More
    KreuLetërsiShënime mbi libraVirion Graçi: Murosja e iluzioneve

    Virion Graçi: Murosja e iluzioneve

    Romani “Të murosurat”, i Lindita Arapit

    Krijimtaria letrare e botuar e Lindita Arapit nis nga fillimi i viteve ’90 kur paraqitet e re ndër poetët e rinj me zërin dhe fizionominë e saj të dallueshme. Ajo periudhë thyerjesh drastike – sociale, politike e kulturore si dhe pikënisjesh të shumta – ishte kohë përsiatjesh e zhgënjimesh nga vetvetja, për ata që kishin pasur pozicion të mirë klasor a familjar në sistemin totalitar; ishte po ashtu periudhë shpresash dhe iluzionesh të shfrenuara për të gjithë, sidomos për ata që në epokën e mëparëshme kishin jetuar përballë majës së thikës, nën syrin e vëngër të pushtetit shtetëror dhe propagandës së tij denigruese/përjashtuese. Gjithandej shembeshin mure e mite, rrëzoheshin perdet ideologjike të ndarjeve antagoniste mes vendeve të ndryshme dhe mes shtetasëve të të njëjtit vend, shpopulloheshin burgjet e të dënuarëve të ndërgjegjes dhe mbipopulloheshin sheshet qendrave të ndryshme urbane; ishte ndërprerë gjithandej puna prodhimtare në fshat e në qytet, në bujqësi e në industri; veprimtari ‘prodhuese’ ishin bisedat e ethshme mes njerëzve, projektet verbale, artikulimi publik e euforik i çdo zëri a zemërimi të brendshëm. Të gjendur nën gërmadhat e utopisë komuniste, menjëherë u hodhënmnë të tjera utopi, po aq abstrakte e joshëse, njëkohësisht. Nga ky truall i zhurmshëm epik, me ngjarje, personazhe e sipërmarrje gjëmuese, duket se ka lindur historia e Albës, protagonistes së romanit “Të murosurat”, vajzë e grua fjalë-pakë, nëpër perceptimin e përditshëm dhe digresionet/kujtimet e së cilës materializohet si dramë individuale – psikologjike një tablo e gjerë, nga qyteti provincial shqiptar deri në Vienë.

    Historia e treguar në roman nis kur betejat epike janë kryer, turmat e kanë kryer ekskursionin e tyre historik dhe janë të gatshëm të shijojnë të arriturat vetjake, sy më sy me të vërtetat trishtuese të dështimeve seriale. Ëndërrat, iluzionet e rinisë e kishin madhëruar edhe Albën, për sa kohë shërbyen për ta vënë atë në veprim fat-ndërtues, në kurorëzimin e shkollimit në perëndim, në kërkim të punës së përherëshme atje sipas kualifikimit përkatës, në kërkim të statusit si qytetar me të drejta të barabarta me kolegët vendas, si dhe, në planin intim/shpirtëror – në mbrojtje të dashurisë dhe të jetës së re familjare, bashkëshortore. Bash kur ka realizuar objektivat e mëdha dhe pret t’i gëzohet jetës së re, zgjohet si vetëdije, shikon më objektivisht  vendin ku është atdhesuar dhe vendin e saj të origjinës, kupton më qartë e më thellë shoqërinë në të cilën përpiqet të inegrohet dhe shoqërinë nga e cila e ka ardhur.

    Romani “Të murosurat” shpreh katërcipërisht gjendje tronditjeje e topitjeje deri në pathologji, kolapsin mendor dhe shpirtëror të femrës shqiptare, parë në vendndodhje të ndryshme: 1- Në Austri/Vienë, vend tipik perëndimor për nga trashëgimia krenare historike, për nga zhvillimi modern kapitalist, për nga fetishet e jetës mondane dhe shprehitë e shoqërisë së konsumit dhe, 2 – Në Shqipërinë e të dy kohëve, para e pas rënies së Murit të Berlinit. Motrat Alba dhe Pranvera, e para si protagoniste dhe e dyta si figurë plotësuese e fabulës romanore, bëhen secila dëshmi e viktima të dy botëve sa të ndryshme nga njëra-tjetra aq dhe të pandryshueshme në vetvete: Viena ashtu si mund të ketë qenë për një periudhë të gjatë – me madhështinë, ftohtësinë monumentale dhe shtresëzimet e spikatura klasore, dhe qyteza provinciale në Shqipëri – e kredhur si dikur nën të njëjtën skamje kolektive post-diktatoriale, nën të njëjtin mentalitet tradicional-konservator, në të njëjtën re pluhuri që ka mbuluar raftet e bibliotekës së zbazur, klasat pa fëmijë të shkollës, orenditë e shtëpive ku tashmë banojnë vetëm të moshur, pa kujdes e pa të afërm pranë, duke lënguar e duke u zvarritur në papastërtitë e trupave të tyre të venitur e të sëmurë.  Përmbledhtazi – në Shqipëri ka vazhduar rrënimi ekonomik i masave, ka ndodhur vetëm procesi i mplakjes së gjallesave e sendeve dhe jo rigjenerimi, jo përtëritja e shoqërisë.

    Kriza mendore dhe emocionale ka kapluar Albën, atdhesuar në vendin e mirëqenies dhe të traditave, por e pa klimatizuar me natyrën e marrdhënieve njerëzore, sidomos, sa i përket konceptit për martesën, familjen, jetës bashkëshortore. Në marrdhënien burrë-grua ajo e ndihen veten të parë vetëm si objekt kënaqësish, si partner investimesh në pasuri të përbashkëta materiale, si fëmër e bukur por me afat skadimi për shkak të moshës dhe në konkurencë me femrat e botës përjashta shtëpisë, në disko-klube e gjithandej lokaleve të zbavitjeve të natës. Ajo nuk mund ta gjejë veten në një treg të tillë ofertash dhe dehjesh kalimtare. Ajo është gota e përplasur fort në murin e shurdhët të një botëkuptimi tjetër. E ardhur nga një traditë ku familja, prindërit, fëmijët janë autoriteti, robëria e ëmbël, qëllimi dhe shpëtimi  i jetës, ajo depersonalizohet nga lidhja me një burrë pa biografi origjine, pa prindër, pa gjyshër, pa familjarë e aq më keq – pa nevojën për ta pasur (me Albën, siç duket) familjen e tij të paktën si projekt, si objektiv të radhës. E kush është shpëtimi në një botë të tillë? Shpëtimi është psikologu, mjeku psikiatër, suksesi financiar dhe – e pazvendësueshmja, mikja më besnike – medicina, industria farmaceotike.

    Nga romani:

    Dr. Eisenberg-u shpjegonte me qetësi dhe ngadalë.

    “Por, nëse duam të kemi sukses, duhet të vazhdojmë terapinë. Ne po testojmë. Le ta themi ndryshe, me oksitocinë po i japim patericat besimit tek ti të ngrihet më këmbë, konsideroje si një element shoqërues që na ndihmon drejt qëllimit. Lëng i tejdukshëm çudibërës që të kthen besimin, e quajnë disa, por unë kam dyshimet e mia. Janë bërë eksperimente, e vërtetë, oksitocina ka pasur efekt pozitiv në zbutjen e frikës, shtimin e besimit, por, nga ana tjetër, kur janë testuar grupe të ndryshme nga studiues holandezë, rezultatet ishin shqetësuese. Oksitocina forcon harmoninë dhe rrit gatishmërinë për të bashkëpunuar brenda grupit me të cilin ndihesh i afërt, por rrit agresivitetin ndaj grupeve të tjera. Kush thithte aty ositocinë, u vishte tipare më të mira të vetëve dhe distancohej edhe më shumë nga të tjerët. Jo vetëm kaq, tendencae denigrimit të të tjerëve ishte më e madhe, deri te agresiviteti ndaj grupeve rivalizuese. Por, gjithësesi, oksitocina ka efekt në zbutjen e frikës. Ndoshta një ditë do të zvendësojë benzodiazepinën, që jep efekt, por i bën pacientët të varur si nga një drogë, të shpresojmë”.

    “Domethënë, oksitocina i lidh më shumë ata që njeriu i ndien si të tijtë, por ata që janë ndryshe i pëjashton më shumë. Ky qënka hormone racist!” tha Alba.

    Dr.  Eisenbergu buzëqeshi lehtë dhe u ngrit në këmbë.

    Ora e terapisë kishte mbaruar. (F. 107-108)

    Protagonistja e merr oksitocinën, por edhe me të dështon t’i ngjitet shoqërisë që ka përreth, dështon të bëhet pjesë e natyrshme e saj; dallimet janë të thella, plasaritjet në ndeshjen e normave të ndryshme morale e etike janë aq të theksuara sa nuk mund të shërohen as prej medikamenteve. Alba nis të t’u largohet gjërave që ka mbritur, gjërave që ka fituar; ajo bën hapa pas, në kërkim të botës që ka braktisur duke kërkuar të ardhmen e mirë, parajsën tokësore, perëndimin, si çdo qytetar nga vendet e botës së tretë.

    Në sinkroni me titullin e romanit si propozim ideor i autores për një shumësi fatesh femërorë të murosur në një vend si Shqipëria,  duhet të ndalemi edhe te Pranvera, motra e madhe e protagonistes Alba. Nëse Alba, me sjelljet dhe prurjet e saj psikologjike zbulon pamje deiliuzonuese nga jeta e ç’integrueshme e emigrantëve nga vende të botës në kryeqytetin austriak, Pranvera mbetet sinonim i femrës shqiptare që bën paqe me gjendjen ekzistuese të vendit të saj; për shkak të bukurisë admirohej dikur në heshtje dhe përmendej dyshueshëm nga ‘të rriturit”, mbikqyrej nga rojet e “moralit të pastër komunist”, keqtrajtohej fizikisht nga prindërit për shkak se dashuronte një djalë; ajo pranon të abortojë në kushte primitive duke rrezikuar jetën e saj, pranon ta dorëzojë vullnetin e saj në duart e të tjerëve: punësohet me ndërmjetësi, martohet, bëhet nënë dhe përshtatet të jetojnë në harmoni me ambientin mbytës sikur nuk ka ndodhur diçka e keqe më parë, sikur s’ka lënë pas krahësh asgjë me vlerë për ta kujtuar, për ta mbrojtur. Ka pranuar llojin dhe përmasat e kafazit gjinor që i është ofruar i gatshëm, standard, mezi pret të mplaket si nënë dhe të shpëtojë kështu nga çdo trazim që i vjen nga jashtë mureve të shtëpisë prej të qenurit femër ende e re dhe e bukur.

    Sa pamë më sipër për romanin e ri të Lindita Arapit, nuk mund ta zvendësojë leximin e romanit, nuk mund ta shuajë kureshtjen për të, përkundrazi; “Të murosurat” nuk është roman i verdhë i një enigme që zbulohet në faqen e fundit, në paragrafin e fundit; ai zbulon në çdo fjalë, në çdo fakt, me gjërat e shqiptuara nga protagonistja dhe me gjërat e lënë në heshtje, nënkuptuar midis rreshtave nga autorja. Romani ia vlen të lexohet për rrëfimin e rrjedhshëm, pasuruar gjatë rrugës prej digresioneve, prej restrospektivave shtegëtuese në kohë e hapësirë të cilat bëjnë të mundur që historia e dy motrave nga një qytetit i vogël i Shqipërisë së mesme të mos ngelet një aksident familjar, një dramë e ishulluar. Duke rrëfyer vetëm për Albën dhe Pranverën L. Arapi arrin të kuadrojë në roman më shumë njerëz, të ngjashëm nga fati, të ngjashëm nga forca e nga dobësitë njerëzore me personazhet e saj; nëpërmjet realizmit psikologjik, karakteristik për pjesën më të madhe të veprës, kur tregohet vendi dhe përjetimet e një emigranteje të re e të brishtë në kryeqytetin të njohur perandorak, mbipopulluar me statuja, lavdi e simbole autorja përcjell nga lindja në perëndim iluzionet dhe traumat e qindra-mijëra njerëzve që rropaten larg vendeve të origjinës për në viset e ëndërruara; nëpërmjet realizmit piktural, mbizotërues në episodet e fundit të librit kur bëhet fjalë për riatdhesimin vullnetar të Albës, kapet imtësisht gjendja e vendit amë, me ngjyrat gri të mjerimit, me mungesat elementare të jetës dhe deformimet e pandreqëshme të strukturave sociale-urbane.

    Në romanin e saj të ri L. Arapi çmuros sekrete të përditshmërisë dhe nxjerr nga errësira pamje domethënëse, emocionuese, të qenësishme jo vetëm për ne shqiptarët.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË