More
    KreuLetërsiBibliotekëZoja e Shkodrës në dy poezi

    Zoja e Shkodrës në dy poezi

    Kisha Katolike përkujton me 18 tetor vigjilien e festës së “Zojës së Shkodrës”, pajtores së gjithë Shqipërisë. Historia e saj lidhet me ikjen e pashpjegueshme në 1467 të një afresku ku paraqitet Zoja e Bekuar (Shën Mëria) me Jezusin fëmijë nga një kishë buzë Kalasë së Shkodrës, kur osmanët po afroheshin për ta pushtuar qytetin. Ajo u vendos në Gjenacano të Italisë ku gjendet akoma dhe sot. Ky moment është paraqitur nga dhjetra piktorë, si Kolë Idromeno, Lin Delia e deri edhe Lekë Tasi. Historia e kësaj ngjarjeje shpjegohet më së miri nga Italo Sarro në librin “Zoja e Këshillit të Mirë: historia e një shtegtimi të jashtëzakonshëm”, përkthyer nga Ardian Ndreca dhe botuar në shqip në 2017.
    Shumë poetë të veriut i kushtuan poezi Zojës, disa syresh edhe si lutje për rikthimin e saj në Shkodër. Më poshtë po paraqesim dy pre tyre, njërën të shkruar nga Luigj Gurakuqi dhe tjetrën nga Atë Gjergj Fishta:


    Dallëndyshja u kthye
    Luigj Gurakuqi

    Gjatë komunizmit, vargjet e undit të kësaj poezie u hoqën, duke lënë në të vetëm motivin e mallit për atdheun, të shprehur nëpërmjet dallëndyshes, simbol shumë i përhapur në poezinë e asaj kohe.

    Ti dallndyshën porosite,
    Vendin tand me shkue me e pá,
    Nepër Shkodër me shetitun,
    Mbi vorr t’bab’s e t’nans me kjá,
    N’ shkoll, n’ shpi tande ‘i herë m’u ndalë,
    Me miq t’ motshëm m’u përfalë.
    Erdh njimend, e nepër Shkodër
    Shum kërkoi tuj fluturue,
    Rrugs, n’ livadhe, n’ mal e n’ kodër,
    Me kang t’vet na ka gazmue,
    N’ fush t’ Rrmajit asht ndalue,
    E mbi vorre ka vajtue.
    Në prendverë ktej porsa mbrrini
    Miqve tu i u fal me shndet,
    Nepër shkollë, n’për kisha hini,
    Me t’a hiek at kasavet,
    E n’ shpi t’ vjetër ku ke le
    Ka godit’ çerdhen e re.
    Por kur kthej, me t’than a diti
    Miqt, qytetin, punt si i la?
    Para sysh Shqypnin a t’ qiti?
    A e harroi ndoj send beldà?
    A t’ kallxoi gjithshka kish pamun?
    Si mbi vorre kishte kjamun?
    Po prej prindsh ndoj shndet, ndoj fjalë,
    Ndoj bekim a t’a ka pru?
    Mbi rras’ t’ tyne kur u ndal,
    Ndoj tub’ lule a e kish vu?
    T’ zezat t’ona a t’i kallxoi?
    Me kang’ t’ vet a t’i diftoi?
    Shkodrën brengat e kan marrë,
    Tjetër s’ndin veç gjamë e ankime,
    Ma shpesh shifen se nej par
    Gjaksi t’ mrapshta e turbullime.
    S’ ka mbet’ gja pa u çoroditë,
    Ma fort prangat na jan rritë!
    Por ani,  Zojën e kena,
    Qi me dije na i shin lott,
    Në Tê, na t’vorfnit pshtetun jena,
    Na ruen Zoja e na del zot!
    Varrën tonë na e ankon
    Si bylbyli kur gjimon!
    Mir’ po shoh se ke shum mall
    Për me u gjet’ njiher’ n’ Shqipni.
    Ik pra e eja për të gjall
    Me miq tu m’u knaq’, m’u ngi.
    Eja vetë Zojën m’e pa,
    Eja vetë n’ Rmaj me kja!

    Zoja Shkodrës – Shkodra e Zojës
    Atë Gjergj Fishta

    Zoja e Shkodrës
    Kúr permbrenda atij Tempullit të rí,
    Mue per nen dollma t’Rozafatit true,
    N’gjűj shoh Shkodranin ulë me pervűjtní,
    M’bjen n’mend se Zoja e Shkodres më thonë mue.
    E kúr per rreth e qark t’eltervet t’mí,
    Si stina e bukur t’nise me lulzue,
    Fmín e Shkodranit ndiej tue m’kndue n’brohrí,
    Vedin Shkodrane m’ kandet me e kujtue
    Por edhe atë herë, po, kúr Shkodrani t’kjajë
    E t’ dnesë nder t’ vshtira, neper t’ cillat jeta
    Ati i pershkohet, syt mue m’mbushen m’vajë,
    E askurr nuk lâ pingul që Shkodren zhgjeta
    E mnís s’ qiellës t’a shinojë, perse e verteta
    Âsht kjo: qi Shkodra â’ emja e un e sajë.

    Shkodra e Zojës
    Atë botë mbi Shkoder kúr mâ i bukur dielli
    Ndritte, e larg nâmi ksajë mbi tokë kumote,
    Perpara elterit t’And Shkodrani fielli
    Vîte, e Ty lavde me haré t’këndote.
    E kúr mbi Shkoder xű m’u muzgun qielli
    E per tę t’vshtira m’u endun stinë e mote,
    Me Ty Shkodrani zęmren prap e kthielli,
    Kah gurt e lterit t’And me lot rigote.
    Por edhe sod Shkodra pshtjellë âsht n’ zí
    E jeten si n’nji vorr ajo âsht tue shkue,
    Shkodrani Ty po t’ ngrehë nji tempull t’ rí.
    A ‘i mend, prá, o Zojë, se doret ké me lshue
    Shqipninë e mjerë, e se edhe s’ke me ndí’
    Dhimbë për Shkodrani, kurr qi s’t’ ka harrue?

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË