ME ASHENSOR
me zbret melankolia,
gjithë mashtrueshëm hyn në hollin tim,
Dhe me gishtin tregues m’i numëron mungesat.
Mungesat që me tehët e dëshirave mu hapën gropë,
Mungesat që kujtimet mi bënë kapak.
Në këtë holl të zbrazët
si sallë dasmash pa dasmorë,
nis vallëzimin e radhës melankolia.
Me shikimin e saj m’i tejshpon mungesat,
kujtimet kapakë,
kapakë mbi gjiriz.
Gjithë-gjithë njeriu është gjiriz,
ku qelben mungesat, kujtimet,
dëshirat.
Dhe gjirizet janë të pavënë re,
deri kur melankolia zbret me ashensor,
dhe si lugë hallve
trazon
bërsitë e pavetëdijes.
Darmstadt
Prill 2026
PSIKOLOGJIA E KORES
Në pamje të parë gjërat s’duken keq,
të gjitha kanë kore, të gjitha kanë mbulesë,
por ajo çka fshihet për nën mushama
është pak ta quash si: faqja e zezë.
Dhe paqja, dhe heshtja, rrojnë mbi kore,
por jeta dhe tmerri, zënë fill nën lëvore.
Si unë edhe ti, kësaj bote i përkasim,
bërë prej mekanizmash të prishshëm lehtë
njëjtë përbrendësat si ingranazh kërcasin
shpirtin ta’[
pickojnë si një thikë e mprehtë.
Por paqja dhe heshtja buejn në lëvore,
dhe jetës i japin atë dukë mortore.
Diç paska përherë më të rëndë se sa
çka mundet me rrokë mendja jonë përtace
vetmia, limontia, e plogësht sa s’ka,
dhe dita që tregohet skajshmërisht koprrace.
Dhe dashje pa dashje zhytem në lëvore,
të kujtimeve që krijuam bashkë përdore.
Në pamje të dytë, në pamje të tretë,
gjërat ndërrojnë formë si pikselë në ekran,
gjithë që thjeshtë dukej, ka zënë duket keq,
korja ime e trashë tash e tutje s’mban.
Dhe ka zënë është çarë mbulesë e lëvore:
vetmia më udhëheq si të qe dashnore.
Ober-Ramstadt
Maj 2026
NË DHOMËN TIME RRINË
të dëshpëruara disa orendi minimaliste:
një krevat tek,
një gjysmë garderobë,
një karrige ,
një raft me dy sirtarë
dhe një tavolinë.
Mbi të rrinë shatë libra
vetëm njëri në shqip
I mbërthyer si në pranga
nga tre anglezë dhe tre gjermanë.
Me një vështrim të parë
mund ta shohësh si dhomë burgu.
por nëse sheh kompjuterin në tavolinë
mund ta shohësh si zyrë burgu.
Mure të bardha
këto mure të bardha m’i vrasin sytë,
bashkë me to edhe mendimet,
ndër të cilat përherë
njësoj si në çdo luftë,
si në çdo burg
njëri ia del të mbijetojë.
Dhe këtë farë mendimi,
këtë dhomë si burg
e bëra shtëpi.
Në të, të vizatova ty,
kudo: në krevat tek çel sytë
në karrige tek ha mëngjes,
në garderobë tek palos rrobat,
pranë sirtarit tek rrëmon diç që s’po e gjen.
Dhe në fund,
të bëra pikturë
dhe të vara në murin e bardhë
shtatëqind herë më të bukur se çdo Mona Lizë.
Ober-Ramstadt
Mars 2026
NE E SHAMË SHQIPËRINË
Ishte ftohtë dhe fytyrat tona ngjanin
si dy kofsha viçi në frigorifer.
Gjermania është frigorifer i madh
Frankfurti është kati
ku mbahet mishi i ngrirë.
Dhe me zhgënjimin që e ndjek
një kofshë mishi të ftohtë
ne u takuam në altstadt.
Të dy dhamë selam kur u afruam.
Dy myslimanë në tregun e krishtlindjeve.
Të dy e dinim veten kofsha mishi hallall,
kështu që në vend të verës
pimë lëng portokalli të nxehtë.
Të dy ishim të ikur,
hidhëruar me vendin ku lindëm,
në dëshpërim e sipër
ishim drejtuar në thertoren e parë.
Folëm pak për shkollën,
shumë më pak folëm për punën
dhe për disa orë me radhë folëm për Shqipërinë.
Binte shi i imët,
si çdo ngjarje që ndodh në shi
edhe këtu zë rrënjë melankolia.
I kujtuam ditët e arta,
të ndërsyera me ëndrra që s’u përmbushën,
dhe të dy ia lamë fajet Shqipërisë.
Edhe shiu ngjante i dëshpëruar,
aq sa nga mëria nisi të bëhej rrebesh.
Dhe folëm për orë të tëra,
derisa vendalinjtë
ua lanë skenën të pastrehëve.
Ndërsa ne e shamë Shqipërinë
atë natë
tek pinim lëng të nxehtë portokalli.
Aq shumë folëm për të
sa nga zemërimi ynë
edhe shiu i imët që binte u bë dëborë.
Frankfurt
Dhjetor 2025


