Në fjalorët e termave të letërsisë, oksimoronin e ndeshim si një figurë stilistike të ndërtuar mbi fjalë me kuptimet e tyre të përkundërta, të cilat, në vështrim të parë, duket sikur e kundështojnë njëra tjetrën, por që krijojnë e përcjellin në poezi, një efekt tejet trandës nga aspekti i përjetimit emocional. Është në fakt ai gazavaj i shprehur përmbledhtazi brenda një kompozite të vetme, pra, një gëzim i hidhur, që endet si harmonia e e përjetshme e kundërshtive të gjërave. Është pra, ai kufi e ai cak, fare i brishtë, prej nga ku mund të endesh e të soditësh në zotërimin më të plotë e më të pafundëm të gjithëshkaje para teje, në të gjitha kahjet e dimensionet. Autori i fjalorit të njohur të termave letrare (2013) Ferdinand Leka, ka përzgjedhur një perlë nga folklori shqiptar – për ta ilustruar esencialisht oksimoronin:
“Moj e hequra si bari/e kulluara si ari/Gëzimzeza që s’gëzove/jetën s’e trashëgove…”
Një bukuri rrëzëllitëse kjo e femrës së cilës i këndohet, por e dënuar që të mbetet e të tretet paradoksalisht bri humnerash jetësore, ashtu si metafora e frutit të mollës më të diellzuar në majën më të lartë të pemës (në poezinë e njohur lirike të Safos), që vajti dëm, sepse u kalb prej indiferencës së kalimtarëve të rrugës, të cilët, i kishte zvenitur rëndshëm përtesa për të kërkuar e për të guxuar ngjitjen në lartësi (!)
Poetja Maklena Nika, e ka prirje të saj përcjelljen në krijimtari të kësaj gjendjeje, si të thuash pezull e kontrastuese poetike, prandaj edhe ka vendosur që ta titullojë librin fare shkurt: Oksimoron. Sigurisht, në këtë rast, jo me qëllimin për të spieguar në mënyrë shkollareske kuptimin e kësaj figure stilistike, por për të dëshmuar këtë lloj fryme intriguese të përcjellë në poezinë e saj. Sepse këtu ndiqet kodi i një komunikimi mund të thuhet me shenja e domethënie të përkundërta, që e vendosin lexuesin në pozita aktive përsiatjesh e interpretimi rreth atyre sinjalesh poetike, sikurse para një alfabeti/aparati mors – mes tekstesh fluide, të vegimta e gati haluçinante.
Në poezitë e librit, lexuesi ka rastin që të endet si një udhëtar i vetmuar e i përhumbur në një vjeshtë të verdhë me vetmi të verdha, një vetmi gjithsesi e acartë, e përbaltur nga malli, ku derdhet shiu ledhatues dhe njëherazi i trishtë…
Ky është libri i dytë i autores, pas atij të parit, me titullin në formën e renditjes së trajtave vetore: “Unë, ti, ne”, – botim dygjuhësh shqip/ frengjisht, 2001. Qysh në atë libër të parë, u ndie një zë i përveçëm poetik, ku shquanin eksplorime delikate prej jetës së njeriut. Dhe kjo realizohej pa u identifikuar autorja në atë zërin e njohur autorial të gjithëdijshëm, që transmeton ide dhe pikëvështrime të caktuara prirëse për lexuesin. Përkundrazi, ndjek prirjen e saj, duke i përcjellë motivet si në një thjerrëz shumëtrajtash, e prandaj edhe të derdhura ato motive në një spektër të gjerë e të përkundërta përjetimesh. Duket se edhe poezia frënge e greke, sidomos ajo e prirjes moderne, të cilën autorja e njeh mirë dhe e ka pjesë të kulturës e formimit të saj letrar, kanë lënë ndikimet e veta në këtë model poezie përsiatëse, ku detajet dhe gjendjet poetike, mbivendosen e nuk qendrojnë/ndërtohen në një ekuilibër e logjikë thjesht formale.
Motivi i vetmisë, duke e ofruar zellshëm brenda vetes dhe duke u dashuruar me vuajtjet cfilitëse që ajo mbart e përcjell, dëshmon atë gjendjen e absurdit egzistencial të njeriut, një lloj vetviktimizimi e asketizmi të vetpranuar. Sigurisht, që në poezi, këto shpallen si modele ballafaqimi e verifikimi purifikues për lexuesin – në raportet e tij aktive me këto tekste. Në poezinë “Muret e mia”, autorja e konfirmon se:
Me vullnetin tim jam gozhduar këtu!…
janë mure të forta, të kështjellta e të ftohta
çdo natë fle mbi to me qetësi vrastare
muret e mia
ju dashuroj
në naivitet
Në poezi, përjetimet e ndjesive të përkundërta, i përjashtojnë imazhet njëkolorëshe. Përkundrazi, ato imazhe kryqëzohen, shkrihen në trajta të caktuara e po ashtu pastaj rifitojnë e marrin forma të reja. Është pra, ajo gjendje e vrejtur/shfaqur transi, ku njeriu, mund ta gjejë veten në fashën e kohës fëminore, pastaj njëhershëm në çastin dhe vendin mjaft të largët, brenda kornizave të qiellit të kufizuar, por edhe në pistat/trajektoret e pafundme të gjithëçkaje. Vetmia dhe rendja/soditja/tërheqja pas botës së pafundme, dhimbja/pikëllimi dhe një det blu përpara që të fton të endesh të valët e tij të përrallërta, guacka e skrupujve cfilitës dhe jermi thërritës i zërave të pasioneve të mishit e gjakut, përbëjnë strukturën mozaikale të kësaj poezie, e cila, endet në një rrjetë ligjërimi, që i përgjigjet pikërisht kësaj strukture konceptuale poetike. Dhe duhet shënuar se autorja, këto përjetime nuk i mvesh me një dekor të mbingarkuar figurash stilistike. Ajo preferon ta përcjellë frymën dhe emocionin e poezisë, para së gjithash në ligjërimin në dukje neutral/objektiv të situatave dhe gjendjeve të përkundërta e ballafaquese, por që në shpalosjen e narrativës së tij, krijon situata tensioni dhe intriguese për lexuesin.
Njeriu i kësaj poezie nuk është i një vendi të caktuar, as i një kohe të caktuar. Kjo adresë kronotopike me tendencë mjegullohet e lbyret në shumësi trajtash. Atëhere, është ky njeri, siç perifrazon poetja – diku…, në perla ndjenjash dhe kuaj-deti, në zjarre të ftohta e akullnaja të nxehta, në pafundësi eteresh.
Por një endje e tillë, mes ekstremesh, nuk ia shuan dot njeriut yllin e identitetit të botës dhe të fisnikërisë së vet:
u linda e pranvertë
nga vet dashuria
u rrita mes pranverave të viteve të mia
kërkoj
pranverën në çdo vështrim dhe prekje dashurie
ritmin e pranvertë që i dhuron përrallës sime aromë jaseminësh
Krijimtaria poetike e këtij libri, besoj se lexuesit do t’i ngjallë kërshëri, jo për diç tjetër, por edhe sepse këtu, ai gjen veten e tij si të thuash parake, pa ato dekoret e artificeve, që në jo pak raste mund t’i ndeshim të derdhen prej shtresave të lloj-llojshme moralistike e atij angazhimit të rëndomtë deklarativ, bërtitës.