More
    KreuOpinionVirion Graçi: Gjergj Kastrioti dhe Naimi nëpër kohë rrëfimtare…

    Virion Graçi: Gjergj Kastrioti dhe Naimi nëpër kohë rrëfimtare…

    Nga botimi i parë në vitin 1898 “Istori’e Skënderbeut” e Naim Frashërit, rrugëtimi i Poetit Kombëtar dhe i Heroit Kombëtar ka qenë i gjatë; i pari i ka ngelur letërsisë, panteonit shqiptar të artit, atdhedashurisë, edukimit, i dyti është përjetësuar me monografi shkencore, me krijimtari artistike- letërsi, pikturë, muzikë popullore e klasike, skulpturë, me urdhërat dhe medaljet e shtetit shqiptar, emra sheshesh e institucionesh arsimore, etj; pra, janë dy figura-kult, më përfaqësueset, më të shenjtëruarat, në kuptimin laik të fjalës, brenda e jashtë trojeve shqiptare. Për Heroin kanë qenë të gjetura si formulë pagëzimi vargjet e Poetit, në “Histori e Skënderbeut”

     Vargjet e “Histori e Skënderbeut”  nuk ishin të parat kushtuar Heroit Kombëtar, por kanë qenë të rëndësishme, më të rëndësishmet, besoj, për kohën kur u shkruan për zgjimin e vetëdijes popullore shqiptare, në orientimin e tyre shpirtëror-kulturor-politik për nga perëndimi. Rëndësia e këtij monumenti letrar kushtuar Heroit Kombëtar bëhej shumëfish e madhe, ndikuese pasi autori ishte nga familje e njohur myslimane, me veprimtari të shquar në lëvizjen kombëtare për pavarësimin e shqiptarëve në shtet më vete, për lëvrimin e gjuhës e letërsisë shqipe, për hapjen e shkollave shqip, për arsimimin dhe edukimin atdhetar. Në rrjedhë të kohës figura e Skënderbeut vijoi të ishte e dashur si motiv krijimtarie e frymëzimi për shqiptarët, për mëgatat shqiptare dhe miqtë e tyre në continent; rëndësia e ndikimi i veprës së Naim Frashërit ndër bashkëkombasit e tij, vijoi të theksohet me të njëjtën ritëm duke u pranuar, qysh në të gjallë – Poet Kombëtar.

    Nga pika e tashme historike se vepra kushtuar Skënderbeut, për nga forca e madhe ndikuese/orientuese mbetet më e rëndësishmja në lartësimin e autorit të saj si Poet Kombëtar; për mendimin tim, kjo poemë ka pasur për kohën të njëtjën rëndësi si dhe programi politik kombëtar i Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhet.”  Sa i përket mënyrës së përhapjes e popullaritetit, programi politik kombëtar në vargje (poema e Naimit) kishte përparësi, përhapej, përcillej, trashëgohej sepse vargjet mbijnë kudo, i merr era, nuk mund t’i pengojë e dënojë askush, kalojnë në grup-mosha të ndryshme si krijimtaria e zakonëshme folklorike, ndryshe nga librat e tjerë në gjuhën shqip që nuk e kishin të lehtë shumëfishimin, shpërndarjen dhe leximin, për shkaqe censure, përndjekjeje politike si dhe për shkak të analfabetizmit, në fund të fundit.

    Figura e Poetit Kombëtar dhe figura e Heroit Kombëtar ecën përkrah në periudhat para shtetërore të shqiptarëve, po ashtu ishin edhe pas shpalljes së pavarësisë, në periudhën e monarkisë, gjatë regjimit komunist, pa pasur dritë – hije në perceptimin e tyre, përkundrazi. Pas vitit 90-të në Shqipëri pikaset rënie e veprimtarive shkencore e përkujtimore kushtuar Naimin Frashërit, krahasimisht me të shkuarën e afërt; ndërkohë, shkencat historike, albanologët bëjnë përpjekje madhore t’i përafrohen Gjergj Kastriotit objektivisht, nën dritën e zbulimeve të reja arkivore. Nëse për figurën kult të Naimit nuk ka pasur intesitet studimesh, për Skënderbeun ka pasur diskutime, në nivele të ndryshme. Pra, çmimi i lavdisë, rruga e ndjekur drejt saj. Me çfarë çmimi është ngritur në të gjallë të tyre kulti i tyre? Për dy figurat – kult, studiuesit dhe masat janë njëmendësuar me kostot e kultit të Naimit, duke u pajtuar me sa duket me imazhin e përcjellë nga poezia-autoportret “Fjalët e qiririt”, poeti ka shkrirë vetveten për të na bërë pakëz dritë; sa i përket Heroit Kombëtar, çmimi i kultit të tij është përdorur ose keqpërdorur, ka shkaktuar interpretime të ndryshme, nga një herë edhe përjashtuese. Na është dashur të gjendemi mes debatesh edhe për njollat e errëta të diellit, thënë figurativisht.

    Secila vepër letrare a shkencore që ka pasur objekt Gjergj Kastriotin dhe epokën e tij, pavarësisht përkatësisë të zhanrit tregimtar e periudhës kur është publikuar, ka sjellë provat e saj, ka shkaktuar reagime.   Në galerinë e monumenteve verbalë kushtuar Skënderbeut vihet re se prurjet nga letërsia artitike kanë qenë e janë të pranueshme për publikun, të dashura e të mirëbesuara, që nga idealizimet/glorifikimet naimiane të peridhës së Rilindjes Kombëtare- deri te realizmi historik letrar i shkrimtarëve tanë modernë, bashkëkohorë si Kadare, Xhaferi, Godo. Tjetër kanë qenë ndjeshmëria dhe përgjigjet ndaj historisë si shkencë, ndaj fakteve, provave e interpretimeve të hasura nëpër monografitë shkencore. Përmendim disa raste.

    Së pari te Oliver Jens Schmit: “Kështu jeta dhe kryengritija e Skënderbeut u bë dhe tragjedia e trevës së tij të prejardhjes, e cila si asnjë rajon tjetër i Ballkanit u shkretua e u shpopullua nga osmanët.”

    Kronologjikisht, nuk është i pari Oliver J-Schmid ai që tërheq vëmendjen te kostot njerëzore e materiale të lavdisë së heroit tonë kombëtar. Nga romani “Skënderbeu” i S. Godos lexojmë: “Humbjet e përgjithëshme të Skënderbeut në Stefigrad arritën në një mijë e tetëqind veta dhe ai u tërhoq me zermën e ngrirë kur filluan thëllimet dhe bora e nëntorit. Skënderbeu do të fitonte beteja të tjera, të shumta e të mëdha, po nuk do të merrte më asnjë kështjellë. Bedenat e keshtjellave kërkojnë kufoma. Ai shikonte përpara. Sulltani kishte humbur në Sfetigrad katër herë më shumë po kjo nuk e ngushëllonte. Fuqia e armikut do të rritej me kohën ndërsa  burimet e tij do të thaheshin”.

    Romani “Skënderbeu” i S. Godos e shpërndan aureolën e përfytyrimeve romantike për marrdhëniet e mbështetjen reciproke midis Skëndebeut dhe mbretërive të europës, marrdhëniet e idilizuara në retorkën tonë profane midis krishtërimit të kohës dhe Gjergj Kastriotit. Besnik i fakteve historike e jo i retorikës folklorike, ai jep një pamje realiste, aq sa romani historik si zhanër ia mundëson:

    “Përfundimet e shtegëtimit që zgjati gati tre muaj, ishin tej inatit dhe dëshpërimit. Në çastin e jetës ose të vdekjes së popullit të tij, Skënderbeu gjendej i vetëm përballë fuqisë së përqëndruar të turkut, i braktisur sheshit e i tradhëtuar. Ai ishte një burrë i vjetër që provoi turpin për herë të parë në dyert e Vatikanit, ku mbeti atje si një fisnik hushkulur që ka lënë vendin e tij dhe s’ka me se të paguajë darkën, ndërsa e thërrasin në çdo rast “mburojë”, “shpëtimitar”, “Aleksandër i Maqedonisë’, “Pirro i Epirit’. E gjitha kjo i shërbente një lodre pa nder. Po tani kjo mori fund”.

    Edhe në krijimtarinë e Ismail Kadaresë epoka e Kastriotit ka zënë vend. Imagjinata krijuese dhe forca e jashtëzakonëshme artistike në ndërtimin e figurave e përshkrimin e situatave nuk e ka penguar autorin të shikojë përtej legjendave, miteve e romantizmit tradicional: “Po të bëjmë një llogari të thjeshtë – vazhdoi kryeveqilharxhi, – del se pas pesëqind vjetësh, për shembull, shqiptarët duhet të jenë rreth pesëmbëdhjetë – gjashtëmbëdhjetë milion.

    Mevla Celebiu rrudhi ballin sikur ndjeu një dhimbje.

    Kjo, i dashur mik, është një shifër që mund të themi se ta prish gjumin – vazhdoi kryeveqilharxhi. E kupton tani se ç’do të thotë të ndalosh atë që quhet rritje natyrale e popullsisë së një vendi?”

    Romani i Kadaresë jep një shkak tjetër të tërheqjes si të mundur të ushtrisë otomane: shiun, shiu ju vjen në ndihmë kështjelltarëve të rrethuar. Pra, nuk ka një sulm a një rol të mbitheksuar të Gjergj Kastriotit.

    Bilal Xhaferi, bashkëkohës me S. Godo e I. Kadare, e rrëfen lavdinë dhe tragjizmin e epokës në fjalë, por i përmbahet praktikës thjeshtëzuese udhëheqës-popull, i zakonshëm ky koncept në mënyrën e të menduarit aso kohe. Studiuesit letarë gjejnë vlera artistike në romanin e tij historik kushtuar njeriut dhe heroit Gjergj Kastrioti:

    Gjergji i tradhëtuar nga të gjithë, përveç popullit,  skllavëri e lumtur, edhe tani popullit i merej mendja nga uria, nga taksat, nga gjaku i derdhur. Pse ai e ngriti në këmbë këtë popull në një gjakderdhje të tillë të tmerrshme.

    Imagjinata poetike e B. Xhaferit kërkon të mbushë tablonë e madhe të së shkuarës për të cilën kërkimet historike, dëshmitë domethënëse, detajet simbolike nuk i ka në masën e cilësinë e duhur. Në përgjithësi, ai i ikën shpesh faktografisë, aq e domosdoshme për stisjen e një romani historik. Gjithësesi, si romancier me vokacion poetik B. Xhaferi, nuk sheh zgjidhje tjetër për udhëheqësin,  nuk e hedh në diskutim dobinë kombëtare të qëndresës tij. Në mënyrën e vet, me origjinalitet e ngrohtësi e ndërton një përmendore letrare për heroin e tij të dashur.

    Kështu, nga 1898-a, origjinali fiksional-poetik i Naim Frashërit, është pasuruar e nuancuar nga shkrimtarët pasardhës, pa i rënë ndesh mitit të tij, figurës-kult të Gjergj Kastriotit. Sa i përket historisë si shkencë, e vënë në diskutim herë pas here rëndësia e padiskutueshme e Skënderbeut si mit, si simbol, i ka pasur përgjigjet shkencore pohuese.

    Pra, na është dashur e do të na duhet ta shohim Heroin përmes Poetit dhe shkrimtarëve tanë. Shohim se Naim Frashëri, qëllimisht i ka shërbyer më së miri krijimit të një miti. Dhe ishte pikërsht detyrë poeti kjo e krijimit të mitit. “Poetët krijojnë mite,” shkruan Sartri. Kurse Northrop Frai e përkufizon mitin si, “Bashkim të ritualit dhe ëndrrës në fomën e kominikimit verbal”. E. Fromi: “Mitet dhe ëndrrat kanë një element të përbashkët, janë shkruar që të gjithë me të njëjtën gjuhë, në gjuhën e simboleve. E drejtuar prej një logjike të ndryshme nga ajo e zakonshmja, pra një logjikë ku kategori sunduese nuk janë hapësira dhe koha, por intesiteti dhe asosacioni, ajo është ndoshta, e vetmja gjuhë universale e krijuar prej njeriut, që ka mbetur e njëjtë për çdo qytetërim dhe përgjatë gjithë historsë”.

    Provë tjetër si i bashkon shqiptarët miti i Heroit, pavarësisht pikëpamjeve politike e marrdhënieve me shtetin amë të kohës: Prof. Abaz Ermenji, historinë e tij të Shqipërsië e titullon: “Vendi që zë Skënderbeu në historinë e Shqipërisë” (Francë, 1968, Shqipëri 1996). A. Ermenji shprehet: ”Në kohët e reja (koha e shpërbërjes së perandorisë otomane, shën.im-v.g) duke mos pasur shqiptarët as letërsi, as histori të shkruar, as liturgji fetare në gjuhën e tyre, figura letrare iu vlejti si monumenti historik m’i  lashtë, rreth të cilës u lidh ideja e njësisë kombëtare dhe e mëvetësisë së Shqipërisë. Brezi i Rilindjes e nxorri Gjergj Kastriotin si Atin e Kombit, shembullin e të cilit duhej t’a ndiqte gjithë nipëria. Për këto arsye , Skënderbeu mbetet si gur themeli në historinë e Shqipërisë.”

    Si përfundim, veprat epokale si ato të Gjergj Kastriotit, nxorrën në skenën e historisë një popull, një etni; shpirtëra të mëdhej poetikë e profetikë si Naim Frashëri, sollën në vetëdijen e masave, te të gjithë shqiptarët një Gjergj Kastriot të përsosur, të madhërishëm e human, mishërim i mirësisë, simbol i duhur identifikues për ne, nga e shkuara drejt të ardhmes.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË