More
    KreuLetërsiShënime mbi libraXhevat Syla: Gërshetimi i realitetit me përrallën

    Xhevat Syla: Gërshetimi i realitetit me përrallën

    Fatmir Gjestila, “Edhe pëllumbat qajnë”, roman,
    ribotoi Emathia, Tiranë 2021

    Fatmir Gjestila është sot njëri nga krijuesit më prodhimtarë dhe më të mirë në letërsinë tonë për fëmijë dhe të rinj. Kur i lexon shkrimet e tij, pavarësisht zhanrit në të cilin shkruan, të duket se ai shkruan me lehtësi dhe dashuri të veçantë. Kjo mbase për shkak se krijimet e tij na vijnë të kulluara në një sitë të hollë, që do të jenë rrjedhim i mendimit të qartë, i organizimit dhe strukturimit të menduar mirë. Gjestila shkruan poezi, tregime, përralla, romane. Duke qenë mësues me profesion, ai është më afër fëmijëve, ndaj edhe e njeh mirë botën e tyre, por edhe atë të mësuesit që është jeta e tij. Në tregimet e tij jo rallë gjejmë përjetime personale nga jeta pedagogjike (Rrëfime pedagogjike), por edhe qasje përvetësimit nëpërmjet artit letrar të mësimeve që nxënësit duhet t’i zënë në shkollimin e tyre, madje të diturive të ndryshme, të atyre që mësuesi duhet t’ua mësojë nxënësve në ciklin e ulët, edhe gjuhën e letërsinë, edhe matematikën, edhe dituri të tjera. Për të gjitha këto Fatmir Gjestila do të gjejë forma të përshtatshme për t’ua bërë sa më të qarta dhe sa më interesante e tërheqëse mësimet që do t’ua ofrojë. Disa dije të këtilla, edhe të shkencave të natyrës, fëmijët do t’i marrin edhe nëpërmjet vargjeve, poezive. Në këtë mënyrë Fatmir Gjestila është edhe mësues, edhe shkrimtar, apo ta tipizojmë më qartë mësues shkrimtar, apo ndoshta edhe më mirë shkrimtar mësues. Në një kuptim, ai t’i kujton rilindësit tanë të cilët krijimtarinë letrare e shfrytëzonin për t’u dhënë fëmijëve dije edhe nga shkencat e natyrës. Ta kujton kështu autorin e librit të parë me vjersha për fëmijë në letërsinë tonë, poetin e shquar të Rilindjes sonë kombëtare, Naim Frashërin (Vjersha për mësonjtoret e para, 1886), por edhe rilindës të tjerë (Mjedja, Çajupi, Asdreni etj.), edhe pse Gjestila me gjithë krijimtarinë e vet dhe me shprehjen moderne i takon kohës që e jeton.

    Pas disa librave të tij, pata kënaqësinë ta lexoj romanin “Edhe pëllumat qajnë” , për të cilin kisha lexuar se kishte marrë vlerësime të larta letrare, prandaj duke e ruajtur si një kujtim të mirë nga autori, pritja kohën t’i qasesha më me nge leximit. Titulli “Edhe pëllumbat qajnë”  nuk më jepte ndonjë shpjegim paraprak, mirëpo kureshtjen për ta lexuar dhe kuptuar fabulën e tij ma bënte edhe më e madhe.

    Tipi i romanit sikur del edhe nga persanozhet e tij. Kemi personazhe fëmijë,  të rritur, por edhe pëllumba. Kjo e bën romanin edhe më tërheqës për fëmijë, roman që në përmbajtjen e tij realiste ngërthen bukur përrallën, roman në të cilin përralla dhe realiteti bashkëjetojnë. Përralla inkorporohet natyrshëm në jetën moderne që bëjnë personazhet, por edhe jeta e personazheve jetohet në ambiente e rrethana edhe përrallore, edhe reale. Përveç nga veprimet e personazheve, sidomos nga korresponden-ca që mbajnë Lindi dhe Mona nëpërmjet letrave që ua bartin pëllumbat, përrallore duken edhe emërtimet e ambienteve ku zhvillohet jeta.

