More
    KreuIn memoriamBajram Sefaj: Shuhet Shyqri Nimani, kaligrafisti i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës

    Bajram Sefaj: Shuhet Shyqri Nimani, kaligrafisti i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës

    Në një shkrim eseistik, Prof. Dr. Moikom Zeqo, kishte konstatuar se ‘Shyqri Nimani është ndër personalitetet më të shquara bashkëkohore të kombit shqiptar’. Ndërkohë, studiuesi Artrit Bytyçi kishte vërejtur në një shkrim të tij të gjatë në anglisht me titullin: ‘Beyond calligraphy: On the many talents of Shyqri Nimani’, më 14 shkurt 2018, duke theksuar se ‘Shyqri Nimani është njeriu i dymbëdhjetë talenteve’.

    Dhe me të vërtetë, gjatë intervistës sime me Shyqri Nimanin, arrita të konstatoj se ky autor shumë i devotshëm ka krijuar një opus sinjifikant. Jo dymbëdhjetë – por janë edhe më shumë fusha dhe disiplina artistike – në të cilat Nimani me një energji titanike ka krijuar vepra me vlera që do t’i quaja – evergreen

    Veprimtaria në fushën e eseistikës së arteve pamore:

    – ‘Onufri dhe piktorë të tjerë mesjetarë shqiptarë’,

       Prishtinë, 1987.

    – ‘Arti bashkëkohor i Kosovës’, (Contemporary Art of Kosova),

       Prishtinë, 1988. 

    – ‘Përgatitja e librit’ (Book Design), ArsAlbanica Prishtinë, 1990.

    – ‘Shqyrtime artistike’, ArsAlbanica, Prishtinë, 1990.

    ‘10 x 10 – Ars Longa Vita Brevis’, ArsAlbanica Prishtinë, 1994.

    – ‘Trojet shqiptare në harta dhe stema’, Prishtinë, 1997.

    – ‘Albanian Lands in Maps and Emblems’, Prishtinë, 1997. 

    – ‘Albanische Gebiete auf Karten und Wapen’, Prishtinë, 1997.

    -‘ArnavudArtistët Shqiptarë në Perandorinë Osmane’,

       ArsAlbanica Prishtinë, 2003.

    – ‘Gurë të Mozaikut Shqiptar’, ArsAlbanica, Prishtinë, 2011.

    – ‘Mehmet Ali PashaKapedani Shqiptar që ia Ktheu Dinjitetin Egjiptit’,

       ArsAlbanica, Prishtinë, 2012.

    – ‘Rexhep RakovicaFotografi pasionant i Prishtinës’, ArsAlbanica,

       Prishtinë, 2013.

    – ‘Nëpër Gjemba Drejt Yjeve, autobiografi’,ArsAlbanica, Prishtinë, 2016.

    -‘AlbaneseArtistët Shqiptarë gjatë Renesansës Italiane’, ArsAlbanica,

       Prishtinë, 2018.

    – ‘78 DITË BOMBARDIME TË NATO-s sipas gazetave britanike’,

       shqip dhe anglisht, ArsAlbanica, Prishtinë 2021.

    Gjithashtu, Nimani është autor i librave shkollorë ‘Edukata figurative’ 1, 2, 3, 7 dhe 9 (shpërblimet e para në konkurset publike të Ministrisë së Arsimit). Duke filluar nga viti 1960 ka shkruar për Rilindjen dhe për revista e gazeta të tjera, për ekspozitat e ndryshme të krijuesve vendës e botërorë, si dhe për çështje të dizajnit grafik. Tekstet janë përkthyer në serbokroatisht, sllovenisht, anglisht, gjermanisht, frengjisht, arabisht.

    Veprimtaria në fushën e përkthimeve:

    Përkthime në shqip nga anglishtja e serbokroatishtja, prozë e poezi të Perl Bak, Uilliem Sarojan, O’Henri, Servantes, Heminguej, Xhojs, Oskar Uajld, Basho, Issa, Buson, Zhak Prever, Rabindranat Tagore, Garsia Lorka. Ka përkthyer nga origjinali anglisht librin “Populli, po” me poezitë e Karl Sandbergut, (“Rilindja”, 1982’), ‘Haiku poezi japoneze’ (“Rilindja”, 1984), Nga Engre deri te Pikaso“, (“ARTC“, Prishtinë, 2003).

    Veprimtaria në fushën e muzikës:

    Që nga viti 1960 e deri më 1980 ka komponuar melodi zbavitëse, popullore ose për fëmijë, (afër 40 komponime origjinale i ka të regjistruara në Agjencinë Autoreske të ish-Jugosllavisë), ka incizuar për radio dhe TV afër 100 këngë dhe ka shkruar po aq tekste. Në “Akordet e Kosovës” ka fituar 4 shpërblime. Në vitet 1960-1970 meloditë e tij “Adriatiku”, “Ilirjana”, “Studenti dhe dashuria” kanë qenë më të kërkuarat në valët e Radio Prishtinës e të radiostacioneve të tjera të vendit. Për shtëpinë diskografike RTV-Beograd ka incizuar diskun e parë në gjuhën shqipe me 4 melodi origjinale (1969), ndërsa për “Jugotonin” e Zagrebit një disk me 3 melodi, (1980).

    Veprimtaria në fushën e pikturës dhe ilustrimit:

    Prezentimi vizual i kompletit të veprave të Sergej Jeseninit (“Rad” Beograd, 7 ribotime).Prezentimi vizual i poezive të poetëve kosovarë (1966-1983).Prezentimi vizual i poezive japoneze Haiku (“Rilindja”, 1970).Ilustrimet komplete të Abetares shqipe (autor i tekstit M. Gjevori). Prezentimi vizual i poezive japoneze Haiku (“Rilindja”, 1984). Prezantimi vizual i soneteve të Enver Gjerqekut “Na dlanu most” (PKK Mostar, 1987). Ilustrimet komplete të Abetares shqipe (autor i tekstit Q. Batalli, 2003). Ditari im piktural në Japoni (1976-1979).

    Poster për 100 vjetorin e Pavarësisë, realizuar nga profesor Shyqri Nimani

    Veprimtaria në fushën e posterit artistik, logove dhe pullave postare:

    Seria e posterëve filmik për Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe të kompanisë filmike Kosovafilmi, 1970-1983, si dhe posterëve për Teatrin Popullor të Beogradit; të shumë emblemave e logove si dhe të pullave postare për Filatelinë e Kosovës.

    Veprimtaria në fushën e arsimit universitar:

    Ka qenë profesor ordinar në Fakultetin e Arteve (Universiteti i Prishtinës) ku ka ligjeruar lëndën e Dizajnit Grafik në nivelin bachelor dhe master, deri në pensionim.  Ka qenë dekan i Fakultetit të Arteve nga viti 1991-1994. Ka dhënë mësim edhe në Universitetin e Tetovës për katër vjet. Ndërkaq, gjatë viteve 2005-2022 iashte profesor ordinar në Universitetin AAB (Fushë Kosovë).

    Veprimtaria në fushën e institucioneve kulturore:

    Më 1979 është zgjedhur drejtor i parë i Galerisë së Arteve të Kosovës dhe ka udhëhequr këtë institucion të rëndësishëm kombëtar për dhjetë vjet radhazi me sukses të jashtëzakonshëm. Ndërkohë, Shyqri Nimani viziton shumë vende në katër anët e botës, sidomos metropolat e artit dhe të kulturës: Francën, Anglinë, Italinë, Spanjën, Skandinavinë, SHBA-në, Meksikon, Rusinë, Greqinë, Indinë, Rumaninë, duke u njohur për së afërmi me artin, shkencën, letërsinë dhe historinë e këtyre qytetërimeve të mëdha.

    Unë kam hulumtuar dhe kam bërë një përmbledhje të ngjeshur për vlerësimet që iu kanë dedikuar opusit krijues të Shyqri Nimanit gjatë viteve. Janë shumë autorë shqiptarë, serbë, kroat, amerikanë etj., të cilët kanë vlerësuar krijimtarinë artistike të Shyqri Nimanit, siç janë: Daniel Cosentino, Josif Papagjoni, Ksenofon Dilo, Ylli Drishti, Ferid Hudhri, Astrit Tota, Ben Andoni, Lulzim Tafa, Rexhep Goçi, Artrit Bytyçi, Josip Shkunca, Tonko Maroeviq, Vlado Buzhançiq, Pavle Vasiq, Zoran Markushi, Hivzi Muharremi, Jusuf Buxhovi, Mustafa Ferizi, Ali Podrimja, Ramiz Kelmendi, Skënder Boshnjaku, Jahja Drançolli, Agim Deva, Vesta Nura, Fadil Hysaj, Tomoko Ishii dhe Sachiko Aihara (Tokio,Japoni) etj. Ndërkaq, Shyqri Nimani vlerësohet shumë lartë në Enciklopedinë – Likovna Enciklopedija Jugoslavije, 2 (K-Ren), JLZ ‘Miroslav Krlezha’, Zagreb 1987, faqe 593 duke u ranguar në mesin e tre artistëve më të shquar në fushën e dizajnit në mbarë hapësirën e ish-Jugosllavisë. Kur piktori i shquar dhe Dekani i Katedrës së Arteve në Universitetin Albany të Nju-Jorkut (State University of New York at Albany), Richard Callner (1927-2007) gjatë vizitës së ekspozitës personale të Profesor Nimanit, Callner ishteshprehur i impresionuar: ‘kombinimi i ngjyrave në ciklin ‘Japonia e Bukur dhe Unë’ (Ucukushii Nihon to Watashi – kishte rezonanca të jashtëzakonshme.’  

    Natyrisht se e tërë kjo veprimtari vëllimore dhe silësore gjatë aq shumë viteve,me suksese të shumta të Shyqri Nimanit është kurorëzuar me shpërblime dhe mirënjohje të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare. Nga viti 1969 e deri më 2023, ka fituar shumë shpërblime dhe mirënjohje në Prishtinë, Beograd, Itali, Tokio, Tiranë, Titograd, Gjakovë. Theksoj Shpërblimin me rastin e 85-Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë për monografinë ‘Trojet shqiptare në harta dhe stema’, 1997; Çmimin PËR VEPËR KAPITALEnga Lidhja e Botuesve të Kosovës për monografinë autobiografike Nëpër gjemba drejt yjeve’, në Panairin e Librit në Prishtinë, 2017. Ndërkohë, më 2022, Universiteti AAB e shpalli Shyqri Nimanin ‘Professor Honoris Causa’, ndërsa më 2023, Presidentja e Republikës së Kosovës, Znj. Vjosa Osmani-Sadriu, dekoron Shyqri Nimanin me ‘MEDALJA PRESIDENCIALE E MERITAVE’ për disenjimin e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës dhe kontribut të veçantë në fushën e arteve.

    Kryeministri Hashim Thaçi dhe Shyqri Nimani në gazetën japoneze ASAHI SHIMBUN me tirazhin ditor prej 8 milionë ekzemplarësh më 19 shkurt 2008, pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

    Para një jave e pyeta Profesor Shyqri Nimanin:

    “A do të mund të vazhdoni edhe më tutje me këtë vullnet, entuziazëm dhe energji aq të madhe, siç keni vepruar gjatë këtyre rreth 60 viteve të pandërprera? Sidomos në këtë moshë të shtyer (tashmë 82-vjeçare).

    Përgjegja e tij ishte e shpejt dhe e sigurt:

    “Natyrisht që në këto vite të shtyera unë tashmë ka kohë, që hap-pas-hapi, kam filluar reduktimin e këtyre fushave dhe disiplinave artistike. Jam i vetëdijshëm se s’mund të merrëm me të gjitha këto. Prej 12 të tillave unë tani jam përcaktuar të vazhdoj me disa sosh: me dizajn, me përpilimin e monografive të trashëgimisë kombëtare shqiptare dhe me pikturë. Mbase ndonjëherë mund të merrem edhe më përkthime të beletristikës”.

    Por vdekja e papritur i ndërpreu përgjithmonë këto ëndrra dhe projekte. Ars Longa, Vita brevis, është titulli i një prej librave të tij të shumtë.

    Lamtumirë, miku im i shtrenjtë, Shyqri Nimani!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË