Po prisnim të shikonim premierën botërore, “Hamlet – Tragedy of the Prince of Denmark” të Shekspirit në “Harris Theater”, një ndër më të rëndësishmit në Chicago, pranë Millennium Park, aq shumë i njohur dhe po aq shumë i vizitueshëm, një teatër që të ofron një hapësirë moderne dhe shumëfunksionale për shfaqje të ndryshme artistike. veçanërisht për artet performative. Me rreth 1.500 vende, pra me një audiencë të madhe, por gjithashtu dhe intime për të të siguruar dhe një lidhje sa më të afërt të publikut me teknologjinë e avancuar, infrastrukturën moderne, përshtatshëm për shfaqje komplekse e të sofistikuara bashkëkohore.
Do të shkonim te “Hamleti”, duke rezervuar biletat muaj më parë, duke patur dhe një si ndjesi hakmarrjeje, unë, estetikisht, se kryevepra shekspiriane, që e doja me shumë nga të tjerat, do të ishte pa fjalën, – o tmerr!, – mërmërita, – një interpretim unik dhe ndërdisiplinor, – lexova, – me regjisorin legjendar Robert Lepage, me balerinin dhe koreografin e njohur Guillaume Côté.
Produksioni do të ishte një bashkëpunim ndërmjet kompanive “Ex Machina”, “Côté Danse dhe Dvoretsky Productions”, – s’me interesonin dhe aq, – me muzikën origjinale nga John Gzowski, një përzierje instrumentesh, harpash dhe kitarës elektrike, etj, etj.
Dhe tani premiera amerikane e fundnëntorit, pas suksesit në Toronto dhe në Festivalin Ndërkombëtar të Shekspirit në Rumani.
SHFAQJE MAHNITËSE
Përshtatje moderne e jashtazakonshme e klasikes së pavdekshme, një eksperiment artistik i guximshëm që riimagjinon dramën përmes një gjuhe universale – kërcimit dhe lëvizjes, pa dialog tjetër, një qasje ndryshe, e përqendruar te emocionaliteti dhe dinamika vizuale, mbisunduese, përforcim i ndikimin psikologjik të historisë.
Duke përdorur vetëm gjuhën trupore për të rrëfyer tragjedinë, dashuritë, dhimbjet, dyshimin, tradhtinë, hakmarrjen – tematikat kryesore të “Hamlet”, – duke shprehur mendimet dhe ndjesitë ashtu, vepra sikur sfidonte idenë tradicionale të teatrit. Multisensorialiteti, muzika dhe kërcimi intensiv, ndryshimet në ndriçimin inovativ, loja me hijet, etj, krijonin një mjedis metaforik që thellonte marramendshëm përjetimin e konfliktit të brendshëm të Hamletit, dalldinë, e kthyer në ngjarjet përreth me një dimension poetik.
Shumëçka erdhi me shumëçka, një narrativë tronditëse pa fjalën, por me lëvizjet që nga më të qetat dhe paqësoret plot delikatesë dhe sensualitet e deri te më të furishmet, gjithë marrëzi dhe delir, duke tejkaluar përtej asaj qe ka qenë tekst, duke shprehur mendimet dhe ndjesitë, e gjitha me artin e kërcimit dhe gjuhës trupore, duke mbivlerësuar aspektin emocional dhe shqisor të shfaqjes.
FJALA E HESHTUR – GJUHA E TRUPIT…
Po “E para është fjala” – mendova, kumt që vjen nga tradita biblike dhe filozofike, duke theksuar fuqinë krijuese dhe simbolike të logosit.
Natyrisht që i referohet rolit të gjuhës së folur dhe të shkruar në strukturimin e mendimit, në komunikim dhe në krijimin e realitetit.
Megjithatë gjuha e trupit është një formë komunikimi e fuqishme, po ashtu e hershme, madje dhe më e hershme, që gjithsesi ka qenë më përpara zhvillimit të gjuhës së folur.
Pra, gjuha e trupit mohohet apo thjesht vendoset në një rrafsh tjetër?
Nëse i qasemi nga këndvështrimi evolucionar, trupi ka qenë mjeti i parë për shprehje (mimika, gjestet, etj.), ndërsa fjala është një zhvillim i mëvonshëm dhe shpesh i atribuohet fillimit të ndërgjegjes dhe arsyes. Në këtë sens, “E para është fjala”, mendoj se nuk e përjashton gjuhën e trupit, por përqendrohet te rëndësia e komunikimit të menduar dhe të qëllimshëm.
Atëhere kemi dhe fjalën e heshtur, që domosdoshmërisht mund të mos jetë një tingull apo tekst, por një formë e komunikimit që mbart kuptim, edhe pa zë.
Gjuha e trupit, me shikimet dhe kuptimësinë e tyre, përbën një formë heshtake të të shprehurit dhe ndodh të thotë sa fjala e folur, në mos dhe më shumë në shumë raste si shprehje e thelbit të brendshëm.
Gjuha e Trupit është fjala para fjalës – një mënyrë natyrore për të komunikuar më herët se të zhvillohej gjuha e artikuluar. Ndërkaq ajo është dhe një zgjatim i fjalës, që mbështet dhe plotëson atë që thuhet, shpesh duke shpjeguar atë që nuk thuhet me zë.
Atëhere fjala ekziston edhe kur heshtim. Kur themi “E para është fjala”, nuk mohohet gjuha e trupit apo forma e heshtur e komunikimit.
Kur dhe një prekje dore është formë e komunikimit apo duartrokitjet në teatër, fjalë me format e saj, e heshtur apo e folur, është intenca dhe kuptimi që përpiqemi të përcjellim, me trupin, mendjen dhe shpirtin.
Gjuha e trupit është një pjesë thelbësore e komunikimit dhe madje mund të jetë më e sinqertë. Një shikim mund të thotë të vërtetën kur fjala s’e thotë.
Fjala e parë, në këtë kuptim, mund të jetë heshtja vetë – një heshtje që flet përtej fjalëve, e ngritur në art.
Unë mendoj se fuqia e artit të madh qëndron në shndërrimet dhe besnikërinë. Tensioni mes këtyre dy gjendjeve është shpesh burimi i mrekullisë së tij.
Hamleti që vallëzon dhe nuk flet, është një vepër krejtësisht legjitime, interpretimi i së cilës na fton të dalim përtej Shekspirit, por nëpërmjet Shekspirit, një kompromis për të mbajtur lidhjen me origjinën, që ndoshta nuk ishte më e nevojshme. Të paktën në këtë rast.
A MUND TË QUHET VEPËR DASHURIE?
Sipas meje kështu duhet të jenë dhe janë veprat e artit. Baleti “Hamlet” në Harris Teatër në një mënyrë të ndërlikuar e të shumëanshme eksploron dashurinë në të gjitha format e saj komplekse deri në tragjizëm: dashuria romantike mes Hamletit dhe Ofelisë, dashuria e përzier me tradhti dhe dinakëri brenda familjes mbretërore dhe dashuria e pakthyeshme ndaj së vërtetës dhe drejtësisë, që në fund çon drejt shkatërrimit. Dashuria këtu nuk është thjesht një ndjenjë e pastër, por një forcë që ndikon vendimet, veprimet dhe fatin e personazheve. Në këtë kontekst unë këtë vepër e pashë si një vepër dashurie që përshkruan pasionin e fuqishëm dhe humbjen që vjen nga të përkushtuarit për të bërë kohë.
(TRE) ROLET KRYESORE
U interpretuan nga një kastë e shkëlqyer e balerinëve me sfond të pasur artistik dhe përvojë ndërkombëtare:
1- Guillaume Côté – në rolin e Hamletit, – është një nga figurat më të njohura të baletit klasik si solist kryesor dhe koreograf i shquar i National Ballet of Canada. Me një karrierë që zgjat prej më shumë se dy dekadash, ai i dha personazhit të Hamletit një interpretim kompleks dhe introspektiv. Kjo është një nga shfaqjet e tij të fundit…
2- Greta Hodgkinson – në rolin e Gertrudës, – soliste kryesore e National Ballet of Canada, solli një prani të fuqishme dhe një gjuhë të veçantë të lëvizjes që pasqyron elegancën dhe tramën e personazhit.
3. Ofelia dhe vdekja e saj:
Koreografia e Côté-së e përqendron energjinë në vetminë dhe dëshpërimin e personazhit. Lëvizjet e Carleen Zouboules (Ofelia) ishin të zbutura, por të ngarkuara emocionalisht, duke reflektuar paqen e trembur të pranimit të fatit. Ndriçimi i zbehtë dhe përdorimi i projeksioneve krijuan një efekt vizual që paralajmëronin ndarjen e saj nga bota reale.
Skena e vdekjes së Ofelisë ishte një nga kulmet emocionale të baletit.
Në vend që vdekja të përshkruhej fizikisht, ajo ndodhi përmes një shndërrimi metaforik, një përzierje e ujit dhe ajrit, duke e bërë këtë skenë jashtëzakonisht poetike dhe prekëse.
TEATËR BRENDA TEATRIT
Hamleti, siç dihet, inskenon një shfaqje teatrale për të nxjerrë në pah fajësinë e mbretit Klavdi. Koreografia këtu përdor një stil të jashtëzakonshëm metateatror, ku lëvizjet e trupave të balerinëve krijuan tension dramatik dhe një ndjenjë të theksuar manipulimi. Kostumet e bardha dhe ndriçimi i fortë theksojnë ndarjen midis realitetit dhe lojës së shtirë, duke përforcuar idenë e teatrit si një pasqyrë e së vërtetës.
Loja brenda lojës u shndërrua në një mjet dramatik për të nxjerrë në pah dinamikat emocionale të personazheve.
HAMLETI ME KAFKËN
Kur ai mban kafkën në dorë, (skena “Ah, Yorik i gjorë”), u arrit interpretimi fizik i përsiatjeve mbi vdekjen dhe kalueshmërinë e jetës, prandaj të përqendrurit nuk mbetet thjesht në një objekt statik.
Hamleti rreth kafkës ndërton një vallëzim introspektiv, me lëvizje që sugjeronin pasiguri dhe melankoli. Ndriçimi dhe muzika intensifikohen për të krijuar një mjedis meditativ, duke bërë të ndjehet fryma filozofike hamletiane mbi jetën dhe vdekjen .
(FANTAZMA E FROJDIT ME KOMPLEKSIN E EDIPIT)
Vonë, në shekullin XX, Sigmund Freud ofroi një interpretim të veçantë të Hamletit përmes teorisë së kompleksit të Edipit. Sipas tij, Hamleti nuk e vret Klavdin menjëherë nga që ai kishte kryer një akt që Hamleti në mënyrë të pandërgjegjshme dëshiron: largimin e babait dhe uzurpimin e rolit të tij si partner i Gertrudes.
Ky këndvështrim, megjithëse nuk mbështetet nga të gjithë studiuesit, ka ndikuar shumë në mënyrën se si është interpretuar dhe shfaqur drama e modernizuar në skenë dhe ekran.
Laurence Olivier në filmin e tij të famshëm të vitit 1948, vendosi një theks të madh mbi marrëdhënien nënë-bir duke sugjeruar një ngarkesë emocionale dhe fizike të dyshimtë.
Në disa produksione të tjera, skena e dhomës së Gertrudës (Akti III, Skena IV) është inskenuar në mënyrë të tillë duke na shfaqur një afërsi të papërshtatshme midis dy personazheve.
A janë këto elemente të Shekspirit?
Këto interpretime nuk janë të qarta në tekst, por bazohen në lirinë e leximit të shenjave dramatike dhe emocionale të veprës. Shekspiri shpesh lë hapësirë për dykuptimësi dhe shtresime të ndryshme emocionale, duke i lejuar secilës gjeneratë ta lexojë veprën sipas perspektivës së saj.
Edhe në Hamletin e “Harris Theater” ajo dozë e vogël frojdizmi ishte një zgjedhje artistike, një dimension modern psikologjik për të thelluar tensionin dramatik midis Hamletit dhe Gertrudës.
Ndoku mund të nënkuptohej një afërsi e pazakontë midis tyre.
Nëse ka një si puthje në buzë, kjo është një zgjedhje regjisoriale për të theksuar përzierjen e dashurisë dhe konflikteve që ekzistojnë midis këtyre dy personazheve.
Puthja mund të mos nënkuptojë domosdoshmërisht një konotacion seksual, por mund të simbolizojë dyshimin dhe tensionin që mbizotëron midis dashurisë së Hamletit për nënën e tij dhe zemërimit ndaj saj për martesën me Klavdin.
Këto janë shtesa të interpretimit bashkëkohor dhe mund të mos jenë të pranueshme për të gjithë shikuesit apo lexuesit e veprës. Gjithsesi, baleti ka lirinë të riimagjinojë historinë edhe me një ndikim të teorive frojdiane për t’i dhënë veprës një thellësi të re dhe shtjellime komplekse, në një mënyrë që të rezonojë me audiencën moderne.
PYETJE JO DHE AQ HAMLETIANE DHE PËRGJIGJE VETES
“Hamleti” si balet në Teatrin “Harris” në Chicago, ka humbur apo është transformuar?
Çdo adaptim është një dialog i ri me origjinalin. Baleti ofron një qasje më universale, që mund të prekë më shumë ata që nuk janë familjarë me fjalët e Shekspirit.
Fjala është bërë lëvizje. Idetë dhe emocionet janë përkthyer në një gjuhë vizuale trupore, duke shtuar një shtresë të re ndjeshmërie.
– Çdo interpretim modern rikthen veprën si pjesë të kulturës dhe I shton gjithëkohësi.
Edhe një herë pyes: a kemi humbur, kur fjala largohet?
Forca e tmerrshme e Shekspirit qëndron tek thellësia e gjuhës së tij dhe është pamundur të mos ndërmendësh këtë mungesë çekuilibruese, edhe duke mos qenë shekspirolog. Po fjala mund të jet;e e rroposur thellë brenda njeriut dhe shfaqet me forma t:e ndryshme, e thamë.
Baleti nuk ka për qëllim të zëvendësojë origjinalin, por është një mënyrë për ta zgjeruar kuptimin e tij.
Përsëritja e strukturës, fabulës, e disa skenave ikonike të “Hamletit” ishin një mënyrë për të ruajtur lidhjen me origjinalin dhe për të siguruar shikuesin që po shohim Shekspirin, ta njohë Hamletin e tij edhe brenda këtij formati të ri.
Pra ishim në një urë apo në mur magjepsës, para të cilit vallëzohej? Krijuesit e tij duke u çlidhur me të kaluarën e veprës, mos kanë dashur të shkojnë plotësisht përtej saj?
Nëse baleti na dha ndjesinë e një vepre të re, atëherë ai e tejkaloi thjesht interpretimin dhe krijoi risi, të pavarur nga origjinali.
Shfrytëzimi i famës së një vepre me një emër të njohur botëror si “Hamleti” mos është garanci për sukesesin artistik apo komercial të veprës së re? Të jetë kjo një strategji që përdoret në shumë gjini të artit, nga teatri në kinematografi dhe në balet? Mos i duhej audiences dhe jo dhe aq ose fare autorëve, që ndoshta sigurisht e shohin krijimin e tyre si një vepër më vete?
Kjo mund të ndihmojë në rritjen e interesit dhe të pjesëmarrjes, përndryshe mund të duket abstrakte ose e largët.
Shumë artistë që bëjnë adaptime, nuk e shohin famën si garanci, por si sfidë. Ata përpiqen të gjejnë një mënyrë për ta nderuar origjinalin, ndërsa e kalojnë atë në një gjuhë tjetër, të tyren artistike.
Për autorët e baletit “Hamleti”, vepra e Shekspirit është një truall i pasur për eksplorim, jo thjesht një markë, megjithë rrezikun e hijes së origjinalit si lartësi e madhe që mund të mbulojë veprën e re si nismë.
Nga ana tjetër, nëse vepra e re arrin të përçojë një ide të freskët ose të zgjerojë thelbin e origjinalit përmes gjinisë së saj siç bëri baleti “Hamlet” në “Harris Theatër”, atëherë ajo ka potencialin të qëndrojë më vete, pavarësisht lidhjes me origjinalin.
Baletin “Hamlet” shihet si një homazh ndaj Shekspirit, që ia ka dalë çlirueshëm të fitojë një jetë të re.
* * *
“Hamleti” i Harris Theater na kujtoi se artet performative kanë fuqinë të kapërcejnë kufijtë e fjalëve dhe të na çojnë drejt një përvoje të pastër emocionale.
Ndërthurja mes koreografisë së fuqishme, muzikës së ndjerë dhe ndriçimit vizionar, ofroi një përkthim modern të një teme universale: luftën e brendshme të shpirtit njerëzor. Ndërkaq me këtë shfaqje, Harris Theater gjithashtu ftoi audiencën të reflektonte mbi format e reja të interpretimit, duke e kthyer klasiken në diçka të freskët dhe befasuese duke sfiduar konvencionet për të sjellë një përvojë ku fjala i la vend një gjuhe universale – atë të trupit dhe emocioneve.
Me këtë shfaqje, artistët Robert Lepage dhe Guillaume Côté ofruan një vizion të ri për tragjedinë shekspiriane, një dialog të heshtur, por të fuqishëm.
Risi të tilla na kumtojnë se artet ndërveprojnë dhe nuk janë vetëm pasqyrim i të kaluarës, por edhe hapësirë për eksplorime të guximshme që sfidojnë perceptimet tona. Klasikët mund të marrin jetë të re në duart e mjeshtërve bashkëkohorë. duke e shndërruar veprën e tyre në një dialog të përhershëm mes së kaluarës dhe të ardhmes për të shqiptuar ndjenjat e përjetshme të njerëzimit.
PARA SE TË MBYLLET PERDJA, SHEKSPIRI, NËSE DO TË SHIHTE KËTË BALET?
E përfytyrojmë dot? Shekspiri duke parë këtë balet modern të “Hamletit” të tij. A do ta pranonte si ne nga mënyra se si ajo është rikrijuar në një formë krejtësisht të re?
Si një gjeni i teatrit dhe hulumtues i shpirtit njerëzor, mjeshtër i fjalës, Shekspiri a do ta vlerësonte aftësinë e kësaj shfaqjeje për të përcjellë konfliktet e brendshme jo si i ka shkruar ai, por përmes lëvizjes dhe estetikës vizuale?
Shekspiri, i njohur për eksperimentimin me format e dramës dhe të teatrit në kohën e tij, me shumë gjasa do të ndjente një krenari të heshtur, mund t’i shihej e shfaqur me gjuhën e trupit, fakti se krijimi i tij vazhdon të frymëzojë. Ai mund të meditonte mbi universalen e veprës së tij dhe se si thellësia e Hamletit nuk kufizohet nga fjala, por mund të gjendet në çdo formë gjuhe artisitike.
Për më tepër Shekspiri ndoshta do të ishte i intriguar nga baleti dhe simbolikat e tij, nga ndriçimet marramendëse e muzika shungëlluese, nga skenat që shndërrohen përmes hijesh dhe transparences dhe mbase do të thoshte: “Kjo është vetë ajo që kam kërkuar, teatër të shpirtrave, një vend ku njeriu dhe hija e tij bashkëjetojnë.”
Në fund edhe do të buzëqeshte duke shtuar: “Nëse arti ynë u ringjallka dhe kështu pas shekujsh, atëherë e ka(m) fituar betejën e përjetësisë.”