More
    KreuLetërsiBibliotekëXhevair Lleshi: Lirikat e papërsëritshme të Skënder Rusit

    Xhevair Lleshi: Lirikat e papërsëritshme të Skënder Rusit

    S’ka dyshim se sot më tepër se kurrë njeriu e ka kthyer fytyrën nga harresa, jo se i pëlqen atij posaçërisht, por sepse kjo është kthyer në modë. Qoftë kushdo ky njeri, edhe poet. Mirëpo disa prej poetëve nuk janë harruar asnjëherë dhe nuk mund të harrohen kurrë, sido që vetë harresa është një mrekulli e jetës. Nuk është harruar asnjë ditë, asnjë orë, asnjë çast edhe Skënder Rusi. Poezitë, lirikat e tij të mrekullueshme përveçse në libra gjezdisin gjithë botën edhe në facebook. E lexojnë dhe e duan të gjithë. E ai më vjen çdo çast pranë nga Korça e tij e bukur në Tiranë (ashtu sikundër shkoj edhe unë tek ai), me fletët e printuara në dorë dhe më lexon lirikat e mbrëmshme, ndonëse dora e zëri i dridhen ngapak. Të bën për vete Skënderi edhe me pamjen emocionuese të Sergej Eseninit, po edhe me inteligjencën e Pushkinit. Është poet i të gjithë emrave të mëdhenj, po mbi të gjitha bën përshtypje vetë emri i tij tingëllues. Sigurisht mbiemri i tij s’ka të bëjë aspak me rusët. Me Devollin po, me baltën, me ujërat e kulluar, me barin, ma ajrin e xigluar. Por, sido që të jetë, është miku im i mirë, dhe mos harroni një lirik i jashtëzakonshëm, dhuratë nga gjenia poetike e shekujve.

    Mund të ishte emëruar mësues në fshatrat e Devollit e të Korçës, mund ta gjeje edhe sot atje, por ai i flaku tej shkumësin, fletorkat e hartimeve, rregullat e drejtshkrimit dhe iu qas teatrit, duke mbetur bashkë me lirikat e tij përjetësisht. Më pas erdhi edhe një tjetër vend i shenjtë: biblioteka, një ngushëllim letrar, që i vlente jo vetëm atij, por të gjithëve. Dhe jo më kot u bë biblioteka më e pasur në Shqipëri, pas Bibliotekës Kombëtare. Dhe me të erdhën panaire libri dhe zuri rrënjë një projekt krejt i veçantë, idealist: Netët poetike të Korçës, që mbledh poetë nga Ballkani dhe Diaspora, poetë edhe nga shumë vende të tjera. Atëherë lirika u bë shpirt i tij, jeta e parë, e dytë, e tretë. Aty, me lirikat e tij të mahnitshme është çdo çast, herë troket si Migjen, herë me parqet e bukura të Korçës, herë me gjimnazistet e brydhëta dhe studentet që pëshpëritin lirikën e jetës së tyre, pastaj rri nën qershinë aq delikate e intime, që i troket te dritarja. Ngushëllimi i tij në ca çaste poetike të pazbërthyeshme bëhet shpejt një mik, kushdoqoftë ai, (vetëm fjala mik i krijon asociacion të çuditshëm dhe e hedh menjëherë në vargun melodioz, duke pikuar pjalmin e mjaltit të tij të pakrahasueshëm), aty janë në delir personazhet pa emër, bukuritë e thella dhe shpirtrat e njomë, të cilët i mban mënd përmendësh dhe t’i reciton me zërin këngëzues. Lirizmi dhe emocioni i thjeshtë njerëzor i vargjeve të tij ecën krejt ndryshe nga rryma poetike përkrah, që vjen natyrshëm e me aromë malesh e pyjesh, dëbore të dendur duke ngacmuar fort edhe fantazinë e kujtdo që i mban nën jastëk a mbi tavolinë lirikat e tij.

    Që student u lidh një trio e mrekullueshme poetike që vinte si satelit pranë një ylli poetik si Frederik Reshpja në Shkodër: Visar Zhiti, Skënder Rusi dhe Simon Vrusho, po edhe mjaft poetë të tjerë. U krijua qielli poetik i Institutit në Shkodër dhe yjet u përhapën në qiellin poetik të Shqipërisë. Mund ta dëgjoje që ato vite zërin e ngrohtë poetik të Skënder Rusit, mërmërimën e gurgullimtë të rimës, psherëtimat dhe ngasjet e ndryshme lirike që bëheshin puthje, vajza të bukura, zjarr i ardhangët, limaksje e qetë dhe elegancë e mrekullueshme si mjegullnajë thjesht poetike. Asgjë nuk dramatizohet në krijimin e tij, veç shijes së lartë e që të krijon mbresën e një nostalgjie të çuditshme, përjetimin e dikujt tjetër, po që bëhet patjetër jotja.

    Hera-herës të krijohet përshtypja e përshkallëzimit poetik dhe e një figuracioni enigmatik, ndoshta një prozë realiste poetike plot gjetje të imta befasuese, që zbulohen me finesë të rrallë, situata plot brengë e mall, prova të qarta besnikërie, ulërima të befta dhe të mbushura me një inat shfarosës, të cilat shpesh përputhen edhe me shijet e mia. Pastaj malet. Deti. E panjohura. Njerëz të thjeshtë, të njohur, puthjet në dyert e apartamenteve, vajza të bukura korçare, djem që sjellin aromë tjetër nga jashtë, që pastaj shkojnë dhe vendosen diku mes vetes së tyre…

    Ç’përshtypje të lë lirika e Skënder Rusit? Moderne? E thjeshtë? Ngacmuese? Diçka që të rrëmben? Aromë mali apo deti?… Dhe ja:

    Sot jam ai që s’dua të jem,

    Përfytyroni një pyll me asnjë ketër!

    Jua kisha harruar edhe emrat njerëzve,

    Ose nuk më pëlqente t’iu thërrisja në emër!

    Disa më duken tmerrësisht të vegjël,

    Akoma më të vegjël më duken të mëdhenjtë!

    Unë një herë bëhem dimër me ta,

    Një herë vjeshtë!

    Seç mban këtu brenda kjo kokëza ime,

    Lumë që rrjedh e kërkon detin!

    Sot ndjehem i vetëm, përtej çdo vetmie,

    As dorën nuk e dhashë të ma prekin!

    Është dita që unë i kam braktisur të gjithë,

    Në këtë qytet me sharlatanë tepër!

    Tani do të shkoj të gjej dashuritë,

    Në atë pyll ku s’ka asnjë ketër!

    Mos i rëndon diçka që ende s’e dimë si mallkim? Çfarë mendon ky poet i brishtë dhe s’arrija të kuptoj se si i burojnë vetvetiu vargjet dhe si shkruhen aq shpejt në tastierën poetike të laptopit të tij? A e mban veten ky njeri për poet të shquar, si mjaft të tjerë të njohur e të panjohur? A e di ai se është tejet i kërkuar nga lexuesi? Në bibliotekën e qytetit të tij a vijnë të rinj (djem e vajza) dhe para tij, të emocionuar i recitojnë lirikat e ëmbla? A i mbeten në duart e djersitura prej ankthit poetik a prej përdorimit të librave dhe të lirikave, diçka mes ndrojtjes dhe hallit? A e lëndojnë atë fraza dashurie? A e trembin gjetjet befasuese poetike, figurat e mëdha e njëherit të thjeshta?… Nuk e di as vetë se si më burojnë dhjetëra e dhjetëra pyetje, duke i rrokëzuar së brendshmi lirikat e tij.

    Vështrimi i tij mbeti kurdoherë i kthjellët. Sytë vazhdimisht të qeshur. Një njeri që shpesh herë harrohet dhe i ikën vetes, si të thuash arratisej nga vetja, dhe asnjëherë nuk e di përse. Shkruan ngadalë, me kërcime të krahut që ka lindur duke u dridhur (shkak për këtë dridhje të mallkuar janë lirikat!), si për ta sfiduar më fort veten, që gjithnjë kërkon të thotë vetëm të vërteta, gjërat që i njeh mirë, dhe shkruan veç për të tjerët që janë shumë të thjeshtë, punëtorë, mbresa të thella, pyje, dete, vesë, mjegull, dritë, net, joshje… Dhe vargjet e lirikave të tij burojnë ujë të kulluar, kristale, yjësi me ndriçim kozmik, drurë të veçantë pylli, aroma pa fund, shpirtra të gjallë që flasin dhe këndojnë, aq pranë qiellit, aq të firuar në frymë, aq të dhënë pas pasionit.  Lirika që nuk shtiren. Kjo është e rëndësishme për lirikën. Poeti gjen kështu edhe lexues, vajza që e dashurojnë tmerrësisht… Dhe, ndërkohë, ai asnjëherë nuk i ka punët mirë me veten dhe kjo natyrisht s’është gjë e këndshme. Unë jam poet, thotë duke belbëzuar. Kam ardhur në këtë botë ja, për këto vargje. I shkruaj pasi i kam thënë mijëra herë me vete. I këndoj, duke u ngjitur melodi që më burojnë vetiu. E çuditshme? Eh, sigurisht, një herë e kam të lehtë, një herë tjetër shumë të vështirë. Xhef, unë udhëtoj në det të trazuar, poshtë kam ajsbergun tim. Edhe kur jam në Korçë udhëtoj në këtë det. Madje edhe kur fluturoj. Bëj kujdes? Jo, kurrë. Madje nuk arrij dot ta zotëroj as kujdesin vetë. As që e kam fshehur ndonjëherë poetin nga qenia ime. Shpirti i poetit është xhungël. Asgjë tjetër nuk më ka interesuar jashtë lirikës, asgjë tjetër nuk më ndez si ajo. Nuk udhëtoj nëpër pyje të tjerë, se ndjej poshtë ajsbergun tim lirik. Nuk më duan si poet? Punë e madhe. Mua më botojnë, më japin honorare, me mua psherëtijnë, këndojnë, se unë nuk jam poet i erotikës, por i shpirtit dhe mbi të gjitha i shpirtit të gëzuar, i dashurisë, i gazit dhe i dalldisë, i frymëzimit të thellë dhe natyrisht edhe i mëkëmbjes shpirtërore, e cila ta them hapur më josh pa masë. Por këtë e provon ai që vjen i lënduar, ai që jeton edhe me elegjinë. Herë-herë më kujtohet im atë, dashuria e tij e pamasë (U futa në ëndrrën e tim eti), fshati, mali dhe kur ndodhem pranë tij më kujtohet gjithnjë ajo që bëri me mua Simon Vrusho: erdhi deri afër fshatit seç pa a seç ndjeu ai dhe hunda e tij e di dhe më tha të ktheheshim në Korçë. E pashë, më tha. Tani e di se ç’është! Po të kishte bërë si gjithë të tjerët, nuk do të më mbetej në mendje… Jam i trishtuar, thua? Si jo. Por trishtimin e mbys me lirikën time e jo me duart e mia. Ty po ta them hapur, po ama dukem i qetë, i gëzuar, apo jo? Ja, ty si të dukem?

    Eh, Skënder! Më lodhe, më tremb kjo lodhje që më krijon. E dinë të gjithë se ti ke një grua të bukur, mësuese letërsie në Korçë, që nuk të ndahet, madje të sjell edhe te shtëpia botuese në Tiranë, që të kontrollon me mënd, që të do fort dhe të mban si ujët e pakët duke të shoqëruar me ato parandjenjat instinktive të gruas, sepse ti i ke dhuruar mijëra fjalë të bukura, magjinë e lirikës, ndoshta prandaj dhe ka frikë për ty. Në sytë e saj, cepave të vështrimit ngacmues, ku kalon butësisht krenaria, mollëzave të rrumbullakosura ku fshihet një mbresë ngacmuese dielli, buzëve që kuqëlojnë edhe pse pa të kuq, por që hedhin shtat dhimbshëm rrudha trishtuese që fsheh një vuajtje të pazakontë. E di që duheni mrekullisht e marrëzisht dhe lundroni mbi një ajsberg, që me siguri thur plane të fshehta për t’ju goditur tinëzisht. Por mos harroni se mbi këtë ajsberg lundrojmë të gjithë. Por ama gruaja e bukur e ka hallin se bashkë me ta lundron edhe lirika e pazakontë e poetit të saj të rrallë. Racë në zhdukje poezia dhe lirika, racë në zhdukje edhe poetët…

    Ja, kjo gjendje flinte tek unë deri ditën që më solle lirikat e tua të fundit, ditën e fundit të shtatorit. Më mbeti mëndja deri sa të kthehesha nga Franca, për një kohë fatmirësisht jo fort të gjatë, që t’i shihja, t’i lexoja, t’i përjetoja thellë, duke bashkuar dy tronditje njëherësh: tënden dhe timen dhe ia arrita ditës që të mbetem pa gjumë bashkë me ty dhe të belbëzoja vargje të magjishëm pafundësisht. Poeti nuk fshihet dot nga buja, nuk i fshihet dot shpirtit të poezisë së tij, nuk i fshihet dot edhe gruas së dashuruar, e cila detyrohet sigurisht nga rrethanat aspak të lakmuara për t’i bërë atentat të përditshëm lirikave të tij, ashtu siç bën edhe poeti me bukurinë e saj dhe asnjëherë tenton të mos bjerë në sy, por që sigurisht duket prej së largu.

    Sa herë ndodhemi vetëm, më thotë: Do ta pimë një gotë, Xhef? Kam raki mani të Boboshticës zjerë dy herë! I ka mbetur kjo puna e gotës ngaqë në socializëm poetët gjenin prehje te rakia. Pastaj poetët vinin te manat e Boboshticës pët t’u dehur dhe për të thurur vargje. Mirëpo binin si mizat në grackën e mjaltit. Dhe mbeteshin aty. Dhe Korça bashkë me Boboshticën mbeteshin gjithnjë pa lirikat e poetëve. Skënderi, teksa i them kështu qesh. Por s’mund ta harrojë këtë fakt dhe thur lirikën e duhur, ku nuk lë pas dore as plakat e as pleqtë, as puthjet gazmore dhe as trimëritë boshe të  njerëzve të kënduar. Vetmia, mërzia, pikëllimi, pengesat. Sa i hijshëm bëhet kur dëgjon, flet fare pak, asnjëherë nuk shan, i fsheh me guxim brengat e tij dhe tallet plot gojën me sëmundjen. E di kush ma mposhti? – pyet. Lirika e fundit që sapo shkrova. Kam dy ditë që merrem me këtë lirikë dhe nesër besoj do ta hedh në letër. Një javë mjafton për një lirikë? Sa javë mund të jetojë një poet?…

    Sikur t’i bënin film lirikat e Skënder Rusit? Ç’filma do të dilnin vallë? Ja, përfytyrojeni këtë lirikë si në një film:

    Do të më duhet të rri edhe ca,

    (Kam ende për të thënë shumë gjëra)

    Ndonjëherë koha është vetëm një çast,

    Edhe të duash, s’i thua dot të tëra!

    Ndonjëherë, koha jam vetë unë,

    Që hapin, jo si të tjerët e hedh!

    Ngado që shkoj ma bën me sy një rrugë,

    Ku asnjëherë s’më ka pëlqyer të ec!

    Do më duhet të rri edhe ca,

    Ju thashë, s’i kam thënë ende të gjitha!

    Vetëm atëhere kur nisim e flasim përçart,

    Duhet pranuar ikja!…

    Vërtet mund të bëhet një film me poezinë time? Duket gjë fort e vështirë, sepse Xhevahir Spahiut do t’i qenë bërë mijëra filma! Pa le Dritëroit! Por megjithatë tingëllon e bukur.

    As që më shkon ndonjëherë mëndja te fataliteti i poetit. Ndërsa tek fati fatal i lirikës po. Se ajo ecën në binarë paralel me elegjinë. Dhe s’ka faj. Aty ka shumë dashuri, shpikje, shtesa, intimitet, dekor romantik… Pastaj këngët e bukura që thuren me lirikat dhe duket sikur i këndon Elvis Presli. Pastaj Danubi blu. Qeshje poetike, qeshje me një vajzë krahaqafë, askush nuk përmbahet dot gjëkundi, as Skënder Rusi jo. Mbrëmje magjike në pyll në netët poetike korçare, duke kënduar, duke qeshur, duke u puthur e duke thithur gjer në themel pjalmin e mjaltit. Emocione të forta. Të qeshura të papërmbajtura. Jetë. Ja. Kjo është lirika e këtij njeriu që i përjeton krejt ndryshe e madje të përmbysura gjithë realitetet e kësaj bote. Po ku e gjen fuqinë vallë? Ku buron frymëzimi i tij? Ah, të kishim mundësi dhe t’i gjenim. Me siguri do të mrekulloheshim. Por hë për hë le të magjepsemi me lirikat e tij të papërsëritshme…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË