More
    KreuLetërsiShënime mbi libraXhejms Xhojs, forca gjeniale e përgjithësimit

    Xhejms Xhojs, forca gjeniale e përgjithësimit

    nga Xhevair Lleshi

    Xhejms Xhojsi është quajtur monument i kulturës botërore, që themeloi bashkë me Marsel Prustin drejtimin letrar të quajtur Lumi i ndërgjegjes dhe arriti të krijojë vepra madhore që, për fat të mirë, kanë ardhur në shqip, Uliksi, Dublinasit etj.

    “Rrjedhë e vetvetishme ndijimesh, mbresash dhe kujtimesh”, – e quan Xhojsi thelbin e kësaj rryme letrare që thithi shpejt vëmendjen në krejt botën letrare të shek. XX, duke qenë se kishin shfrytëzuar me mjeshtëri arritjet në fushën e psikanalizës dhe të intuitivizmit, teori këto që kanë folur për mundësi të pakufishme për të depërtuar në brendësi të shpirtit, për mundësi njohjeje deri në skutat më të errëta të tij dhe për të ravijëzuar proceset psikologjike që i ndodhin njeriut.

    Xhejms Xhojsi (James Joyce) ka prejardhje irlandeze. Ka lindur në Dublin në vitin 1882, ku mori arsimin fillor e të mesëm. Ishte koha e luftës së irlandezëve për pavarësi nga Anglia dhe periudha e Rilindjes Kombëtare Irlandeze, ku konfliktet sociale dhe politike gërshetoheshin me konfliktet fetare: protestantët luftonin kundër katolikëve. Xhejms Xhojsi u regjistrua në një kolegj jezuit që e mbaroi me rezultate të mira dhe u regjistrua në Universitetin e Dublinit në Fakultetin e Filozofisë. Në mbarim të tij iu mundësua detyra e pastorit, por që nuk u pranua prej Xhojsit, duke iu përkushtuar përfundimisht artit.

    Ç’ndodhte me Xhejms Xhojsin? Asgjë e çuditshme dhe as e rënë prej qiellit: ai nuk u përfshi në luftën politike, nuk hyri në asnjë rrymë fetare, ndiqte me interesim të madh gjithë ç’ndodhte në Irlandën e tij, kontribuoi në dobi të çështjes kombëtare, debutoi në teatër që luante rol të madh në vetëdijen kombëtare irlandeze, nxiste synimin e bashkatdhetarëve për çlirim kombëtar, e interesonte shumë krijimtaria e Ibsenit; çmonte lart poezinë e Pol Verlenit, shkroi artikullin Drama dhe jeta (1900), u gjend para prirjes së letrarëve irlandezë për burimet e kulturës irlandeze, e interesonte studimi i folklorit dhe i gjuhës së vjetër irlandeze… Qysh në këtë fillim ekstravagant dhe të thellë, premtues dhe elegant, mund të thuhet se po fillonte epoka e madhe e tij, e një letërsie krejt ndryshe… Shí në këtë kohë Xhojsi shtroi nevojën e madhe të përhapjes në vend të kulturës europiane…

    Ç’rrugë ndoqi Xhejms Xhojsi? Në vitin 1902 shkoi në Paris, jetoi aty një vit, ku gjeti me dinjitet mundësinë e njohjes së thellë të burimeve të kulturës europiane. Dhe u kthye në Dublin duke përjetuar keqësimin e gjendjes shëndetësore të së ëmës, që vdiq në vitin 1903. Pas një viti Xhojsi u martua me Nora Barnaklin dhe të dy bashkë u larguan nga Dublini duke jetuar jashtë në Trieste, Zyrih e në Paris, ndërkohë që herë pas here kthehej në atdhe. Në fillim të Luftës së Dytë Botërore Xhojsi vendosi që të kthehej përfundimisht në Dublin, por nuk ndodhi, pasi vdiq në Zyrih në vitin 1941…

    Irlanda u bë qendra e “lëvizjes tektonike” në krijimtarinë e Xhojsit. Romani Portreti i piktorit në rini (1916) dhe kryevepra Uliksi (1922), vëllimi me poezi Muzikë dhome (1907), tregimet Dublinasit (1914), Një peni copa (1939), Përshpirtja e Fineganit (1939), drama Mërgimtarët (1918), dhanë përfytyrimin e tij për Irlandën, duke i kumtuar botës modelin më të mirë të saj. Xhojsi e provoi penën në të gjitha gjinitë dhe llojet letrare, por romani voluminoz u bë tehu i thikës ku ai eci artistikisht, mbështetur në parimin ideoartistik të Lumit të ndërgjegjes, në të cilin i dha përparësi thellimit në analizat psikologjike të botës së njeriut, duke u mbështetur sidomos në proceset e pavetëdijshme. Ka përkthyer në anglisht dramat e Hauptmanit, kurse Oskar Uajlldin e ka interesuar si shprehës i pikëpamjeve të tij estetike. Është autor i shumë artikujve për letërsinë…

    Pse romani Uliksi e bëri të famshëm e të pavdekshëm Xhojsin?

    Për origjinalitetin e dukshëm e të patjetërsueshëm, për befasinë kuptimore të brendisë, për trajtimin si enciklopedi të modernizmit, për nocionet dhe dukuritë e diskutueshme artistike, se gjërat dhe temat që mezi pranohen janë kurdoherë interesante, se fryma e tij e lartë artistike kurdoherë shkakton debat, se…

    Pse Xhejms Xhojsi mbahet si krijuesi më në zë i miteve të shek. XX? (Pas tij erdhën e u afirmuan me krijimtarinë e tyre moderniste shkrimtarë të tjerë të shquar – Kamyja dhe Kafka.)

    Konceptimi mitologjik i ngjarjeve dhe i perso-nazheve, Përgjithësimi i përmasave të mëdha të dukurive jetësore, Krijimi i përfaqësuesit universal bashkëkohës, Abstragimi i skajshëm i dukurive, Dukja “e vështirë” e të kuptuarit të asaj që shkruhet që (me ta kuptuar) të lë të mahnitur, Forca gjeniale e përgjithësimit, Abstragimet bëhen deri në praninë e absurdit, Miti i rikrijuar artistikisht buron nga jeta e gjallë, Eksperimentimi i luhatjeve të vetëdijes njerëzore, Rrëfimi i vëmendshëm e me forcë vepruese, Shtysat e nënvetëdijes në situata të caktuara, Shtysat e nënvetëdijes tregohen përcaktuese të sjelljeve dhe të veprimeve të personazheve, Rrëfim artistik i lartësuar, Art novator, Sjellje personazhesh që jo rrallë është befasuese, Zhbirime të thella të botës psikologjike, Përparësi riprodhimi artistik i kujtimeve – ëndrrave – pasojave – përjetimeve, Fantazi krijuese me liri të pabindur e të plotë, Skena të jetës dublinase artistikisht të larta përplot mbresa të fuqishme, Skalitje karakteresh në mosrespektim të artit realist, Dialektikë e zbehtë e kushtëzimit objektiv të karaktereve prej mjedisit dhe individualitetit…

    Sepse… është vepër që të befason me forcën e artit të madh…

    Po ç’është Xhojsi?

    Mjeshtër i dhënies së formave të ekzistencës së qenieve njerëzore të skalitura prej tij, Mjeshtër i evidentimit të ligjësive të ekzistencës së qenies, Artist i shpërfaqjes së pasioneve dhe të instinkteve, Kolos i dhënies së befasive funksionale, Shkrimtar i veçantë në mishërimin artistik herë-herë të munguar të arritjeve në personazhe të individualizuara (që kanë fytyrën e tyre të papërsëritshme), I papërsëritshmi që nuk e ka për osh individualizimin artistik të personazheve e të mjediseve, Mjeshtër për të dhënë një paraqitje të përgjithësuar e të abstraguar të personazheve e të mjediseve, I habitshëm se si ndërton narracionin që rrjedh e rrjedh pa mbarim, I paarritshmi artist kaq i madh që tregohet indiferent dhe nuk bën asgjë për ta kanalizuar apo duke mos e përzier në narracion këtë individualizim, Mjeshtër që i lë ngjarjet të ndjekin logjikën e tyre të vetvetishme…

    Po estetika e Xhojsit? E hallakatur? Interesante? Brenda Lumit të ndërgjegjes? Shfaqje e papritur e Zotit? Çaste kulmore të qartësisë së njeriut? Çaste tendosjeje të madhe? Gjendje përjetimesh tronditëse? Anashkalim i gjendjeve të rëndomta? Nënkuptime domethënëse? Thjesht konstatime? Mbresa të tjetërsuara?…

    Si qëndroi kaq gjatë Xhojsi duke krijuar një model artistik të botës apo një rikrijim artistik të jetës universale? Po, kjo është e qartë: ai iu drejtua mënyrës mitologjike të rrëfimit, për realizimin artistik të idesë. Pse, mos është e rastësishme që romani të titullohet Uliksi? Tërheq si magnet emri i heroit mitologjik Odisea, por ai i Xhojsit është Uliks, bashkëkohës. Përfytyroni pak: një ditë nga jeta e  personazheve kryesore: Leopold Blum (nëpunës në redaksinë e një gazete të Dublinit) ka fatin e Uliksit, Merioni (Moli) në fatin e Penelopës dhe Stiven Dedali (një shkrimtar që e nxjerr bukën e gojës duke punuar mësues historie në një shkollë të Dublinit) në mitin e Telemakut, janë konceptuar në përmasa vigane, që përgjithësojnë njerëzimin, kurse Dublini përgjithësohet si qendër e botës. Data e zgjedhur është 16 korrik 1904, pa përshkrime të ngjarjeve, në rrjedhë të lirë të shtjellimit të subjektit në 18 episodeve të rikrijuara përplot monologë të brendshëm, zhbirime të holla të psikikës dhe të nënvetëdijes, roman me 2500 fjalë që mbyllet me një Po. Dhe ndihet qartëmuzikaliteti i gjuhës së përdorur…

    Përshpirtja e Fineganit është romani i fundit i Xhojsit.

    Xhejms Xhojsi është shkrimtari që përmbysi përfytyrimin tradicional për strukturën e romanit, shkrimtar i formave të reja dhe i mishërimit artistik tjetërsoj të jetës. Mbretëron Uliksi

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË