More
    KreuForumi mbi përkthiminZija Vukaj: Aspekte teorikle historike dhe kritike të përkthimit

    Zija Vukaj: Aspekte teorikle historike dhe kritike të përkthimit

    I

    Ashtu si artet figurative dhe poezia gojore, edhe përkthimi është një veprimtari shumë e vjetër. Përkthimet kanë ekzistuar gjithmonë: përkthimi në greqisht i Dhjatës së Vjetër hebraike i përket shekullit të dytë para Krishtit dhe në Romën e lashtë skllevërit grekë përgatisnin antologji për bijtë e padronëve të tyre. Megjithatë, deri në fundin e shekullit të nëntëmbëdhjetë, studimet teorike mbi përkthimin janë në një numër më të paktë në krahasim me sasinë e madhe të përkthimeve dhe pak të rrepta në pikëpamjen shkencore e metodologjike, sepse ishin të bazuara sidomos mbi të dhëna empirike dhe përvoja personale. Susan Bassnet Mc Guire vëren se është e nevojshme të ballafaqohemi me studimin mbi përkthimin, duke filluar nga një këndvështrim historik: vetëm kështu është e mundur të kuptohet se si roli dhe funksioni i përkthimit kanë ndryshuar përgjatë shekujve dhe sa i janë borxh përkthimit historia e letërsisë dhe kultura e njerëzimit. Dhe në fakt, falë përkthimeve veprat e mëdha të artit kanë arritur të transmetohen, të kenë sukses dhe të mbijetojnë. Një nga studimet më interesante në këtë drejtim është eseja e George Steiner, në të cilën, përmes veçimit të proves së njëzet shekujve histori, paraqiten në mënyrë shumë të qartë e të ndriçuar teoritë e shkrimtarëve më të mëdhenj që janë marrë me përkthimin nga antikiteti e sot. Steiner e ndan letërsinë mbi historinë, teorinë dhe praktikën e përkthimit në katër periudha, gjatë të cilave pikëpyetjet dhe problemet që lidhen me natyrën e përkthimit janë, më së shumti, të njëjtat. Mark Tul Ciceroni, në “Libellus” është i pari që ngulmon në përkthimin jo fjalë për fjalë, por kuptim për kuptim dhe Kuint Horac Flaku i pohon këto teza pak vite më vonë në Ars Poetica. Por duhet kujtuar se koncepti romak i përkthimit përkon me atë të imitimit: të gjithë romakët e kulturuar dinin t’i lexonin tekstet greke në original dhe përkthyesi nuk ishte i detyruar ta riprodhonte në gjuhën e vet tekstin original, por të jepte prova në kapacitetin e tij krijues dhe në rivalitetin me të mëdhenjtë e së kaluarës. Është vetë Ciceroni që krijoi dikotominë mes shkronjës dhe shpirtit, në debatin e përjetshëm mes mbështetësve të përkthimit literal dhe atij të lirë. Me ardhjen e Krishterimit, përkthimi u bë një mjet efikas për të shpërndarë mes gjithë njerëzve fjalën dhe mesazhet e Krishtit përmes Shkrimeve të Shenjta. Përkthimi i Biblës zuri një vend të skajshëm në historinë e kulturës perëndimore, mbasi kontibuoi në mënyrë përcaktuese në afirmimin e gjuhëve vulgare dhe në lindjen e zhvillimin e hermenautikës (metodologjia e interpretimit të teksteve të shkruara). Pas formimit të shteteve kombëtare dhe dobësimit të pushtetit të kishës, vështirësitë e hasura në përkthimin e teksteve të shenjta rritem ndjeshëm, sepse shpesh përkthimet shndërroheshin në armë politike dhe përkthyesit rrezikojnë të dënohen në turrë të druve për herezi. Kemi këtu rastin e John Wycliffe.

    II

    Humanizmi është një nga periudhat më intensive të përkthimit: përkthimet bënë të njiheshin vlerat e klasikëve greko- latinë, që u panë si model dhe ndikuan dukshëm në zhvillimin e shoqërisë njerëzore. Gjatë viteve të Reformës, përkthimi i Biblës favorizoi lindjen e protestantizmit në Evropë; në mënyrë të veçantë përkthimi i Biblës nga Luteri u bë shkak i shizmës mes kishës gjermane dhe asaj të Romës. Në shekullin e shtatëmbëdhjetë, Xhon Dryden, në parathënien e përkthimit të “Letrat e Detit të Zi” të Ovidit, duke u frymëzuar nga Institutiones Oratoriae të Kuintilianit, flet për tre tipa përkthimesh: metafrazën- kur teksti është bërë fjalë për fjalë; parafrazën- kur përkthehet sipas kuptimit, siç sugjeronte Ciceroni; imitimin- kur përkthyesi largohet lirisht nga teksti origjinal. Megjithatë ai sugjeron kriterin e moderimit, të rrugës së mesme, dhe thotë se respekton atë mes metafrazës dhe parafrazës, por duke u përpjekur të modernizohet gjuha e tekstit të nisjes. Këto teori u rimorën nga Aleksandër Pope (1688- 1744) dhe ushtruan ndikim të njohur në brezat pasardhës të përkthyesve: tekste të mëparshme, si ato rë Rasinit e Shekspirit u rishikuan aq shumë dhe iu përshtatën shijes dhe gjuhës së bashkëkohësve.

    Në epokën romantike, kundërshtimi i racionalizmit solli në ekzaltimin e imagjinatës dhe të fantazisë: teoricienët anglezë e gjermanë filluan të shtronin pyetjen nëse përkthimi ishte një veprim mekanik apo krijues, duke i dhënë përparësi hipotezës së dytë, aq sa edhe përkthyesi konsiderohej një gjeni krijues njësoj si poetët, madje edhe më shumë, duke pasuruar kulturën e sistemit pritës. Vetë Gëte, në “Divanin lindor- perëndimor” (1819), dallon tre tipa të ndryshëm përkthimesh, renditur sipas kritereve estetike. Tipi i parë bën të njihen kulturat e huaja nëpërmjet kthimit në kuptimin tonë, i dyti është ai i përvetësimit për shkak të zëvendësimit, kur përkthyesi zëvendëson ndërtimet e sistemit të ardhjes në tekstin e nisjes, i treti dhe më fisniku, edhe pse më i vështirë për ta pranuar për kulturën pritëse dhe që gjen mbështetësit më të mëdhenj tani e tutje, është ai që jep identitetin absolut mes tekstit origjinal dhe tekstit të përkthyer, nëpërmjet një besnikërie absolute.

    Friedrich Schleirmacher, që konsiderohet pararendësi i hermenautikës bashkëkohore, e konsideron përkthimin një dimension ngushtësisht filozofik. E një rëndësie të veçantë  është eseja e tij Ueber die Verschieden Methoden des Uebersetzen, e vitit 1813, me të cilën kërkimi hermenautik gjen metodologjinë e vet. Në qendër të kuptimit të komunikimit të shkruar apo gojor nuk ka, sipas Schleiermacher, një objek përcaktues, por mënyrën në të cilën mendimi i një individi manifestohet në gjuhë. Të kuptosh do të thotë të nisesh nga shprehja për të ndërtuar ndërmendjen e autorit; është e nevojshme të njihet e gjitha, konteksti total, për të kuptuar domethënien e pjesëve: shqiptimi duhet të jetë futur në frazë, fraza në kapitull, ky në tekst dhe teksti në veprën e autorit. Megjithatë, është e pashmangshme të fillohet nga pjesët e veçanta për të arritur tek e tëra; përshkruhet kështu një formë e parë e asaj që do të quhet “rrethi hermenautik”.

     III

    Schleiermacher përkthen dhe komenton Shkrimet e Shenjta, duke treguar një rrugë të re, një metodë të re shpjegimi që nuk ndalet te domethëniet imediate dhe që merr parasysh shumësinë e kuptimeve të pranishme në një tekst. Disa teza viktoriane mbi përkthimin bazohen mbi tendencën për të krijuar distancën hapësirë- kohë të tekstit të nisjes edhe nëpërmjet përdorimit të gjuhës dhe duket sikur pasqyrohen në debatin anglez mbi teorinë dhe praktikën e përkthimit të gjysmës së parë të shekullit njëzet. Ato kontribuojnë në veçimin e përkthimit nga veprimtaritë e tjera letrare, të paktën deri në ardhjen e Translation Studies. Historia e përkthimit tregon atë që ka pohuar André Lefevere, sipas të cilit akti përkthyes kushtëzohet nga faktorë politikë e ideologjikë dhe përkthimi, i kuptuar si rishkrim, është një instrument efikas manipulimi: përkthyesit luajnë një rol të rëndësishëm, por ndoshta të nënvleftësuar të ndërmjetësimit, sepse nuk e krijojnë letërsinë, por e rishkruajnë dhe janë përgjegjës, mbase më shumë se vetë autorët, të pritjes dhe të suksesit të veprave letrare.

    Një aspekt, sipas Lefeviere, mjaft i lënë pas dore, është se rishkruesit kontribuojnë në krijimin e imazhit të një autori apo të një vepre, mbasi ata, në shndërrimin e origjinalit, manipulojnë tekstet për t’ia përshtatur ideologjisë apo konceptimeve poetike të kohës së tyre. Përkthimi i “Ditarit të Ana Frankut” nga origjinali hollandisht nga Annelise Schütz e provon këtë. Teksti gjermanisht përmban emendamente (korrektime) të natyrës private, në lidhje me seksualitetin e me natyrën ideologjike: janë lënë jashtë detaje, ndërrime emrash, janë shtrembëruar shprehjet që mund të fyejnë gjermanët. Schütz tenton të zvogëlojë bëmat naziste dhe përshkruan në mënyrë më pak dramatike kushtet e hebrenjve në Holandë, për më tepër që Ana me njerëzit e saj janë të detyruar të jetojnë në një vendstrehim të fshehtë.

    Përveç kësaj, përkthimet luajnë një rol themelor për sa i përket zhbirilimit ndër sistemet letrare dhe evoluimit të letërsive dhe gjinive letrare: përmes tyre, në fakt, futen në sistemin pritës modele dhe forma të reja letrare, duke krijuar kushte të nevojshme për ndryshime të ardhshme në aspektin e tij funksional.

    IV

    Në shekullin XX kemi lulëzimin e kërkimeve dhe të studimeve organike mbi këtë çështje: gradualisht përkthimi nuk u konsiderua më si një degë e vogël e gjuhësisë apo e letërsisë krahasuese dhe filloi të afirmohej si një disiplinë autonome, me një fushë të vetën kërkimesh; gjithmonë vëmendja më e madhe po i kushtohej punës së përkthyesve. Në fillimet e Nëntëqindës, studimet mbi përkthimin u zhvilluan në Evropën Lindore, ku është i fortë ndikimi i formalistëve rusë, i rrethit linguistik të Pragës dhe i teorive çomskiane: proceset e përkthimit po shqyrtoheshin si fenomene linguistike, veprimtaria e përkthimit nisi të ndryshonte rrënjësisht. Disiplina që donte të themelohej është quajtur me emra të ndryshëm, ku secili prej tyre pasqyronte një impostim të ndryshëm teorik. Është e mjaftueshme të përshkohet historia e këtyre emrave- shkencë e përkthimit, teori e përkthimit, përkthimologji e në fund translation studies, për të njohur pikëpamjet e ndryshme me të cilat është studiuar përkthimi. Përcaktimi shkencor i është dhënë përkthimit në vitet Pesëdhjetë, në vazhdim të interesit për përkthimin automatik të teksteve joletrare me kompjuter: teoricienë të informacionit, linguistë, inxhinierë matematikë, mendojnë se mund t’i aplikohen përkthimit statistika dhe teoria linguistike. Përveç vendeve të lindjes dhe Gjermanisë, janë përfshirë kësaj radhe edhe Shtetet e Bashkuara. Disa studiues, si Willard Quine, tentojnë të përshkruajnë lidhjet ekzistuese mes logjikës formale dhe proceseve të përkthimit. Me aplikimin e parimeve të linguistikës strukturale, teoria bëhet thelbësisht normative, sepse ka për qëllim të ngulitë norma mbi të prodhuarit e një teksti të njëjtë me origjinalin: përkthimi trajtohet si zhvendosje nga gjuha në gjuhë dhe na intereson sidomos në unitete shumë të kufizuara, si fjalë të veçanta apo fraza. Pavarësisht rezultateve zhgënjyese të makinave, kjo fazë është karakterizuar nga një impostim rreptësisht shkencor, i cili nuk mund të lihet më mënjanë. Në këtë periudhë, rëndësi të madhe marrin studimet mbi përkthimin e Biblës nga Eugjen Nida, për shkak të ndikimit të ushtruar prej tij në përparimin e studimeve mbi disiplinën.

    V

    Orientimi i Nida-s është i tipit linguistiko- pragmatist: për të përshkruar vështirësitë që lidhen me procesin e përkthimit ai sjell probleme të shumta praktike dhe shembuj të nxjerra nga përkthimi i Biblës në gjuhë të ndryshme. Nida pohon se Dy gjuhë nuk paraqesin kurrë sisteme identike të organizimit të simboleve në shprehje të pajisura me kuptim dhe zëvendëson konceptin e identitetit me parimet e ekuivalencës formale, bazuar mbi konceptin e efektit ekuivalent dhe të ekuivalencës formale, përqendruar qoftë mbi formën, qoftë mbi përmbajtjen e mesazhit: të përkthesh do të thotë të prodhosh në gjuhën ardhëse ekuivalentin natyral më të afërt të mesazhit në gjuhën e nisjes, së pari në kuptim e së dyti në stil. Me “natyral” kemi parasysh që format ekuivalente të mos tingëllojnë “të huaja” as në formë as në kuptim. Vlen të thuhet, një përkthim i mirë nuk duhet të zbulojë formën e vet të palindur.

    Në vitet gjashtëdhjetë, kërkimi i një teorie detyruese doli i papërshtatshëm dhe kemi kështu një kthesë të vërtetë, krijuesi i së cilës është Roman Jakobson, i cili në ambientin e formalizmit rus, përpunoi teori të reja, të vlefshme edhe sot dhe zbatimet e tyre janë thelluar nga studiues të ndryshëm.

    Sipas Jakobsonit, përkthimi është një akt komunikimi, sidomos mes kulturave të ndryshme, mbasi qëndron në mbartjen e kuptimit të një fjale me fjalë të tjera; pa të nuk do të ishte e mundur njohja e objekteve që nuk i përkasin kulturës së vet. Prandaj studiuesi rus paraqet një skemë tripalëshe që është bërë një pikë referimi, sipas së cilës ekzistojnë tre tipa përkthimesh: endolingiustik, që qëndron në interpretimin e shenjave linguistike permes shenjave të tjera të së njëjtës gjuhë, interlinguistik; ose përkthim siç duhet thënë, që qëndron në interpretimin e shenjave linguistikë nëpërmjet një gjuhe tjetër, intersemiotik, kur shenjat linguistike interpretohen permes një sistemi tjetër jolinguistik. Ajo që i bashkon këta tre tipa përkthimesh, është pamundësia për të arritur një ekuivalencë të plotë mes sistemeve kulturore e gjuhësore mes tekstit të nisjes e atij të mbërritjes, për shkak të diversiteteve (ndryshueshmërive), aq sa as sinonimia nuk mund të jape ekuivalencë. Jakobsoni flet për “ekuivalencë në ndryshim”: mënyra për të shpjeguar me fjalë të tjera kuptimin e një shprehjeje është një akt interpretimi që lëviz në varësi të atij që e kryen dhe prandaj është gjithmonë i ndryshëm nga një individ tek tjetri. Në fakt ekzistojnë interpretime të ndryshme të të njëjtit tekst, që megjithatë ruajnë atë që përkufizohet “bërthama e pandryshueshme” e tekstit original; apo ajo që është e përbashkët në të gjitha përkthimet e një vepre të vetme, ajo që nuk ndryshohet në nivel domethënieje, për shembull, kuptimi i një poezie apo këndvështrimi për botën që shpreh autori në të.

    Po në vitet gjashtëdhjetë, mendimi i Jurij Lotman-it u hapi rrugën teorive të përkthimit të shkollës së Tel Aviv-it, nga e cila Gideon Toury dhe Itmar Even Zoahr janë përfaqësuesit më të mëdhenj. Në fakt, sipas Lotmanit: teksti në përgjithësi nuk ekziston në vetvete, ai është pashmangshmërisht i përfshirë në një kontekst (i determinuar historikisht apo konvencional). Teksti ekziston si diçka jashtë vullnetit të elementëve strukturorë jashtëtekstuale, është i lidhur me ta si dy anët e një kundërshtimi. Mishi real i një vepre letrare qëndron në një tekst, i lidhjes së tij me realitetin jashtëtekstual- me realitetin, me normat letrare, me traditën, me sistemin e besimeve. Është i pamundur një perceptim i tekstit i ndarë nga “sfondi” jashtëtekstual.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË