More
    KreuLetërsiBibliotekë"Vrasja e pelikanit", tregim nga Spiro Qirzidhi

    “Vrasja e pelikanit”, tregim nga Spiro Qirzidhi

    Sikur thatësira të vazhdonte edhe pak kohë, liqeni i Nartës do të fshihej nga hartat gjeografike të botës. Si një ogur ndjellakobs, u shfaq në mes të liqenit kryqi i drunjtë i cili shenjonte vendin e tragjedisë së maturantëve të mbytur më 15 Gusht 1966, në tentativën e një pelegrinazhi në manastirin e shën Marisë. Shenjat për një vdekje, shuarje dhe zhdukje të paralajmëruar të lagunës, u bënë plot tregues të tjerë. Peshqit sa vinin e pakësoheshin. Gjallesat e liqenit, që nga dita e çeljes së dajlanit, kishin dy vite që prisnin emigrimin në det. Por tanimë dajlani pothuajse nuk e bënte punën e tij. Rrymat e shumta sidomos jugat e shiroko-levantes, dhe ostro-garbi, kishin mbartur duna të tëra me rërë, baltë, të sjella nga derdhja e Vjoses që ishte veç tre kilometra larg tij. I bllokuar ne ¾ e tij, dajlani veç oksigjen nuk mund të ishte për gjithçka jetonte në liqen.

    Kurgjë nuk funksiononte si më parë. Çdo gjë ishte përmbysur. Madje edhe pronari i dajlanit kishte emigruar në Spanjë. Zëvendësi i tij ishte një peshkatar i vjetër, i cili e ndiente veten të pafuqishëm për të përballuar dhe organizuar volume aq të mëdha pune dhe mjetet e rënda si eskavatorë, buldozerë dhe makina transporti për pastrimin e dajlanit. Edhe shpendët, të vrarë pa kriter, të plagosur e të trembur nga gjëmimi i dinamitit dhe krismat e kallashnikovëve, kishin fluturuar në vende të sigurta. Asnjë piskamë kredharaku, kuak-kuaku rose, vek-vek pate… Në shurdhërinë e vet, liqeni ngryste ditën e letargonte net të shqetësuara.

    Niveli i ujit sa vinte e binte. Nga buzë e ujit deri në manastir, mund të kaloje në këmbë pa qenë nevoja të pajtoje sandall. Burimet e ujit, ishin shteruar dhe barishtet ujore, harlisnin degët drejt sipërfaqes. Rrallë shihje në atë pyll barishtesh të notonte ndonjë bafë e vogël, levrek apo koce e ngjalë. Të dhjetë sandallet e gjata të peshkatarëve, më tepër rrinin në stere se sa dilnin për gjueti. Edhe kur dikush merrte drejt dajlanit në netët me shkrepëtima e bubullima për të kapur ndonjë ngjalë, kthehej të nesërmen duarbosh e më i ngrysur se kurrrë. Palluqet e barkave gati sa s’ngecnin në fundin e lagunës, fund që sa vinte po i afrohej sipërfaqes. As që bëhej fjalë për prishje kohe, pa lëre për një shi të mundshëm. Njerëzimit u ishte tharë buza për një pikë ujë. Ashtu si edhe njerëzve që rropateshin disa kilometra rrugë për t’u furnizuar me ujë të pijshëm, edhe mijra rrënjë ulliri që qarkonin gjithandej fshatit Nartë, përvëloheshin për ujë. Nga ana tjetër, me liqenin lidhej edhe fakti se gjysma e banorëve të fshatit ishin të punësuar në ndërmarrjen e kripës. Mosfurnizimi i parcelave të kripores me ujë liqeni, do të thoshte papunësi.

    Në muzgun e një dite të nxehtë qershori, dielli që po ulej mbi ishull, përflaku dhe krahët e bardhë të një çifti pelikanësh. Shpendët si në një rikonjicion luftarak, flatruan mbi liqen disa herë, deri sa vendosën të mblidhnin krahët dhe hidhnin spirancë pikërisht përballë shtëpive të fundit të fshatit.

    – Ogur i mbarë,-mërmëriti peshkatari i vjetër i dajlanit, i cili i kishte ndjekur qysh kur shpendët ishin shfaqur nga veriu. Ndjeu një ngazëllim fëmijnor nga prania e tyre dhe u përlot kur pa se ata u qetësuan mbi liqen.

    – Mbarësi- foli me zë dhe si u drejtua nga manastiri bëri kryqin tri herë Dhe me të vërtetë mrekullia do të ndodhte pas disa orësh. Nga jugu e perëndimi, qiejt u çan nga zigzaku i vetëtimave dhe bubullimave që shoqëruan një shi të paparë për muaj të tërë. Litarë të trashë uji vareshin nga lart. Peshkatarët e rinj nuk pyetën për kohën e keqe dhe u mëshuan palluqeve me kiçin e sandalleve, drejtuar andej ku vetëtimat shuanin etjen në ujërat e pakta të dajlanit. Katër prej sandalleve u kthyen ndaj të gdhirë ndërsa të tjerët gjuanin ende. Të kthyerit nuk dinin se ku ta çonin prodhimin. Frigoriferët e tyre ishin për përdorim shtëpiak. Ngjalat ishin ende të gjalla dhe lëviznin në enët plastike që sollën gratë me ngut.

    – Lavdi Zotit… Dhoksa edhe ty Shën Mëri, uroi plaka më e vjetër

    – Lavdi krahët tanë mana, qesëndiste i nipi.

    Ishte fenomen i njohur fakti që ngjalat e trembura nga vetëtimat e bubullimat, braktisnin foletë dhe si qafonin njera-tjetrën, tanimë të transformuara në një top të stërmadh, orientoheshin drejt dajlanit në një tentativë për jetë a vdekje për të fituar lirine në det të hapur. Pra koha ishte grackë për to por flori për peshkatarët, të cilëve u duhej vetëm të hidhnin po-të në ujë dhe t’i nxirrnin andej plot peshq.

    Në drekë shiu pushoi. Shumica e peshkatarëve i vunë re pelikanët, të cilët po u afroheshin barkave pa kurrfarë ndjenje frike. Era e peshkut i joshte dhe ata notonin pa drojë. Kurrkush nga ata që po ndiqnin këtë skenë nuk u habit nga prania e shpezëve, përkundrazi e quajti pjesë të pandarë të pejzazhit shekullor, që ishte shpërbërë nga lufta civile e 97-tës. U dhanë peshq e ngjala ndërsa çifti rrihte krahët në shenjë falënderimi. Pas pak, pellikanët u larguan nga barkat si me një ndiesi turpi, për aktin që po bënin sepse mashkulli po kërcente mbi kurrizin e femrës . Pak çaste më vonë ai rrahu krahët dhe rrëshqiti i lumtur mbi liqen.

    – Do të kemi edhe zogj të tjerë- tha peshkatari i vjetër. Asnjë të mos i prekë.

    Mbasdite shiu nisi dhe më i vrullshëm. Uji i liqenit po shtrihej e zaptonte tokat që i kishte lënë të lira muaj më pare. Por nga ana tjetër. shiu krijoi një gjendje shpirtërore të mirë tek banorët e dy fshatrave buzë lagunës, të cilët pa nguruar iu kthyen punëve të bujqësise duke u marrë me vreshtarinë, kurorat e ullinjve e me perimet. Të punësuarit në kripore nisën përgatitjet për sezonin e ri. Pra e ndienin veten të lumtur dhe shumica e njerëzve, ia atribuonte këtë mrekulli Shën Marisë, manastiri i së cilës ishte restauruar dhe priste e përcillte në pelegrinazh të huaj e vendas.

    Por kishte plot që mendonin ndryshe dhe këtë mrekulli ua dedikonin atyre shpezëve të moçëm, me atë lloj sqepi katana e që nuk ngopeshin me peshk. Dikush propozoi që t’i ballsanisnin dhe t’i vendosnin në kishën e fshatit. Por peshkatari i vjetër ia preu;

    – Të paktën sa të jem unë gjallë, jo.

    Çudia vazhdonte ende dhe të gjithë e ndienë se përveç pelikanëve në kallamishtet rreth liqenit jeta ishte rikthyer. Piskama e shkurtes dhe mëllenjës sqepverdhë, përzihej në harmoni me flatrimin e thëllëzës, shapkës dhe gugatjen e guguftusë dhe pëllumbave të egër me foletë lart në shtufin e Tri-Portit. Por i tërë ky peizazh i ri, nuk mund të kuptohej pa praninë e fazanëve të arratisur nga Pish-Poro, shpesë që mbartnin në puplat e tyre vetë ylberin. Apo sëkërxhinat me krahët e pikëluara dhe fluturimin e tyre unikal në ditët e ftohta të dimrit dhe sezonit të vjeljes së ullirit, tek formonin në qiejt e botës, mijëra pasqyra marramendëse. Nga dita në ditë shtohej shoqëria e pelikanëve me shpendë të tjerë uji si rosa dhe pata e egër, bajzat e tek-tuk ndonjë mjellmë.

    E nesërmja gdhiu me shi. Rigonte i butë e të krijonte përshtypjen sikur sipërfaqen e lagunës e cimbisnin insektet e ujit. Çifti i pelikanëve po fluturonte dhe nuk e di pse nguronte të ulej. Pastaj ata vendosën dhe si rrahën krahët, u paqtuan pikërisht përkarshi shtëpive të fundit të fshatit. Nuk kaloi shumë dhe një breshëri automatiku u dëgjua gjithandej. I pari që vari kokën në sipërfaqen e ujit, ishte mashkulli. Femra e tmerruar nga e kuqja e gjakut, u ngrit në fluturim, por edhe atë e këputën me një breshëri të dytë.

    – Pse o Zot, pse na mallkon kështu- hoqi në shpirt peshkatari i vjetër dhe qau.

    Kështu kishte qarë edhe për ata që vriteshin më kot gjatë luftës civile. E po ashtu edhe për ato mijëra rrënjë ulliri të prera, sakatosur, masakruar dhe djegur po nga ata vrasës të 97-ës. Kishte qarë e mallkuar të gjithë ata që vrisnin peshk me dinamit në det dhe në liqen. Por këtë radhë lotët ishin për çiftin e pelikanëve që i preu në besë njeriu i keq. Natyra u kishte falur shpezëve një liri të pakufi në liqen dhe i keqi njeri ua rrëmbeu me fishekë kallashnikovi. Qanë edhe fëmijët e dy fshatrave. Tanimë ata nuk mund të rrëfenin për çiftin e pelikanëve, prapësitë në kuzhinat e nikoqireve dhe garat buzë liqenit, në prani të tyre.

    Po atë natë qielli u flakarit nga vetëtima që shuheshin fare afër kuadrateve të kripores. Një shi i paparë nisi ndaj të gdhirë. Fushat e kripores u mbytën sakaq dhe ujërat e tyre, me një densitet të lartë kripe, vërshuan drejt liqenit dhe një pjesë drejt hidrovorit, i cili kurrsesi nuk mund t’i bënte ballë asaj inondate.

    – Filloi Kataklizmoja. Po ti o Noe, ku je?- pyeti i habitur plaku dhe ndali vështrimin nga ishulli i Manastirit ku pritej të shfaqej barka e madhe e kapedan Noes.

    Laguna u fry në nivelet maksimale dhe uji i saj hyri në oborret e shtëpive në lagjen perëndimore. Ky kërcënim ishte i papritur. Ishin lutur për një pikë shi pas thatësirës gati tre vjeçare dhe po shpërbleheshin me një kataklizmo të vërtetë. I vetmi shpëtim nga kjo mënxyrë e re, ishte shkarkimi i ujërave nëpërmjet hidrovorit ose dajlanit. Por hidrovori ishte i tejngopur. Dajlani mbeti si i vetmi shpëtim nga përmbytja.

    Pafuqinë për t’i bërë ballë asaj situate, peshkatari i vjetër e tregonte dukshëm tek e shihje me krahët e varur poshtë. E ndiente veten të braktisur nga pronari, të harruar nga gjindja e fshatit madje edhe nga familja e tij, që e shihte si njeriun më të paaftë në fshat. Ai e dinte fort mire se hapja e dajlanit mund të arrihej vetëm nga mjetet e rënda. E ato kishin për zot pikërisht ish sekretarin e partisë për kooperativat e bashkuar Nartë, Zvërnec-Panaja. Ai ishte nga Spinarica (Zvërneci perëndimor) dhe e mbante veten me të madh edhe në kohën e diktaturës. E kjo sipas tij, fal prejardhjes së tij të hershme, nga një fis i dëgjuar vllehësh e kur Spinarica në kohën e pushtimit Anzhuin, jetonte shkëlqimin e vet maksimal.

    – Mirë që me gjyshërit e tu mburreshe lartë e poshtë, po me ne të shkretët ç’kishe?- mendoi peshkatari i vjetër dhe për të satën herë mërmëriti;- Jo, jo atij, kurrsesi jo. ‘’ Kanali pak e nga pak po merrte formën e duhur. Një digë e ngushtë argjili përzjerë me zhuka, mbeturina rrjetash peshkimi, barishte pengonte ujët e lagunës të vërshonte e të mbushte kanalin që përfundonte në një basen rrethor në mes të avllisë. Natën peshkatari e prishi digën dhe sakaq ujët mbyti kanalin dhe mbushi basenin. Të nesërmen nga dreka ai vuri re qefujt e parë që notonin çakërqejf nëpër kanal, në kërkim të ushqimit të bollshëm që servirte baseni. Një sistem rrjetash i sajuar me mjeshtëri nga ai, i fuste peshqit në një grackë pa kthim mbrapa.

    Për disa muaj kanali shërbeu si një lopë që milej për natë. Mjaft të fusje po-në dhe peshqit përpëliteshin në rrjetë. Kërkujt nuk i ra në sy marifeti i peshkatarit, deri ditën kur kaloi aty si rastësisht vllahu i Spinaricës. Ai e denoncoi peshkatarin me akuzën hajdut të pronës socialiste. Ke vjedhur ujin e liqenit dhe me të edhe peshqit e shtetit. Akuza iu bë në sheshin para kishës, para gjithë fshatit dhe në fund dy policë i hodhën hekurat.

    Pra atij njeriu që edhe sot e kësaj dite mbeti afendiko nuk do t’i shtrinte dorën. Fshati le të përmbytej. Por për çudi ishte vllahu i cili ofroi ndihmë. Peshkatari i vjetër nuk ishte ndierë, veçse i kujtoi atij se ai dajlan e kishte një zot. Punimet filluan qysh të nesërmen dhe pa ndihmën e ndonjë rrethi tjetër. Për një javë rresht, dajlani u thellua nga të dy krahët deri sa gropat e hapura nga eskavatorët u mbytën nga uji që vërshoi drejt detit. Laguna si t’ishte një qenie e gjallë, dihaste e çliruar nga një ankth dhe me mushkri tanimë të pasura me oksigjen.

    Gjithçka mori formën e dikurshme. Punët në ullishte, kripore, peshkim etj., rigjetën veten dhe jeta në përgjithësi, ritmin e vet. Por sërish banorët e dy fshatrave ankoheshin sepse jetonin thuajse të braktisur nga qyteti, që s’ishte as dy kilometra larg . Ndiheshin si në kohën e diktaturës ku njiheshin me nofkën fyese ‘’bithëkripur‘‘ apo “buka rrumbulake‘’, ngaqë u lejohej të hanin vetëm bukë misri dhe ata të gjorë, detyroheshin të zinin pritë në furrat e bukës në qytet dhe t’u luteshin qytetarëve, të blinin për ta një ‘’buka rrumbulake”. As vetë nuk e kuptonin se nga e prisnin një lloj ndryshimi të gjendjes së tyre shpirtërore . Ndaj edhe çdo mëngjes i luteshin shën Marisë dhe në muzg kaltërsive të qiellit. Ndaj edhe fshatçe organizuan shërbimin ditën dhe natën, në gjithë perimetrin e lagunës, për të mos ndodhur më akte makabre, si ajo e vrasjes së pelikanëve. Ua kishin borxh atyre shpesëve paqësorë por edhe vetë liqenit si pjesë e jetës së tyre, që priste të ndodhte një mrekulli.

    Magjia ndodhi muajin e fundit të verës. Flamingot e parë u ulën në lagunë pas një fluturimi të gjatë rreth liqenit. Nuk kaloi gjatë dhe dhjetra çifte pelikanësh kaçurelë, shoqëruar nga mijëra shpendë shtegëtarë u ulën pranë flamingove pararojë dhe nisën të çukisnin me sqepin e gjatë fundin e liqenit. Ishte një bekim Perëndie ardhja e flamingove, të cilët po hidhnin mbi një telajo natyrore, ngjyra maramendëse. Një harmoni kolorante e ngjyrës rozë, të bardhës, të verdhës e të kuqes. Prania e tyre nuk ishte një njollë e zakonshme rozë. Gjithçka ngjasonte me një pejzazh të vërtetë të Claude Monet- së

    – Jo, Panajaja nuk na ka harruar, mërmëriti peshkatari i vjetër.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË