More
    KreuLetërsiShënime mbi libraZija Vukaj: “Ardhësit - këngët e Ali Binakut”

    Zija Vukaj: “Ardhësit – këngët e Ali Binakut”

    Vepra “Ardhësit- këngët e Ali Binakut” përbën një çast të rëndësishëm letrar në veçanti dhe kulturor në përgjithësi. Vlera letrare e këtij cikli poetik qëndron në ndjeshmërinë e lartë të autorit, në mjeshtërinë e transmetimit të kësaj ndjeshmërie, në teknikat letrare, ku hyn gjithë arsenali i tij prozodik, në impostimin e heroit lirik dhe në emocionin e fuqishëm që përcjell ky tekst. Kjo vepër është studiuar nga mjaft studiues që tashmë janë autoritete të njohura në fushën e mendimit estetik dhe të kritikës sonë letrare dhe çdo qasje e re ndaj këtyre këngëve nga këndvështrimet e mëparshme rrezikon të kthehet në një déjà vu. Emri Ali Binaku ka një tingëllim epik. Ngjan më shumë me një reminishencë të ardhur nga cikli i kreshnikëve. Më shumë se personazh, është cak i një vendkohe, është si një përsëritje tragjike e ironisë që fati ka luajtur me shqiptarët. Ali Binaku ka aureolën e një Priami që ka parë t’i shembet gjithçka para syve. Ai është drama dhe kujtesa kolektive e një kombi. Është pala ndërluftuese u një lufte pa casus belli. Më shumë se luftë, ajo është një dyndje. Është një valë vandalizmi shtetëror; është një barbarizim i shtetasve, një ringjallje pugaçovësh, që politikat ia ndërsejnë etnisë sonë, për ta fshirë nga faqja e dheut. Heroi lirik e veçon me vargje këtë fakt:

    I rrëzuen gardhiqet e mia si të lashtat,

    i shkelën livadhet e mia si rrushin.

    Këmba ime kurrë nuk shkeli mbi gardhin e tij,

    këmba ime kurrë nuk la gjurmë në livadhin e tij

    (as atëherë kur bora në të ishte deri në gju!),

    as dhia ime kurrë

    nuk hypi në gardhin e tij të brejë pipat e murrizit.

    Ali Binaku është zëri i autorit Radovan Zogoviq, është thirrja universale kundër padrejtësive, dhunës dhe urrejtjes. Vetë autori e ka karakterizuar këtë vepër si një “dokument lirik të vuajtjeve të popullsisë shqiptare në ish Jugosllavi” dhe si një “protestë ezopiane kundër politikës serbomadhe”.

    Në procesin e ngjizjes së kësaj poeme autori ka luajtur me mjete mjaft të fuqishme shprehëse. Bie në sy që në fillim imazhi i lejlekut. Më shumë se një zog i shenjtë, ai ngjan si simboli heraldik i një dere të lashtë e të fisme. Dramatikisht autori ka përshkruar tri fazat e rënies së këtij totemi:

    Kur pushka e parë krisi në të –

    me habi shikoi syhapur shpend shenjti;

    kur pushka e dytë krisi në të –

    vetëm qafën përkuli si lulja e bardhë në erë;

    kur pushka e tretë krisi në të –

    ra prej oxhakut tim, i përgjakur,

    mbi çatinë time…

    Dhe pas kësaj hapet sipari i një nate të gjatë e të zezë, ku “hëna shikon e mërzitur mbi shqiptarinë dhe Metohinë”. Imazhet drithëruese dhe mbresëlënëse janë ndërtuar me një denduri animizimesh dhe metaforash antropomorfe: “plaga ku u këput dega (e qershisë) u mbush me gjak”; “thyhen fletët e kockave të kërcellit/ thyhen brinjët e njomë të gjetheve”; “Ai plug që u ngul në arat tona nuk është plug,/ Me këtë kanë ngulur thikën mes nesh/ në mishin tonë të tokës!” Në mjaft raste autori ka përdorur lejtmotive (vargje që përshkojnë duke u përsëritur gjithë tablonë e një kënge, për të skalitur realitete të trishta dhe gjendje shpirtërore të rënda, që vijnë nga vetmia e thellë në vërshimet e muzgjeve dhe të netëve që përshkohen nga jehonat e largëta të kohëve të lumtura. Një efekt të fuqishëm frymëzues, gati optimist krijon hera- herës toni retorik dhe patetik si tek kënga IX: “Njeri Ibish, Ibish Nimoni, mos qaj,/ dhëmbin në dhëmb preje dhe mos qaj;/ he burrë Ibish (…) prandaj mos qaj. Prandaj në vuajtje burrërohu.” Përveç shumë mjeteve shprehëse që dëshmojnë për klasin e lartë të poetit, qartësinë e tij të madhe në dhënien e pamjeve dhe të emocionit, vihet re edhe një lakonizëm dhe një ngjeshje semantike që në krijimin e epiteteve, krahasimeve, metonimive etj., por edhe në strukturën eliptike të vargjeve: “Erdhën dhengrënësit… tokën tonë/ si fjalën tonë/ me shtatë vula e mbyllën.” Ose: “duart e tepërta (që lëvruan) vendosi mbi krahë”; “fusha ka pirë borën si buka e grurit qumështin”. Shqyrtuam pak shembuj dhe u ndalëm fare pak në estetikën e larë të kësaj poeme.

     Ndërsa në aspektin më të gjerë kulturor kemi të bëjmë me një nga ato rastet e rralla kur faktori jashtëletrar i një vepre bëhet më i rëndësishëm se vetë faktori letrar. Kësisoj, rrëfyesi dhe pozicioni i tij bëhen më të rëndësishëm se rrëfimi. Rrëfyesi Radovan Zogoviq, përveç faktit se është artist, poet etj., kundrohet pas krijimit të kësaj vepre, si institucion. Një institucion i rrallë në kulturën e përbotshme të njerëzimit dhe krejt i munguar në kulturën apo kulturat ballkanike. Ky rast përbën një dikotomi të panjohur më parë. Asnjëherë autori me veprën nuk janë aq afër dhe aq larg sa në këtë cikël. Afër, sepse vepra ka lindur nga përjetimet e drejtpërdrejta dhe të para nga afër të një shpirti të painfektuar me viruse urrejtjesh apo dogmash të historive dhe brezave paraardhës. Afër gjithashtu, sepse është shkruar në gjuhën e tij të nënës, pra në malaziase. Por larg, sepse vepra nuk ka qëndruar tek autori as te komplekset tradicionale të grupit të tij etnik; dhe as vetëm tek gjuha e origjinës. Pas krijimit të saj, Zogoviqi nuk e ka pasur luksin t’u gëzohet lëvdatave të lexuesve të tij kombëtarë. Kjo, sepse vepra derdh dashuri, dhimbje dhe mëshirë për individët dhe fatet e një kombi tjetër jo dhe aq mik. Për shqiptarët. Për dramat e tyre të krijuara në kalvarin e gjatë e të pafund të një programi sllavizues të Kosovës. Për kolonizimin me banorë serbë, malazezë, boshnjakë etj. Me të ardhurit (došljaci). Ardhja e tyre është një rrënim: është shpronësim, është grabitje tokash e mjetesh jetese, është zhdukje vlerash të trashëguara nga shekujt, është përdhunim masiv dhe përdhosje traditash. Dhe autori Radovan Zogoviq, asokohe fëmijë, është vetë një i ardhur. Është një vëzhgues i mprehtë i dramave dhe tragjedive që sheh të luhen mbi kurrizin e një populli tjetër, përfaqësuar nga plaku Ali Binaku. Poeti malazias del nga lëkura e tij prej ardhësi dhe futet në trupin dhe shpirtin e plakut të vetmuar dhe të braktisur Ali Binaku, duke rrëfyer e vajtuar me të në 12 këngë, që paraqesin në 12 pamje tablonë e vërtetë të një drame familjare, etnike, kombëtare. E kështu cikli ka ikur nga dora e krijuesit të vet dhe ka shtegtuar në habitatin e një etnie tjetër, që e ka mirëpritur, përkthyer e bekuar. Rasti i Radovan Zogoviqit edhe sot mbetet i vetmuar. Empatia dhe kozmopolitizmi i tij nuk gjenden lehtë. Le të mendojë secili lexues apo krijues i çdo etnie ballkanike për shkrimtarët e vet. Le të çojë nëpër mendje se ç’sasi të madhe urrejtjeje dhe fryme shoviniste deri në absurd kanë derdhur poetët “kombëtarë” ndaj kombeve të tjera. Dhe paradoksalisht, sa më “kombëtarë” poetët, aq më të mëdha sasitë e helmeve etnike. Çfarë panegjerizmash të rrezikshme kanë fabrikuar me vargjet e tyre ndaj krijesës humane të kombit fqinj. Shpesh vreri i tyre ka qenë më i rrezikshëm se tehu i shpatave. Shpesh talentet e tyre diabolike kanë fabrikuar vargje dhe melodrama që kanë ushqyer gjakderdhje të paharrueshme. Por kjo është e vjetër sa Iliada. Sepse Iliada është teatri i një egoizmi të tmerrshëm etnik. Gjithçka që nuk është greke është barbare dhe si e tillë nuk meriton të jetojë. Kulti grek e ka kthyer Akilin në sindromë, e cila edhe sot jeton si e tillë. Sepse edhe sot të gjithë janë me më të fortin. Çdo gjë që ndodh varet nga humori i Akilit. Zemërohet Akili, bie gjëma; zgjohet Akili nga transi i zemërimit, çel drita e shpresës greke. Dhe në vargu invokativ: “Këndo hyjneshë mërinë e Akil Pelidit, nuk është e vështirë të kuptohet që mëria në fakt është e Homerit- një mëri (inat, urrejtje) ndaj etnisë tjetër. Homeri dhe Zotat e çojnë Hektorin para vdekjes. Homeri dhe Zotat ia përdhosin me ngazëllim kufomën Hektorit. Homeri dhe Zotat e kthejnë kufomën e përdhosur të Hektorit në pronë të paluajtshme të Akilit. Homeri dhe Zotat e zhburrnojnë mbretin Priam, e desakralizojnë si mbret dhe si babë duke e ulur në nivelin më të neveritshëm, sa të shkojë e t’i puthë këmbët vrasësit të birit të tij. Troja shkatërrohet, sepse kështu do Homeri. Gjithçka përdhoset, Neoptolemi kap për flokësh plakun Priam dhe ia hedh kokën e prerë në pellgun e gjakut të të birit. Madje, për ironi të fatit, Priamit të shkretë nuk i është kushtuar veçmas asnjë vepër letrare.  

    Është dashur të kalojë shumë kohë nga historia e kulturës botërore, për të pasur këtë lloj “empatie etnike”, e cila në kushtet e fqinjësisë me hasmin duket pothuajse e pamundur. Sepse është e vështirë për homo sapiens-in të pranojë tjetrin. Takimi me tjetrin është gjithmonë i vështirë, qoftë edhe takim për shkëmbim mallrash, jo më për pushtim apo kolonizim. Lufta e qytetërimeve dhe e kulturave, e vjetër sa bota, është ndër të tjera edhe autocensura individuale e njeriut të zakonshëm. Në vitin 1816 Gëte krijoi neologjizmin Weltliterature (letërsi e përbotshme). E krijoi me idenë e luftës kundër paragjykimeve etnike dhe kulturore. E krijoi për të tërhequr vëmendjen dhe mprehur shikimin e krijuesit dhe të njeriut në përgjithësi që ta kundrojë botën së brendshmi dhe së jashtmi. Të jetë i përgatitur në takimin me tjetrin. Të futet në botën e tij të brendshme.Ta gjejë virtytin dhe të drejtën edhe përtej kullës së tij të ngujimit integralist. Sepse Gëte e kishte gjetur në të katër cepat e globit, në shpirtin e çdo etnie të çdo religjioni, të çdo race e kulture. Por tepër të rralla u shfaqen rastet e empatisë dhe të kozmopolitizmit edhe pas botimit të epopesë së tij lirike “Divani perëndimor i lindjes.” Prandaj rasti atipik i Zogoviqit përbën diçka madhështore. Dhe me të drejtë, poeti dhe shkrimtari Jevrem Bërkoviq shprehet:

    “Ekzistojnë popuj, shkarjet historike të të cilëve, herëherë edhe fytyrën e zezë popullore ua shërojnë, ua përmirësojnë dhe ua lajnë vjershëtarët e tyre të mëdhenj. Dhe ekzistojnë popuj krimet e të cilëve, apo njollat e përgjakshme historike, i përlavdërojnë dhe i zmadhojnë vjershëtarët e tyre parësorë, e mandej ata dytësorë e tretësorë. Populli malazias e ka pasur fatin të kishte vjershëtorin e madh, që nga Njegoshi e deri më sot më të madhin, Radovan Zogoviqin, ardhacakun dukagjinas, kosovarin sipas fëmijërisë dhe rritjes, i cili si malazias ishte ardhacak.”

    Për këto arsye kjo poemë mbetet diçka madhështore, jo vetëm si vlerë estetike, por sidomos si tipologji autoriale, duke u bërë shembulli i një shpirti krijues të panjohur më parë, si dhe stacion meditimi për çdo poet a mendimtar që vendos të shkruajë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË