More
    KreuLigjëratëZef Zorba: Mbi tragjedinë e papërfunduar “Hajrija” të Atë Gjergj Fishtës

    Zef Zorba: Mbi tragjedinë e papërfunduar “Hajrija” të Atë Gjergj Fishtës

    Përgatiti për botim: Andreas Dushi

    Vepra e fundit e Atë Fishtës që u vu në skenë para se ai të shpallej i ndaluar ishte “Juda Makabé” me regji të Zef Zorbës, në përvjetorin XXXIII të pavarësisë. Ajo u dha në teatër për tre ditë deri kur, me urdhër direkt nga Mehmet Shehu, gjithçka u ndalua. Si për ironi të fatit, dekada më vonë, kur tanimë figura e Atë Gjergj Fishtës po konsolidonte vendin që i takonte në letërsinë shqipe, po Zef Zorba merr pjesë me një kumtesë në një ndër konferencat e para që mbahen për fratin e madh. Ajo kumtesë ruhet në arkivin personal të Zef Zorbës dhe botohet për të parën herë me dëshirën e vajzave të tij, Elena dhe Luçia.

    Data “7 Fruer 1939” që gjindet në dorëshkrimin e tragjedisë “Hajrija” të nisur së shkruari nga Fishta është vështrimplotë.

    Në atë kohë, ai, edhe  pse i mposhtur nga sëmundja (do të vdiste pak muaj mbrapa), rreket sërish me vazhdu prodhimtarinë letraro – artistike, edhe pse i vrarë  e i zhgënjyer në idealet e veta patriotike e shoqërore nga rrjedhja e asohershme e punëve në vendin tonë. Ose ndoshta për virtyt të instinktit ironik të vet (çka duket se i gëzojnë poetët) po parashikonte, i tmerruar e i pezmatuar, kobin e “7 –të Prillit”.

    Sepse mbetet gjithmonë ajo që ka pasë kodifikuar Shelley:

    “Poetët janë buritë  që thërrasin për beteja, poetët janë ligjvënësit anonimë të botës”.

    Dhe ai, si katapult për të tillë sulm shkallmues, si kurdoherë në mbrojtje të drejtësisë, do të zgjidhte mjetin më efikas e të preferuem: dramatikën, art të cilin e ka pasur kështjellë të pamposhtur e ngallënjyse gjithmonë. E për shumë arsye madje.

    Së pari, dashuria e prirja  që ka pasë vazhdimisht për skenën. Ai e ndjente në shpirt se prej nje podi të tillë, tribunë objektivizmi estetik, mund të shpaloste pa cen subjektivizmin që i mufatej – hareshëm ose edhe kobshëm – me poliendrizmin e shpirtit të vet. Me sypar të hapun e shifte vetvehten, jo vetëm nismëtar e flakërues idealesh e parimesh, por njëherit edhe personazh dialogues me popullin. E dëshmon këtë, jo vetëm prodhimtaria e tij e gjerë në dramatikë, por edhe thurja teatrale që ndeshet rëndom edhe në gjinitë e tjera poetike të përqafuara prej tij. Ai deri një sonet satirik “lum i forti” e ndërton si bocet skenik me personazhet dialogues të emërtuar (jashtë metrikës) në krye të vargjeve – batutë. Së dyti, e kjo më kryesorja, e saktë se Fishta e ka ditur mirë sa virtuozitet e afërsi mbartte në vete raporti audio – viziv me masën. Si predikator i shquar që ka qenë, e ka pasë të qartë se komunikimi shqisor  është më emotiv e i frytshëm sesa raporti liberator “autor – lecites”, pavarësisht nga popullariteti që mund të gezojë faqja e shkruar. Pse në fund të fundit leximi ka më tepër tipar akademik të kufizuar, kurse spektakli është kurdoherë asociativ. Prandaj Fishta kurdo që ka ndjerë nevojën e një kuvendimi, referenduar  në synim, i është drejtuar skenës. Qoftë për të fishkulluar të meta e dobësi, qoftë për të dënuar pa mëshirë mendësi e komplotime të poshtra, të ishin ato edhe nga “Fuqi të Mëdha”, që mizorisht po coptonin atdheun. “Juda Makabé” i shkruar në vorbullën e Luftës Ballkanike, bëhet akuzë aq e fuqishme, saqë At Gjergj Fishta, i turitur nga padrejtësitë, duke harruar petkun e vet fetar dhe virtytet theologjike, rrëshqet pasionalisht në blasfemi:

                            “ O Perëndi, a ndjeve?

                                Tradhëtarët na lanë pa atdhe

                                 E Ti rrin e gjuen me rrfe

                                 Lisat n’për male kot!”

    Tri janë  tragjeditë e Fishtës: ”Juda Makabe”, ”Ifgjinia” dhe “Hajrija”. Kjo e  fundit, mjerisht e pambaruar, i janë gjetur e botuar vetëm dy aktet e para. Dy tragjeditë e para, sikundër edhe pjesa dërrmuese e veprave të tjera skenike të tija, kanë gëzuar mjaft herë skenat teatrale, kanë hasur aty miratim emotiv të gjithëmbarshëm, që pa frikë  mund të konsiderohet kritikë popullore. S’ka pasë si të ndodhte kështu me «Hajrijen». Nga ana tjetër,  «Hajrija» e Fishtës është mjaft pak e njohur edhe si lexim, megjithëse në dy aktet e botuara, shtron e zbulon shumë veçori të spikatura estetike, si dhe mjaft për të  qëmtuar mbi evolucionin poetik të autorit.

    Për këtë arsye, por edhe për tiparin ultimativ të saj, duket me vend kufizimi te «Hajrija ». Do të dëshironim  që këto pak fjalë të vlenin  sadopak  për një këndvështrim tjetër të artit të Fishtës, qoftë ky edhe i karakterit limitativ.

    Edhe pse me folë për heterogjeninë e veprave  teatrale të tija,  ka rrezik me shkarë në kodifikime bibliografie e komentative që shpeshherë tingëllojnë pedante.

    Porse  edhe analiza spekulative mbi një vepër të papërfunduar i ka rreziqet e veta. Veçse edhe shmangiet mund të mënjanohen, po të mos u largohemi treguesve të gjetur si dhe analogjive krahasimore. Mbase, na ndihmon këtu, ligji matematik i probabilitetit.

    Nga e majta në të djathtë: Willi Kamsi, Kolec Çefa, Pjerin Deda, Zef Zorba, Gjon Shllaku me të shoqen
    Neta Shllaku, Ndrekë Luca dhe Luigj Martini.

    Mbështetje, madje edhe inkurajim, na jep kritika  e përbotshme që dendur merret edhe me vepra cunge e fragmentare, të trashëguara nga lashtësia. Kushedi pse, po kur lexoj dy aktet e ‘Hajrijes‘, më vete mendja gjithmonë te ”Skllavi“ i papërfunduar i Mikelanxhelos, te rropatja e tij e stërmundimshme për t’u shkoqur prej gurit që e robëron.

    Vështirësia për një gjykim panoramik mbi këtë tragjedi thellohet edhe ma tej, ngase, siç duket, s’është gjetur ndonjë skenë ose stesure paraprake e thurur nga autori. Të ketë humbur ajo bashkë me të tjera gjëra të vyera gjatë bastisjeve rrënimtare të kryera në Kuvendin Françeskan? Sepse s’është e besueshme që Fishta, i ballafaquar me një temë aq të harlisur, të ketë nisur  redaktimin e tragjedisë në  mënyrë bashkëkohore, pa pasë hartuar paraprakisht tërë  zhvillimin psikologjik e skenik të veprës. Për një skemë të tillë, flasin projektimi i veprës në 5 akte, si dhe renditja në listën e vehtjeve të dramës të mjaft personazheve që nuk dalin në skenë në dy aktet e para të tragjedisë.

    Nga ana tjetër, tregues të tjerë  analogjikë, mbase na hapin rrugë për të gjykuar mbi veprën e sidomos mbi autorin vetë, qoftë edhe nëse tani i mertisur nga një vel trishtimi, por gjithsesi i kordinuar si gjithmonë  te moduli i vet poetik.

    Në dy tragjeditë e tjera (sikurse te “Lahuta”) protogonist i  mirëfilltë përshkues është ideja  e lirisë e pavarësisë dhe personazhet të gjithë – duke ruajtur  identitetin e vet – shërbejnë për ecjen  zhvillimore, te ”Hajrija”, drama e tragjedia thelbësisht subjektive është njëkohësisht e egërsisht objektive. Ajo, travajimet e veta, i flakëron dhunshëm kundër mjediseve,  shoqërisë, kundër mykurive e përçudnimeve që e ngujojnë.

    S’ka dyshim që Fishta të jetë njohur me mitin e Medeas nëpërmjet  veprave të Euripidit, Senekës, Kornejit e sa e sa  dramaturgëve të tjerë, që janë marrë me këtë subjekt.

    Për të gjithë ato, burim ka qenë mitologia greke: Medea e tradhëtuar prej burrit të vet – Jasonit, hero i Argonautëve – hakmerret duke mbytur fëmijët që ka pasë me të.

    Pra, pak a shumë të gjithë ato Medea kanë një bosht erotik të përçudnuar nga xhelozia. Kurse ”Hajrija” e Fishtës nuk ngacmohet  nga e tillë ndjenjë e sidomos s’është  mitologjike. Ajo është historike, e martuar në një mjedis amoral e çnjerëzor. Autori s’na ka lënë shtjellimin psikologjik të personazhit, por mund ta imagjinojmë atë mjaft mirë. Duke njohur personazhet e tjera femërore të Fishtës (Tringa, Ifgjenia, Motra e Avdisë, Ferina etj.), e sidomos duke i ditur  bindjet e tija të mbështetuna fuqimisht në eskatologjinë theologjike, por edhe në filologjinë zakonore, na lejohet të supozojmë se ”Hajrija”e Fishtës  është fondamentalisht humane, edhe pse  e rrasur në  infanticid nga pabesia e zvetëtimi, ku e kanë katandisur rrebeshet.

    Ndoshta nga ndikimi i Molierit që “Tartufin”e neveritshëm e nxjerr në skenë vetëm në aktin e tretë e mbrapa, edhe Fishta, Hajrijen nuk e paraqet në dy aktet e para. Por ngurrimi i Fishtës është dhimbja për personazhin, e cila do të jetë dinjitoze e fisnike edhe në krim. E këtë tipar,  ajo duhet ta konfirmojë edhe në katarsin sublimativ të vetëvrasjes (e thotë këtë edhe  folklori e s’do mend që Fishta do të jetë bazue mbi këtë). Kurse  infanticida mitike, Medea, mbijeton e madje vazhdon rrugën e vet erotike e kriminale.

    Një tjetër veçori për t’u  rilevuar është raporti krejt specifik “vëlla – motër” që vërehet në literaturën tonë edhe gojore e që shpesh e kemi takuar  të gjithë në mesin tonë deri në ditët e sotme. Antigona e Sofokliut ngre krye kundër tiranisë e diktaturës edhe me vetëflijim, kurse Hajrija shkon  më tutje, shumë më tutje.

    Pastaj, gjuhëtarë  të shquar na mësojnë, se ndërsa në gjuhët e tjera indoeuropiane nga rrënja sankriste “ma” kanë ardhur termat: motër, matter, mat, madher, në shqipe termi është tjetërsuar në substantivizëm “motër”. Kjo mund të ketë ndodhur nga zhvillimet demografike e klanore, por mbase s’është guxim të menduarit që në kodin gjenetik të femrës shqiptare të jetë i tiparizuar ky dualizëm raportativ: nënë – motër”. Si rrjedhojë, mund të afirmohet se Hajrijes i kanë tradhëtuar e vrarë vëllezër e bij, njëheri.

    E prej kësaj, s’është i vështirë dallimi me zemrën e brengosur të poetit, kërkimi i një shtegu për të përligjur, në mos etnikisht, protagonisten fatzezë e për t’ia drejtuar  rrufetë e veta çmoralizuesve të kombit.

    E këtë na e pasqyron ma së miri me ravijëzimet e mjedisit amoral dhe të personazheve kriminelë e çnjerëzorë të dy akteve të para, përgjegjës këto për tragjedinë e Hajrijes e të kombit të robnuar e të nëpërkëmbur.

    Mos ai t’i ketë parë ata prapë të ngrysyra e gjithnjë të thëngjillosura dhe pas njëzet e shtatë vjetësh pavarësie aq fort të dihatur dikur?

    E u rrek t’i gjuante  me rrfe!

    Shkodër, më 1.10.1991

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË