Nuk më hiqet nga mendja as titulli, as kërkesa: Libri në dekadën e re. Ministria e kulturës i ftoi të gjithë ata që mund të jepnin një dorë për kujdesin ndaj librit. Unë nuk mora dot pjesë në takim, por do t’i jap mendimet e mia sipas pikave të referencës së parullës dhe, po qe se ministria e lexon gazetën, le t’i shohë ato me vëmendjen e duhur.
Politikat e Ministrisë së Kulturës për librin në këtë dekadë të re sfidash…
Nuk i dëgjova dot politikat që ka deklaruar Ministria e Kulturës, por do t’më pëlqente që për këtë dekadë të re sfidash të stërpikej pa harruar asgjë punën dhe dimensionet e saj me librin. Të jepte edhe pamundësinë për librin, sepse qendrat e vogla bashkiake duan bibliotekat, se libri kërkon një shpërndarje të përqendruar dhe kapilare, me një rrjet që mund të përfshinte edhe PPP. Problemet e librit elektronik dhe hapësirat e tij, apo edhe çfarë mundësish krijon ministria e kulturës duke e vënë dorën në plagë. Dhe plaga e librit është goxha e madhe. Madje, nuk do ishte keq që të krijonte institucionet e duhura për bibliotekat bashkiake (61 të tilla) në të gjithë vendin. Libri vuan edhe nga një ngërç i çuditshëm, mungesa e fondeve të duhura dhe prania e një liste që qarkullon nën dorë si pasaportë hyrje-daljeje e librit, i cili pranohet ose dëbohet… Këto lista fantazmë që u diktohet bibliotekave është politike, e dobët dhe jashtëzakonisht e dëmshme, sepse s’ka asnjë vlerë, është shumë e vjetër dhe jashtë të gjitha përmbajtjeve që kërkon koha e sotme…
Synimi i një politike gjithëpërfshirëse në interes të librit dhe autorit shqiptar
Është një mënyrë e ngurtë të shprehuri që në mënyrë jo të drejtpërdrejtë dëmton librin dhe autorin shqiptar. Sepse ne mjaftohemi me parullën dhe kjo si dukje quhet punë e kryer. E ku ka synim politik më të madh e më gjithëpërfshirës në interes të librit dhe të autorit shqiptar, sesa t’i kushtosh atyre vëmendjen aq të lakmuar të shtetit ndaj këtyre dy pikave të nxehta të shoqërisë së sotme shqiptare. Kjo është dëshirë të zjarrtë e librit dhe e autorit shqiptar, sepse mungesa totale e vëmendjes ndaj tyre është një arratisje e madhe nga e vërteta. Në tërësi tabloja është e zymtë, sepse bibliotekat në këtë vend të vogël e të mjerë janë joekzistente, ndërsa fol po deshe kundër tyre, trego të vërtetat dhe je i akuzuar se jo vetëm prish imazhin dhe bojërat por edhe për shpifje! Këtë gjendje të dhënë me konçension kanë edhe njëmbëdhjetë bibliotekat e lagjeve të Tiranës që janë rikrijuar me një grusht librash të dhuruara. Interesi ndaj tyre do të shkaktonte një sensacion të bujshëm, një ndjenjë të dëshirueshme. Mos harroni se gjashtëdhjetenjë bibliotekat e bashkive, njëmbëdhjetë bibliotekat e lagjeve të Tiranës dhe tridhjetë bibliotekat e mëdha universitare dhe të instituteve qendrore do të krijonin një hapësirë të vërtetë për librin e investuar nga shteti për gjithë komunitetin. Kjo është edhe sfida më e madhe. Sepse librat e tyre të paktën do të jenë deri në pesë kopje. Por shteti ynë këtë nuk e bën. Prandaj dhe gjuhën shqipe po e çon drejt vdekjes vetë shteti shqiptar. Sepse pa biblioteka shtetërore dhe pa autorë shqiptarë në shtetin me emrin Shqipëri s’mund të ketë gjuhë shqipe…
Edhe një shtesë të vogël për autorët e rinj, që shfaqen tejet shprehës dhe me një seriozitet jo të shtirë, që i bën edhe më të afërt me letërsinë e vërtetë. Kjo domethënie i ka dhënë vetëdijes së tyre guxim, novatorizëm, po dhe një frikë nga realiteti i vështirë ekonomik, që ua shndërron me kohë në ndëkryerje dhe shpirt revolte. Nganjëherë puna e tyre krijuese tjetërsohet në ndrojtje ose në një simpati të fshehur. Tek e fundit për ta askush nuk investon, as edhe shteti i tyre…
Roli i botuesve, librarive dhe bibliotekat
Mendimi im në lidhje me këto tri shtylla të librit është i njohur, pa shtrirje gjeografike dhe pa ndonjë gjë interesante. Në hapësirën e njohjes botuesit janë të gjithë të dashur nga pushteti, kurse në shpërndarjen e kontributeve janë ca të nënës e ca të njerkës. Më të përkëdhelurit e botuesve kanë një sukses të bujshëm dhe madje turbullues. Tek botuesit shqiptarë luftohet nga të katër anët. Paralajmërimet e tregut, pastaj, u vijnë përditë nga tregu dhe bëhen përherë e më tepër gati të papërballueshme. Tek botuesit aspak të përkëdhelur nga shteti s’ka ekstravagancë, s’ka as qetësi, por ka punë të jashtëzakonshme dhe mbijetesë. Nuk flitet më për fitime, po vetëm për humbje. Dhe libri aq magjepsës, tejet elegant, kthehet në mall të çfarëdoshëm tregu… Botuesi është gjithnjë e më shumë në skajet e sfidës së mbijetesës ekonomike.
Libraritë janë ishujt e Robinsonit, kështu mund t’i quaj për shkak të vetmisë së tyre, skutave ku janë futur ku sigurisht bëjnë sikur tregtojnë libra dhe farefisin e librit. Ato, mjeranet, duket sikur presin t’i përkëdhelin ca shirat e fatit. Libraritë le që janë të tejdukshme po për më keq edhe gjysmë lakuriq e gjithnjë duke u qarë. Libraritë u hakërrehen me tërbim vetëm autorëve shqiptarë, të cilët nuk i shohin dot me sy dhe s’i ndjekin dot, sepse pikërisht ata me trastat nëpër duar i bëjnë të duken si bisha. E tërë kjo gjendje dhe marrëdhënie ndodh nga halli i një indiference dhe talljeje të përçudshme të shtetit dhe të shoqërisë shqiptare. Dhjetëra libraritë shqiptare janë në gjendje të pakuptimtë, as nuk dinë ç’kërkojnë, ato hapen e mbyllen, urrejnë, dashurojnë, mallkojnë, ndërsa punojnë shumë, bëjnë marrëzira pa fund nga mërzia. Pra ato fare pak librari që ka Shqipëria (për turp!), nuk mund të quhen librari, nuk janë afruar fare tek institucioni i librarisë, nuk janë gjithëpërfshirëse dhe tejet të rrëmujshme, pa njohje dhe me fare pak reklamë… Shteti ynë (ministria e kulturës, natyrisht!) as është kthyer ndaj tyre dhe herë-herë kërcëllin dhëmbët ndaj tyre.
Bibliotekat. Për to folëm pak më lart. Ato, të zezat biblioteka, janë portreti i vërtetë i shtetit shqiptar, me një trishtim mistik, vuajtjeje të fshehtë, pa pikën e ndjeshmërisë që zakonisht bart libri. Përse vuajnë? Po ja, për fare pak investime, fonde, «hakmarrje», «ndëshkim», liri, «luks», njerëz. Se edhe njerëzit u çmësuan, ose u pëlqen të ecin kundër rrymës… Harrojmë që s’ka as njerëz të rinj më, i ka përpirë mërgimi. E kur s’ka njerëz (s’ka biblioteka, domethënë!) shteti ynë delirant, pse të investojë? Përfundimi: gjuha shqipe po vdes…
Çfarë duhet përmirësuar dhe si duhet të sillemi përballë një lexuesi të ri?
Ja kështu pyet ministria jonë e kulturës. E ç’të themi tani? Më lart i vumë «vulën» atyre me gjendjen që kanë. Lexuesi i ri, ministria duhet ta dijë, patjetër, janë kryeneçë, disi të egër, nervozë, me vështrim të ndezur, për çudi edhe me gojën hapur dhe gjoksin përpara, portrete të jashtëzakonshëm. Ata, lexuesit e rinj, nuk shtyjnë vagonë me mineral, as hapin ara në mal, as shkulin pyje dhe ndërtojnë hekurudha, as gropa për të mbjellë pemë…, ata me siguri pinë drogë, merren me seksin dhe as që i hapin librat, madje nuk u mjafton as qielli e as toka, nuk u tepron as kokëfortësia, nuk duan t’ia dinë për vetminë, sëmundjet, sido që ndihen të zhgënjyer e plot mërzi, por megjithatë të panënshtruar, të papërfillur, të mallkuar e të përmallur…
Kohë të reja, qasja me komunikime të reja
Vërtet që jetojmë kohë të reja, kohë që kërkon qasje për dhe me komunikime të reja. Këtu, miqtë e mi, nuk do folur fare. Pa qenë e para (libraria, biblioteka, reklama e tmerrshme për librin (domethënë edhe reklama me hak, e munguar!), herë-herë librat, paratë e taksapaguesve shqiptarë aq të domosdoshme për librat, atëherë nuk ka vend të hapim gojën për kohët e reja dhe qasjet me komunikime të reja. E tepërt! S’ka nevojë për diskutime imagjinare…
Hapja drejt botës dhe kulturave të tjera
Tani i erdhi fundi diskutimit tonë për librin dhe institucionet e tij. Dhe të diskutojmë për hapjen ndaj botës dhe për kulturat e tjera. E kam thënë edhe më parë. Shkrimtari i ri shqiptar duhet të shkruajë vetëm në anglisht dhe t’i drejtohet gjithë botës me veten e tij. Këtu duke u gërricur me gjuhën shqipe, me entet botuese, me libraritë dhe bibliotekat, herë-herë duke u kapur fytafyt me to apo edhe duke përkëdhelur, dëshmojnë se ata duhet t’i drejtohen botës, hapjes së madhe ndaj botës duke iu drejtuar lexuesve në anglisht. Atëherë shteti tjetër shqiptar, duhet vetiu të lëvizë fort për ta mbrojtur gjuhë e vjetër shqipe, madje edhe ta shpallë monument kulture, «mbrojtur nga shteti», sepse thjesht s’do të ketë më lexues…
Tiranë, më 14 janar 2020