More
    KreuLetërsiBibliotekë"Vullnetarët", tregim nga Bruce Chatwin

    “Vullnetarët”, tregim nga Bruce Chatwin

    Më pas erdhi lufta.

    Për vite të tërë, tregtarët në Rhulen flisnin se do të bëhej luftë me Gjermaninë, ndonëse askush nuk e dinte se cili do të ishte qëllimi i vetë luftës. Që nga beteja e Vaterlosë, luftë të vërtetë nuk kishte pasur, dhe të gjithë binin dakord se me hekurudhat dhe armët moderne kjo luftë, o do të ishte shumë e tmerrshme, o do të mbaronte shumë shpejt.

    Më shtatë gusht 1914, Amos Jones dhe djemtë e tij ishin duke kositur carangth, kur papritur dikush, përtej gardhit, tha me zë të lartë se gjermanët nuk e kishin pranuar ultimatumin e Anglisë, dhe ishin futur në Belgjikë. Një zyrë rekrutimi, tha ai, ishte hapur në bashki. Rreth njëzetë djem të zonës i ishin përgjigjur thirrjes për të shkuar ushtar.

    ‘Marrëzi,’ Amos ngriti supet, duke hedhur vështrimin poshtë kodrës në drejtim të Hertfordshire.

    Të tre vazhduan kositjen, por në momentin që u futën në shtëpi për të ngrënë darkë, djemtë dukeshin të nervozuar.

    Mary ishte marrë me përgatitjen e turshisë së panxharit, ndaj dhe përparësja e saj ishte bërë vija-vija dhe me njolla në ngjyrë të purpurt.

    ‘Mos u shqetësoni,’ tha ajo. ‘Jeni tepër të rinj për të shkuar në luftë. Veç kësaj, ka të ngjarë që deri për Krishtlindje lufta të ketë marrë fund.’

    Dimri erdhi, por fundi i luftës nuk po dukej gjëkundi. Zoti Gomer Davies filloi predikimet patriotike, dhe një të premte, i dërgoi fjalë të gjithë banorëve të zonës se duhej të merrnin pjesë në një seancë predikimi që do të zhvillohej nën dritën e një feneri në Sallën e Grigjës.

    Ngjyra e qiellit po shndërrohej nga një e kuqe e errët në një gri të zymtë. Dy limuzina sapo kishin parkuar në anë të rrugës; një turmë e përbërë nga punonjës të fermës, të veshur me rrobat e tyre më të mira, po bisedonte miqësisht me drejtuesit e mjeteve, dhe përmes dritareve, shikonte ngultas sixhadet e gëzofta dhe tapicerinë e lëkurtë. Djemtë nuk kishin parë kurrë nga afër makina të këtilla. Diku nga një plevicë dëgjohej gërhima e një gjeneratori elektrik.

    Zoti Gomer Davies po qëndronte në verandë nga ku mirëpriste të sapoardhurit me një shtrëngim të dorës dhe një buzëqeshje të irët. Lufta, tha ai, ishte një kryqëzatë për Krishtin.

    Brenda në sallën e madhe një sobë qymyri qëndronte ndezur, ndërkohë, dritaret ishin veshur me avull. Një varg llambash elektrike lëshonte një perde ndriçimi të verdhë mbi muret e veshura me dru, dhe të lustruar me vernik. Shumë flamuj të Britanisë së Madhe ishin renditur njëri pas tjetrit pranë fotografisë së Lordit Kitchener.

    Feneri magjik ishte vendosur në mes të korridorit. Një çarçaf i bardhë ishte mbërthyer në një farë lartësie në funksion të një ekrani; Një oficer që mbante veshur uniformën e majorit, me njërin krah të lidhur me fashë, po i besonte kutinë me diapozitivë operatores së filmit.

    I mbuluar nga një perde tymi folësi kryesor, koloneli Bickerton, kishte zënë vend në podium dhe bisedonte me një veteran të Luftës Boere. Ai shtriu këmbën e tij problematike në drejtim të të pranishmëve. Një kapelë mëndafshi pushonte mbi mbulesën e blertë të tavolinës pranë një kane dhe një gote uji.

    Meshtarë të ndryshëm të Zotit – të cilët i kishin lënë mënjanë mosmarrëveshjet mes tyre në një rrezm patriotizmi – u ngritën në këmbë në shenjë respekti ndaj çifligarit, por edhe për të treguar shqetësimin e tyre në lidhje me rehatinë e tij.

    ‘Jo, jam shumë mirë, ju faleminderit.’ Koloneli shqiptoi çdo rrokje në një mënyrë të përsosur. ‘Ju falënderoj për kujdesin e madh që tregoni për mua. E shoh se jemi mbledhur goxha sot. Kjo është shumë inkurajuese, apo jo?

    Salla ishte mbushur plot e përplot. Djem të rinj, me fytyra që tradhtonin ekspozimin ndaj elementeve të natyrës, kishin mbushur stolat e gjatë; disa prej tyre, me ndihmën e bërrylave, kërkonin të dilnin përpara për ta shikuar më mirë vajzën e Bickerton-it, zonjushën Isobel – një brune me flokë të zinj, me buzë të kuqe qumështore dhe sy të njomë kafe në të kuqërremë, e cila, e veshur me një gunë të gëzoftë prej lëkure dhelpre, qëndronte poshtë platformës e qetë, duke buzëqeshur. Nga kapela e saj delikate ngrihej lart një pupël struci në ngjyrë gri me nuanca rozë. Përbri saj, i mbledhur kruspull, qëndronte një djalë i ri me flokë kuqalashë dhe gojëhapur.

    Ishte Jim Shkëmbi.

    Anëtarët e familje Jones zunë vend në një stol të gjatë diku nga fundi i sallës. Mary e ndjeu se i shoqi, i cili qëndronte ulur pranë saj, ishte i zemëruar dhe me nerva të tendosur. Ajo druhej nga një skenë e mundshme që ai mund të bënte.

    Famullitari i Rhulen-it e hapi sesionin duke propozuar një fjalë falënderimi për zotin Gomer Davies, i cili kishte bërë të mundur përdorimin e sallës dhe të rrymës elektrike.

    Thirrjet ‘Dëgjoni! Dëgjoni! ushtuan në të gjithë sallën. Më tej ai vijoi me një përshkrim të shkurtër të origjinës së luftës. Të paktë ishin ata punonjës të fermave kodrinore që e kuptuan përse vrasja e një arkiduke në Ballkan duhej të bëhej shkak për pushtimin e Belgjikës; sidoqoftë, kur famullitari foli për ‘rrezikun ndaj Perandorisë sonë të dashur’, të pranishmit u ulën sërish në vendet e tyre.

    ‘Nuk mund të ketë paqe,’ tha ai duke ngritur volumin e zërit të tij, ‘përderisa shoqëria jonë evropiane të pastrohet nga ky kancer. Gjermanët do të lëshojnë piskama çjerrëse si çdo mujshar që vihet me shpatulla për muri. Kompromis, ama, nuk duhet bërë, siç dhe nuk duhet të ketë shtrëngime duarsh me djallin. Nuk ka kuptim t’i bësh moral një krokodili. Atë duhet ta vrasësh!’

    Të pranishmit në sallë duartrokitën, ndërsa kleriku u ul në vendin e tij.

    Pak më pas i erdhi radha majorit, i cili tha se ishte plagosur në Mons. Bisedën e filloi me një shpoti, ‘me detyrim, zona Rhin, na angullin’ (1) – dhe menjëherë pas kësaj ai shtoi me gjallëri, ‘Asnjëherë nuk e kam vrarë mendjen për verërat e Rhin-it. Ato mbajnë një erë shumë të fortë frutash; çfarë thatë?’

    Pa kurrfarë vonese majori ngriti lart shtagën e oficerit.

    ‘Dritat!’ thirri ai, dhe menjëherë ato u fikën.

     ‘Një sërë imazhesh të mjegullta u projektuan njëra pas tjetrës në ekran – ushtarë anglezë në kampe ushtarake, në paradë, në anije transportuese që përshkonin la Manshin; ushtarë anglezë në një kafene franceze, në llogore, tek hapnin bajonetat, si edhe të tjerë që ‘e tepronin’. Disa prej diapozitivave ishin aq të paqarta, saqë ishte e vështirë ta dalloje se cila ishte hija që lëshonte pupla e kapelës së zonjës Isobel, dhe cilat ishin shpërthimet e predhave.

    Në diapozitivin e fundit u shfaq një fytyrë absurde me sy të zgurdulluar, dy krahë korbi në buzën e sipërme, si edhe një goxha shqiponjë e artë mbi helmetë.

    ‘Ky,’ tha majori, ‘është armiku juaj – Kaizeri Wilhelm II i Gjermanisë.’

    Menjëherë u dëgjuan britma të fuqishme, ‘në litar’ dhe ‘të përgjaket e të bëhet shoshë nga plumbat!’ – pas britmave, majori, si dhe gjithë të tjerët, u ul.

    Koloneli Bickerton u ngrit me lehtësi në këmbë dhe kërkoi të falur për pamundësinë e së shoqes për të qenë e pranishme në sallë.

    Djali i tij i vetëm, u shpreh ai, ishte duke luftuar në Flanders. Ai tha se shpresonte që pas skenave tronditëse që sapo kishin parë, numri i të rinjve në rajon, të cilët do t’i bënin bisht luftës, kishte për të qenë fare i vogël.

    ‘Kur kjo luftë të ketë marrë fund,’ tha ai, ‘në vendin tonë do të ketë dy grupe njerëzish. Nga njëra anë do të jenë ata që u bashkuan me forcat e armatosura, dhe nga ana tjetër, ata që nuk guxuan të vepronin kështu…’

    ‘Turp,’ klithi një grua me kapelë blu.

    ‘Unë jam Numri Një!’ këlthiti një i ri tek ngriti dorën.

    Por koloneli bëri shenjë me dorë në drejtim të turmës, dhe të gjithë të pranishmit ranë në qetësi:

    ‘…dhe do të ketë nga ata që u treguan aq të aftë saqë, me gjoksin përpara, dolën për të bërë detyrën e tyre ndaj Mbretit, atdheut, si edhe nënave, grave e vajzave tona…’

    ‘Po! Po! Përsëri duart u ngritën lart me një hijeshi të veçantë, ndërsa turma heshti sërish:

    Klasa e fundit, nuk dua të flas më shumë, do të jetë aristokracia e këtij vendi – e cila, në ngrysje të jetës së saj do të marrë zemër, sepse, atë çka Anglia pret nga çdo njeri, ajo e ka bërë, pra, detyrën e vet…’

    ‘Po Uellsi?’ Një zë monoton tingëlloi në të djathtë të zonjushës Bickerton; por, zëri i Jim-it u mbyt në katrahurën amorfe.

    Vullnetarë të shumtë vërshuan drejt majorit me synimin që gjithsecili prej tyre t’ia raportonte emrin e vet me gjithë fuqinë që kishte.

    Në sallë buçitën thirrjet ‘Hip! Hip! Hurrah!’ Zëra të tjerë shpërthyen në këngë, ‘Se ata janë djem të mirë…’

    Gruaja me kapelë blu i hoqi një shuplakë në fytyrë të birit në krah, duke u çjerrë, ‘Oh, po, ke për të shkuar!’ – ndërkohë, një qetësi e brendshme gati fëmijërore kishte zbritur në fytyrën e kolonelit.

    Ai vazhdoi, me tone ngjethëse: ‘Dëgjoni këtu, kur Lordi Kitchener thotë se ka nevojë për ju, ai e ka fjalën pikërisht për Ju. Për arsye se gjithsecili prej jush, djem trima, është i domosdoshëm. Disa çaste më parë, dëgjova një zë në krahun e majtë që thërriste. “Po Uellsi?’’ ’

    Papritur, përreth s’pipëtinte asgjë.

    ‘Të më besoni të gjithë sa jeni këtu, ajo thirrje, “Po Uellsi?’’ është një thirrje që më shkon drejt e në zemër. Sepse në damarët e mi, gjaku uellsian dhe gjaku anglez rrjedhin në sasi të barabartë. Kurse ajo…ajo është vajza ime, ndaj këtë mbrëmje kam sjellë me vete dy makina këtu. Ata të rinj, të cilët dëshirojnë të regjistrohen në Regjimentin tonë të dashur Herefordshire, mund të vijnë me mua…Të tjerët, uellsianët besnikë, që do të preferonin të regjistroheshin në Regjimentin tjetër, më trimin, atë të Banorëve Kufitarë të Uellsit Jugor, mund të udhëtojnë me vajzën time dhe majorin Llewellyn-Smythe për Brecon…

    Ja, kështu, Jim Shkëmbi shkoi në luftë – për hir të largimit nga shtëpia, si edhe për hir të një zonjë me buzë të kuqe qumështore dhe sy të njomë kafe në të kuqërremë.

    Përktheu nga origjinali ARISTIDH SHQEVI

    __________

    Shën. i përkth. (1) ‘Making the Rhine whine’ – bëhet fjalë për një lojë fjalësh. Konkretisht, fjalët whine (‘uain) angullin dhe wine (‘uain) verë, shqiptohen me të njëjtën mënyrë. Kjo është arsyeja që pas fjalës whine në tekst, autori i referohet verës për efekt humori.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË