More
    KreuIn memoriamXhevair Lleshi: Faslli Haliti, shpirti i poetit si arë e punuar...

    Xhevair Lleshi: Faslli Haliti, shpirti i poetit si arë e punuar…

    Mos më shiko nga duart për ndonjë dhuratë, / Dhurata më e bukur e duarve – / Shtrëngimi. Ai recitoi me mërmërimë vargjet e tij, sikur të kujtonte një këngë të vjetër. Dhe unë po e shihja me vëmendje në sy. M’u bë sikur donte të thoshte diçka tjetër, por kësaj dite këto tre vargje do të luanin ndikim të madh tek unë. Shtrëngova duart me Faslliun dhe bëra të largohesha. Ai ende ruante kryqëzimin. Më erdhën ndërmend vargjet e tij befasuese, ala Majakovsk, ku edhe britma më e ulët sociale merr vetiu tone mjaft të larta. Dhe nisa të meditoj me vargjet e tij. Diku lexoja: Mos bëj turpe, / Ruaje nderin e burrit si burrë! / Ne do të plakemi një ditë, / Por «turpi dhe nderi nuk plaken kurrë». Vërtet turpi dhe nderi nuk plaken kurrë. Antipod të njëri-tjetrit dhe midis tyre duarshtrëngimi. Ndoshta gjërat e thjeshta dhe vetëm pse na duken të këtilla (të thjeshta) e kanë fajin që na e ngarkojnë kot jetën ose na e zbukurojnë me madhështinë që fitojnë. Më duken se vargjet marrin vetiu pamjen e lartësuar të njeriut, fitojnë një prarim të epërm dhe gurgullojnë me hijeshi. Është aftësia e vargut që të fut në ngasje të tjetërfarta, është edhe mrekullia e poezisë që endet si frymë qiellore midis njerëzve të dashuruar. Dhe në një brendësi fatlume ato bëhen shpirti i poetit, një shpirt i trazuar qoftë edhe vetëm për një fjalë goje, apo për udhën e grunjtë të qumështit.

    E kërkon miqësisht nderin Faslli Haliti, e kërkon dhe me ngulm. Ja, edhe vetëm me një fjalë ai thur një varg që rri si gur i veçuar metaforik brenda ngrehinës së figurës. Sepse figurat e tij perceptohen të gjalla, të lëvizshme, pa u ënjtur të mëshojë në fryrjen e fjalëve, të cilat kërthnezin vetiu, japin alarm, ngrenë të tjerë për t’u bashkuar me ty, ulërijnë, ruajnë prushin që u duhet më vonë, mërmërijnë pastaj çuditërisht, përplas në buzë një melodi që e cilëson prej fushe. Dhe ty, kushdoqofsh, të vjen t’ia shtrëngosh dorën kujtdo që del përpara, herë duke t’u dridhur buza, herë me madhështi të përbashkët. Dhe sheh si vegim poetin që largohet tej, në arat e lëna djerr të Myzeqesë, të cilat pas një harrese të gjatë sërish kanë filluar të punohen…

     Topat e borës ishin premtime të bardha, / Të qeshurat, britmat gazmore. Qesha me vete. Një lirizëm i hollë, sikur të ecte në një tra ekuilibri të ëndërrt. Janë vlerat që pikojnë nga shpirti i një poeti të angazhuar dhe të qelqët njëherësh. Dhe thua me vete se gjërat fillojnë edhe nga një syth mendimi që çel vetiu ose duke ecur rrugëve, ose nga një trill i ardhur befas. Kjo i ndodhte shpesh Faslli Halitit duke shëtitur fushës, dhe nuk zuri mend nga kjo shëtitje e munguar. Se në fushën e tij të gjerë kishte dhe ka lule. Shtëpitë e fushës janë të përmbytura në lule. Pa ngrënë mund të mbeteshin, por pa lule kurrsesi. Dhe lulet binin si yje e si meteorë përmbi fushë. Ah, poezia e kishte fajin! Andralla, gëzim, marrjemendsh, budallallëqe, të flasësh me vete, të të fanepsen puthje e magji, flokë të gjatë… Dhe Faslliu e vendosi: po, do t’i mbaj flokët të gjatë! Mirë mustaqet që s’më shkuan kurrë, por flokët e di që më shkojnë dhe unë do të kujdesem për to. Sikur të mundja, pëshpërit ngadalë dhe me një maturi që s’dihet si i erdhi për momentin, sikur të ndërtoja një pallat të mbushur me lule. Dhe aty do kalojnë vetëm të mirët mbi kurrizin tim dhe poeti mund të bëhet edhe urë edhe vig. Por, shton, sikur të banonte ndonjë njeri i lig do ta shembja në vend ose do t’ia mbushja thjesht me gjemba, me lule gjembi! Fusha dhe përfytyrimi për lulet! Aty në fushë nxirrej buka nga tepsia, dhe vendosej përmbys mbi hambarin e madh të fushës, në këmbët e pallatit të luleve. Dhe, o çudi, faqja e bukës me pika djerse mbuluar si balli i atit në arë. Aty para pallatit magjik me lule fushe. Ah, lulet e fushës, s’ka ngashënjim më të hareshëm se ato!…

    Fushëtirë që nuk mbaron. Bluja dhe e kuqja si një akuarel (akuarelet e të birit, Helidonit, Donit pra, nuk i heq nga goja, me ngjyra që treten si qiqërimë mjegulle me njëra-tjetrën, duken sikur bien me rrëmbim e madje me rrokopujë teposhtë, aty ku duan të mbërthejnë prenë e mendimit, ndjekur nga një ushtri e pafundme fjalësh. Fjalët e Faslli Halitit!  Madhështi.

    Fjala ngroh, zgjati duart! Fjala ftoh, atëherë vërua etheve si pecetë me uthull në ballë! Fjala vret, e pra, vëri asaj siguresën pushkës! Fjalët shërojnë, kështu po lyejmë plagët me to! O Zot i madh! Fjala me vend a nuk vihet në qoshe dhe ajo pa vend lihet pas dere, jashtë! Le të bredhë nëpër fushë, të kullosë bar… Fjala e pathënë ose jo e duhur edhe pritet, prandaj poeti i thyen thikat që nuk arrijnë t’i presin dot. Mendo: të presësh fjalë, apo t’i mprehësh ato. Mjafton një gur zjarrmi që i mpreh dhe fjalët lëshojnë shkëndija! Fjala ndalet, siç ndalet një lumë i harbuar dhe në këtë magji bëhet sfrat, bëhet digë. Por fjala e ndalur mund të bëhet pranga, burg, qeli. Atëherë shembe pritën që pengon! Dhe fjala ngrihet me fuqinë e madhe titanike dhe bëhet bereqet, ndoshta prandaj dhe mbillet në ugaret e fushës së gjerë (edhe të mendimit!). Ndaj dhe të urtët këshillojnë që fjala e kotë të mos mbillet, pa lëre pastaj kur na duhet ta tëharrim dhe fjalët bosh t’i hedhim aty ku e meritojnë! Le të vijnë pastaj djemtë me biçikleta dhe t’i mbledhin, sepse fabrika e fjalëve aty është dhe pret për t’i ricikluar! Miku im, fjala fluturon (fluturon more, nuk e kini parë?), ndaj ia lëshojnë frerin fjalës dhe ajo bën këmbë, ecën veri, ngrihet kas, hyn në gjeratore a në tornado, vrapon e vrapon pa u lodhur, pa fund. Ka njerëz që e mbajnë fjalën për dore! As këta nuk i kini parë? S’ka gjë, për to ka menduar Faslli Haliti. Kujdes, mos rrëzohet fjala! Mos plagoset e mjera! Brrrr! E tmerrshme, t’ia lidhësh plagët fjalës! Por më e tmerrshme është fjala që vret. Se, kot nuk thonë që fjala e rëndë e birit është si gozhdë ngulur gjirit! Më në fund fjala qet fjalën, si me grep, po edhe si punë artistike, si qëndisje, si ornament, si filigran… Kujdes me grepin e hedhur fjalëve! Vjen çasti dhe fjalën e merr era, prandaj, thotë poeti duhet ta ngarkojmë mirë me peshë mendimesh. Sepse çdo njëri prej nesh di të flasë, por s’di të hesht dhe fjala humbet funksionin, qëllimin, përditshmërinë… «I shpëtova plumbit / Më vrau një fjalë… / Dhimbja e saj po më kalb të gjallë!» – psherëtin poeti me një lloj mllefi.

    Çfarë i mungonte poezisë? Ky njeri e pyet veten çdo çast: mos vallë i mungon tharmi domethënës i një gjëje të rrallë? Ndoshta. Edhe një ide e çmendur të shtyn në ngasje poetike, të bën përshtypje edhe e zakonshmja përveçuese të mbush me emocion. A mos është vallë mistika, e cila sigurisht të bën edhe poet? Mund të shohësh çdo çast Baba Tomorrin dhe të krenohesh. Mund t’i biesh ndër këmbë Dodonës Dimërkeqe e Famëmadhe dhe t’i thurësh lavdet e duhura. Afër është Ardenica, le të vemi aty. Të dy me Faslliun dhe të kundrojmë manastirin e famshëm. Tomori prej aty duket edhe më mirë. Më të bukur s’mund ta bënte vetë Zoti. Afreske. Bareliefe. Mure të punuar me fisnikëri. Gërvishtje të kohëve. Ndoshta edhe gjak mbi të kuqen. Deti aty vjen si fllad. Murgj. Priftërinj. Era ua ngre leshrat e thinjur deri te ligustrat. Nuk erdhi dot aty Tefta Tashko Koço? Si ishte e mundur? Papu Kozmai do të thoshte një liturgji, por poezia e Faslli Halitit e mbajti drejt në këmbë. Dy fëmijë fillojnë të recitojnë. Faslli Haliti emocionohet. Si ishte e mundur? Edhe këtu mund të merrje fjalët e bukura me shumicë, mund ta ngrije e të ulje tonalitet, mund të krijoje muzikalitet të rrallë, distikët e fjalëve t’i lartësoje në qiell. Në dritë duhej të dilnin fjalët, të cilat si në Amsterdam edhe në Myzeqe, që këtej nga manastiri i Ardenicës, do të ndriçohen si fjalët, krejt si në fotot e Gjon Milit. Ja, për një çast, mbyllini pak sytë… shikoji mirë, fjalë që të prekin me gishtat e tyre në trupin tënd, të ndjekin pas, bubullijnë  përbrenda manastirit dhe sheshit të tij, më në fund ja tek thonë: po, pikërisht kështu dashurohet…

    «Po ti ike, moj nënë, thotë Faslli Haliti në këngën e tij që i buron vetiu, ç’pate për të thënë i the të gjitha… Kam edhe unë diçka për të thënë: nëse njeriu s’u ngopka me jetë, fëmija nuk ngopet me nënë…» E pashë tek ikte nëpër fushë dhe më bëhej sikur thoshte me vete: Eh, gjërat e vogla  sa  zhurmë që bëjnë, thashë… Farëhedhës i sinqertë për të fituar atë që u duhet fjalëve. Sapo e pa diellin dhe hedh farën e lisit. Lisat! Fjalë me ngarkesë poetike dhe poezia është gati të përleshet me rrufetë…! Sepse uji, miqtë e mi, ka etje për të shuar vetë etjen. Sepse buka edhe ajo ka uri vetëm e vetëm për të shuar urinë, ndërsa ajrit i merret fryma, dhe jep frymën. Gjë e rrallë. E vërteta është se edhe diellit i digjet balli, të japë ngrohtësi, të djersijë çelikun dhe… edhe akullin! Çudi! Edhe akullin! Eh, dihet temperatura e vdekjes. Para saj ka djersë… «Po unë, për çfarë kam etje, për çfarë kam uri, përse më merret fryma vallë? Ç’e kam këtë temperaturë në ballë?» Dhe vjen përsëri nëna, të cilat, siç rënkon poeti, qofshim me shall të zi e me shami të bardhë, qofshin flokëjashta, moderne, sidoqofshin merakun  dhe dashurinë e kanë prej perle! Besojini Faslli Halitit. Ai nuk vuan nga fjalët e fshehta, nga një premtim fjale, nga tërbimi i fjalës, nga një kusht fjale, as nga mjalti i saj. Ai i tmerrohet fshehjes, mistikës detyruese…

    Poeti zbret nga qielli dhe bëhet me këmbë në tokë: hëna pluskon kurdoherë në bardhësinë e një reje brenda një të verdhe veze, «dhe unë fëmija i dikurshëm qe kisha uri, zgjasja duart drejt vezës hënore.  Reflekse hëne haja ndër gishtat e mi netëve te dëborta dimërore…»

    A piqet hëna në prushin e yjeve si misërnike e verdhë? A lëshon djersë buka e sapobërë? Dhe avujt e bukës me siguri përhapen në qiell. Mos harroni se në përfytyrimet e një fëmije uria është e vërteta e magjishme që e çon tek hëna, e verdha e vezës dhe misërnikja. Dhe vetiu kuptohet që fëmija do zgjasë duart, duke e ndjerë gjallë dëshirën për të thyer një copë nga misërnikja. Sepse, miku im (Faslliu më rreh shpatullat) hënën po e hanë netët, ditët, drita… Fëmija-poet mbetet me gisht në gojë!

    Jeni të merakosur? Para «togës» së ekzekutimit fjala ka qenë e lidhur para një shkëmbi, por mund të jenë edhe para një bliri. Fjalët shohin majën e malit  Tomorr. Dhe poeti ngre lart tufën e fjalëve dhe i bie në gjunjë me gjuhë urtësie: Tomorr o sfidë qiejsh, i lartë si maja me dritë dhe fytyrë të ndritshme, ku edhe më e lartë dhe më sfiduese ngrihet forca e fjalës… Betim, betim premtues. Fjala u bë lis. Qindra,  mijëra gozhdë i ngulën (dhe i ngulin) fjalës (lisit) në trung. Metali në trup të Lisit e than këtë pemë fisnike. Po fjalën? Lisi i kalb gozhdët më në fund. Po fjala si? Kini dëgjuar t’i kalb gozhdët, vallë? Nuk e dimë. Jeta është e gjatë…

    Sapo ndërhyn tek yjet, sapo merr një premtim, mendo premtim nga yjet e jo nga Njeriu, kushdo qoftë do të humbë tonelata dinjitet…!

    Dua t’i shoh format, dimensionet, thërret poeti madhërishëm. Forma të holla si cipë vese, të amullta dhe e holla si hija e fjalës, si bisk i njomë, po edhe të krisura, të mbara, të kënduara gjer në dhembje zemre… E ç’na duhen format dhe dimensionet? Ja që na duhen, s’mund të vritet mendja edhe për to, edhe për dëshirat e skajshme që ta bëjnë zemrën gur, që të punojë me flukth dashurie, për ta mbajtur zemrën me dorë nën ritmin madhështor të Kohës, nën tiktakun dramatik të së nesërmes. Edhe ti, poet, bëj përpjekje t’i formosh në përmasën e duhur edhe fjalën edhe muzikën. Një arie e pasfiduar!…

    E dëgjoja Faslliun dhe më mbyste habia. Kockë e fortë, sy shprehës, që ngjajnë nganjëherë si të menduar e që të ndjell mall, pastaj sërish e dëgjoja të këndonte. E mbath mirë fjalën, e duron kumbimin e saj dhe e bën përcjellës të përshtatshëm si bartës drite, dhe e sheh tek ecën tërë lezet, jo si hapat e një plaku… më e mira fare si sevdalli sikur t’i thoshte gjithë botës se njeriu kur plaket gati e ka flakën… dhe herë të tjera bëhet djalë i sajdisur, duke kthyer nga një kupë vere për orgjinë e zakonshme të fjalës… «Hapësirat poetike nuk dua t’i përshkoj me ultratinguj poetik, nuk dua të eci kuturu nëpër një terr poetik të zi. Duhet të ecësh nëpër dritë ti, si unë dhe jo unë errësirave si ti. Njeri! Nuk dua të hiqem si një filozof, si orakull. Por nuk i duroj ata poetë që kuakin si bretkosat nën akull.»

    Madhërishëm tingëllon angazhimi lirik, i bukur si një kreshtë mali, i poetit: «Pasi m’i dëgjuan me vëmendje vargjet. Fshatarët më thanë se ti na fërkon shpatullat, si qeve… Na përkëdhel. Ne s’jemi as qe, as makinë… Unë u skuqa dhe e grisa në vend poezinë.»

    Një të riu Faslli Haliti do t’i thoshte me zë të lartë: Poezia nuk ka kryeqytet, qytet, provincë,   lagje, periferi. Poezia ka vetëm një qendër. Poezia lind dhe banon vetëm në zemër! Prandaj poetit i duhet të ruhet nga korrentet! Se po mori ujë në zemrën fisnike poezia, a mund ta durojë pastaj kombi kollën tënde «poetike»?

    Dhe kështu kërkohen karakteret: «Ndrit hëna me dritën fiktive, / Xixëllonja demonstron dritën e vet, / Përbrenda stralli lëviz xixat. / Ndonëse i qetë.»

    Mëngjeseve të blerta të prillit ecën në këmbë Faslli Haliti. Dhe mediton i shqetësuar, sigurisht i shqetësuar. «Sa e lodhur po më dukesh, moj tokë, balli yt me vesë mbuluar  si  me djersë. Por mëngjesi me pëllëmbë diellore, vesën, moj tokë, ta fshiu nga balli, dhe djersa fillon e shkundet si petale nga çdo ballë punëtori, fshatari.» Ky është karakteri! Askush nuk ia ka dhënë kështu vlerën e duhur!»

    Ja edhe një pamje tjetër e karakterit. «Ju jeni burra, / Mos e futni djalin e kryetarit klubeve, / Pastiçerive / Kafeneve. / Mos i jepni cigare me filtër, / Mos ia zverdhni dhëmbët dhe gishtat. /

    Mos e mësoni me birrë, / Me verë, / Konjak / Raki, / Mos i flitni për vajza, për nuse, fejesë, /

    Ai është ende i ri. / Mos dilni me të pazarit përnatë, / Djali i kryetarit nuk është vaksinë, /

    Nuk është tel përçues i tensionit të lartë…» Vërtet një skenë për ta pirë në kupë. Karakteri njerëzor ndërtohet edhe kështu, përpunohet si një shkallë të lartë e motivuar jo si traditë por si intelekt…

    Më kapi në dorë. E, si thua? E la paksa mënjanë stilolapsin anash tavolinës dhe u ngrit duke vështruar jashtë. Një pyll i vërtetë me lisa, që të detyrojnë t’u përulesh. Forma e papërsëritshme e gjetheve me gjelbërim të spikatur nën pahun e një meditimi të jashtëzakonshëm me një si cipë tejdukshmërie. Mund t’i kenë lënë mendja miqtë e mi, poeti i këndon dritës dhe ju shpalos shpirtin… di ta lërojë shpirtin, dhe një poet e di mirë këtë punë… Hera-herës ai bëhet plak i urtë, e ul edhe të qeshurën në pëllëmbë të dorës. Nganjëherë edhe të shastis, pëshpërit melodinë e njohur të fushës, gjithnjë shoqëruar me shumë gaz. Ja, për shembull, unë jam edhe piktor. (Qesh pak.) Jo, natyrisht jo i kalibrit të tim biri. I ke parë punimet e mia? Jo, s’i ke parë. Aty ndihet shpirti plot dallgë, si një arë e punuar. Dehesh nga aroma e dheut. De-he-sh! Ta dini prej meje. Aty është vera, qumështi i bukës dhe i jetës, bari, burimi i dritës dhe i ujit, zjarri, mendja e hollë, femra. Po, po, femra! E punon, e kthen përmbys, e sjell në afsh, i modelon trupin dhe ndjenjën e hollë dhe atë çast i ndjen tërë aromat e shpirtit, aty thëthin tingujt më të ëmbël në botë, kaq të bukur që s’i ke dëgjuar kurrë, pastaj ndizesh zjarr, e jep shpirtin dhe të mbetet në duar afshi i ndezur. Poeti këndon me fuqi perëndie për dashurinë që zjarri të mos fiket. Poeti merr në krahë gjindjen ngre afshin e arës së punuar në virtytet e njeriut, në shijen e puthjes… Vdesin burrat sigurisht, prandaj vdes dhe poeti, marrin një sy gjumë dhe pastaj çohen e këndojnë, por ama i flasin me zë të ngrohtë parajsës, i japin shenjë një marrëdhënieje të ngushtë me të, prandaj dhe s’ka më bukur… Poeti e ndien i pari ndryshimin jashtë dhe brenda vetes, duke zotëruar atë shqisë plus që të tjerët nuk e zotërojnë… Kjo shqisë është parfumi, delikatesa e jetës që kthehet në luks shpirtëror. Dhe kjo arrihet po zotërove femrën, jo në forcë, kurrsesi jo, por në shpirt! Dhe këtë ta jep madhështia e saj, të bëhet sikur zotëron aromën tjetër, të veçantën, atë të një trëndafili. Se femra, miku im, të merr mendjen, të deh, të mban përjetësisht të ngrohtë, ja si kjo arë e punuar që lëshon këtë avull të bukur e këndellës… Faslli Haliti  ecte në arën e punuar, i dehur nga poezia e tij.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË