More
    KreuIntervistaXhevair Lleshi: Libri që do të doja të kisha shkruar? “Kujtimet e...

    Xhevair Lleshi: Libri që do të doja të kisha shkruar? “Kujtimet e një gjahtari” i Turgenievit!

    Pyetësori “Librat e jetës sime”

    1. LIBRI QË NDËRKOHË PO LEXOJ

    Është një vepër e madhe kjo që jam duke e lexuar, një libër në shqip krye-punë, vepër me famë botërore e Ernesto Sabatos, shkrimtarit argjentinas, që ka dhe prejardhje arbëreshe, romanin madhor  «Mbi heronjtë dhe varret», e përkthyer me aq dashuri nga Bajram Karabolli, gjithë zjarr dhe rropama fjalësh, me shkulm dhe nxehtësi gjaku, me neologjizma e qartësi shprehjesh, duke ruajtur ritmin dhe hijeshinë tërheqëse në 600 faqet e tij… Të duket një libër brenda rregullave dhe estetikës, por në mënyrë të pandjeshme tek ti vjen aestetika, një imoralitet i ndezur në fjalë e perceptim të jashtëkonshëm të botës, një moral i paqenë që trondit njeriun. Domethënë tek ti, vjen një dashuri e madhe pa u marrë fort me rregullat dhe frymëzimi shpirtëror është gjithnjë aty.

    Dua të jem i hapur dhe tejet realist, pse jo edhe natyralist gjer në skaj. Jam rritur me motrën më të madhe dhe vëllanë më të vogël bashkë me tri mësuese në shtëpi, të tria motra dhe nga Elbasani, normaliste, me mbiemrin Hajra: Lumi, Lavi dhe Mina. Shtëpia jonë dykatëshe, e punuar me sqimë nga gorarët, veç që u nda vertikalisht më dysh mori edhe një pamje tjetër, u mbush me libra gjithfarësh, me tablo të mëdha në faqet e mureve andej dhe këtej, në të dy shtëpitë. Dhe çdo gjë e kishim të përbashkët, sepse edhe dyert i kishim të përbashkëta. Vinin më shumë miq, kishte pritje e përcjellje. Oh, çfarë drite, çfarë shkëlqimi u fitua! U tjetërsuam. Gjithçka mori kuptim tjetër. Por mbi të gjitha erdhën shumë libra për fëmijë e të rritur. Dhe aq duhej. Kishte hyrë krimbi ende pa mësuar shkrim e këndim. Por ishim në kopsht dhe aty mësohej. Nuk të linte thatë Drita Gjani, një mësuese si ajo! Edhe pse më vonë asgjë prej atyre gjërave nuk do të hynte në preferencat e mia delikate.

    Mësueset e mia (sepse ato qenë më vonë edhe mësueset e mia, në pesëmbëdhjetë vitet e tyre të qëndrimit në atë shtëpi të përbashkët), më hapën derën e librave edhe me frymë, me ato buzëqeshjet miqësore të veçanta, duke dëgjuar radion tonë të madhe «Tesla» apo «Orionin» e tyre konkurrues. Ato u bënë modeli ynë, sepse lexonin aq shumë libra, thuajse gjithë kohën e lirë. U bë shtëpia jonë e madhe, aq e bukur sa nuk arrij dot ta tregoj. Vatër kulture! Mbrëmje vallëzimi në kopsht, tavolina, pije, këngë, hare po edhe shumë libra: Mopasan, Tolstoj, Çehov, Dymas, France, Turgenjev, Flober… Ato libra, të gjitha na mbetën ne dhe unë pata fatin të rritem me to.

    Tani përjetoj veç kënaqësisë që më jep edhe nostalgjia, edhe atë se çfarë eksperimentesh përjeton letërsia në dorën tonë, duke u futur të gjithë në një laborator gjigant, siç ndodh realisht me botën që na rrethon. Prandaj kur shkel sërish në ato shtëpi eci në kopsht duke gjerbur nga pak raki dhe gati sa nuk fluturoj nëpër dhomat e mobiluara thjesht por këndshëm e me shije të hollë. Më jep përshtypjen se asgjë s’ka për të vdekur kurrë dhe do të mbetet ashtu e përzemërt.

    2.LIBRI QË MË KA NDRYSHUAR JETËN

    Sigurisht më bëhet gjithnjë e më shumë bindëse dhe me qartësi sublime se librat e pranishëm që erdhën aq papritur dhe në moshë parashkollore i dhanë tjetër rrjedhë dhe kuptim jetës sonë. Sigurisht shtëpia mbeti aty, në fshat, por gjithçka kishte tjetër atmosferë. Edhe rruga gjer në xhade u bë ndryshe, anëve u mbollën trëndafila, aq donte ime më, sepse trëndafilat dhe në përgjithësi lulet qenë specialiteti i saj. Mbrëmjeve të dimrit, kur mblidheshim në odë, ku brambullinte zjarri dhe duhej të kalonim kohë në hidh e pritje fjalësh, m’u dha në dorë libri i Turgenjevit  «Kujtimet e një gjahtari», ardhur mjeshtërisht në një shqipe të përkryer e me mjeshtëri të rrallë, duke e lexuar me zë fëmije, aq me ndikim tek unë saqë i përjetoj ato mbrëmje edhe sot e kësaj dite me shumë ëndje. Shpesh më dukej se s’do të kisha edhe aq kohë. Nxitoja se mos do t’më ndërpritej diçka e madhe në mes. Po ndryshonte çdo gjë para syve të mi në mënyrë marramendëse: muzika, librat, sjelljet, pritje-përcjelljet, veshjet, madje edhe një lloj elegance, kravata, mobilje, gatimet, prerje rrobash, hekuri hekurosës (na dukej sikur hekuroseshim edhe ne!), krehjet, të brendshmet, makina qepëse dhe lulet që filluan të rriten ndryshe, edhe për fat të keq tanimë edhe të disiplinuara…  Dhe hyri Migjeni me një madhështi të allasojtë, idhulli im i madh, dhe më vonë, patjetër më vonë, hyri Kadareja, «një antirevolucion brenda revolucionit, një rrezik i pranuar» siç thotë një miku im me të drejtë, duke kulmuar me «Përbindëshin» që na bënte të flisnim me vete, sepse sikur ma ndiente tejnënvetëdija në thellësi se ai personalitet ua shtonte hidhërimin dhe helmin atyre, ziliqarëve të çuditshëm që me siguri do të vetëhelmoheshin. Kadarenë dhe Migjenin e madh, sa herë që i lexon, të duket se nuk i ke lexuar ndonjëherë, sikur s’ke qenë ti që i ke lexuar… Pastaj më vjen të rishoh e rilexoj dy esetë e jashtëzakonshme të Kadaresë, për Eskilin dhe Migjenin… Me ta sikur kolovitesh  me një drejtpeshim disi të cenuar. Sa mirë do të qe ta lexoja atje në odën e vjetër me zjarr e me mure guri, në katin e dytë të shtëpive të fëmijërisë!

    Pastaj vjen letërsia e madhe, gjigante: Tolstoj, Balzaku, Gollsuorthi, Dostojevski që për tridhjetë vjetët e fundit nuk më është ndarë por më ndjek këmba-këmbës, kudo që të jem, po edhe Çehovi, i cili vetëm tani vonë e mori pamjen e tij të plotë me 22 vepra. I ëndërroja që të dy t’i zotëroja ashtu, të plotë, bashkë me Niçen, Zolanë e të tjerë, e të tjerë, për t’jua dhënë të tjerëve sipas shijes sime. Derisa vijmë tek letërsia e madhe latinoamerikane…

    3. LIBRI QË DO TË DOJA TË KISHA SHKRUAR

    Aa, këtu ndryshon puna! Gjithnjë kisha mbetur te «Kujtimet e një gjahtari», te Turgenjevi dhe gjuha e mrekullueshme e dy pogradecarëve të mëdhenj, Lasgush Poradeci dhe Mitrush Kuteli. Një madhështi! A do të mundja ta zotëroja gjuhën e tyre? Dhe vijnë provat e para në shkollë, në gazetat e murit, të cilat për vete dhe të tjerët, shokët dhe shoqet e mia, i shkruaja me dorën time, për shkak të kaligrafisë që dëshiroja ta kisha si të Myfid Bej Libohovës. Pra, dëshiroja që të isha në një hije a lirishtë me gjahtarët, por fati i mbrapshtë më vuri nën këmbë. Për çudi asaj dite që ia mbërrita më në fund, një nga gjahtarët që shoqëroja mori çiften dhe e përdori si kërrabë për të kapur fiqtë nga dega, por këmbëza e shkrehjes kishte hyrë në degë dhe gjahtari i mjerë, një div bukurosh, i hijshëm dhe që tregonte barsoletat më bukura, u bë shoshë nga saçmat e derrit… M’u tret gjithçka dhe edhe sot e kësaj dite «Kujtimet e një gjahtari» kanë mbetur aty, në tavolinën time. Nuk di nëse do ta kem shkruar dot ndonjëherë! Më dhemb, por një pjesë i kam realizuar te romani «Tërbimi» shkruar  e botuar së fundmi… E di se shkrimi i atij libri më do që të jem sërish e sërish në odën time të fëmijërisë. Aty do të jetë entuziazmi i ndërtimit të një shoqërie të ëndërrt, e cila gjithnjë më jep një «po» të papritur e që kërkon prej meje mjetet e një filigranisti për ta shkruar ku do të jenë zejet e pafundme që zotëronte im atë dhe magjepsja e sime mëje bashkë me aromat dhe karafilat e saj të mahnitshëm, që edhe sot e kësaj dite i fsheh pandehmat e mia ambicioze, por që në çdo rast m’i ruan në shpirt.

    I them një miku se tundimet janë të mëdha, se nuk të lënë kurrë të qetë ato me të cilat je rritur, kryeveprat e shkrimtarëve të mëdhenj. Duket si një gjë krejt iluzore, duke qenë se bëhen të tuat, përderisa zotëron librin dhe ti ke fatin ta lexosh e ta lexosh, duke iu kthyer e rikthyer. Bëhen një marrëzi e bukur, me një qëndrim konstant që edhe ti je në atë rrugë, pasi mbetesh thjesht një adhurues i madh. Këtë ndjesi ta jep përkryerja e Çehovit, Mopasanit, Markesit, Kamysë, Heminguejt, Hamsunit. E kujt shkrimtari nuk i pëlqen kjo? Ndërsa ata të mëdhenjtë rrinë aty para teje rëndë-rëndë dhe buzëqeshin me një lloj dhelpërie pa e ndarë finesën, ironinë e hollë dhe një vezullim të beftë e të bukur. Më ngacmon fort të kisha një lloj Obllomovi, apo të vija përballë Virtutin me Vesin siç bën Shçedrini në Përrallat e tij, e të tjerë, e të tjerë. Dhe ngrihet gjithnjë e më shumë si një Bung i jashtëzakonshëm në malin e Vetëtimave në Akrokeraunet përballë Jonit, një shpatullan që jetonte i vetëm si Robinson dhe atje fitonte tokë mbi det duke shembur shkëmbinjtë me një kazmë, barominë dhe lopatë… Kopshtet e tij të perëndishëm dhe jeta në dukje absurde por me një domethënie madhështore për të gjithë ata që duan vërtet të jenë njerëz… Ky është dhe libri i jetës që dua ta shkruaj, me të cilin përpjek kokën si mbas një shkëmbi… Ah, kjo sëmundje e tjerrjes së pafundme!…

    4. LIBRI QË PATI NDIKIMIN MË TË MADH NË SHKRIMET E MIA

    Është si gjë të çuditshme dhe e rrallë që gjithnjë të befason: vargjet e Uollt Uitman, Jeronim De Rada, Mjeda dhe Fatos Arapi. Skënder Luarasi, ai që ka shqipëruar «Fije bari» të Uitmanit… Dhe e gjithë apoteoza e tij u përmblodh në një thelb jete: «Njerëz! Kundërshtoni shumë dhe binduni pak, se bindja e verbër ju çon në skllavëri të plotë!…» Pastaj ne qëmtonim me kujdes Kadarenë, mënyra sesi vinte vargu dhe shprehja në shqisat e tij dhe sesi shndërrohej në laboratorin e tij të habitshëm. Ndërkohë nuk të linte të qetë Esenini dhe lirikat e Pushkinit, poetët e mëdhenj të Perëndimit në Francë, Itali, Spanjë, Angli dhe Gjermani, shqipëruar nga ata që fjalës shqipe i jepnin hijeshi. Dhe kështu do të donim më tepër Migjenin dhe De Radën, do të gdhendnim metafora që nisnin dhe mbyllnin fletoret tona të përjetshme. Kështu u përballa me letërsinë e madhe, me Tolstojin, Dostojevskin, Ana Karenina, Idioti. Magji e vërtetë! Dhe kështu u bëra ithtar i zjarrtë i tyre, sidomos i këtyre dy librave të jashtëzakonshëm. Si të them, ata u bënë dhiata ime! E megjithatë arti do të futej shpejt në krizë nëpërmjet superprodhimit  të jashtëzakonshëm dhe kryeveprave. Në këtë kohë zbulova Zolanë, natyralistin e madh, Knut Hamsunin e mrekullueshëm magjinë e Irenë Nemirovskit dhe domethënien gjërave që na rrethojnë nga Emmanuel Bove me romanet e tyre të shkurtër. Lexon me një tik nervor Parandjenjën e tij ose Mizat e vjeshtës të Nemirovskit dhe bie pa frymë tek Uria e Knut Hamsunit duke t’u bërë libra xhepi. Një kënaqësi e fshehur, po e dhimbshme dhe e parealizueshme, një aht estetik, që më shoqëron sa herë i shfletoj aty mbi tryezë pranë «Kujtimet e një gjahtari» të Turgenjevit. Dhe para meje shpalosen leximet e shkollës e më pas përhumbjet në to duke qenë përballë të papriturash befasuese që të japin shpirt të madh.E midis këtyre rreshtave është një personalitet që e shoh gjithnjë mes librave, ai që ma bëri Beratin krejt timin: Todi Sotira!

    5. LIBRI QË MË NDRYSHOI MENDJEN

    S’ka asnjë, besoj, që të thotë se një libër i vetëm të ndryshon mendjen! Po librat, të gjithë librat ta ndryshojnë mendimin. Poetesha Shqiponja Axhemi më shkruan nga Londra, tani në prag të botimit të librit të saj se «kur kam hipur në kamion, Niçen  dhe Camajn kisha në çantë… Më thanë t’i hidhja… Nuk e bëra dot… Hodha rrobat… Kam shkelur në Angli me këto libra në çantë dhe asnjë rrobë…» Zot! Karakter! E bukur! E meriton respektin! Poeteshë me vargun ndryshe dhe e gjitha vetë Ajo!…

    Sigurisht në këtë udhëtim të gjatë, ndonëse në një kohë tmerrësisht të shkurtër ti kalon në kthesa dhe aty, tek ato, kthesat, gjendesh përballë ndryshimeve të rralla të mendimit tënd. Ju s’mund ta merrni me mend po ta njihnit Sami Vërçën nga Vërça e Krekëzës së Beratit. Po ja që ma pruri Zoti ta njoh unë, kur punoja në atë zonë. I vetëm, me një Bibliotekë të mahnitshme, në mes të pyllit, i pa shkollë (sepse kishte mësuar shkrim e këndim kur qe ushtar dhe atje bleu veprat e jashtëzakonshme të klasikëve dhe ai thoshte: Ana Karenina më ndryshoi e para, më dha dashurinë, Budenbrokët më falën vullnetin, Lufta dhe Paqja më dhanë guximin e madh,  Madamë Bovari më bëri tjetër njeri, E kuqja dhe e zeza më bënë mjaft racional e me dhimbje zemre, Tre shokët pasi më hutuan me dhanë aq liri sa doja… Pesë mijë libra në një dollap druri dëllinje anash mureve të odës. Të rrallë ishin ata që patën magjinë të thithnin aromën e atyre librave që natyrisht ta ndryshojnë mendjen.

    Pastaj  Shekspiri dhe gjenialiteti i tij! Ndoshta gjenialiteti i tij na fsheh shumë gjëra që as ai vetë s’i ka ditur kurrë, më thotë poeti me katërmbëdhjetë vëllime botuar së fundmi. Ejani ta shikoni si ta ndreq shprehjen dhe ta kultivon mendjen, lexoni Garcia Markesin  dhe të bëhet çdo qelizë e trupit dhe e mendimit tënd – e gjallë në gjithçka, ku edhe një fije bari mban e ruan të vërtetat e mëdha, ku edhe sendet marrin frymë e kanë gjak;  Stendalin dhe Manastirin e Parmës ku kuajt nxirrnin avull dhe gjaku fluturonte tutje-tëhu, ku dashuria e plagosur rënkonte e rënkonte pa fund dhe me një elegancë që rrallë e gjen. Vringëllin edhe mendimi yt, bëhet teh i mprehtë. Ai e ndjen çudinë e fshehur në unin tënd të paarritshëm dhe shton se mendimi njerëzor nuk vdes kurrë dhe këtë e gjen tek Niçe dhe vepra e tij… Është e pamundur, më thoshte një nga miqtë e mi në Vjenë, në një mbrëmje buzë Danubit, Shekspiri dhe Niçe me urdhër të Zotit u kanë ndryshuar mendjen njerëzve. Vetëm ata që i njohin e dinë dhe e kuptojnë këtë…

    6. LIBRI I FUNDIT QË MË KA BËRË TË QAJ

    Atëherë kur përjetoja thellë vdekjen aksidentale të tim biri (përjetim që ka për të vazhduar gjithë jetën) më ra në dorë Pedro Paramo, romani i shkrimtarit meksikan Huan Rulfo, emri i vërtetë Huan Nepomuseno Péres Viskaino, e kam ndjerë në shpirt dhembjen dhe të qarën, më bëheshin se lotët kokërrmëdhenj më rridhnin përbrenda. Po edhe kur iu riktheva për së dyti pas njohjes nga afër me përkthyesin Bajram Karabolli, ndjeva të njëjtën gjë, qava sërish si në një dhimbje të skajshme si i mbytur nga një dashuri e pafundme… Por më keq se e qara është kur loti të ngrin në shpirt. Ndihesh akull, si tek përshkrimet e jashtëzakonshme të Dostojevskit tek «Shënime nga shtëpia e të vdekurve».

    7. LIBRI I FUNDIT QË MË KA BËRË TË QESH

    Që të dyja janë rilexime. Ushtari i mirë Shvejk  dhe Obllomovi. Dhe në të dyja rastet kam qenë vetëm. Nuk ka shoqëri më të mirë e më të bukur se sa e qeshura, sidomos ajo meditative. Mos ju duket e çuditshme? Po ndërsa tek romani i Jarosllav Hashek qeshja me zë, tek Obllomovi më rridhte e qeshura në shpirt. Pas tyre fiton shumë, pasi mund të gëzosh një humor pa fund që vazhdon për një kohë shumë të gjatë.  Por të qeshurën e pavdekshme ta shkakton vetëm një: «Gargantua dhe Pantagryel» i Rablesë. Pastaj erdhën fare afër tek unë batutat e barsoletave dhe anekdotave të vjetra e të reja dhe gjithnjë sikur shihja profesorin që kishte marrë fëmijët në një prej ditëve në vitin e fundit të sundimit komunist (reminishencat dhe protuberancat e tij i kemi edhe sot!) dhe po u tregonte delet në një pllajë… Kjo e qeshur nga halli ose nga e keqja lë edhe gjurmët më të thella në shpirt. Kjo e qeshur sarkastike nuk vdes kurrë, edhe kur ke, fjala vjen, kryeministrin tënd – njeriun më me sarkazëm që njoh, dhe unë nuk ngopem së qeshuri me të. Çfarë personazhi!

    8. LIBRI QË MË VJEN TURP QË S’E KAM LEXUAR ENDE

    Në një natë me shi, në fëmijërinë time, vjen në shtëpinë tonë si mik i katit të parë, Jorgo Bllaci, i lagur gjer në palcë, me një çantë të mbushur deng hedhur mbi shpinë. Përshëndetjet e para. U ngritën në këmbë të gjithë. Ç’qe mik i katit të parë ishte edhe i të dytit. Shtëpia jonë, me një portë të madhe e me gur të gdhendur, gati më çmendte nga gëzimi që më bënte të vëreja dhe të mbaja mend të gjithë kalimtarët. (Çanta e Jorgos deng me libra do të rikujtohej, vonë-vonë, kur do të ritakohesha në Galerinë e artit «Eduard Lir» në Berat, ditën që hapëm ekspozitën tonë të parë të librit…) Tri motrat i hapën mbi tavolinë librat. I kishte blerë Jorgoja në Tiranë te Libri Sovjetik. Ato libra do të zinin ditëve më pas një kënd të veçantë të bibliotekës sime. Ndër ta edhe dy tituj: Turgenjev : Sinilia dhe Esenin – 5 libra me lidhje të fortë, të bukur. Doja ta ndieja Eseninin në rusisht por ashtu mbeti, ashtu është edhe sot e kësaj dite. Vonë botova Eseninin e përkthyer nga Jorgo Bllaci, por ende s’e kam lexuar në rusisht. Dhe më vjen keq. Dhe më vjen turp… 

    9. LIBRAT QË KAM DHURUAR

    Jam i vetëdijshëm se ç’do të thotë të kesh një fije rëndësie edhe në fund të jetës. Ndoshta këtë ta japin edhe librat, por ta jep edhe ajo që dhuron. Gjëja që më duket «interesante» e që dua të them është se kush mundi mori libra tek ne derisa unë u rrita dhe sistemova librat e parë në raftet e bibliotekës sime. Dhe ndjenja për të dhuruar libra më erdhi kur dola në pension, me organizatën time «Traditë-Art-Libra». Jo libra të mbetur, por libra që duhet të lexonin fëmijët. Dhe krijova njëzetepesë biblioteka në Berat, Elbasan, Tiranë, Durrës, Korçë, Bilisht, Pogradec, Fier, Shijak etj. Ndoshta është një shpërblim shpirtëror, ku i dihet! Sepse gjithmonë më shqetëson më tepër heshtja, me njëfarë brenge…

    Kjo ndjesi e të dhuruarit të librave vijon edhe sot e kësaj dite. Siç duket marrin hak librat me nënshkrimin Jorgo Bllaci kur ishte mësues në Lumas dhe vinte mik i Tri Motrave

    10.  LIBRI ME TË CILIN DUA TË MBAHEM MEND

    Mendoj se në letërsi ka vetëm një kusht për t’u përcaktuar. Talenti. Ç’mbetet është rekuizitë, thoshte një miku im. Kjo më sjell ndërmend kohën kur Grigor Melehovi dhe Aksinja (Doni i Qetë i Shollohovit)erdhën tek ne dhe shtatë vajza të një viti lindjeje morën emrat e Aksinjës, njëra prej tyre u bë drejtoreshë shkolle dhe në bibliotekën e saj bleu tek ‘Uegen’ njëzet libra në dy vëllime «Doni i Qetë». Mora vesh se atë, drejtoreshën, e kish ndjekur edhe fati i Aksinjës. Dhe m’u qesh. Me këto gjëra, jo fort të rëndësishme, nganjëherë luhet gjer në fund, i pa kuptuar dhe i përjashtuar, duke u ngjarë ngapak etërve të përjetshëm të fjalës. Herë si rebelë të pandreqshëm, herë si gërnjarë të prapë, gjithnjë me intuitën e hollë që si shumë gjëra ta dhurojnë librat, që bartin sharm zbutës, dëshira, furinë «diabolike» të talentit (edhe për të bërë sfidë!), sepse rrethoheshim nga të gjitha anët nga «gjenitë pa brekë», ca hije përplot elegancë të përkorë, me një hir krejt të rastësishëm, duke sjellë e tërhequr ngacmime nervor e padurim të skajshëm…

    S’më ka bërë asnjëherë përshtypje që nuk veçoja dot asnjë prej librave të mi. Nxora mënjanë «Onufri – legjenda e ikonave», romani që më ka ngacmuar shumë. Por edhe ai do të hakmerrej me mënyrën e tij tërë spikamë, i përmbytur me kompleksin e madhështisë. Pastaj u hodha degë më degë. Katër romanet e fundit? Pse jo. «Tala» – një dashuri e pavdekshme, «Telelkat» e fjalës së thukët dhe e një shqise më tepër, «Tërbimi» – përmbytja e vobektë e nevojave dhe e dëshirave dhe më në fund «Brenga» – meditimi i hollë dhe plot sharm… Kjo frymë e vërtetësisë pa cak…

    11. LEXIMET QË MË BËJNË TË NDIHEM MIRË

    Ndodhte që leximet s’dëgjonin të vinin. Atëherë do të grindesha me të gjithë, nuk i bindesha edhe idhullit tim, atit tim që jo se mbahej por se ishte si askush tjetër, që gjithçka rrotull i dukej një gjë e kotë, pa vlerë, ai që nuk përfillte kurrgjë, që jepte urdhra duke zbukuruar drurin, gurin, hekurin… duke nxjerrë nga duart e tij vepra arti – siç i mendoja atyre viteve, që do të shfaqej kur t’i thoshte ndjesia e tij e pagabueshme, të cilit i jepte të drejtë kushdo, sigurisht duke ndjerë keqardhje për të dhe për vete. Mbaj mend një mëngjes që po lexoja «Përralla» të Andersenit, sapo u zgjova. Në të vërtetë unë e dija që atë mëngjes, na donte ta ndihmonim për të qenë në pjesën e poshtme të skelës së sharrës. Kini parë ndonjëherë skelë sharre? Atë kohë sharrat i punonin me krahë. Im atë, pasi e kish gdhendur drurin e manit rruazë me sqeparin e madh si kazëm e me bisht po aq të gjatë, i vijëzonte me spangon e lyer me bojën e prodhuar nga shpëndrat, e aty do të dilnin spicat dhe petavrat e holla që, pasi të përthyheshin në zjarre dhe në kazanë me ujët llukë, (për t’u dhënë formën e duhur!) i bënte gati për bute… Por më parë duheshin sharruar në vijën e drejtë. Im atë na zgjoi dhe unë si lava sytë fillova të lexoja Andersenin, duke shikur fshehur mos hynte babai. Dhe ai hyri me vrull, si ai! Më pa në sy. Po lexon?, më pyeti. Po. Mirë bën, shtoi duke qeshur me një ironi therëse. Lexo! Por mos harro, se leximi është punë e vështirë dhe e bukur, por sot e kishim lënë që t’më jepnit një dorë… U ngrita, ndërsa vëllai im rrinte kot te çezma duke larë sytë… Skela dhe sharra. Sharra sa një bojë njeriu. Babai lart, ne të dy poshtë. Ju vetëm mbani drejtimin, thoshte. E ç’drejtim zeza mbanim ne?… Mendimi i tij i fshehur ishte që të mësoheshim me punë por pa i lënë leximet. E donte shkollën dhe leximin. Kjo metodë tek unë pati vlerë. Nuk m’u ndanë të dyja, kisha qejf që edhe t’i bëhesha peshë babait në sharrë (më pas nuk na thirri më, sepse gjeti një masë të rëndë guri të skalitur të lidhur fort te pjesa poshtë dhe pesha e tërhiqte sharrën poshtë pa shmangie… Eh, im atë! Ishte një nopran i mrekullueshëm! Donte t’më shihte të shumtën e kohës duke lexuar. Të bëja sipas tij më të vështirën, por duke i pasur edhe duart me kallo të forta gur…

    12.  LIBRI QË MENDOJ SE ËSHTË… MË I NËNVLERËSUARI?

    Edhe libri, edhe shkrimtari. Të dy. Këtu s’ka biblioteka dhe mjafton ajo e një njeriu, këtu askush nuk vlen përveçse një njeri, këtu të lënë të vdesësh për bukën e gojës, këtu asgjë s’të ngroh, këtu të bëjnë qejfin kot së koti, të plakin me zor, këtu ndalohet pa ligj mendimi yt dhe po e shprehe një gjë harrohesh edhe fjala edhe ti, këtu mendon tjetër e thua tjetër, këtu ka vdekur me kohë e me vakt demokracia e mendimit, ndërsehet vetëm zhgënjimi, nisesh për shkrimtar e përfundon matrapaz, këtu askush nuk të kupton, mjaft që vetëm njëshi të dëgjohet, ajo që ke shkruar askujt s’i intereson, pëlqehet spekulimi, i nënvlerësuari… I tillë është edhe libri, edhe shkrimtari…

    Tiranë, më 22 tetor 2021

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË