Bisedoi Andreas Dushi
Në qytetin e Craiova-s në Rumani u mbajt Festivali Botëror i poezisë “Mihai Eminescu” ku merrnin pjesë më tepër se tridhjetë poetë nga e gjithë bota. Gjatë ditëve të festivalit, 17 – 22 qershor 2022, secili syresh lexoi poezi nga krijimtaria e tij në gjuhën amtare dhe në anglisht apo rumanisht. Nga Kosova, i ftuar ishte poeti Jeton Kelmendi, ndërsa nga Shqipëria, Visar Zhiti. Ky i fundit, në ditën e mbylljes së festivalit, u shpall laureat i LE GRAND PRIX DE POÉSIE, çmimi i madh që ndan akademia “Mihai Eminescu”, organizatore e këtij festivali. Po ashtu, atij ju akordua edhe medalja me të njëjtin emër, duke u shpallur anëtar nderi të kësaj akademie.
Poezia e Zhitit në rumanisht vjen nën përkthimin e studiuesit dhe përkthyesit të njohur, dr. Luan Topçiu i cili është edhe anëtar i Shoqatës së Shqiptarëve në Rumani, hartues i një sërë tekstesh studimore mbi letërsinë shqipe dhe përkthyes nga të dy kahet, shqip – rumanisht dhe rumanisht – shqip. Mes të tjerash, kur e pyeta lidhur me këtë evenimet të veçantë, Topçiu më tha:
Festivali kishte dy fitues, i pari ishte William Wolak nga SHBA, (për edicionin e tetë të vitit të kaluar, çmim i vonuar për shkak të pandemisë) Fituesi i Çmimit të Madh për këtë vit është poeti ynë i shquar, Visar Zhiti. Vepra e të cilit është bërë e njohur nga botimi i 4 librave në gjuhën rumune. Shtypi letrar dhe kritika letrare kanë shkuar me kanë konfirmuar cilësinë e veprës së Visar Zhitit, si një autor i shquar i letërsisë bashkëkohore botërore. Çmimi i Madh Mihai Eminescu është një ndër që i bëhet autorit, letërsisë shqipe dhe kulturës shqiptare.
A.D: Visar i dashur! Në Rumani, në festivalin botëror të poezisë “Mihai Eminescu”, mes shumë poetësh nga mbarë bota, u nderove me çmimin e madh të poezisë. Çfarë do të thotë ky vlerësim për ju?
V.Zh: Është vlerësim që duhet të të vijë mirë. Të të gëzojë. E pashë si një nderim që i bëhet poezisë dhe atyre që e shkruajnë, se ndodh, në rastin më të keq, të harrohen të dyja, ose vetëm njëra, e dyta, zakonisht, poetët, sidomos kur janë gjallë. Kur u thirra të marr çmimin, ceremonia bëhej në një mjedis aristokratik në Muzeun e qytetit te Craiova-s, nuk m’u ndejt pa thënë se gëzimi im është ndryshe nga i poetëve të tjerë, unë kam qenë dënuar me 10 burg për poezitë e mia dhe tani vij në një vend europian të marr çmimin më të lartë që ju jepni, thashë. Teksa po nisesha për në Rumani, më erdhi një ftese për një konference që do të mbahet në Bërzeshtë të Librazhdit për dy poetët e pushkatuar, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, kishin pak a shumë moshën e Krishtit, shtova. Gjithë këto dite te festivalit e kam ndjerë dramatikisht se ishin dhe ata mes nesh, fytyrat e tyre më shfaqeshin të secili poet. Ndërkaq në festival nuk kishte ardhur dot poeti nga Ukraina, Dmytro Chystiak, “ Kur vendi është në luftë, – më shkruante, – ka gjera të tjera për të bërë…”. Ashtu siç nuk vinte dot para ca vitesh një poet nga Kosova, apo ne nën diktaturën e dikurshme. Që sikur s’është dhe aq e dikurshme. Ky çmim është për të gjithë këta, është thirrje poezisë për ringjalljen pas pandemisë botërore, ka dhe pandemi ideologjike, është sfide luftës, Poezia është liri, edhe paqe, dhe dashuri, përfundova.
A.D: Në Rumani, letërsia juaj pëlqehet shumë dhe, sikurse vihet re, lexuesi ju do. Si komunikojnë, nëpërmjet poezisë, këto dy kultura? Fakti se pëlqeheni nga ky publik i huaj, si ju bën të ndiheni?
V.Zh: Kam patur fatin të kem 4 libra të botuara në Rumani, me poezi dhe prozë. I pari doli menjëherë pasi ra diktatura, së fundmi u bë botimi i dytë i romanit “Funerali i pafundmë”, të gjithë nën kujdesin dhe përkthimin brilant, siç e ka vlerësuar kritika, të Dr. Luan Topçiut. Letërsia shqipe ka praninë e saj në Rumani, Kadare njihet nga çdo intelektual i letrave, folëm në ditët e festivalit, ai ka përkthyesin e tij, që ka studiuar në Shqipëri, Marin Dobrescu, shkrimtari dhe diktatura, është një temë që rumunët e njohin, kemi probleme të ngjashme, ndërkaq Rilindja shqiptare, që nga abetarja e parë e tek Naimi ynë, librat i ka shtypur në Rumani. Poezia rumune është e madhe, me poetë të mëdhenj europianë, e njohur dhe tek ne. Interesi për letërsinë shqipe është shtuar, unë e kam parë vetë në disa takime me lexuesin rumun, Ndërkaq kemi lexuar dhe për arritjet në Rumani, p. sh., të shkrimtarit shqiptar Ardian-Cristian Kyçyku dhe suksesin e tanishëm të romaneve te shkrimtarit Thanas Medi. Të pranishme janë antologjitë e ndërsjellta në gjuhë të dy vendeve tona. Që te mos zgjatem, Dr. Luan Topçiu, mes shumë botimeve, ka nxjerrë dhe veprën monumentale “Historia e letërsisë shqipe”, e cila është në prag ribotimi, ku ka shpalosur dhe këtë marrëdhënie, të bukur, do të thosha mes dy letërsive tona. Ai ka nxjerrë në pah si kurrë më parë dhe letërsinë tjetër, atë qe mungonte, që erdhi nga burgjet dhe internimet. Kjo, besoj më çoi te çmimi i madh.
Sot vepron fuqishëm Lega e Shqiptarëve të Rumanisë, kanë një deputet në parlamentin rumun, Bogdan-Alin Stoica, Presidenti i Legës është studiuesi dhe përkthyesi, intelektuali Radû Săvulescu, tani del revista e shkëlqyer “Albanica” me drejtor Dr. Luan Topçiun, Ata më pritën dhe mua me shumë dashuri. Që t’i përgjigjem çiltër dhe haptazi pyetjes Tuaj, jam ndjerë si i shtëpisë, mes miqsh, në një qytet qe lexon poezinë.
A.D: Mihai Eminescu nuk është figurë e panjohur në Shqipëri. Qysh me Lasgushin, emri i tij është vendosur mbi një piedestal të merituar. E veçantë, besoj, që çmimi i marrë mban pikërisht këtë emër…
V.Zh: Po. Mihai Eminescu është Poeti Kombëtar, poezia e tij është yllësia më e ndritur e shpirtit rumun, është kënga e një populli, trishtimet dhe gëzimet e tij, është gjuha që ka bërë atdheun, gjithkund gjenden statujat e tij, vazhdimisht me kurora me lule, madje kam parë dhe pllaka përkujtimore në Bukuresht, ku në fasada shtëpish tregojnë se cilën poezi ka shkruar aty Eminescu.
Njihet tashmë dashuria e Lasgushit tonë poet për Eminescun, ai vezullim i përbashkët, ajo frymë ballkanike, pa ashpërsi, gjithë elegancë e përshpirtje. Ne kemi disa botime të Eminescu-t në shqip, edhe atëhere në diktature, dua të kujtoj atë të profesorit tim Vehbi Bala, student i dikurshëm në Rumani, më pas kemi patur dhe një përkthim të disa autoreve dhe mora vesh gjate diteve te festivalit se po përgatitet dhe një përkthim i ri.
Të gjithë poetët e ftuar nga bota, në njërën nga ditët e festivalit, shkuam në Parkun e madh të Craiova-s, bëmë homazhe para bustit të Eminescu-t, lexuam nga një poezi aty, unë lexova “Dielli i dytë”, e kam patur në akt-akuzë. Njerëzit kalon aty, bënin shëtitjen mbrëmësore, ndalnin, na dëgjonin. Vetë emri “Mihai Eminescu” është një çmim kumbues për çdo lexues.
A.D: Ndërkohë organizatore e këtij festivali është Akademia e Poezisë “Mihai Eminescu”, anëtar nderi i së cilës u shpallët edhe ju. Përgjegjësi dhe nderim i veçantë…
V.Zh: Ishte në traditën e tyre. Fituesi i çmimit të madh patjeter pranohej dhe si antar nderi i Akademisë me po atë emër “Mihai Eminescu”, nderim i veçantë siç e thoni dhe Ju. Përgjegjësi? Po, estetike. Edhe morale…
A.D: Tani që ka mbaruar dhe po ktheheni në Amerikë, vendbanimin tuaj, me ç’emocion do ta përkshkruanit këtë javë? Ç’do të tregonit si te veçantë a më simboliken?
V.Zh: Në fakt është pyetje Juaj që më emocionon së tepërmi, më trondit, do të thosha. Unë nuk jam mësuar që kthimi im të mos jetë Shqipëria dhe ai është… Vërtet do të shkojmë në Chicago, ku banojme në një apartament në rrethinën e qetë, duke marrë me vete një jave të këndëshme, me takime e lexime, me miq e duke u miqesuar me të tjerë, së pari me rumunët miqpritës, me Presidentin e Festivalit “Mihai Eminescu”, nderkohë dhe poet, Ion Diaconescu, tre poete vinin nga SHBA, aty u njohem me ta, shumë të perzemert, ritakuam italianë të njohur, por dhe të rinj, u mbajt dhe mbremja e poezisë italiane, ku me thirren të lexoj dhe unë poezinë time italisht, nga që jam botuar atje e kam jetuar. Shkuam nga njeri vend në tjetrin apo në tjetër qytet si ne Caracala, në teatrin e tij antik, bisedonim me kë të ndodheshim në autobuz a tryeza,, iranian, bullgar, franceze, senegalez, azerbaxhanas, serb, etj, por me poetin e njohur turk, Ataol Behramoglu, që ishte me bashkeshorten, Hülya, qeshnin si shoqe me Edën time, ndejtëm më shumë, u shqepëm me muhabet, se edhe ai kishte qenë në burg, bënim krahasime burgjesh, ai ishte dënuar si komunist, unë nga komunistët në një vend komunist, ku ishte ndryshimi dhe pse? Diktaturat aty-aty janë. Po, hejvallah, na bashkonte poezia.
Një mbrëmje na çuan në vilën e dikurshme të diktatorit rumun Çaushesku, s’ishte dhe aq e mirëmbajtur, shkallë-thyer, të Enverit e mbajnë më mirë tek ne si dhe Enverin, lexuam poezi, një metaforë domethënëse, sipas meje, Unë kisha një poezi në xhep për poetin ukrainas që s’erdhi dot, Dmytro Chystiak, dhe më dukej sikur dilte nga muri fantazma e Çausheskut e na kërcënonte dhe menjëherë i thashë poetes italiane, Laura Garavaglia, eja me mua, përkthejmë këtë poezi italisht… edhe anglisht, edhe rumanisht… ta lexojmë tani, tha ajo, do jemi më të mbrojtur…
A.D: Mes Rumanisë dhe Amerikës, Italisë e çdo vendi tjetër ku keni jetuar e kontribuar, ku jeni vlerësuar e nderuar, ku ndiheni më “në shtëpi”, ku përjetoni më shumë Shqipëri?
V.Zh: Më shumë Shqipëri kam brenda vetes e ajo më duket sikur humbon ashtu siç nuk duhet pikërisht në Shqipëri. Ndjesë që po flas kështu, e kam nga dhembja. Por përjeton e fuqishme te shqiptarët e saj, edhe tek të ikurit, me një hijeshi tronditëse. Siç ju thashë, në Rumani ka një rizgjim kulturor te shqiptarëve tani, në Itali janë me shekuj arbëreshet e mrekullueshëm, mbrohen me ligj, por kërcënimi i globalizmit dhe ndaj atij identiteti plot ngjyrë dhe sharm nuk duhet nënvlerësuar, dheu amë duhet te japë ende ushqimin shpirtëror; shqiptarët në Amerikë janë më të pasurit ekonomikisht, besoj, por kjo sjell dhe kulturë, që e kanë dhe patjetër duhet ta pasurojnë, është një traditë tashmë konico-noliane, le ta themi hapur, e vështirë për t’u vazhduar me atë zell e talent e ato arritje. Shtëpinë mund ta kesh kudo, por unë e kam te gjuha shqipe. Është fati dhe fataliteti im, aty kam flamurin dhe epitafin, kam poezinë e fjalës, që është më shumë se unë. Shqipëri ka më shumë atje ku e duan më shumë. Poezia është dashuri…