    Një lloj shpjegimi me masë dhe me karakter nxitës për lexim autori e jep në tekstin e shkurtër që e vendos në shpinë të ballinës se romanit: “Emona dhe Lindi e duan shumë njëri tjetrin. Në klasë ulen në një bankë, udhën për në shtëpi e bëjnë bashkë, gjithë lojëra e gaz. Ata i kanë shtëpitë përballë njëra-tjetrës, në anë të Floknajës së Kaltër, rrjedhës së buronjës së Zanave. Brigjet e Floknajësë së Kaltër i lidh Ura e Pëllumbave. Mbi atë urë rendin për te njëri-tjetri  Lindi dhe Emona, mbi atë urë ata luajnë me pëllumbat, nga ajo urë ata hidhen e kridhen në Pellgun e Troftave. Por një ditë mbi Urën e Pallumbave vërshojnë plumbat, ura digjet, pëllumbat marrin ararrtinë dhe Emona e Lindi nuk mund të takohen më. Prëse? Gjithçka ndodh më pas do ta gjeni në “Edhe pëllumbat qajnë”, një libër që nuk do ta harroni.” Kështu ua prezanton lexuesve shkrimtari librin e tij, duke i grishur ata për lexim.

    Tema e romanit është interesante, lidhet ngushtë me jetën e popullit tonë, me traditën, me zhvilimet që e shoqërojnë atë nëpër kohë. Ka një gërshetim interesant të kohëve e të rrethanave, me veset e virytet që e kanë karakterzuar njeriun tonë nëpër kohë dhe me reflektimin e tyre në brezat e rinj. Ka zgjidhje të situatave e raporteve midis njerëzve sipas kanunit, por edhe sipas ligjeve dhe veprimit të institucioneve bashkëkohore.

    Personazhet janë edhe fëmijë, edhe të rritur, edhe pozitive, edhe negative,  edhe nga bota njerëzore, edhe nga bota e shpendëve. Kjo larushi e tyre e bën rrëfimin interesant dhe të përshtatshëm për moshën e lexuesve të cilës i dedikohet. Bëhet një gërshetim i sukesshëm i përrallës me realitetin, i përrallës të cilën e do dhe e pranon aq mirë fantazia e fëmijëve, por edhe i realitetit të cilin ata e jetojnë. Bashkëjetesa e personazheve fëmijë dhe pëllumba e bën rrëfimin tërheqës, por dhe e relakson temën e rëndë e cila e trajtohet. Fjala është për raportet midis fqinjve, të cilat rëndohen si pasojë e një veprimi të pamenduar të të rriturve, që prishin aq shumë jetën dhe harmoninë e fëmijëve të tyre. Gjyshe Pemja, duke u përpjekur ta shpëtojë nipin Lindin nga e keqja, e plagos padashtas Kaziun, një fqinj të lojtur, siç thuhet në roman. Kjo del arsye e mjaftueshme që shtëpia të mbyllet shkaku i mundësisë së hakmarrjes nga ana e tij. Kjo mbyllje del e kuptueshme për të vjetrit, por vështirë kuptohet, pranohet e përjetohet nga fëmijët, të rinjtë, sidomos nga Lindi dhe Emona, nxënës të klasës së gjashtë, të të njëjtës klasë, fqinj, të cilëve jeta e përbashkët, lojërat dhe mësimet ua kanë shtuar afërsinë dhe simpatinë për njëri-tjetrin.  Raportet midis familjeve të tyre, pas plagosjes së Kaziut, rëndojnë shumë shpirtin e këtyre vogëlushëve. Për shkak të mbylljes së detyrueshme si imponim kanunor, Lindit i pamundësohet jeta e lirë, dalja nga shtëpia dhe shkuarja në shkollë. Kjo e mundon shumë, por sikur më së rëndi e ka pamundësinë të shihet me shoqen e tij të zemrës, Emonën. Fat të ngjashëm ka edhe Amiri, i vëllai më i madh i Lindit, i cili ishte në dashuri me Kaltrinën (Tinën), motrën e Emonës. Rëndesa e frikës nga hakmarrja dhe e mbylljes shprehet më së miri nëpërmjet përjetimeve të më të vegjëlve, Lindit dhe Emonës. Atyre nuk u pushojnë ëndrrat për njëri-tjetrin, dëshirat për t’u parë dhe për të komunikuar. Si në përrallë, ata komunikimin e bëjnë nëpërmjet qenieve të cilat i duan dhe kujdesen shumë për to – pëllumbat. Kështu kemi një gërshetim interesant kohësh, kohës e cila shquhet nëpërmjet komunkimit me telefon mobil (realiteti, jeta moderne), dhe kohës kur ai komunikim bëhet nëpërmjet letrave që barten nga pëllumbat (jeta e përrallave). Forma e dytë e komunikimit e bën romanin edhe më tërheqës dhe më interesant për lexuesit fëmijë dhe të rinj, i jep karakter përralle. Në këtë mënyrë ngjarja reale gërshetohet me përrallën dhe përjetohet si e tillë sidomos nëpërmjet veprimeve që i kryejnë pëllumbat, në një anë, por edhe nëpërmjet bisedës midis pëllumbave të personazheve në çaste mërzie e vetmie.

    Romani me elemente realiste, por edhe të përrallës, ka një përfundim fatlum, që vjen pas shumë përjetimeve të personazheve, gëzimeve, hidhërimeve e bafasive që u ndodhin. Nga ai përfundim del në pah edhe mesazhi i vlefshëm për lexuesin i cili kënaqet me rrëfimin e bukur, por edhe mëson. Kaziu që paraqitte shkakun e mbylljes së panevojshme të familjeve dhe të vuajtjes së fëmijëvë privohet nga liria, ndërsa familjet e Emonës dhe Lindit afrohen prapë me njëra tjetrën. Janë mbresëlënëse fjalët e Balë Drangës, babait të Emonës, që ia thotë Lindit: “Eh, ne të rriturit, ndonjëherë, duke u kujdesur vetëm për fëmijët tanë harrojmë dhimbjen e fëmijëve të tjerë.”

    Romanin e shkruan poeti. Kjo vërehet nga gjuha që përdor, nga racionalizimi i shprehjeve, nga figurat me të cilat bëhen më të kapshme dhe paraqiten më bukur mendimet, sidomos përshkrimet, si “Qe mëngjes shtatori kur ai priu pëllumbat e ata morën qiellin e kthjelltë, pikë loti.”  (f. 88) Pastaj “Pëllumbat e Emonës qëndruan vetëm një grimë kohe mbi urë.” (f90), ose “Mund të mos e besoni e të thoni se rastësi të tilla janë të pamundura, por gjithçka që pa Lindi me sytë e mendjes, po ndodhte në oborrin e Emonës.” Etj.

    Dhe, pse qajnë pëllumbat? Krejt në fund lexuesi do të kuptojë se ata qajnë nga gëzimi për përfundimin fatlum të peripecive me të cilat u ballafaquan personazhet kryesore të romanit, Lindi dhe Mona dhe jo vetwm ata; qajnë meqë ato peripeci përfundojnë si një ëndërr e keqe; qajnë nga gëzimi se ata shpirtra mitarë i kthehen jetës së përbashkët, shoqërimit mes tyre. Hija e rëndë e mbylljes së familjeve nga frika e hakmarrjes nga Kaziu bie falë zgjidhjes së mirë që bëhet, zgjidhjes falë veprimit të institucioneve reale, triumfit të së drejtës, të së mirës.

    Fatmir Gjestila është autor edhe i romaneve të tjerë të suksesshëm për fëmijë, si “E fshehta e Kështjellës së Zezë”, “Briri i artë shndërrues”, “Zemërimi i ariut”, “Aventurat në pyllin me pisha”, “Lotët e Marit” etj. Vlerat që hasen në këto vepra, si edhe në ato të tjerat zhanresh të ndryshme, përfshirë edhe poezitë për të rritur, e bëjnë atë njërin nga shkrimtarët më të përkushtuar dhe më të suksesshëm në letërsinë tonë të sotme.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË