More
    KreuLetërsiShënime mbi libraXhevat Syla: Kujtime të përjetësuara në rrëfime mbresëlënëse

    Xhevat Syla: Kujtime të përjetësuara në rrëfime mbresëlënëse

    Skënder Hasko, Rrëfimet e rrugës, tregime, botoi Milosao 2017

    Dy herë më ka rastisur që nga shkrimtarë të frytshëm për fëmijë e të rinj, pas shkuarjes së tyre në amshim, të lexoj përmbledhje të tëra me krijime letrare me temë nga jeta e romëve apo e cergarëve. I pari është libri në dorëshkrim, i titulluar “Romano Qurani”, i Rifat Kukajt, që mund të konsiderohet poemë për fëmijë, e cila ende nuk u botua, ndërsa i dyti është libri me tregime për fëmijë e të rinj i Skënder Haskos “Rrëfimet e rrugës”, i cili u botua pesë vjet pas shkuarjes së autorit në amshim.

    Derisa të parin e patëm shikuar me të birin e Rifatit, Migjenin, pa i dhënë udhë botimit të tij, i dyti më arriti dhuratë, menjëherë pas daljes nga shtypi, nga vëllai i Skënderit, Arifi.

    Edhe Rifat Kukaj, edhe Skënder Hasko i takojnë grupit të shkrimtarëvë shumë prodhimtarë në letërsinë tonë për fëmijë, ndaj çdo dorëshkrim i tyre i pabotuar për të gjallë zgjon kërshërinë e lexuesit.

    Vepra të pabotuara pas shkuarjes në amshim do të kenë lënë edhe shkrimtarë të tjerë të afirmuar, por mua m’u imponua të mendoj për këta të dy nga shkaku se që të dy lanë nga një vepër të shkruar në të njëjtën temë – jetën e romëve, përkatësisht të cergarëve, e cila do të jetë e lidhur më kujtimet e tyre si autorë, por edhe me kujtimet e shumëkujt nga brezat e mëhershëm si lexues.

    Romët si komunitet janë quajtur edhe me emra të tjerë, si gabel, gagj e të tjerë dhe rëndom kanë pasur, madje edhe kanë lagjjet e tyre në qytetet apo qytezat e ndryshme, ku kanë bërë jetën dhe nga ku si me ojna janë inkuadruar në jetën sociale e shoqërore të qytetarëve të tjerë të rrethinës, ndërkaq cergarët kanë qenë qytetarë nomadë, të cilët kanë shëtitur nga vendi në vend duke bërë lagjet e tyre të përkohshme me çadra në hyrje të vendbanimeve, ku kanë bërë një jetë më të mbyllur, përveç rasteve kur kanë pasur nevojë të shesin ndonjë prodhim të tyre apo t’i ofrojnë popullatës si shërbim ndonjë mjeshtëri më të rrallë që e kanë zotëruar. Përveç këtyre mjeshtërve të mjeshtërive të veçanta të cilat kanë qenë zeje burrash, nga bota femërore e këtij komuniteti kanë ekzistuar falltoret, të cilat kanë shëtitur nga shtëpia në shtëpi për t’ua shpalosur “fatet” dhe “të vërtetat” njerëzve dhe familjeve të tyre.

    Jetën e të dy këtyre komuniteteve, siç e theksuam, rëndom e ka shquar mbyllja brenda vetes, por edhe harmonia. Posaçërisht kanë qenë interesante dhe të hareshme festat e tyre, muzika dhe vallet. Integrimi më i suksesshëm i tyre në jetën shoqërore të mjedisit nuk ka qenë i lehë. Janë më të rralla rastet e suksesit të të rinjve të këtyre komuniteteve, posaçërisht të romëve, në ngritjen shkollore apo raste të shpërthimit dhe afirmimit të talenteve të veçanta, para së gjithsh në lëmin e muzikës. Ndërkaq sa iu përket cergarëve pothuajse nuk ka pasur raste të gjenden në shkolla apo në aktivitete të tjera shoqërore të mjedisit. Ata nuk kanë pasur vendbanim të tyre të përhershëm. Pikërisht për shkak të mbylljes në vetvete, ata kanë zgjuar përherë interesimin dhe kërshërinë e të tjerëve të mësojnë dhe të dinë më shumë për jetën e tyre, ndaj nuk janë të rralla rastet që shkrimtarët të kenë shkruar për ta. E kujtoj me këtë rast përmbledhjen me poezi “Romanella” të Ymer Shkrelit, të botuar në rininë e tij të hershme, por i kujtoj edhe  pozitë e Federiko Garcia Lorkës, të cilat mund të kenë shërbyer edhe si nxitje e autorëve për t’i përjetësuar kujtimet e përjetimet e veta nga jeta e pjesëtarëve të këtyre komuniteteve.

    Si rezultat i kësaj kërshërie dhe i kujtimeve na vjen edhe libri më tregime i Skënder Haskos “Rrëfimet e rrugës”, njëri prej librave më të mirë të tij në prozën tonë për fëmijë e të rinj. Tregimet e këtij vëllimi i shquan rrëfimi i ngrohtë, kryesisht në veten e parë, si përjetime të subjektit krijues. Kjo i bën të gjalla dhe të përjetuara edhe përshkrimet, por edhe dialogët e personazheve, në të cilët pothuajse përherë është i pranishëm rrëfimtari apo subjekti krijues. Ky fakt bën që rrëfimi të pranohet dhe përjetohet shumë i sinqertë, Ato procedohen në një mënyrë të përshtatshme për t’u receptuar nga lexuesit fëmijë dhe të rinj. Shumica e tyre vijnë si kujtime të rrëfimtarit, rrëfime rëndom për një kohë të shkuar, të fëmijërisë apo të rinisë së tij për situata interesante në të cilat do të gjenden personazhet, e nga të cilat, si rëndom në tregimet e Skënder Haskos, dalin edhe mesazhet e vlefshme për lexuesin.

    Skënder Hasko e njeh mirë mendësinë, psikologjinë, por edhe shprehjet karaktersitike të këtij komuniteti, njohje kjo që shprehet para së gjithash në gjuhën e personazheve si një e folme  e veçantë. Tiparet e tyre dalin të qarta edhe nga përshkrimet që u bëhen. Në tetë tregimet e këtij vëllimi lexuesi gjen njohuri interesante për jetën e këtij komuniteti dhe për fatet njerëzore. Në tregimin “Romja flokëverdhë” gjejmë një histori interesante të fatit të vajzës së bukur flokëverdhë, e cila me pamjen e saj të ndryshme nga fëmijët e tjerë të të njëjtëve prindër ka zgjuar kërshërine e njerëzve të dinë më shumë për të. Kjo do të shpaloset nga e ëma e saj, Esmaja, para narratorit, ku del në pah fati i dhimbshëm i romes flokëverdhë, por edhe shpirti human i çiftit rom dhe i familjes së tyre. Dhembshuria përshkon edhe tregime të tjera të këtij vëllimi. Në tregimin me titull “Dhembshuri” bëhet fjalë për Qerimin, romin e vogël, i cili vijon mësimet në shkollë, në mjedisin ku dikur vinin vetëm pranverave duke zënë vend diku me çadra. Mirëpo familja e Qerimit të vogël kishte vendosur të jetonte përgjithonë aty. Familja e Qerimit jetonte me një punë të ndershme dhe mjaft të rrallë: thurnin kosha për bereqetin, kanistra për rrobat e shporta për frutat… Madje, shtohet këtu, se “ata thurnin edhe tamuzanët e rakisë e të verës, pa të cilët burrat e fshatit e ndjenin veten si peshku pa ujë…” Mirëpo ajo punë nuk iu sjell para të mjaftueshme për të mbetur gjallë. Për këtë Qerimi i vogël nuk del me shokët e shoqet e klasës në pushimin e madh midis orëve për të ngrënë. Kjo i bie në sy mësuesit të tij dhe ai ushqimin që ka marrë për vete e ndan me nxënësin e tij të varfër. Të njëjtën gjë bën edhe shoku i tij i klasës, madje dhe i bankës, në këtë rast narratori i tregimit, i cili preket nga fati por edhe nga ndershmëria e shokut të tij. Edhe në këtë tregim, si rëndom në tregimet e veta, Skënder Hasko, nëpërmjet shpalosjes së shpirtit human të mësuesit para së gjithash, por edhe të nxënësve të tij arrin efektin e duhur edukativ të krijimit të tij. Narratori, duke e veçuar mësuesin në këtë përshkrim, thotë: “Zemrat tona ishin të mëdha sa zemra e mësuesit tonë, që, për ne nuk kishte shok në botë”. Si të këtilla, tregimet e Skënder Haskos përherë kanë qenë dhe mbeten tekste të përshtatshme për librat e leximit të nxënësve të shkollës fillore, meqë në to ata do të gjejnë edhe argëtim, edhe mësim, edhe edukim. Skënder Hasko shquhet për përshkrimet racionale dhe mjaft të bukura të personazheve dhe të ambienteve, për depërtimet e thella në shpirtin e personazheve dhe për paraqitjen e situatave mjaft prekëse por të përshkuara jo rrallë edhe me një humor të lehtë. Shprehja me humor është edhe një veçori e krijimeve letrare të këtij autori.  Ajo na vjen nëpërmjet përshkrimeve dhe krahasimeve të ndryshme, në një formë të lehtë dhe mjaft freskuese. Për shembull, Loreta e tregimit “Zemërimi i Loretës”, shitëse lodrash në rrugë,  duke i folur gagjjes blerëse për magjinë e lodrave, i thotë: “Pa le kur sheh ndonjë gjë që të tremb, bërtet “uh e uaaa”, dhe të njomen brekët nga frika…” Ose, shprehja me humor e fituar nëpërmjet krahasimit: “Të duket se ajo koka jote që ma paske sa një bostan, ditka më shumë nga koka ime?” Loreta i do lodrat e saj, i përjeton ato si qenie të gjalla, me shpirt, pikërisht ashtu siç i përjetojnë fëmijët personazhet e ndryshme të filmave vizatimorë. Asaj i pengon kur blerësit nuk ia kuptojnë këtë ndjenjë, ndaj në fund të tregimit, pas qortimit që iu bën blerësve që nuk besojnë se lodrat ndiejnë, nëpërmjet një personazhi lodër thotë: “Çudi me këta njerëzit! Nuk besojnë asgjë nga bëmat e kukullave, kurse ne duhet t’i besojmë patjetër ato që bëjnë e thonë ata, edhe sikur gënjeshtra të jenë… Sikur askush të mos besonte në ketë Botë, nuk do të kishte asgjë të vërtetë…” Në këtë mënyrë autori ia jep tregimit dimensionin mësimor dhe edukativ, lexuesin e bën të vrajë mendjen për çështje për të cilat aq shpesh mendojnë fëmijët gjatë rritës dhe formimit të tyre.

    Me një dozë humori kemi edhe urime e mallkime që dalin nga goja e personazheve, e që janë karakteristikë e të folmes së komunitetit të cilit i përkasin. Figuracion të bukur gjejmë edhe në përshkrime të personazheve dhe të veprimeve të tyre, si ”…ngrita jakën e palltos së madhe për të “strehuar” qafën time të hollë si rodhan penjësh”. Në tregimin nga e shkëputëm këtë shembull (Një takim i vonuar) kemi edhe shprehje të tjera të bukura figurative, si “sytë e kujtesës”, “po e hallakatja mendjen”, “nusen si napolon floriri”, “fëmijët si zogj pëllumbash” etj.

    Rrëfimet e këtij vëllimi herë na vijnë si përjetime e kujtime të narratorit, herë si përshkrime të jetës dhe të punës së romëve. Si përjetime, ato bartin në vetë më shumë emocione, të cilat rrëfimin e bëjnë plotësisht të besueshëm dhe interesant. Ndërkaq si përshkrime, ato na e paraqesin jo vetëm mënyrën e jetesës së këtij komuniteti, por edhe mendësinë dhe psikologjinë që del nga rezonimet dhe shprehjet karakteristike të personazheve, nga fatet e tyre, në të cilat shfaqen jo rrallë edhe ide interesante. Megjithëkëtë, mbështjetje kryesore për këto tregime dalin të jenë para së gjithash kujtimet nga fëmijëria e rinia e vetë narratorit, përkatësisht autorit. Me artin e tij të rrëfimit ai arriti t’i përjetësojë ato në krijimet që lexohen me ëndje edhe nga lexuesit e vegjël, por edhe nga ata të rritur.

    Duke bërë falë për librat më të fundit të Skënder Haskos, të botuar pas vdekjes, “Rrëfimet e rrugës” dhe “S’ka si shoku im”, Sejdo Harka, në shkrimin për veprën dhe figurën e Skënder Haskos, pesë vjet pas shkuarjes së tij në amshim, përcjell fjalët e të vëllait të Skënderit, Arifit, të cilit, Skënderi, kur po shihte se po e linin fuqitë, i paskësh thënë: “E shikon atë tru elektronik? Në “barkun” e tij kam lënë ca “fëmijë”, që do të më mbeten jetimë. Ata duan të takojnë miqtë e mi dhe miqtë e tyre – lexuesit. Besoj se do t’ia gjeni anën për t’i nxjerrë në dritë.” Pra, botim i librit “Rrëfimet e rrugës”, si dhe ai “S’ka si shoku im” na erdhën si plotësim i amanetit të shkrimtarit nga vëllezërit e tij Birçe, aktor, dhe Arifi, shkrimtar. Amaneti i Skënderit vjen me atë stilin original të tij: një humor i lehtë i shoqëruar me figuracion, ashtu siç është i veçantë edhe stili i rrëfimit të tij në aq shumë libra në prozë (tregime, novela, romane), pastaj në dramë, dhe ashtu siç ishte e veçantë edhe ndjeshmëria e tij që del nga krijimtaria e tij poetike si për fëmijë, ashtu edhe për të rritur.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË