More
    KreuIntervistaVirion Graçi: kujtesa e romanit dhuron gjak për lexuesit, s’lidhet me narrativën...

    Virion Graçi: kujtesa e romanit dhuron gjak për lexuesit, s’lidhet me narrativën e modës së fundit

    Intervistoi: Violeta Murati

    Virion, ju jeni një njeri aktiv në fushën e letrave dhe pretendues me letërsinë që shkruani. A mund të kemi nga ju një pamje, një mendim mbi çfarë po ndodh në skenën letrare të këtyre dy viteve të fundit ku ndahen shumë çmime letrare… sa vlerë marrin për ju krijuesit dhe sa kanë ndikuar në lexueshmëri?

    Me sa jam unë në dijeni, jepen disa çmime letrare, disa janë për libra e disa, më të shumtit e më kakofonuesit, jepen në festivale poezie a proze të shkurtër për të nderuar një tufë poezish a një tregim. Duket sikur veprimtarive iu vihet pika mbi “i” kur e shpallin një fitues, e mbase nuk e kanë keq; e keqja fillon kur shumëzohet e ekzagjerohet mediatikisht formati i veprimtarisë konkurruese dhe pesha e çmimit në fjalë: thua se u fitua një Nobel apo një çmim bibliotekash në Europë a në SHBA. Në fatin e librave të mi të lexuar, të çmuar e të njohur nga publiku, nuk kanë luajtur rol çmimet letrare (që nuk kam marrë për 25 vjet rresht) as (dy) çmimet e marra në tre-katër vitet e fundit: në kënaqësinë time njerëzore apo trishtimet e mia intelektuale po, kanë ndikuar shpalljet e ndryshme të jurive, sepse jam njeri i profesionit, jam studiues shkencor-letrar, d.m.th një lloj kujdestari e ligjëruesi publik për vlerat e faktet letrare, për hierarkinë e tyre, për vlerat e nënçmuara nga juritë e katedrat shkollore-universitare apo për pseudo-vlerat e mbivlerësuara po nga juritë e nga katedrat. Për mendimin tim, rrallëherë juritë kanë dashur të jenë të drejta, të ndershme, objektive e me standarde të larta estetike-letrare.

    Raporti i jetës letrare në kryeqytet me atë çfarë ndodh nëpër qytete të tjera, vazhdon të ketë humnera ndarjeje, ndërsa një fondacion kulturor në Fier vlerëson shkrimtarët me çmime… ku, së fundi, jeni nderuar edhe ju, për romanin “Pëllumbat i vrasin natën”. Ç’janë këto realitete, standarde?

    Ky fondacion (Harpa) ka lindur në Fier me ideimin dhe mbështetjen e faktorëve shoqërorë-ekonomikë vendas, por gjeografia e emrave të përfshirë drejtpërsëdrejti në veprimtaritë e shumta të tyre nuk është aspak lokale-provinciale, por mbarëkombëtare në kuptimin më serioz të fjalës. Lista e profesorëve, kritikëve letrarë, lista e shkrimtarëve të shquar dhe e akademikëve që kanë qenë e janë pjesëmarrës aktivë e protagonistë në çdo veprimtari të “Harpës” si anëtarë jurish, si kumtues, si ligjërues është ndjeshëm më e madhe se në çdo veprimtari kulturore tiranase a ngjarje kulturore që kryhet në të ashtuquajturat qendra të mëdha urbane te ne. E kundërta mund të pikaset lehtë: institucione qendrore të shtetit këtu në Tiranë thërrasin rëndom në juri njerëz të rëndomtë, që nuk kanë asnjë status tjetër autorial në letërsi e në kritikë letrare veçse vetëshpalljes kritikë-kandar vlerash, shpërndarës sheqeri me pagesë nëpër faqet e fundit të gazetave. Për vlerësimin tim nga fondacioni “Harpa” nuk habitem aspak: kanë bërë një bilanc të punës sime gati 30-vjeçare në letërsi, si autor librash, kanë bërë atë bilanc që të tjerë individë, institucione e organizma nuk kanë pasur dëshirë ta bëjnë, nuk kanë pasur ndershmërinë profesionale ta shqiptojnë në ligjërimin publik, në rastet përkatëse të hetimit periodik e të sistemimit të vlerave, prurjeve.

    Motivacioni i vlerësimit për ju nga fondacioni “Harpa” ishte: “Shkrimtar me vlera të larta krijuese. Autor me individualitet krijues që ka krijuar kode unike ligjërimi, duke pasuruar prozën romanore shqipe.” Keni një vështrim për këtë të fundit, pra prozën shqipe bashkëkohore, çfarë po ndodh?

    Proza shqipe po vazhdon rrugën e saj me autorë të mirë. Krahas klasikëve të gjallë, si Kadare, për shembull, kemi edhe breza pasardhës që e kanë krijuar fizionominë e tyre dhe po e pasurojnë biografinë krijuese me vepra të reja, duke botuar rregullisht libra interesantë. Madje dhe autorë me moshë fare të re po kalojnë me guxim e sukses te gjinia e romanit duke mos zhgënjyer. Për fatin e mëtejshëm të romanit tonë si vijimësi nëpërmjet shkrimtarëve debutues shpresoj të na vijë në ndihmë bujaria e botuesve tanë dhe zelli shkrimor-flijues i vetë autorëve që t’i mbartin me durim faktet e hidhura që vijnë nga realiteti ynë social, aspak i favorshëm për punë artistike, mjerisht.

    Romani juaj “Pëllumbat i vrasin natën”, ashtu siç jeni shprehur, është një dëshmi e përjetimeve, bilanc intelektual shpirtëror për realitete komplekse historike. Ka pasur “keqkuptime” në perceptimet e tij dhe kemi debatuar për këtë. Çfarë ndodh në këtë rast, kur vepra shkon te lexuesi, sa është i riskuar shkrimtari për t’u kuptuar ose jo? Sa mund të jetë i shqetësuar shkrimtari për këtë?

    Bashkë nuk kemi pasur keqkuptime për romanin, por për mënyrën e etiketimit të tij për tregun e librit, e këtu formulimet janë përherë të lëvizshme, asnjëherë të mjafta për ta rrokur a shpalosur krejt librin e thelbin e tij për lexuesit nëpërmjet një etikete, nëpërmjet një fraze marketing. Libri po pëlqehet dhe po lexohet me ëndje. Më kanë ardhur vlerësime të shumta, pozitive, madje entuziaste: është pëlqyer mjaft si histori tragjike e një familjeje dhe e një individi; është pëlqyer humori i zi me të cilin ky fat individual e familjar bëhet miniaturë simbolike e krejt shoqërisë sonë për periudhën nga fundi i shekullit të shkuar deri në ditët e tashme. Nuk jam provokator, por as e ul veten në rolin e një shërbyesi restoranti, që pjatën e qortuar nga klientët ta tërheqë për ta rikompozuar sipas shijes së masave; përkundrazi, kam ngritur një forum timin, një radhë romanesh si lartësim e kristalizim të personalitetit tim, shkrimin, dhe nuk mund të zbres në nivele shprehie pragmatike që nuk më përkasin mua për nga cilësia e autoriteti.

    Sa “luks”, aq edhe mundim më duket fakti se rrëfimi juaj është përjetim, të shkruash në përjetim… dhe t’i hedhësh personazhet në honet e një historie, në të vërtetat e tyre…

    Vij nga poezia, vij nga përjetimet e imëta lirike dhe nga shkolla e jetës së vështirë; përvoja e gjatë krijuese, forca e karakterit, formimi intelektual mbase më kanë ndihmuar të ndiej e të shkruaj me zemër, por edhe t’i vendos zemrës një copë akulli përsipër kur konceptoj një vepër, gjatë formësimit të saj.

    Si është krijuar ky roman, si ka lindur?

    Është shkruar në dy muaj të verës 2013, menjëherë sa kisha shkruar në variant të parë romanin Stina e hijeve. Pra, ishin 3-4 muaj çmendurie të vitit të mbrapshtë 2013, në kuptimin përkëdhelës të fjalës. Nuk u habita kur e përfundova aq shpejt, u mërzita se po ndaheshim bashkë. Meqë m’u bë i dashur si tekst, vendosa ta mbaja ca vite për vete, ndaj kam refuzuar disa mundësi të mëparshme botimi. Më tepër nuk tregoj dot tani për tani…

    Neta është simbolika e gjithë romanit: falë shoqërisë me pëllumbat, i ka shpëtuar izolimit, vetëvrasjes, çmendurisë… Ka një “pavarësi” të frikshme, që krijon një model, që na lë në një trishtim… çfarë brengash qëndrojnë në ju, sa identifikim ka ky personazh?

    Sa i përket Netës, ajo ka dy çaste të rëndësishme zgjedhjeje për shokun e jetës, për shokun e shortit. Në rininë e saj të hershme, kur sheh për herë të parë Betimin, me të cilin pati dashurinë fatkeqe, martesën e parë dhe djalin, Vegimin, ajo tha: “Sa shumë e dua ushtarin”; ndërsa, kur ngeli e ve, ajo u martua me dikë vetëm për faktin se ai mbante pëllumba në shtëpi, në ballkon. Kështu, nga dashuria marramendëse për rrobën ushtarake, tek ajo verbuese për pëllumbat – kemi dy pikat fundore të një segmenti tragjik-grotesk, por dhe sintetizues: metaforë e vendit tonë për shtrirjen kohore-historike përkatëse.

    A keni një mendim, pse vazhdon ende letërsia të prodhojë libra mbi kujtesën?

    Libri është pjellë e kujtesës; edhe imagjinata, përfytyrimi i çdo gjë tjetër që përfundon në lëndë romanore, është prej thesareve të fshehta të kujtesës. Ju e keni fjalën për një narrativë të modës së fundit: periudha komuniste, dëshmitë për të, seminaret, simpoziumet… Ato janë angazhime deri-diku formale, sa për procedurë, sa për të tërhequr fonde a për të shlyer formularë shpenzimesh e detyrimesh financiare. Kujtesa e romanit dhuron gjak për lexuesit, nuk ka të bëjë me ato që ju me të drejtë konstatoni.

    Të ruhet dashuria për Njeriun dhe dhimbja për dhimbjen e Tjetrit. Ky është një ndër postulatet humane që del nga libri juaj. A mendoni se intelektuali human ka “vdekur” sot, apo nuk i hyn më në punë historisë, vendit, letërsisë?

    Asgjë nuk ka vdekur e nuk mund të vdesë, as e keqja as e mira, vetëm ndryshon raporti midis tyre, herë mbizotëron njëra, herë tjetra; kuptohet, te ne e keqja ka pasur përherë epërsi absolute duke u ngritur deri në përmendore. Njerëzorja, e mira, e dëlira do të jenë gjithashtu sfiduese, element bazik i jetës, themel i ekzistencës. Problemi qëndron te modelet që ofron/ shpërblen/ propagandon shoqëria, shkolla, sistemi politik-shtetëror.
    Cila ka qenë këshilla më e mirë në shkrimin e këtij libri? Në fakt, me këtë pyetje ndoshta dua të ngre një nga problemet më të mëdha që ka shkrimi i librave këtu, askund nuk flitet për prezencë të një mentori letrar…

    Nuk mund të ketë shkrimtari mentor në atë kuptim që e ka kërkuesi shkencor, doktoranti, studenti që po përgatitet të kryejë një studim… Kam përshtypjen se shkrimtari lind kur shpërfill mitet, idhujt, modelet, mentorët e përfytyruar, kampionët e fushës së tij; shkrimtari lind kur fillon t’i nxjerrë në dritë përmbajtjet e tij, tundimet e tij, makthet, habitë, zhgënjimet.

    Në çfarë mënyrash i “shërbeni” librit tuaj? Sa udhëtoni, sa i ndiqni festivalet dhe ngjarjet letrare… në këtë kontekst.

    Për shkak të profesionit, lexoj; lexoja edhe kur isha i vogël e nuk e kisha këtë profesion; tani kam mundësi të lexoj pothuajse në kohë reale librat që bëjnë emër në botën e madhe letrare. I lexoj për kërshëri e kënaqësi njerëzore-estetike, jo për t’i zhbërë me mendje, si ata që duan të vjedhin sekrete të prodhimit, të teknologjisë. Asgjë nuk kam bërë për hir të letërsisë sime a në dobi të një libri që mund të shkruaj ndonjëherë: kam dashur të shoh sa më shumë që të kuptoj sa më mirë veten, pozicionin tim në kohë e në hapësirë; kam dashur të ndiej sa më shumë si njeri natyrën dhe historinë; kam dashur të prek sa më shumë pamje të fateve të nëpërkëmbura njerëzore, pamje të heronjve anonimë.

    Ende kritika s’ka shkruar për librin tuaj, ndoshta nuk e kanë lexuar apo nuk marrin mundimin të lexojnë më sot?

    Kritika nuk mund të bëjë përjashtime e të ndryshojë zakon kur fjala është për krijimtarinë time: nuk do të shkruajë as kësaj here. Romani im i parë ka 25 vjet që është botuar e njohur në Shqipëri dhe 18 vjet i botuar në Francë, por për të në Shqipëri nuk ka pasur kurrkush “guximin”, fisnikërinë, korrektesën profesionale t’i shkruajë 18 fjalë, jo 18 fjalë nderimi nga ato që i kanë me tonelata për njëri-tjetrin, por fjalë analizuese-kritike… Jo. Nuk e kam matur ndonjëherë veten me mendjengushtësinë e tyre. E kam kapërcyer atë nivel ndjeshmërie e atë horizont buburrecësh që kur vendosa të dorëzoj për botim librin e parë; tashmë, jemi 10-11 libra më larg…

    Ju gjithmonë keni qenë një nga kritizerët më të ashpër të çmimeve, duke anatemuar sidomos mbi kriteret e ngritjes së një jurie. Çfarë ka për t’u ndrequr në këtë aspekt?

    Shakatë apo qesënditë e mia nga tavolina e kafenesë apo nga facebook-u m’i kanë marrë e ekzagjeruar gazetarët e etur për sherre, ngatërresa, konflikte verbale. Jam njeri i humorit të shkujdesur, i humorit argëtues e pa të keq, e jo njeri i sherrit, aq më pak nuk jam ushtar i nihilizmit. Sigurisht, jam shprehur dhe në mënyrë të posaçme, serioze, për këtë problem jurish e juristësh letrarë me dëshirën normale që akordimi i një çmimi të na e shtojë respektin për shkrimtarin, për veprën e tij e jo të na shtojë të qeshurat, dyshimet, përqeshjet. Kaq kam dashur.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË