finn Janning, këshillues filozofik dhe eseist, argumenton se duhet ta pranojmë parehatinë si pjesë thelbësore të të qenit njerëzor. Duke iu drejtuar shkrimtarit të madh kilian Roberto Bolaño dhe etikës së Simone Weil-it, ai mbron mendimin se vetëm duke e përqendruar vëmendjen te vuajtja reale mund të jetojmë në mënyrë etike dhe të lidhemi emocionalisht me njëri-tjetrin.
Jemi një kulturë e fiksuar pas mbulimit të dhimbjes. Nga qetësuesit te shfletimi pa fund i lajmeve të zymta, gjithçka që na shkakton parehati e trajtojmë si një problem që duhet zgjidhur. Finn Janning, këshillues filozofik dhe eseist, argumenton se duhet ta pranojmë parehatinë si pjesë thelbësore të të qenit njerëzor. Duke iu drejtuar shkrimtarit të madh kilian Roberto Bolaño dhe etikës së Simone Weil-it, ai mbron mendimin se vetëm duke e përqendruar vëmendjen te vuajtja reale mund të jetojmë në mënyrë etike dhe të lidhemi emocionalisht me njëri-tjetrin.
Në një intervistë, shkrimtari kilian Roberto Bolaño (1953–2003) shprehej: “Biblioteka është një metaforë për qeniet njerëzore, ose për atë që kanë më të mirë qeniet njerëzore, ashtu si një kamp përqendrimi mund të jetë një metaforë për atë që kanë më të keqe. Biblioteka është bujari e kulluar.”
Sekreti i fuqisë poetike dhe përfytyruese të veprës së Bolaño-s qëndron në një ndërthurje të rrallë të vëmendjes rrënjësore me bujarinë — një praktikë pohuese e jetës. Ai nuk e pasqyron thjesht jetën; e zgjeron, duke e shndërruar vetë ekzistencën në art.
Bolaño e përdor letërsinë për të krijuar një hapësirë ku përballemi me atë që nuk mund të përfytyrohet. Kjo dhemb. Kjo është reale.
Kur them se Bolaño e shndërron jetën në art, nuk e kam fjalën për jetën në përgjithësi, por për një jetë, të kuptuar si një formë e veçantë ekzistence apo mënyrë të jetuari. Shembulli më domethënës është romani 2666, ku, në pjesën e katërt, të titulluar “Pjesa për krimet”, ai përshkruan me një përpikëri tronditëse se si vajza e gra të shumta u gjymtuan dhe u vranë në Santa Teresa të Meksikës, domethënë në Ciudad Juárez. Për shembull, shkruan: “Dy javë më vonë, në maj 1994, Mónica Durán Reyes u rrëmbye teksa dilte nga shkolla Diego Rivera, në lagjen Lomas del Toro… Ishte dymbëdhjetë vjeçe… Sipas ekspertizës mjekoligjore, e kishin përdhunuar dhe mbytur.”
Tmerri vazhdon për më shumë se dyqind faqe. Përmes përpikërisë së dhimbshme të Bolaño-s, jeta shfaqet më e pasur. Pa dhimbje nuk ka realitet. Ose, siç shkruan filozofja franceze Simone Weil në Fletoret e saj: “Dhimbja si dëshmi e ekzistencës reale të botës.” Kjo bie ndesh me shoqërinë e sotme, ku asgjë nuk duhet të dhembë dhe ku dhimbja shpesh qetësohet përmes formave të ndryshme të konsumit, argëtimit dhe tabletave. Shpesh përfundimi është se bëhemi të varur nga kënaqësia, pa e shqyrtuar dhimbjen që fshihet poshtë saj.
Pavarësisht dhunimit, gjymtimit dhe vrasjes, Bolaño i përdor këto fakte shkatërrimtare për të zgjuar përgjegjësinë tonë ndaj njëri-tjetrit. Përshkrimi i hollësishëm vë në punë shqisat e lexuesit dhe e përball me faktin se jeton në një botë plot me vrasje të pazbardhura të grave. Ose, për ta thënë ndryshe: aty ku gjithçka është e këndshme, asgjë nuk është reale.
Nëse kujtojmë përdorimin e bibliotekës nga Bolaño si metaforë të asaj që kanë më të mirë qeniet njerëzore, ai e trajton jetën — në shkrimet e tij — me delikatesë, sikur ajo të na ishte dhënë vetëm hua. Mirëpo, në shumë pjesë të botës, jetët nuk trajtohen me kujdes e mirësi, por me dhunë e vrasje. Nëse Bolaño synon diçka me letërsinë e tij, kjo është çlirimi, sepse përmes lirisë qenia njerëzore bëhet e aftë të dashurojë. Për këtë arsye, heronjtë e shumë romaneve dhe tregimeve të tij janë poetë, artistë apo endacakë. Ata nuk kanë frikë të përballen me anët e errëta të jetës.
Sekreti i poezisë dhe prozës së Bolaño-s nuk ka të bëjë aspak me frymëzimin apo me ndonjë vegim të lartë. E megjithatë, ai dëshiron ta vështrojë jetën dhe të përcjellë atë që ia vlen të përcillet. Diku tjetër në 2666, shkruan: “Brenda njeriut që rri ulur aty e shkruan nuk ka asgjë. Asgjë të vetën… Asgjë, dua të them, që e shoqja, në një çast të caktuar, të mund ta njihte. Shkruan si dikush që merr diktim.”
Kjo u bën jehonë përsiatjeve të Weil-it në Fletorja e parë dhe e fundit: “Përulësia është durim i vëmendshëm.” Këtu, të jesh i përulur nuk do të thotë të jesh i poshtëruar, por të qëndrosh me këmbë në tokë dhe në lidhje me të. Ajo flet Finn Janning, doktor i shkencave, është shkrimtar dhe filozof danez. Në veprën e tij shqyrton ndërthurjet mes filozofisë, letërsisë dhe artit të të jetuarit.
për një etikë të vëmendjes, ku njeriu zbrazet nga vetvetja për t’u bërë askush. “Në një punë të tillë, gjithçka që e quaj “unë” duhet të jetë pasive. Më nevojitet vetëm vëmendja — ajo vëmendje aq e plotë, sa “uni” zhduket. Duhet t’ia heq dritën e vëmendjes sime gjithçkaje që e quaj “unë” dhe ta drejtoj tek ajo që nuk mund të përfytyrohet.”
Bolaño e përdor letërsinë për të krijuar një hapësirë ku përballemi me atë që nuk mund të përfytyrohet. Kjo dhemb. Kjo është reale.
Pra, sekreti nuk është ndonjë vegim ëndërrimtar; as autori kilian nuk përpiqet t’u japë mësime morali lexuesve duke na thënë çfarë duhet apo nuk duhet të bëjmë. Përkundrazi, ai përsërit nga jeta atë që ia vlen të përsëritet. Çfarë ia vlen të përsëritet? Përgjigjja gjendet përmes qasjes së vëmendshme, ku shkrimtari merr diktim ose bindet, si një mënyrë për të parë e për të dëgjuar. Kjo i ngjan vëmendjes mistike apo soditëse të Weil-it. Te Në pritje të Zotit, ajo shkruan: “Vëmendja është një përpjekje… Vëmendja qëndron në pezullimin e mendimit tonë, duke e lënë të shkëputur, të zbrazët dhe të gatshëm që objekti të depërtojë në të.” Kjo formë vëmendjeje, ashtu si poetët e Bolaño-s, është pasive dhe pa vullnet imponues. “Mbi të gjitha, mendimi ynë duhet të jetë i zbrazët, në pritje, pa kërkuar asgjë, por i gatshëm ta pranojë, në të vërtetën e tij të zhveshur, objektin që do të depërtojë në të.” Të kushtosh vëmendje në këtë mënyrë i hap rrugë një të vërtete që ia vlen të përsëritet.
Pikënisja e një shkrimtari që e sheh veten si dikush që merr diktim në emër të jetës është përulësia. Në shkrimet e veta, Bolaño është i lirë të shkojë atje ku e çon jeta; përsërit gjithçka që ndodh, derisa ajo që shkruan pothuajse përputhet me jetën. Plot me të njëjtën energji.
Kështu, historia e fshehtë e prozës së tij është ajo që e bën jetën të jetueshme; për të — dhe, besoj, edhe për shumë prej lexuesve të tij — kjo është të jetuarit e lirë dhe plot pasion, që shpesh e gjejmë mes poetëve, artistëve dhe ëndërrimtarëve të tjerë, por ëndërrimtarëve që nuk i referohen ndonjë ideali utopik. Përkundrazi, duket se e jetojnë atë përditë.
Ideja për t’u përqendruar te “historia e fshehtë” e veprës së Bolaño-s më lindi një ditë të ngrohtë në fund të verës, teksa rrija ulur në një stol në plazhin e Barcelonës. Po lexoja një tregim të shkrimtarit kilian, të titulluar “Dentisti”, nga përmbledhja Mbrëmjet e fundit në Tokë, ku ai shkruan:
“Por prej andej vjen arti, tha ai: nga historitë e jetëve. Historia e artit vjen shumë më vonë. Kjo është arti, tha ai, historia e jetës në gjithë veçantinë e saj. Është e vetmja gjë vërtet e veçantë dhe vetjake… E kam fjalën për historinë e fshehtë… Tani po pyet veten çfarë dua të them me historinë e fshehtë? — më pyeti miku im. E pra, historia e fshehtë është ajo që nuk do ta njohim kurrë, megjithëse e jetojmë ditë për ditë, duke menduar se jemi gjallë, duke menduar se e kemi gjithçka nën kontroll dhe se ato që na shpëtojnë pa vënë re nuk kanë rëndësi. Por çdo gjë e mallkuar ka rëndësi!” (2006, f. 192).
Çdo gjë e mallkuar ka rëndësi. Ky është sekreti. Megjithatë, shumica e njerëzve nuk e kuptojnë, ndoshta sepse vëmendjen e kemi gjetkë, diku në të shkuarën apo në të ardhmen; mbase sepse shpërqendrohemi tepër lehtë ose ndoshta, siç sugjeron Bolaño: “I themi vetes se arti ecën në një shinë dhe jeta, jetët tona, në një tjetër, dhe nuk e kuptojmë se kjo është gënjeshtër” (po aty, f. 192).
Sipas shkrimtarit kilian, jeta dhe arti nuk mund të ndahen. Ajo që i lidh jetët tona me artin, ose, më mirë, ajo që e bën një jetë art, është historia e fshehtë. Mendoj se mungesa e lirisë na bën të pavëmendshëm, sepse, në vend që t’i kushtojnë vëmendje “çdo gjëje të mallkuar”, shumica e njerëzve përqendrohen tek ajo që u jep status e prestigj apo i bën të ndihen pjesë e diçkaje. Natyrisht, Bolaño nuk na tregon se cili është sekreti i jetës; në tregim, përpara se t’i përgjigjet mikut, dikush “nisi të tundte dorën”, duke e tërhequr rrëfimtarin drejt e në rrëmujën e jetës.
Te Detektivët e egër, Bolaño shkruan, pothuajse si një mantrë: “Gjithsesi, asnjë arsye objektive. Por poezia — poezia e vërtetë — kështu është: mund ta ndiesh, mund ta nuhasësh në ajër, ashtu siç thuhet se disa kafshë me shqisa tepër të holla — gjarpërinjtë, krimbat, minjtë dhe disa zogj — mund ta ndiejnë një tërmet” (f. 5). Kjo vëmendje poetike apo shtazore e vë në lëvizje prozën e tij. Për të njëjtën arsye, disa njerëz shfaqen si fantazma: janë aty, pa qenë vërtet aty, ose enden si zombi.
Bolaño ia doli, mendoj, sepse nuk e ndau jetën nga arti.
Jeta na prek dhe zgjon emocione. Është e vështirë të përcaktosh përfundimisht se kush apo çfarë ndikon, mbi çfarë dhe në ç’mënyrë. Nuk ka një fillim apo një arsye të qartë. Përkundrazi, Bolaño përqendrohet së pari tek ajo që i prek apo i trazon njerëzit: takimet. Rrallëherë e përcakton me saktësi moshën apo kohën. “Asokohe isha njëzet e ca vjeç”, shkruan te “Sensini”, në përmbledhjen Mbrëmjet e fundit në Tokë. Po kështu, Ylli i largët hapet me këto fjalë: “Carlos Wieder-in e pashë për herë të parë më 1971, ose ndoshta më 1972.”
Jeta e bën diçka të mundur; ajo ndodh dhe ky ndryshim bën që të lindë diçka e re. Kjo marrëdhënie mund të përshkruhet edhe ndryshe. Kur njeriu ndesh diçka të pashpjegueshme, për shembull mënyrën si dikush e lëviz trupin apo flet për një poezi, i zgjohet dëshira për ta eksploruar. Uria përshkon pjesën më të madhe të veprës së Bolaño-s — qoftë si dëshirë seksuale, qoftë si fuqi krijuese; ai e përpin jetën dhe, duke e përpirë, hap territore të reja. Ekziston një lidhje e ngushtë mes prodhimit, shpërndarjes dhe konsumimit të së shkuarës, që ndodhin njëkohësisht.
Në romanin Ushtarët e Salaminës të shkrimtarit spanjoll Javier Cercas, Bolaño shfaqet duke thënë ato që, me gjasë, janë fjalët e tij: ““Nuk të duhet përfytyrimi për të shkruar romane”, tha Bolaño. “Vetëm një kujtesë e mirë. Romanet shkruhen duke ndërthurur kujtime të ndryshme”” (2005, f. 149).
Kujtime të tilla janë shembuj të realitetit të së shkuarës. Te Rëndesa dhe hiri, Weil shkruan: “Të mos e pranosh një ngjarje të botës do të thotë të dëshirosh që bota të mos ekzistonte.” Çështja nuk është nëse na pëlqeu ajo që ndodhi. Nuk bëhet fjalë të jemi pro apo kundër, por t’i nënshtrohemi faktit dhe të pranojmë se ajo ndodhi. Kjo nuk çon në shmangien e përgjegjësisë etike apo në një qëndrim thjesht pozitiv. Përkundrazi, në vend të mendimeve që e marrin dëshirën për realitet dhe përfytyrimeve joshëse, mund t’i përgjigjemi ndryshe asaj që pranojmë. Mund të jetë diçka aq e thjeshtë sa të pyesim: si ka mundësi që kaq pak njerëz i panë vrasjet e grave? Si mund të mbetemi të hapur ndaj tmerrit?
Ata që e njohin shkrimtarinë e Bolaño-s mund të dallojnë përshkrime që rikthehen, pothuajse deri në hollësitë e personazheve dhe situatave; për shembull, pjesë më të gjata a më të shkurtra të tregimeve të tij të hershme shfaqen te Detektivët e egër, veçanërisht në pjesën e dytë. Në këtë mënyrë, qasja pohuese ndaj jetës dhe shkrimit tregon se kujtesa është një hartë e vizatuar mbi ujë. Kujtesa riorganizohet dhe rikompozohet vazhdimisht. Prandaj, nuk bëhet fjalë vetëm për të nxjerrë diçka prej saj; bëhet fjalë për ta rishpikur tani — domethënë, për t’i krijuar një hapësirë ku të lulëzojë. Të kujtuarit është një veprim që buron nga kjo krijimtari, e cila, nga ana e saj, buron nga aftësia jonë për të kushtuar vëmendje. Pikërisht për këtë arsye, çdo histori hapet drejt një të shkuare dhe një të ardhmeje të pafundme, sepse shkrimtari, si një gjarpër sizmografik, ndien një lëvizje që vjen nga askundi dhe shkon gjetkë. Në vend që të ndjekë fillimet apo mbarimet e mundshme, Bolaño qëndron me lëvizjen, sikur lëvizja të jetë, fjalë për fjalë, jeta. “Dhuratat më të çmuara nuk i marrim duke shkuar në kërkim të tyre, por duke i pritur”, shkruan Weil te Në pritje të Zotit.
Pra, nëse sekreti i Bolaño-s është vëmendja e jashtëzakonshme ndaj çdo çasti të së tashmes, të cilin më pas e përcjell, atëherë krijimtaria e tij nuk ka aq të bëjë me shpikjen e sendeve, vendeve apo njerëzve; përkundrazi, ai i zhvendos të njëjtat ngjarje dhe personazhe, duke provuar kështu variante apo këndvështrime të reja. Këtë e bën në mënyrë më të drejtpërdrejtë në pjesën e dytë të Detektivëve të egër, e cila përbëhet nga intervista të shumta me njerëz që kanë takuar themeluesit e një grupi poetik avangardist, Arturo Belanon dhe Ulises Limën.
Është tunduese ta cilësosh autobiografike pjesën më të madhe të veprës së Bolaño-s; megjithatë, sipas tij, kjo do të ishte tepër e vetëkuptueshme, meqë jeta dhe arti nuk mund të ndahen. Por autobiografikja nuk nënkupton autoportrete. Bëhet fjalë për të jetuar një jetë artistike. Me përulësi, kureshtje e dhembshuri, gjithnjë me shqisat të zgjuara.
Një mënyrë tjetër se si shfaqet përulësia është adhurimi për të tjerët. Bolaño-s i pëlqen t’u referohet atyre që i kanë dhënë diçka. Në një intervistë, madje thotë se leximi është më i rëndësishëm se shkrimi, sepse duke lexuar fiton përvojë. Kur lexon, krijon një të shkuar më të ndërlikuar, e cila mund ta mprehë vështrimin tënd — këtu dhe tani — dhe t’i hapë rrugë një të ardhmeje më të begatë. E shkuara ka rëndësi kur merr jetë këtu dhe tani. Weil thotë diçka të ngjashme: “Në aktin tonë të bindjes ndaj Zotit, jemi pasivë.” Vetëm pritje, vëmendje, heshtje dhe lexim. Bolaño nuk ishte fetar, por fliste për letërsinë me të njëjtën përulësi me të cilën Weil fliste për Zotin.
Atëherë, çfarë kërkonte Bolaño nga jeta? “Ajo që doja ishte të jetoja si poet, ndonëse sot nuk do të dija ta përcaktoja se çfarë do të thoshte për mua të jetoje si poet”, thotë ai, përpara se — siç ndodh rëndom me Bolaño-n — të bëjë pikërisht atë që tha se nuk mund ta bënte: “Për mua, të ishe poet do të thoshte të ishe revolucionar dhe plotësisht i hapur ndaj të gjitha shfaqjeve kulturore, të gjitha shprehjeve seksuale dhe, së fundi, ndaj çdo përvoje me drogat.” Këto fjalë janë nga intervista “Qëndrimet janë qëndrime dhe seksi është seks”, te Roberto Bolaño: Intervista e fundit. Në një intervistë tjetër nga e njëjta përmbledhje, ai thotë: “Në thelb, ta bësh jetën një vepër arti.” Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë se bukuria është pjesë e pandashme e jetës ose, siç do të thoshte Weil: “Zoti është bukuri e kulluar.”
Bolaño ia doli, mendoj, sepse nuk e ndau jetën nga arti. Përkundrazi, pohoi se jeta është bukuri edhe kur është plot dhimbje. Ndoshta ky është romantizëm i kulluar, por është e vetmja romancë që ia vlen të përsëritet.


