More
    KreuLetërsiShënime mbi libraXhevat Syla: Kënaqësia me artin e përkryer

    Xhevat Syla: Kënaqësia me artin e përkryer

    Mbresa nga dy librat e rinj të Xhevat Beqarajt “Rruazat e vesës” dhe
    “Me një dallëndyshe”, botoi Ombra GVG, Tiranë, 2005 dhe 2017

    Në njërin nga panairet e librit të Tiranës, në stendën e botimeve të Shtëpisë botuese Ombra GVG më ndodhi befasia e radhës, e këndshme, që lidhet me krijimtarinë e Xhevat Beqarajt. Aty gjeta libër të tij të ri, “Rruzat e vesës”, titull që mund të ishte gjetje vetëm e një poeti si ai. Edhe u befasova këndshëm, edhe u gëzova shumë.

    Libri “Rruazat e vesës” i Xhevat Beqarajt më gëzoi jo vetëm mua, por edhe dashamirësit e tjerë të poezisë për fëmijë, të gjithë ata që moti janë mësuar të kënaqen me çiltërinë, butësinë dhe bukurinë e ligjërimit poetik të këtij poeti. Kur e mora në dorë këtë libër me një ballinë shumë artistike të piktorit dhe botuesit Gëzim Tafa, edhe unë, sigurisht si edhe dashamirësit e tjerë të poezisë për fëmijë, isha kureshtarë të kuptoja çfarë përmbante ky libër që na vjen disa vjet pas  botimit të librave më të fundit të këtij autori. Vjersha të reja? Mbase më parë do të mund të prisja ndonjë zgjedhje nga librat e mëparshëm. Por jo. Libri ishte me vjersha e poema të reja, të cilat kishin edhe datat e krijimit. Nga datat e krijimit të vjershave, madje të një intervali të gjatë kohor, që nga fillmet e krijimtarisë letrare të autorit e deri në ditët tona, nuk mund të kuptoje menjëherë nëse ato vjersha ishin të reja, të papërfshira në librat e botuar më parë, apo ishin krijime të cilave tek tani ua kishte dhënë “vizën” për botim autori. Sidoqoftë, vjershat që i gjeta aty nuk i kujtoja nga librat e mëparshëm, por edhe ato më tërqethën me bukurinë e tyre, madje më lumturuan shumë. Më kthyen në kënaqësitë që i kisha përjetuar si fëmijë me poezitë e këtij poeti të mrekullueshëm. Por çfarë kemi në këto poezi? Çfarë do të mund të na sjellë tani poeti Xhevat Beqaraj me gjithë atë përvojë të akumuluar dhe me gjithë atë mjeshtëri të arritur? Deri ku mund të arrijë mjeshtëria dhe bukuria e krijimt poetik?

    Këtë gëzim dhe këtë befasi mund të them se e ndjeva fuqishëm, meqë kur kisha shkruar librin monografik për poezinë e Xhevat Beqarajt “Harmonika e atdheut”, kisha menduar se kisha bërë një trajtim të gjithë asaj që na kishte dhuruar deri atëherë ky poet, i cili shkëlqeu dhe ngel të shkëlqejë përjetësisht në qiellin tonë poetik për fëmijë. Prandaj befasia e këndshme dhe gëzimi mund të jenë të kuptueshme kur në stendën e botuesit të përmendur gjeta libër të ri të tij. E ky, tash? – sikur pata shqiptuar më vete pyetjen ende pa e hapur kopertinën e librit. Çfarë na sjell? Dhe, me të shfletuar librin, pa u ndalur ende veçmas në ndonjë vjershë, kuptova se libri më i ri i Xhevat Beqarajt na vinte një sajim i bukur me poezi të shkruara më herët, por edhe të kohës më të re, me poezi të cilat nuk i kshin hyrë në konceptimet apo ndërtimet e librave të mëparshëm, apo për shkak se ndonjë poezi i kishte ngelur ide e papërfunduar e të cilës i ishte kthyer më vonë, apo edhe për arsye të tjera. Megjithatë, “Rruazat e vesës” na erdhi libër i ri me poezi e poema për fëmijë i mjeshtërit i cili i gëzoi fëmijët dhe dashamirësit e poezisë për fëmijë më shumë se pesë decenie me radhë. I ngjashëm më qe përjetimi edhe në Panairin e libritt të vitit 2017 në Tiranë, kur në po të njëjtën stendë gjeta e librin tjetër të ri të Xhevat Beqarajt “Me një dallëndyshe”.

    Në librat më të rinj të Xhevat Beqarajt“Rruazat e vesës” dhe “Me një dallëndyshe” gjejmë vjersha që mund të cilësohen edhe për fëmijë, edhe për të rinj, madje disa mund të themi se janë edhe për të rritur. Edhe kjo mund të jetë arsyeja përse vlera kaq cilësore të kenë ngelur të papërfshira në librat e mëhershëm për fëmijë të këtij poeti. E këtillë është, për shembull, vjersha “Eja nënë” , e shkruar më 1967, që është një përkushtim i fuqishëm nënës. Ose vjersha “Me gjyshen” , në të cilën kemi një kuvendim të nipit me gjyshen, përkatësisht shpalosjen e dy botëve, asaj të rritur në injorancë dhe asaj që ka përqafuar të renë, diturinë. Gjyshes nuk i pëlqen kur i biri i thotë atë që ka mësuar në shkollë, se toka rrotullohet e bashkë me të rrotullohemi edhe ne me detin, me malet e me diellin, me hënën e yjet, madje dhe me shtëpinë e shtratin ku flemë. Këto janë konstatime shkencore larg mundësive t’i kuptojë gjyshja, ndaj i thotë të birit: T’i nër gjynahe mos hyr’, bir! Vjersha ka vit të të shkruarit vitin 1963, kohën kur në realitetin shqiptar kishim më shumë gjyshe e gjyshër, të cilët nuk i kishin as mund t’i kuptonin këto njohuri.

    Vjersha “Eja nënë”, por edhe disa poezi të tjera të këtyre dy vëllimeve janë krijuar atëherë kur mbase poeti ende nuk ishte krejtësisht i profilizuar si poet i mirëfilltë për fëmijë dhe kur poezia i lind më shumë si një çlirim i shpirtit, pa atë ngarkesën që do ta imponojë dedikimi moshës së më të vegjëlve. Si të këtilla, këto krijime vijnë si perceptime apo si përjetime të subjektit krijues më të rritur, ndaj edhe do t’u takojnë si dedikim të rinjve apo mbase edhe të rriturve. Ndryshe, si të kuptohet frymëzimi aq i fuqishëm dhe shprehja e mallit që “djegërka si zjarr” për nënën e humbur, përveçse si ndjenjë e një djaloshi të rritur që spikat aq fuqishëm zbrazëtinë që ndien:

    Ka mbetur llambëza pa fshirë,

    U vyshkën lulet në dritare,

    Dhe fqinjët më nuk duken fare,

    Që kur na le, moj nën’ e mirë.

    Subjekti krijues, përkatësisht narratori apo personazhi i vjershës këtu na del i një moshe më të rritur, me një ndjenjë e përjetim më të fuqishëm, por edhe me një liri më të madhe të shprehjes se sa që e gjejmë në librat e parë me poezi për fëmijë të Xhevat Beqarajt. Kjo flet për faktin se Xhevat Beqaraj, që në fillimet e krijimtarisë së tij shkruan poezi që u dedikohen edhe fëmijëve por edhe të rinjve, pra krijon poezi për fëmijë dhe të rinj, term ky që zuri të përdoret edhe në letërsinë tonë për fëmijë. Të ngjashme i kemi edhe krijimet e disa poetëve të tjerë, si Vehbi Kikaj me vjershën “Ti dëborë ke mbuluar shtigjet”  apo shumë poezi të librave më të fundit të Agim Devës, në të cilat nëpërmjet  përjetimeve aq të fuqishme paraqitet gjendja sociale e personazheve të ndryshme. Për dallim nga këta poetë të mirëfilltë dhe të shquar për fëmijë, te Xhevat Beqaraj këtë qasje e kemi në fillimet e krijimtarisë së tij, ndaj kjo mund të ketë qenë edhe arsyeja pse disa krijime kanë qëndruar më gjatë në sirtarët e tij dhe nuk janë përfshirë në librat e botuar më parë         

    Ndërkaq, kur të lexosh poezinë “Të kemi pritur”, që i kushtohet pranverës, e në fund të saj sheh vitin kur është shkruar, 1962, poetin Xhevat Beqraraj nuk ka si ta përjetosh ndryshe përveçse një gurrë të çiltër, e cila asnjëherë nuk paska pushuar së dhuruari margatiritarët më të mirë. Dihet se Xhevat Beqaraj e pushtoi lexuesin me gjithë atë që i pati dhuruar atij me përmbledhjet e mëparshme, por del se tek ai paskan mbetur edhe shumë vlera të tjera të çmueshme, të cilat po të shpërfaqeshin në atë kohë, do të na e jepnin atë në një petk poetik edhe më të përkryer, me depërtime edhe më të thella dhe me një gamë edhe më të gjerë dhe më interesante tematike e motivore.

    Vjershat me data të hershme të shkrimit mbase mund të kenë edhe arsye të tjera përse nuk janë përfshirë në përmbledhjet e mëhershme të këtij autori. Për shembull, duke përë portretizimin e gjelit, poeti shkruan: Nga gjumi përditë na zgjon, / Se kush tjetër po këndon?!” , që do të mund të kutohej se në realitetin që paraqet vjersha nuk këndoka askush tjetër përveç gjelit! Ndryshe, pse të mos jetë përfshirë kjo vjershë e bukur në librat e mëparshëm?!

    Vënia e vitit të krijimit të vjershave në fund të tyre flet edhe për faktin se poetit ndonjëherë i duhet më shumë kohë për ta rrumbullakësuar idenë, për ta përfunduar krijimin e vet poetik. Për këtë vjersha e gjatë “Për vete, ti, na bëre det”  ka dy vite të shënuara në fund, 1968 dhe 1990, dhe hapësirën kohore prej 22 vitesh sa do të ketë qëndruar ky krijim i pambaruar, i cili më në fund, falë disponimit dhe kohës që do të gjejë poeti, arrin të na japë në formë të përkryer shëtitjen e fëmijëve me kapitenin e anijes detit të gjerë. Aq shumë vjet i janë dashur poetit për ta mbaruar vjershën? Jo, ai nuk do të ketë punuar në të më gjatë se në vjershat e tjera, por është në natyrën e krijimit poetik që ai të ketë një nxitje apo një frymëzim për të lindur, por njëherësh të ketë edhe kohën tjetër në disponim për ta redaktuar deri ne realizimin final i cili do ta kënaqë autorin në radhë të parë. Krijuesit ndonjëherë i nevojitet më pak e ndonjëherë më shumë kohë. Madje do të ketë edhe frymëzime apo ide të cilat nuk arrijnë të rrumbullakësohen kurrë. Ngelin peng në zemrën e shkrimtarit. Librat më të rinj “Rruazat e vesës” dhe “Me një dallëndyshe” na bëjnë të kuptojmë se poeti Xhevat Beqaraj nuk do të ketë lënë pengje të tilla. Me durimin e krijuesit të lindur, por edhe të mjeshtrit të përkryer, ai arrin të na dhurojë krijime të një cilësie të rrallë artsitike. Poezitë e dy vëllimeve më të reja të Xhevat Beqarajt janë të krijuara që nga fillimet e tij letrare e deri në kohën më të re, por që kanë jetuar më gjatë në “arkivin” e tij poetik.

    Temën e punës Xhevat Beqaraj e trajton që në krijimet e fillimeve letrare. Madje, sa i përket mënyrës si e paraqet atë, nuk vërehet ndonjë dallim nga mënyra si kanë shkruar rilindësit tanë. Kemi raste kur personazhet janë të njëjtë apo të ngjashëm. Dialogu i poetit më zogun që vjen të kërkojë ushqime duke shpupurishur borës është i gjallë, i sinqertë, shumë dashamirës, sado që për përtacinë e zogut, meqë nuk kishte punuar kur ishte koha, ai nuk ngurron të përdorë edhe fjalë ofenduese, duke e kritikuar pse nuk ka punuar edhe ai si mlilingona e vyeshme:

    Pse, s’erdhe verës, budallë,

    Të mblidhje grurë n’arat tona,

    Siç vinte mblidhte milingona.

    Ndër mend për dimrin nuk të ra?

    Edhe poezitë që kanë motiv punën, por edhe ato të motiveve të tjera vijnë si preokupime edhe të shkrimtarëve pararendës, para së gjithash të rilindësve tanë, të cilët çelën hullitë e para në krijimtarinë tonë poetike për fëmijë. Poeti frymëzohet nga bota që e rrethon, nga stinët dhe ndërrimet që ndodhin në natyrë, nga zogjtë e shpendët e tjerë, nga bota faunale, përgjithësisht nga jeta që bëjnë fëmijët, por edhe qeniet e tjera. Të tilla janë poezitë “Çezmat e Tanës” (1959), Pse s’erdhe verës, zog” (1966), Gjer në pranverë, lamtumirë” (1964), Palmë, mos m’u brengos” (1963) etj.

    Natyra në poezitë e Xhevat Beqarajt dhe çdo gjë që e bën atë, pra që jeton në të është e gjallë, lind, rritet, zhvillohet; ka ndjenja, e ndien dhembjen, dashurinë, mallin, mallëngjimin. Krejt sikurse qeniet njerëzore. Kjo arrihet falë figuracionit të pasur e të gjetur me invencion, metaforave, krahasimeve, epiteteve, simboleve etj.

    Në një ambient të pastër, që i karakterizonte dikur shumicën e vendbanimeve, ndryshimet në natyrë janë vërejtur më së shumti në stinën e pranverës dhe të vjeshtës. Shenja të këtyre ndryshimeve kanë qenë kryesisht zogjtë shtegtarë, të cilët pranverën e bënin aq të bukur dhe aq shumë krijonin zbrazëti në vjeshtë, kur ua mësynin viseve të ngrohta. Këto kanë qenë frymëzime për shumë poetë, prandaj edhe për Xhevat Beqarajn. Por këngëtimi poetik i këtij poeti për zogjtë shtegtarë është më i veçantë. Vërtitjen e zogjve dhe cicërimat në fluturim para se të nisen për në vise të ngrohta, ai i përjeton si mërzitje apo përtesë të tyre të ikin:

    Vajtueshëm zogjtë cicërojnë,

    O, o, mërgimin nuk e dashkan.

    Ja, sipër nesh, po vijnë e shkojnë,

    Bo-bo, sa mall e fjalë paskan.

    Ç‘na thoni vall’, kur cicëroni,

    Ne s’ju kuptojmë zogj të mirë.

    Mos, ndoshta doni të na thoni:

    Gjer në pranverë… lamtumirë!

    Duke i lexuar poezitë e këtyre vëllimeve, ndonjëherë fitohet përshtypja se ndonjë poezi nuk është përfshirë në librat e mëparshëm për faktin se autori do të ketë dëshiruar t’i kthehet për ta përpunuar, për të shtuar ndonjë varg a ndonjë strofë apo për t’i dhënë formë përfundimtare. Për shembull, një përshtypje të këtillë lë poezia “Kur ikën dimri” , e cila ka vetëm një strofë:

    Derdh bora lotët, dëshpërohet

    E nxihet porsi baltë.

    Njerëzit për të më s’kujtohen,

    Duan diellin e artë.

    Mirëpo edhe vetëm me këto katër vargje vjersha qëndron. Lexuesit i krijon një imazh interesant të atmosferës në përfundim të dimrit, ndaj sado që vjersha mund të ketë pritur në sirtar të autorit që t’i kthehet, eventualisht ta plotësojë, t’i japë një kuptim më të thellë e ndoshta edhe një mesazh, në fund poeti do të jetë pajtuar që ajo të qëndrojë edhe kështu, si një strofë e vetme, si një përshkrim i bukur artistik.

    Kjo, siç theksuam, shihet bukur në vjershën e fillimeve të krijimtarisë letrare të Xhevat Beqarajt “Të kemi pritur”  e vitit 1962, të cilën ia kushton stinës së pranverës, e me të cilën e hap vëllimin “Me një dallëndyshe”. Kjo vjershë është shkruar, nuk jam i sigurt nëse edhe është botuar, qysh para botimit të librit të parë të autorit (1965) dhe për çudi, edhe me vlerat e jashtëzakonshme që ka, nuk është përfshirë në librat me poezi për fëmijë të tij të botuar gjatë viteve ’60, ’70 e ’80 të shekullit të kaluar, e madje as në librat e vitit 2000. Pse, athua? A mos është shkaku se vjersha nuk ka mundur të inkorporohet në strukturën e vjershave me të cilat i sajoi ai ata libra, apo se nuk i është përshtatur butësisë, por edhe temave e motiveve “të lehta” që trajtohen në to, apo mund të ketë qenë shkak edhe mundësia që ndonjë varg a strofë të kenë mundur të asocojnë në çështje e probleme të cilave u rrinte kujdestar syri përherë zgjuar i pushtetit, si p.sh.vargjet:“Të kemi pritur, moj pranverë,/Mërgimit të na vish”. Ose, a mos kjo pranverë për të cilën shkruan poeti ka mundur të kuptohet edhe si diçka që në ato kushte e rrethana as ka guxuar të ëndërrohet apo mendohet – liria. Si do të mund të interpretoheshin në ato rrethana, bie fjala, vargjet:

    Pranverën lepurushi e ndien,

    Shkundet, larg strofkës ikën,

    Fushash loz, kopshtesh, hop… kërcen,

    Sikur s’e njeh më frikën.

    Dhe qeni kolibën e lë

    E merr përjashta vrap,

    Të ngrohë putrat në shullë.

    Pranvera erdhi prapë.

    Atdheu është tema apo motivi që e gjejmë të trajtuar në më shumë poezi të Xhevat Beqarajt. E kujtojmë vjershën “Shqipëri, moj nënë”, nga libri “Treni ynë”, botuar më 1967, përafërsisht në të njëjën kohë kur është shkruar edhe poezia “Në muze”  (1967), e cila ta kujton atmosferën e poemës së Ismail Kadaresë “Në muzeun e armëve” . Mirëpo derisa te poema e Kadaresë armët që ekspozohen në muze rrëfejnë, te vjersha e Xhevat Beqarajt shpata rri në muze, nuk ka gojë të rrëfejë për fitoret e saj me Skënderbeun. Pikërisht shpata e Skënderbeut, e cila vizitohet nga nxënësit, përjetohet simbol i luftës për lirinë e atdheut. Në atmosferën e rëndë që imponon meditimi në muze, vizitorët puthin shpatën:

    O sa flet heshtja në muze!

    Mësuesja jonë ballin rrudh,

    Pastaj përulet, shpatën puth.

    E puthim shpatën edhe ne.

    E ndiejmë pranë Skënderbenë,

    Si hij’ e tij rreth shpatës bredh;

    Si gjyshi mirë ne na mbledh

    E zemrat ndez për mëmëdhenë.

    Arsyen përse disa vjersha të Xhevat Beqarajt, ndonëse të shkruara shumë më herët, nuk janë përfshirë në librat e mëhershëm të tij, por u botuan tani vonë në librat e tij më të ri mund ta shohim në asociacionet që do të mund të kishin zgjuar disa vjersha e vargje në sistemin komunist në të cilin Shqipëria jetoi gati gjysmë shekulli. Në vjershën “Shqiponja” të poemës “Kopshti që mbledh kureshtarë” , kopshti ruhet dhe rregulli mbahet nga “policët vetullvrenjtur”. Shpendin e bukur emblematik të shqiptarëve e gjejmë në kafaz, në burg, mbrenda telave, siç mbahen rëndom të gjitha shtazët e kopshteve zoologjike, mirëpo duke e përjetuar këtë mbyllje e mërzitje rëndë, deri në çmenduri. Merre me mend të botohej kjo poezi në kohën kur është shkruar, fillimi i viteve ’80 të shekullit të kaluar! Me çfarë llupe do të shikohej dhe ku do të mund të ishte katandisur poeti i urtë, i dashur, me poezitë aq të gjalla, plot art e mendim? Këtu gjejmë, pra, edhe një arsye të fortë e të shëndoshë përse disa krijime të librave më të rinj të Xhevat Beqarajt nuk janë botuar kur janë shkruar, përse do të kenë ngelur të papërfshira në librat e atëhershëm këta xhevahirë poetikë.

    Në vjershën “Majmunët” , që i kushtohet banorëve të këtij kopshti, kemi një tablo të gjallë që shohin sytë e vizitorëve të shumtë: majmunin e vogël që varet me bisht, majmuneshën që rend pas të birit duke u kacavjerrur nëpër drurë, pastaj majmunin plak që me dhëmballët gjysmërënë provon ta çajë një kokërr arre. Këtu kemi edhe vizitorët që shkrihen së qeshuri duke parë lëvizjet e familjes së majmunëve.

    Poemat e Xhevat Beqarajt janë rrëfime më të gjata poetike, me gjetje interesante tematike dhe me një denduri figurative për lakmi. Në to ka më shumë përshkrime dhe më shumë personazhe që përshkruhen. Poeti, duke shkruar për prirjen e Suzanës të këndojë, nëpërmjet meditimeve të lexuesve përpiqet ta udhëzojë atë për çfarë të këndojë, në radhë të parë për njerëzit e dashur, për babin, mamin, gjyshen e gjyshin, për motrën e vogël dhe për shumë të tjerë, por edhe për pulëbardhat, ylberin, vjollcën, shiun, thëllëzen, abetaren, sorkadhen e bukur, kërpudhat në pyll, luleshtrydhet, mjegullën, liqenin e kaltër, zgalemin, yjet, duke e ftuar në fund që të këndojnë bashkë:

    Po këngën më të bukur,

    Në mundshim për ta thënë,

    Do ta këndojmë bashkë

    Për Shqipërinë nënë.

    I kthehet kështu leitmotivit të tij në pozitë patriotike-atdhetare, që e gjejmë që në librat e parë të tij, ku ai Shqipërinë e identifikon me nënën, njeriun më të dashur jo vetëm të lexuesve të vet.

    Personazhi i poemës “Me një ëndërr nëpër botë”, Sokoli, bën një udhëtim interesant me anije detit të pafund, duke mbrritur në shumë vende e kontinente, si në Afrikë, te piramidat, në Indi, Australi, Amerikë, Arktik etj., dhe duke i paraqitur ato me gjallëri me veçoritë e tyre. Ja si shkruan për Indinë:

    Rri si saç mbi kokë dielli,

    Vapa të zë frymën,

    Nuk e njeh mali dëborën,

    Fusha s’e njeh brymën.

    Ti mundesh dhe pa çarçaf,

    Të flesh natën jashtë,

    Dhe netët i ke të ngrohta,

    Moj, Indi e lashtë.

    Nga ky udhëtim interesant në ëndërr, Sokoli zgjohet derisa zë të ndjekë një sorkadhe nëpër xhungël. Krejt në fund të poemës, poeti jep edhe një përshkrim të personazhit, në mbarim të klasës së parë, me dëshirën të bëhet marinar, por edhe u drejtohet lexuesve me mundësinë që edhe ata të ëndërrojnë sikurse personazhi i poemës. Ngjashëm bëhet edhe organizimi i poemës ”Tregim për Cac Ngacin” , një nxënës që nuk i le dy gurë bashkë. Në fillim bëhet portretizimi i tij e pastaj jepen prapësitë që ai bën kahdo që sillet. Poema ka një përfundim interesant: derisa Caci mbështet kokën në prehrin e gjyshes, poeti e përfundon poemën me vetëm një pyetje: I penduar?  Kësaj pyetjeje mbetet t’i përgjigjen lexuesit me supozimet e veta. 

    Arti i përkryer

    Poeti Xhevat Beqaraj përdor kryesisht kornizat e njohura metrike të ndërtimt të vargjeve dhe strofave, mirëpo mjeshtëria e vargnimit ndonjëherë shfaqet edhe me disa forma të çrregullta, por bukur. Ai nuk njeh as duron shabllone. Ka një liri të theksuar si në përzgjedhjen e trajtimin e temave e motiveve, ashtu edhe në realizimin artistik të tyre. Kjo flet se përdorimi mjeshtëror i gjuhës, loja me fjalë e shprehje dhe shkathtësia stilistike japin efekte mahnitëse estetike:

    Era, duke lozur, borën

    Përpara shtyn.

    Nën pelerinën e bardhë

    Pylli nuk merr frymë.

    Këtë përjetim estetik e jep përshkrimi i pamjeve të rëndomta, i fuqizuar aq bukur me figuracionin e gjetur: pylli veshur me pelerinë të bardhë, përshkrim ky që kulmin e shprehjes artistike e arrin me vargun “Pylli nuk merr frymë”.

    Ngjashëm poeti do të shprehet edhe në vjershat për pyllin, ku, duke përshkruar rënien e pyllit në gjumë, shkruan:

    Mbrëmja me dorën e butë

    Mbyll portat e ditës.

    Edhe gjuhëz e gjinkallës

    U tulat prej frikës.

    Si e lodhur, dhe puhiza

    Nëpër lule fle.

    Tani as gjethet, as bari

    S’fërfëllijnë më.

    Një vlerë të veçantë në poezinë e Xhevat Beqarajt paraqet gjuha, fjalët e reja, kompozitat interesante, fjalët si vendrojë, çafkat klithmëtare, mëngëpërveshur, mjamuni i vogël motak, dhëmballët gjysmërënë, ëndrrat këmbëshpejta, vesëlarë, vesëndritur, ujëmekur, gjysmëzgjuar, gjysmëfjetur, vetullvrenjtur etj., ose shkrimi dhe shqiptimi i fjalëve në trajtë tjetër për shkak të rimës apo ritmit që duhet të arrijë vjersha, si fërtymë për furtunë e të ngjashme. Pastaj përshkrimet interesante si: lejlejku që si i dënuar qëndron me një këmbë, bishti i fazanit pendëndritur paraqitet jo si pahitëse, por si freskore etj.

    Xhevat Beqaraj poezinë e do dhe e krijon me përkushtim maksimal. Poezia e tij ka rimë, ritëm, muzikalitet. Për ta arritur këtë, siç u theksua, ai krijon edhe fjalë të reja, fjalë sinonimike apo edhe të poetizuara

    Palmë, palmë, palma ime

    Mike e kopshtit tënë,

    Pse ke rënë në mendime,

    Ç‘brengë të ka zënë?!

    Pra në vargun e dytë në vend të përmerit tonë poeti shkruan tënë në mënyrë që të arrijë rimimin me vargun e katërt dhe efektin e duhur tingullor.

    Figuracioni i gjetur me invencion është ai që poezitë e Xhevat Beqarajt i bën të të habisin dhe të pushtojnë me bukurinë e imazheve që krijojnë. Kjo nuk arrihet vetëm nëpërmjet metaforave, krahasimeve e figurave të tjera, por edhe nëpërmjet shprehjeve të tëra metaforike që paraqesin veprimet e gjërave, sendeve, qenieve e dukurive që përshkruhen, si:

    Grunaja det i gjelbër

    Përkundet dallgë-dallgë.

    Mbi dallgë lulëkuqe,

    Posi yje të zjarrtë.

    Poemat, si edhe poezitë e Xhevat Beqarajt, të pushtojnë që me vargjet e para. Janë tejet impresive vargjet hyrëse në poemën “Dielli sheh” , në të cilën poeti paraqet gjithçka që në tokë bën jetë në saje të ndriçimit nga rrezet e tij. Poeti përshkruan gjëra e qenie nga më të imtat, të atilla që ndonjëherë vështirë vërehen nga syri ynë, por që bëjnë jetën e tyre sikurse ne. Përshkruhet këtu rënia e rrezeve të diellit mbi çatitë e shtëpive, duke mos iu fshehur asgjë “syrit të tij të zjarrtë”. Ai vëren sorrën mbi një rrufepritës, pastaj rosat, dhelprën që e ndjek një çoban me qen, vëren harabelat, maçokun, dhinë si nënëz e mirë me kecat e saj, viçin dhe lopën nënë që e lëpin atë, mushkonjat kërcimtare dhe kërmillin që ngjitet trungut të një shelgu, merimangën, lulet, bletën, po edhe fëmijët me zëra e lodra, si dhe depërtimin e rrezeve të diellit nëpërmjet xhamave në klasa ku përhapin dritë. Sa domethënëse dhe sa gjithpërfshirëse bëhet paraqitja e një drame të tërë jetësore, flet përshkrimi vetëm në një katrenë, me vargje të kulluara në sitën më të imët.

    Me zëra, lodra fëmijësh

    Mbushen udhët, mbushen sheshet.

    Nga xhamat në klasa futen

    Dhe dritë përhapin rrezet.

    Dhe vazhdohet me pëllumbeshën në plevicë, më pëllumbin e qengjin që e ha ujku për shkak se ndahet nga kopeja, për të vazhduar me fluturat që ndjekin njëra-tjetrën, duke spikatur madje edhe skenën tragjike të mekjes së gëzimit të buzëqershisë nga plumb i verbër… dhe, duke ardhur prapë te përshkrimi i shkurtër, shumë racional dhe tejet i bukur i një drame të tërë tragjike të përbërë nga më shumë personazhe:

    Bari skuq, tulaten zogjtë,

    Dielli zbehet, i puth ballin,

    Toka gjirin hap, merr vajzën,

    Vjollcat qajnë, mbulojnë varrin…

    Por ne nisëm qëmtimin me spikatjen e pamjeve që të mahnitin që në vargjet hyrëse të poemës, të cilat të pushtojnë që në nismë të leximit dhe të marrin me vete deri në vagun e fundit:

    Një nga një zbritën yjet,

    Hëna vendrojë ndërron,

    Qerpikët i hapi dielli,

    Fill i vetëm udhëton.

    Kjo, pra, nisja e vjershës apo vargjet e para të saj, janë një mjeshtëri që e karaterizon poezinë e Xhevat Beqrarajt. Aty, përveç tjerash, del në pah spontaniteti dhe frymëzimi i thellë që do të ketë pasur autori.

    Edhe nëse në këta libra hasen edhe poezi me vlera më modeste, si “Kur pyet mësuesja” , “Frika e Kreshnikut” , të cilat nuk shquhen për figuracion, megjithatë ato shquhen për rrëfimin poetik, për shpërfaqjen e detajeve nga jeta, nga lojërat dhe përjetimet e fëmijëve, të dhëna me atë racionalitetin që e shquan përgjithësisht poezinë e këtij mjeshtri të rrallë.

    Gjuha e poezive të Xhevat Beqarajt është e çiltër, si edhe vetë poezia e tij. Gjenden fjalë të cilat ai i krijon edhe për rimim. Për ta cilësuar viçin e parehatshëm, të cilin në të folmen e zakonshme do ta quanim grindavec, ai përdor fjalën grindaman (“Në livadh me delen pranë/Kullot viçi grindaman”)  dhe për ta forcuar edhe më shumë këtë trajtë të fjalës, ai jep edhe shpjegimin në fjalorth, por nuk ngurron që fjalën ta vë edhe që në titull të vjershës. Këtë gjetje, këtë invencion sikur ia kërkon apo dikton bukuria e vjershës, arti i saj. Po kjo, pra tendenca për shprehje sa më artistike, do të ndikojë edhe në shmangien nga përdorimi i foljeve në ligjërimin e tij poetik, shpesh duke marrur në ndihmë onomatopenë, metaforën apo ndonjë figurë tjetër, si:

    Qeni shullëhet pas portës,

    Viçi fap, me bishtin kokës.

    Ham-hum! Qeni, tëk, në këmbë,

    Si shpërblim i fal dy dhëmbë.

    ose

    Era vu-uuu, pluhur ngre

    E udhën mbulon,

    E prej tij: stop, një veturë

    Urën nuk dallon.

    Nuk ka pothuajse vjershë apo poemë në këto vëllime, e cila qoftë edhe me një varg apo një strofë të vetme nuk të nxitë të meditosh, ta shpërfaqësh bukurinë e saj si rezultat i një përjetimi të veçantë dhe i një kënaqësie të thellë estetike. Poeti del mjeshtër në përdorimin artistik të gjuhës, në ndërtimin dhe thyerjen e vargjeve, në një rrëfimi poetik spontan, fort të natyrshëm dhe shumë artistik.

    Nëse lëmë më një anë gjithë atë që ka botuar deri në vitin 2000 dhe marrim parasysh vetëm dy librat e tij më të rinj Rruzat e vesës dhe Me një dallëndyshe, Xhevat Beqaraj për lexuesit e poezisë sonë për fëmijë do të përjetohet si një Lasgush që ka shkruar për të vegjëlit. Kjo mbase bën që poezia e tij të kërkojë edhe lexues të kultivuar, lexuesin që di t’i vërejë vlerat dhe që di të kënaqet me to.

    Në fund, këtë shkrim për disa kujtime për poezinë e poetit Xhevat Beqaraj, duke u fokusuar posaçërisht në mbresat nga leximi i dy librave të tij më të rinj, do të dëshiroja ta përmbyll me një vlerësim të shkrimtarit dhe studiuesit prijatar të letërsisë sonë për fëmijë, Bedri Dedjes: “Shikon rrugës, duke ecur, poetin për fëmijë Xhevat Beqaraj. Pakëz i ngrysur, i menduar, sikur gjithë hallet e botës kanë rënë mbi kokën e tij. Jo, nuk është kështu! Atë e “ngrysin” vargjet e reja që krijon e që bartin rrezet e diellit të Mallakastrës, bukuritë e vrazhda natyrore të Poçemit dhe hallet e fëmijëve të sotëm shqiptarë” . Do të shtonim: ai duket përherë i menduar edhe për shkak të përkujdesjes që frymëzimet dhe idetë e veta t’i artikulojë nëpërmjet vargjesh sa më të bukura, sa më të përkryera, me një përshkrim e rrëfim artistik që të pushton.

    Xhevat Beqaraj është një vullkan i çiltër, nga i cili buron dashuria, bukuria, përgjithësisht arti i lakmueshëm letrar.

    Të presim edhe befasi të tjera të këndshme nga poeti Xhevat Beqaraj!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË