More
    KreuLetërsiShënime mbi librakrahasime të përkthimeve të Kostandin Kavafit në gjuhën shqipe

    krahasime të përkthimeve të Kostandin Kavafit në gjuhën shqipe

    Nga Aristotel Spiro

    Viti 1986 shënon edhe takimin e parë të Kostandin Kavafit me lexuesin shqiptar. Atëherë u botua një Antologji e poezisë greke, përgatitur nga Pirro Misha. Në të u përfshinë 11 poezi të tij, 10 prej të cilave në përkthimin e Ismail Kadaresë dhe 1 në përkthimin e Llambro Rucit. Që atëherë interesi për K. Kavafin u rrit. Më 1997 u botuan dy përkthime të tjera të K. Kavafit, një nga shtëpia botuese “Onufri” në përkthimin e Luan Zykës dhe një nga shtëpia botuese “Albin” në përkthimin e Perikli Jorgonit e Rudolf Markut. Katër vjet më vonë, në vitin 2001, shtëpia botuese “Ombra GVG” botoi një përkthim tjetër të K. Kavafit, kryer nga Llambro Ruci. Në vitin 2010 dalin në dritë edhe dy përkthime të tjera: Vepra poetike, nga botimet “Pegi”, ku përfshihen 154 poezitë e miratuara të K. P. Kavafit, përkthyer nga Aristotel Spiro, si dhe Poezi, shkrime kritike & estetike nga Gent-Grafik, përkthyer nga Mariela Stefanllari. Pesë libra të Kavafit në një gjuhë nuk do të përbënin ndonjë çudi të madhe. Ka gjuhë si spanjishtja, në të cilën vepra e tij numëron 35 botime në përkthime të ndryshme. Në anglishte ka 35 botime e ribotime, në frëngjishte 19, në gjermanishte 17. Por, po të marrim parasysh praktikën e rëndomtë të përkthimeve nga letërsia e huaj në shqip, rasti i K. Kavafit përbën një përjashtim. Nuk ka asnjë autor tjetër që të jetë përkthyer kaq shumë, madje brenda një kohe të shkurtër.
    Përkthimet e veprës së Kostandin Kavafit në gjuhën shqipe janë shënuar edhe nga karakteristika të kohës në të cilën kanë hyrë në këtë gjuhë, nga mënyra se si kanë hyrë, por edhe nga konceptet e përkthimit që janë zbatuar.
    Siç u tha edhe më lart, më 1986 u botua nga shtëpia botuese “Naim Frashëri” një Antologji e poezisë greke. Në të jepej një panoramë e përgjithshme e poezisë greke, ku përfshiheshin edhe disa pjesë nga krijimtaria popullore. Në kushtet e censurës së fortë ky botim mund të interpretohet si një përpjekje për të njohur nga afër fqinjin e panjohur, një parim të cilin e kishte adoptuar udhëheqja komuniste e Shqipërisë së atëhershme. Botimi i antologjisë përbënte një ngjarje të shënuar në njohjen e poezisë greke në Shqipëri. Ishte edhe një komunikim midis krijuesve, ngaqë në përkthimin e autorëve të përzgjedhur morën pjesë shumë përkthyes dhe poetë shqiptarë. K. Kavafi, sigurisht, nuk mund të mungonte nga ajo antologji. Ishte hera e parë që ai vinte në shqip. Rruga që kishte përshkuar për të ardhur deri në Itakën shqiptare ishte e lodhshme. Megjithëse kaloi në duart e një mjeshtri të madh të fjalës, siç është Ismail Kadareja, iu desh të kalonte më parë nga brigjet poetike franceze apo ruse, meqenëse brigjet origjinale gjuhësore kavafiane ishin jo shumë të afërta për Kadarenë. Përvoja poetike e shkrimtarit të njohur shqiptar e ndihmoi që të kapërcente ato vështirësi të kuptueshme që lindin në raste të tilla. Është një përkthim i drejtuar nga lexuesi shqiptar, i cili nuk e ka të vështirë të ndiejë se një figurë poetike monumentale si K. Kavafi shoqërohet dhe prezantohet gjithashtu nga një penë e fuqishme e letrave shqipe me mënyrën dhe mjetet e Kadaresë. Por K. Kavafi, si një poet i mesazheve universale, nuk do të dilte fare i padëmtuar nga ardhja në letërsinë shqipe në një kohë të tillë censure. Duke qenë poeti i lirisë dhe i përvojës njëkohësisht, ai u ndesh me Lestrigonët dhe Ciklopët censurues. Dhe ndodhi ajo që nuk mund të imagjinohet në asnjë përkthim serioz letrar. Poezia kryesore e K. Kavafit, “Itaka”, del në gjuhën shqipe me një varg më shumë. Një varg i cili nuk ekziston në origjinal. Ja se si mbaron poezia:

    N’ e gjetsh të varfër nuk ka faj
    Prej saj askurrë mos u zhgënje
    I mençëm siç je bërë tashmë,
    Besoj kupton se ç’janë “Itakat”
    Besoj kupton se ç’është Atdheu (81).

    Vargu i fundit “Besoj kupton se ç’është Atdheu” nuk është i K. Kavafit. Ai është shtuar në Shqipëri. Kemi çdo arsye për të besuar se kjo gjë nuk është bërë nga I. Kadareja. Një poet i madh nuk mund të bënte diçka të tillë. Vargu i paqenë në origjinal u shtua nga redaktorët. (Le të kujtojmë këtu që “Antologjia” është përgatitur nga Pirro Misha, ndërsa recensentë ishin Pano Çuka dhe Fatos Arapi.) Mund ta shpjegojmë, por nuk mund ta shfajësojmë këtë sakrilegj letrar. Po ashtu te poezia tjetër e Kavafit, “Duke pritur barbarët”, vargu i fundit “Οἱ ἄνθρωποι αὐτοὶ ἦσαν μιὰ κάποια λύσις” (Ata ishin për ne njëfarë zgjidhjeje) mungon te përkthimi i I. Kadaresë (83), ndoshta prej aludimeve politikisht të rrezikshme që mund të ushqente në kushtet e atëhershme të vetizolimit të Shqipërisë. Duhen përmendur këto fakte ndoshta edhe për të treguar se sa e fortë ka qenë frika e censurës, e cila çonte në autocensurë.
    Vitet kaluan dhe pas 11 vjetësh, më 1997 K. Kavafi mbërriti përsëri në brigjet poetike shqiptare. Edhe këtë herë udhëtimi i K. Kavafit ndoqi itinerare të ndryshme. Në fillim erdhi drejtpërdrejt nga Aleksandria, por duke kaluar nga Greqia e sotme (përkthimi i L. Zykës), ndërsa pati edhe një rravgim nga brigjet italike (përkthimi i P. Jorgonit) dhe brigjet anglosaksone (përkthimi i R. Markut).
    Atë vit u botuan dy libra. Viti 2001 shënon fundin e një rravgimi tjetër të poezisë kavafiane në brigjet poetike shqiptare. Në të vërtetë, ky udhëtim kishte filluar rreth njëzet vjet më parë, përkatësisht aq sa zgjati edhe mungesa e Odiseut prej Itakës. Në një shënim hyrës të përkthyesit (Ll. Ruci) thuhet: “Poezinë e Kavafit e kam mbajtur nëpër duar përreth njëzet vjet me radhë, duke e përkthyer dhe ndrequr përkthimin në mënyrë të vazhdueshme dhe njëherësh, duke njohur sfondin historik të epokës që i referohen vjershat. Nëse ia kam arritur të jap tingëllimën e papërsëritshme të poezisë kavafiane në shqip, këtë le ta gjykojnë lexuesit, – por, sidoqoftë, ky Kavaf i plotë është i ndryshëm nga përkthimet e gjertanishme në shqip.” Kemi arsye t’i besojmë përkthyesit kur i referohet periudhës kohore gjatë së cilës u mor me përkthimin e Kavafit në shqip. Një argument na e jep edhe poezia “Qyteti”, me të cilën ai u përfaqësua në “Antologjinë e poezisë greke” (1986), plot 15 vjet para botimit të plotë të 154 poezive të Kavafit nga shtëpia botuese “Ombra”. Në të vërehen ndryshime të rëndësishme, saqë mund të bëjmë fjalë për dy përkthime nga i njëjti përkthyes. Ndërsa skrupuloziteti artistik dhe dëshira për të paraqitur diçka të re vërehet te Ll. Ruci edhe në detaje të tjera. I referohet botimit kryesor në gjuhën greke (atij të shtëpisë botuese “Ikaros”, kryer nën përkujdesjen letrare të Jorgos Savidhis-it) dhe e shfrytëzon atë deri në detaje, duke përkthyer edhe të dhënat biografike, parathënien, pasthënien, shënimet për çdo poezi, si dhe duke përfshirë edhe një shkrim të Linos Politis-it, njërit prej historianëve letrarë më në zë të Greqisë së sotme. Ll. Ruci respekton madje edhe strukturën e botimit të shtëpisë botuese “Ikaros”, duke e ndarë veprën e Kavafit formalisht në dy vëllime, pavarësisht se të dyja vëllimet e greqishtes te botimi shqip janë bashkuar në një vëllim të vetëm.
    Ll. Ruci vjen me një përvojë përkthyese të gjerë nga letërsia greke në shqipe. Përkundrazi, për L. Zykën botimi i K. Kavafit përbën sprovën debutuese përkthimore. Nga ana tjetër R. Marku, sidomos P. Jorgoni, vinin me një përvojë të konsiderueshme në fushën e përkthimit poetik. Është e vërtetë se ata të dy shfrytëzuan përkthime të K. Kavafit në gjuhë të tjera, përkatësisht në anglisht e italisht (kryer sipas gjuhëve përkatëse nga Edmund Keeley e Philip Sherrard dhe Filippo Maria Pontani), fakt që pati ndikimin e vet në tekstet përfundimtare që u botuan. Megjithatë, gjykimi për përkthimin bëhet në bazë të tekstit të përftuar dhe jo a priori.
    Në letërsinë botërore nuk janë të pakta rastet e ripërkthimeve e të ribotimeve që u kryhen kryeveprave të letërsisë botërore. Kjo nevojë lind për shkak të kërkesave që rrjedhin nga ndryshimet gjuhësore, nga ideali estetik, nga nevojat e publikut lexues. Vërehet në një kuptim njëfarë manipulimi i procesit përkthyes. Por botimi thuajse i njëkohshëm i disa përkthimeve të K. Kavafit mund të përbëjë një nga rastet e pakta në praktikën botuese dhe në fushën e letërsisë krahasuese. Le të shënojmë se në vitin 2010 dolën në dritë edhe dy përkthime të tjera të veprës së Kavafit: një i kryer nga M. Stefanllari dhe tjetri nga A. Spiro. Faktori kohor i imponimit të përkthimit në këtë rast nuk mund të merret parasysh. Çfarë është ajo, pra, që ka bërë të nevojshme të përkthehet e të ripërkthehet K. Kavafi në shqip? Mund të ishte nevoja dhe dëshira e një rishikimi, e një plotësimi, prej pamjaftueshmërisë absolute që nënkupton çdo përkthim, sado i mirë qoftë ai, aq më tepër kur fjala është për poezinë, shpallur teorikisht e papërkthyeshme. Ky argument mund të justifikohej, qoftë edhe pjesërisht, me përkthimin e Ll. Rucit. Por në rastin e përkthimeve të tjera, thuajse të njëkohshme? Mund të themi pa drojën më të vogël se koha e ndryshimeve të rëndësishme shoqërore të viteve ’90 të shekullit të kaluar krijoi jo vetëm truallin e përshtatshëm për mirëseardhjen e K. Kavafit në gjuhën shqipe, por gjithashtu kjo kohë kishte nevojë për poezinë e K. Kavafit. Poeti aleksandrin ndihmonte me mesazhet e veta universale njerëzore epokën e re të ndryshimeve.
    Njëkohshmëria e ardhjes së K. Kavafit në shqip shtron në planin përkthimor disa probleme që lidhen me natyrën dhe cilësinë e përkthimit. Këto probleme, sigurisht, shihen të lidhura ngushtë edhe me aftësinë e përkthyesve, por së bashku me të edhe me strategjitë dhe taktikat e përkthimit, me marrëdhëniet ndërtekstore të origjinalit greqisht me kulturën shqiptare, si dhe me ballafaqime kulturash të tjera, në të cilat K. Kavafi kishte bujtur prej kohësh.
    Te përkthimi i L. Zykës vërehet një përpjekje për të dhënë me besnikëri frymën e origjinalit. Shohim në të një orientim nga gjuha më shumë sesa nga kultura greke në përgjithësi. Konteksti që ka parasysh përkthyesi është ai gjuhësor dhe i lokalizuar tërësisht brenda faqeve të veprës kavafiane. Edhe parathënia, që do të ndihmonte për ta orientuar natyrshëm lexuesin shqiptar brenda një konteksti pragmatologjik, është e hartuar nga një përkthyes dhe studiues i Kavafit, por mosnjohës i gjuhës shqipe. Një argument tjetër të sigurt në mbështetje të mendimit tonë ofrojnë sidomos emrat e përveçëm. Siç dihet, në poezitë e K. Kavafit ndeshen rëndom emra dhe personazhe nga lashtësia greko-romake. Këta zakonisht në shqip shkruhen me trajtën e tyre të transliteruar, duke ndjekur domethënë shqiptimin e lashtë grek, dhe jo sipas shqiptimit të greqishtes së sotme. L. Zyka e shkruan gjithë këtë kategori emrash duke ndjekur modelin e greqishtes së re. Mund të justifikohej përpjekja e tij duke iu referuar K. Kavafit si autor i letërsisë së re greke, por tjetër gjë është mjeti i të shprehurit dhe tjetër gjë objekti i shprehjes. Mund të hamendësojmë se L. Zyka ka shfrytëzuar edhe përkthimin anglisht të K. Kavafit. Si një fakt i jashtëm na shërben edhe përfshirja e parathënies së shkruar nga Edmund Keeley, një nga përkthyesit më të njohur të K. Kavafit në anglisht. Por edhe në përkthimin anglisht përkthyesit (Edmund Keeley dhe Philip Sherrard) kanë proceduar në mënyrë të pajustifikueshme duke ndjekur modelin neogrek edhe për sa u përket emrave të lashtë. Kështu, krahas trajtave të pritshme si Achilles (5), Apollo (7), Eleusis, Demeter, Thetis, Metaneira, Peleus (13), Euphorion (105) ndeshim p.sh. edhe trajta të tilla të papritura, si Evmenis (10) (për Eumenes), Theocritos (10) (për Theocritus), Dimitrios, Pyrrhos (23) (në dëm të trajtave më të parapëlqyeshme Demeter, Pyrrhus), Dionysos (24) (në dëm të trajtës më të parapëlqyeshme Dionysus), Herodis Atticos (40) (për Herodius/ Herodes Atticus), Evrion (50) (për Eurion), Theodotos (54) (për Theodotus), Orophernis (60) (për Orophernes), Selefkid (61) (për Seleukid), Ignatios (79) (për Ignatius), Aristovoulos (89) (për Aristobulus), Dimaratos (114) (për Demaratus).
    Përkthimin anglisht ka ndjekur hap pas hapi edhe R. Marku, i cili ka përsëritur besnikërisht të gjitha trajtat e dyshimta të emrave të përveçëm. Ashtu si në përkthimin anglisht, edhe këtu, krahas trajtave të sakta, si p.sh. Hekuba (30), Demetra (21), ndeshim trajta emrash, si Evmenis (18) (për Eumen), Pileu (21) (për Peleu), Artemidoros (42) (për Artemidor) etj.
    Ndërsa P. Jorgoni, edhe pse ndihet që ka dijeni në lidhje me shkrimin, shqiptimin dhe emrat e greqishtes, merr si model përkthimin italisht të F. M. Pontanit, i cili mund të thuhet pa frikë se është një nga më të mirët që ekzistojnë për poezinë e K. Kavafit. Ai ka përkthyer me mjeshtëri disa poezi kavafiane. Le të përmendim p.sh. poezinë “Viti 31 para Krishtit në Aleksandri”, kur ruhet rima e çiftëzuar. Por gjejmë edhe raste kur nën ndikimin e tekstit italisht është përftuar në shqip një përkthim i gabuar. Një rast tipik është ai i poezisë “Gjon Kantakuzeni mbisundon”, e cila është përkthyer “Djaloshi Kantakuzinos eprori” (51), me sa duket nga moskuptimi i saktë i titullit në italisht (“Giovanni Cantacuzeno prevale”) (150), ku ‘Giovanni’ përkthehet me ‘djalosh’ (!). Në poezinë “Prej qelqi ngjyra-ngjyra” (që P. Jorgoni e jep “Xhama të ngjyrosura” khs. përkthimin italisht “Vetro colorato”) Gjon Kantakuzeni na del si Ivan (!) Kantakuzinos (55) dhe kisha e Vllahernës na del si Bllaqernes (55). Gjithashtu “Apolon tyanasi në Rod” na del si “Apoloni i Tianës në Rodi” (57), “Në një qytet të Azisë së Vogël” del si “Në një cep të Azisë së Vogël” (63), “Prifti i Serapit” del si “Prifti i Serapidës” (67) (khs. përkthimin italisht “Sacerdote di Serapide”, 171), “Ana Dalasena” del si “Ana Delasini” (68), “Kryezot prej Libisë Perëndimore” del si “Kryetar i Libisë Perëndimore” (80), “Le të kujdeseshin” del si “Po të kishin menduar” etj. Nuk po zgjatemi me raste si këto, të cilat mund të gjenden me shumicë. Nuk është qëllimi ynë të shndërrohemi në gjahtarë gabimesh. Gjithashtu, qëllimi ynë nuk është që të tregojmë se përdorimi i një përkthimi në një gjuhë të tretë do të sillte pasoja të dëmshme në përkthimin te gjuha marrëse. Këto përkthime jo vetëm që nuk pengojnë, por, përkundrazi, ndihmojnë veprën e vështirë të përkthyesit. Në rastin e K. Kavafit, stili gjuhësor i të cilit shënohet nga greqishtja e re, por edhe e folmja greke e Aleksandrisë dhe e Kostandinopojës, vështirësia në kuptimin e tekstit shumëfishohet. Në këto raste gjuha e tretë vjen në ndihmë në qoftë se përkthyesi e zotëron plotësisht, përndryshe ajo rrezikon të kthehet në një grackë. Nuk do ta tepronim po të thoshim se përkthimi nuk është thjesht një çështje gjuhësore. Nuk ka të bëjë vetëm me nivelin e kompetencës ndërgjuhësore, me dekodifikimin dhe rikodifikimin gjuhësor. Është, në radhë të parë, një kompetencë ndërkulturore, domethënë, njohja e saktë e kulturës ardhëse, njohja e saktë e kulturës pranuese, por edhe aftësia e vendosjes së një përkatësie të dykahshme midis shenjave kulturore që ofrojnë të dyja gjuhët. Këtu përfshihen edhe emrat e përveçëm të njerëzve dhe të vendeve, por edhe shprehje të ndryshme frazeologjike ose stereotipa fjalësh.
    Një nga përkthimet më të mira të K. Kavafit në shqip është kryer prej Ll. Rucit. Vërehet në të puna e kujdesshme e një përkthyesi me përvojë, që mundohet të sjellë në gjuhën shqipe atë që provon lexuesi grek kur lexon Kavafin, të arrijë një njëvlershmëri formale (siç do të shprehej E. Nida), ose një përkthim semantik (P. Newmark). Përkthimi i tij është i orientuar nga origjinali. Respekton me skrupulozitet frazën e origjinalit, madje ndonjëherë deri edhe ndarjen e togfjalëshave midis fundit të një vargu dhe fillimit të vargut tjetër. Në këtë mënyrë i qëndron më besnik tekstit origjinal dhe, siç ndodh në këto raste, transparenca e përkthimit humbet (L. Venuti). Strukturat shqipe ngjajnë fort të ndikuara nga ligjërimi i K. Kavafit.
    Ashtu siç mund të pritej, Ll. Ruci ka shfrytëzuar, krahas tekstit origjinal, edhe përkthime të K. Kavafit në ndonjë gjuhë tjetër, p.sh. në italisht. Kjo bëhet një shkas për të mos shmangur edhe rënien në ndonjë grackë. Një rast tipik na vjen përsëri nga emrat e vendeve. Në poezitë “Herodi i Atikës” (39) “Varri i gramatikanit Lisia” (43) dhe “Mes tavernave” (186) (personalisht do të parapëlqeja përkthimin “Nëpër mejhane”) gjendet edhe emri gjeografik Berito (Aty pranë, djathtas kur hyn, në bibliotekën e Beritos varrosëm Lisian e ditur) (Mes tavernave/ dhe shtëpive publike/ të Beritos zhgërryhem), i cili nuk është tjetër veç Bejrutit (kryeqyteti i Libanit) (khs. përkth. italisht: Vicino adestra di chi entra, nella biblioteca/ di Bèrito, il dottisimo Lisia abbiamo sepolto) (59) ose In mezzo alle taverne/ e ai bordelli di Bèrito/ mi vado rotolando…) (163).
    Këtu është vendi të themi dy fjalë në përgjithësi për përkthimet që vijnë nëpërmjet një gjuhe të tretë. Këto përkthime nuk janë të këshillueshme, pasi ndryshimet përfundimtare e largojnë tekstin fillestar origjinal nga teksti i përkthyer. Megjithatë, në raste të veçanta, kur janë të nevojshme, edhe mund të pranohen. Do të përfshiheshin këtu gjuhët e rralla, zotërimi i të cilave bëhet i vështirë, përderisa ato përfaqësojnë kultura me kontakt të largët ose shumë të largët. Gjithsesi, njohuritë kulturore janë të domosdoshme, për të mbyllur atë hendek që krijon mungesa e njohjes së gjuhës. Përkthimet letrare nga gjuha shqipe në atë greke dhe anasjelltas ofrojnë, për fat të keq, shembullin e një përvoje dekurajuese. Një pjesë e madhe e letërsisë shqiptare ka mbërritur në Greqi përmes një gjuhe të tretë, kryesisht nëpërmjet frëngjishtes (rasti i botimeve të I. Kadaresë do të mjaftonte për të ilustruar mendimin tonë). Por edhe shumë vepra të autorëve grekë kanë ardhur në shqipe nëpërmjet një gjuhe të tretë. Asgjë të keqe nuk do të kishte në rast se ndryshimet kuptimore që ndodhin gjatë përkthimit nga gjuha greke te gjuha e tretë nuk do të ishin kaq të largëta. Po të kemi parasysh elementet e përbashkëta gjuhësore midis shqipes dhe greqishtes, që i bën shënjuesit kulturorë dhe mënyrën e jetesës së këtyre dy popujve lehtësisht të dallueshme dhe të kuptueshme me njëra-tjetrën, do të kuptojmë se sa shumë humb përkthimi që ndjek rrugën greqishte-italishte-shqipe, greqishte-anglishte-shqipe ose greqishte-frëngjishte-shqipe etj. Në vend të një përkthimi “transparent” (L. Venuti) lexuesi do të dëshironte një përkthim “dinamik” (E. Nida), i cili do të tingëllonte shqip, por do të jepte njëkohësisht edhe ato raporte kuptimore dhe efekte emocionale që krijohen nga leximi në origjinal. Shembuj të tillë mund të gjejmë shumë në vargje të veçanta në të tria përkthimet e K. Kavafit, por ende nuk gjejmë në shqip një Itakë përkthimi të K. Kavafit.
    Le të krahasojmë një poezi të K. Kavafit në katër përkthime në shqip:
    Është fjala për poezinë “Mbarim” (“Τελειωμένα”).

    Μέσα στὸν φόβο καὶ στὲς ὑποψίες,
    μὲ ταραγμένο νοῦ καὶ τρομαγμένα μάτια,
    λυώνουμε καὶ σχεδιάζουμε τὸ πῶς νὰ κάμουμε
    γιὰ ν᾿ ἀποφύγουμε τὸν βέβαιο
    τὸν κίνδυνο ποὺ ἔτσι φρικτὰ μᾶς ἀπειλεῖ.
    Κι ὅμως λανθάνουμε, δὲν εἶν᾿ αὐτὸς στὸν δρόμο·
    ψεύτικα ἦσαν τὰ μηνύματα
    (ἢ δὲν τ᾿ ἀκούσαμε, ἢ δὲν τὰ νοιώσαμε καλά).
    Ἄλλη καταστροφή, ποὺ δὲν τὴν φανταζόμεθαν,
    ἐξαφνική, ραγδαία πέφτει ἐπάνω μας,
    κι ἀνέτοιμους –ποῦ πιὰ καιρός– μᾶς συνεπαίρνει.

    Ja si është përkthyer:

    Nga Luan Zyka:

    Fundi
    Zhytur në frikë dhe në dyshime,
    mendjeprishur dhe sy të lemerisur,
    tretemi në përpjekjet
    t’i shpëtojmë rrezikut të sigurt
    që me tmerr na kërcënon.
    Por gabuam, të tillë rrezik nuk pamë;
    të rreme ishin lajmet
    (a ndoshta s’i dëgjuam, a mirë ne s’i kuptuam).
    Tjetër katastrofë, që kurrë nuk e menduam
    papritur pllakos mbi ne përnjëherë,
    s’ka më kohë të përgatitemi – dhe nën vete na merr.

    Nga Rudolf Marku:

    Gjërat e përfunduara
    Të pushtuar frike dhe dyshimi
    mendjetrazuar me sytë e çakërdisur,
    me dëshpërim shpikim rrugëdalje
    bëjmë plane si të shmangim atë që nuk shmanget,
    rrezikun që na kërcënon me aq tmerr.
    E prapë gabojmë. S’ka rrezik para nesh:
    Informata qe e rreme
    (a s’na e kapi veshi, a s’e kuptuam mirë).
    Një tjetër katastrofë, që kurrë s’e imagjinuam,
    Krejt papritur, dhunshëm, zbret përmbi ne,
    Na gjen papregatitë, nuk kishim lënë as kohë,
    E na fshin faqes së dheut.

    Nga Llambro Ruci:

    Përfundimisht
    Mes frikës dhe dyshimeve,
    me mendje të shqetësuar dhe sy të lebetitur,
    zgjidhim dhe planifikojmë si të bëjmë
    të shmangim rrezikun e vërtetë
    që ashtu tmerrisht na kanoset.
    Por ama gabojmë, si s’është në rrugë
    (o nuk i dëgjuam, o nuk i ndjemë mirë).
    Tjetër katastrofë, që s’e merrnim me mend,
    e beftë, e vetëtimtë bie mbi ne,
    dhe të papërgatitur – e ku ka kohë – na rrëmben.

    Nga Aristotel Spiro:

    Mbarim
    Mes frikës dhe dyshimeve,
    me mendje të dridhur dhe sytë plot llahtarë,
    tretemi dhe vrasim mendjen ç’të bëjmë
    rrezikun e sigurt ta flakim tej,
    që ja kështu me tmerr na kërcënon.
    Por ne gabojmë, ai nuk gjendet udhës;
    kumtet ishin të rreme
    (o s’i dëgjuam dot, o mirë vesh s’i morëm).
    Një tjetër rrëmet që nuk e prisnim,
    papritmas papushim sipër na bie,
    dhe të papërgatitur – ku ka kohë tani – të gjithë na ka përfshirë.

    Me sa duket, udhëtimi i K. Kavafit ende nuk ka mbaruar. Dhe përvoja e fituar deri tani duhet të na bëjë edhe më të mençur, në mënyrë që ai të tingëllojë në shqip po aq i qartë sa në origjinal e në përkthimet më të mira në gjuhë të tjera të huaja. Dhe meqenëse çdo poezi e K. Kavafit përbën një sentencë jetësore, do të ishte e papritur sikur të mos gjenin diçka që t’i referohej temës së këtij artikulli. Le të më lejohet t’i mbyll këto radhë duke cituar disa vargje nga një poezi e poetit aleksandrin, që ka lidhje me cilësinë e të shkruarit kur bëhet fjalë për ballafaqim kulturash:

    Greqishtja jote është përherë e bukur dhe melodioze.
    Por tash ta duam gjithë mjeshtërinë.
    Në gjuhë të huaj zia dhe malli na kalojnë.
    Ndjenjën tënde egjiptiane derdhe në gjuhë të huaj.

    (Për Amonin, që vdiq më 610, në moshën 29-vjeçare)

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË