More
    KreuLetërsiShënime mbi libraVictor Aquiles Jiménez: Një qasje e re

    Victor Aquiles Jiménez: Një qasje e re

    (Ese e shkurtër mbi Migel de Servantes [Miguel de Cervantes Saavedra, Alcalá de Henares, 5, 29 shtator 1557 – Madrid, 22 prill 1616: ushtar, romancier, poet dhe dramaturg spanjoll] dhe Don Kishotin e Mançës.)

    Të vetmet qenie reale janë ato që nuk kanë ekzistuar kurrë.

    Oscar Wilde

    Çmenduria në letërsi; natyra njerëzore; një libër universal pa datë skadimi; një kritikë metaforike për botën; Donkishoti, një vepër e pamundur për t´u tejkaluar; hapësira të tjera përtej Tokës; “donkishot, donkishotesk” epitete fyese; kritikë e përparuar për kohën e vet; analizë psikiatrike, psikologjike; mijëra ese mbi një personazh fiksioni dhe një biografi e shkurtër mbi autorin e tij; ta nisësh të shkruarit nga çdo fjalë apo fakt i rëndomtë; dukuria metafizike e përcjelljes shpirtërore të autorit me personazhet e tij; analizë e personalitetit të Migel de Servantesit, pak neuroshkencë në fiksion.

    Kur mendoj për një vepër simbol në gjuhën time të nënës, spanjisht, pa kujtuar asnjë libër tjetër, ndonëse ka të tillë shumë cilësorë dhe të mrekullueshëm, menjëherë dhe vetvetishëm, për nga përsosmëria e tij, më vjen në mendje Donkishoti i Mançës, i të papërsëritshmit dhe të paarritshmit Migel de Servantes Savedra. Midis të tjerëve, më shfaqen në imagjinatë figurat mbizotëruese të Donkishotit, Sanço Panços, Rosinantit dhe Dulqinjës. Pra, të gjithë personazhe klasikë, të cilët i kemi lexuar për kënaqësi, për detyrim shkollor apo për kulturë të përgjithshme dhe pas të cilëve jemi dashuruar. Ndonëse është e vërtetë që Migel de Servantes shkroi shumë vepra të suksesshme dhe pati porosi e kërkesa, me Donkishotin e Mançës arriti përmasa universale. Shpesh jam rropatur të di për Migel de Servantes Savedrën, se si i lindi ideja, si e mendoi dhe si e skicoi kryeveprën e tij, duke dëshiruar, si çdo autor tjetër, që të shkruante një histori origjinale, me vlera universale, me një temë që të ishte e kuptueshme në çdo gjuhë dhe kulturë. Kishte zjarrin dhe talentin e mjaftueshëm për të shkruar një vepër gjeniale, nisur nga vetë asgjëja, por i mungonte vetëm tema, derisa e gjeti atë, të paraqitur në diçka aq të thjeshtë sa vetë çmenduria. Në të gjitha anët dhe në të gjitha kohët ka të çmendur, ashtu si dhe në të gjitha shtresat shoqërore, qofshin të pasur apo të varfër. Çmenduria te njerëzit është një e keqe e përveçme dhe e përgjithshme, e kemi midis nesh, pranë apo larg, që kur lindim e derisa vdesim. Aq e rëndomtë është çmenduria, saqë duket se askush nuk shpëton dot prej saj, sepse në ndonjë çast të jetës ajo mund të shfaqet me ndonjë patologji, me çrregullim personaliteti, nga depresioni, ndryshimi i humorit, nga goditjet dhe ndeshtrashat e jetës. Ajo ndeshet në organizimet dhe sistemet shoqërore, që nga këndvështrimet kulturore, politike, ushtarake, fetare e shkencore, prandaj mund të themi se jetojmë në një mjedis çmendurie. Kështu pra, nisur nga kjo premisë, sfida e Migel de Servantes Savedra ishte të gjente klishenë letrare, leit motiv-in dhe prototipin e personazheve që ngërthehen brenda imagjinatës së të gjithëve, që na përfaqëson të gjithëve, ngado ku ka njerëz, dhe s´kishte gjë më të mirë dhe më të volitshme për këtë, sesa një i çmendur i këndshëm; një plak i marrë, lexues novelash kalorësiake, të cilit, verbuar nga ato histori të largëta të së shkuarës, i shkon ndërmend t’i rikrijojë bëmat e atyre heronjve dhe legjendave, qartësisht, duke i vënë në jetë vetë. Në kohën e Migel de Servantesit, nuk ekzistonin profesione të tilla si, Psikiatria, Psikologjia a Sociologjia – njohuri dhe funksione shkencore për të dalluar, klasifikuar dhe diagnostikuar çmendurinë. Kështu që letërsia ishte vegla më e mirë për t’i dhënë formë psiqikës së personazheve dhe për të zbërthyer marrëdhëniet e tyre në rrjetën shoqërore ku ata jetojnë dhe ku pështjellohen me kaq përsosmëri – prandaj, askush s›mundej dhe s›mund t›i përdorë qyshkaherë, me aq mjeshtëri, ato funksione, në mënyrë të natyrshme, më mirë sesa shkrimtari, kur bën përshkrimet psikologjike dhe rrethanore të personazheve të tij, mënyrën se si ata jetojnë, marrëdhëniet e tyre me shoqërinë, konfliktet dhe dyzimet kulturore. Të gjithë ne që e kemi lexuar Donkishotin e Mançës, apo kemi parë filmat, shfaqjet teatrale, apo kemi lexuar qindra artikuj dhe analiza për personalitetin e Donkishotit, e dimë se ishte një i çmendur, por, në këtë rast, një i çmendur i arsyeshëm, nga ata që shpesh i ndeshim në ndonjë vend pranë nesh. Donkishoti ishte i këndshëm, i zgjuar për nga padjallëzia dhe për nga dituria që rridhte brenda një padjallëzie gënjyese, duke qenë se gjendja e tij patologjike ndoshta ishte produkt i një çmendurie pleqërie. Sidoqoftë, ajo çmenduri gjeniale na mbërthen. Migel de Servantesi kishte një njohuri të thellë për psikologjinë njerëzore, një dhunti të lindur, të zgjeruar dhe të shtjelluar nga leximi i veprave klasike dhe atyre të epokës së tij, gjithashtu edhe nga vetë të shkruarit, gjë që e bënte të ishte një njohës i përsosur i njeriut dhe shoqërisë. Ideja për të krijuar Donkishotin, e bëri të ngjizte një prototip universal, atë të njeriut të mirë, të heroit të padjallëzuar, altruist, rregull-thyes, revolucionar, të gatshëm për të luftuar të keqen dhe për të ndrequr botën. Servantesi e dinte se njeriu apo, më mirë njerëzit, nuk e ndryshojnë natyrën e tyre sot për nesër dhe se, duke përfytyruar dhe duke i dhënë jetë një personazhi aq të rëndomtë si Donkishoti, i ngërthyer nga një ideal, siç qenë kalorësit fisnik bredharak apo të kryqëzatave – model i vjetruar dhe në zhdukje në epokën e tij, – me cilësitë e zakonshme të çdo njeriu, që beson në gjëra të pamundshme dhe lufton për to, do ta tejkalonte kohën, sepse njeriu nuk ka për të ndryshuar, meqenëse vetë esenca e tij është të jetë i tillë. Ai diti ta pajisë me një karakter të zakonshëm një personazh, i cili do të ishte prototipi botëror i njeriut ëndërrues dhe naiv, këtu në Evropë, në dy Amerikat, Azi, Kinë, etj. Dhe ky është një nga elementet e suksesit të veprës, aftësia për të përfaqësuar, me mish dhe me frymë, shpirtin e njeriut universal. Është e çuditshme dhe njëherazi e rëndësishme, të kuptosh vlerën e veprës së Servantesit me Donkishotin, i cili është libri i tij më i njohur. Servantesi, për nga aftësia, talenti dhe njohuritë e psikologjisë njerëzore, u ngrit përmbi gjithë gjenitë e letërsisë botërore të të gjitha kohërave, kur solli në jetë Donkishotin, i cili, shekuj më vonë, është studiuar nga ekspertë dhe shekullarë të sjelljes njerëzore. Për sa u përket feve botërore dhe perëndive të tyre, vlen të thuhet se Donkishoti është qenia e përsosur mitike, një lloj Jezusi, por që i përket letërsisë fiktive. Dhe prandaj, për shkak të karakterit universal të një plaku të marrë që niset për të ndrequr botën – diçka që duam ta bëjmë të gjithë, secili ashtu si mundet, – Donkishoti është bërë pjesë e shoqërisë, dhe kjo falë gjenialitetit të Servantesit, i cili diti ta zbërthejë natyrën njerëzore dhe ta përshkruajë në një mënyrë, që na bënë të gjithëve të ndihemi të identifikuar. Ky gjenialitet ia ka prerë krahët plejadës së shkrimtarëve në botë, të cilët, edhe pse kanë krijuar vepra të shquara, të jashtëzakonshme, gjeniale, nuk kanë arritur ta tejkalojnë dhe as do arrijnë ta tejkalojnë dot psikologjinë e Donkishotit, sepse Servantesi përparoi në kohë, ja sa e thjeshtë. Servantesi e përshkroi esencën njerëzore ashtu siç është tek një i moshuar i ngathët, i dobët dhe i shastisur, i tejngopur nga historitë, epopetë që donte t’i jetonte vetë në luftë për t’u bërë ballë vështirësive dhe për të mbrojtur më të dobëtit. Cili njeri altruist nuk e dëshiron apo nuk e ndien ndonjëherë këtë, që të dalë në mbrojtje të dikujt që ka nevojë? Prandaj, e shoh shumë të vështirë që ndonjë shkrimtar tjetër, sado gjeni që të jetë, të jetë i aftë për të krijuar një vepër që ta tejkalojë Donkishotin e Servantesit, gjë që e them me shumë respekt, duke përfshirë këtu edhe veten time, sepse Servantesi e arriti këtë, këtu e pesëqind vjet më parë. Është e mundur të sjellësh risi, të rikrijosh, të kopjosh modelin e Donkishotit, por ama ta barazosh është gati e pamundur, vetëm në rast se ne njerëzit nisim pushtimin e hapësirës dhe botëve të tjera dhe njerëzit e rinj të fitojnë zakone të tjera, përvoja të tjera, të krijojnë kultura të tjera dhe mendësi të ndryshme nga këto të njeriut të sotshëm në Tokë, dhe në një mjedis të ndryshëm, nëse do të jetë jetë i mundur ndonjëherë, gjeni të fjalës të nisin të shkruajnë historinë e asaj bëme dhe pas shumë kohësh të ketë prototipa të asaj kulture jashtëtokësore që t›i japin identitetin atyre njerëzve për të shkruar vepra gjeniale mbi ta. Servantesi e bëri këtë me Donkishotin, këtu në planetin tonë dhe në spanjisht dhe ky është një motiv tjetër për t’u ndierë krenarë. Historitë e librit Donkishoti i Mançës, janë të zhdërvjellëta dhe të thjeshta, vërshon talenti, përmbledhja e fjalëve, proza poetike, zgjuarsia dhe shkëndija nëpër tekste që na mbërthejnë qysh në zanafillë. Në epokën e Servantesit, teatri ishte shumë popullor dhe atje e fitoi përvojën e krijimit të dialogëve të shkëlqyer si autor i veprave teatrale, duke pasur si kundërshtar Lope de Vegën.

    Servantesi, me veprën e tij tejet universale, Donkishoti i Mançës, i dha një ndihmesë vetë njeriut, duke përshkruar psikologjinë tonë më shpirtmadhe, si ajo e vënies së vetes në shërbim të kauzave të pamundura, siç bëri përballë mullinjve të erës, që përfaqësonin progresin, zhvillimin dhe teknologjinë, ndërsa era, vrullin dhe dinamizmin e pandalshëm të shoqërisë në zhvillim. Është një paraqitje e jashtëzakonshme metaforike e botës që po modernizohet, së cilës Donkishoti, në bashkëpunim me autorin e tij, Servantesin, i kundërvihet, për shkak se po zhduken kalorësit dhe legjendat e tyre.

    Sot e kësaj dite, “donkishot” dhe “donkishotesk” janë epitete gati fyese, të këndshme, por lënduese. Të duash të luftosh për një botë më të mirë, kundër forcave aq të mëdha, si politikat e kapitalizmit në treva të ndryshme, në mbështetje të fushatave ekologjike në mbrojtje të Tokës, të luftosh kundër industrisë së pangopshme të produkteve me data skadimi, të luftërave fetare, të një terrorizmi të pakuptueshëm, të një shfrytëzimi dhe një pabarazie në shpërndarjen e të mirave materiale, të edukimit që na mëson për të punuar, por nuk na edukon për paqe dhe as për humanizëm, të epidemisë së korrupsionit, etj. Nëse do të donim t’i luftonim të gjitha këto, që nga një pikëpamje letrare, dhe shumë të tjera që mbeten pa thënë, do të na duhej “të krijonim” një histori si ajo e Donkishotit, që të ishte gazmore dhe njëherazi të kritikonte antivlerat e shoqërisë moderne, pa bërë armiq të pushtetshëm, ama nga pikëpamja letrare e fiksionit nuk ia vlen më ta tentosh diçka të tillë, sepse Servantesi ka katër shekuj që e ka bërë dhe ky është kontributi i tij, duke paraprirë kështu gjithë shkrimtarët universalë, dhe nuk është gjë e pakët ta dish dhe t’ia njohësh këtë privilegj. Pikërisht këtu qëndron rëndësia dhe merita e tij.

    Të tërheqin vëmendjen studimet e shumta që profesionistët e shëndetit mendor dhe të sjelljes njerëzore kanë bërë mbi një personazh fiksioni si Donkishoti i Mançës, madje janë shkruar teza doktoraturash mbi këtë personazh të famshëm letrar, i cili mund të japë male të tëra me letra, duke e tejkaluar autorin, apo duke e lënë atë në plan të dytë. Mbi këtë veçori, don Migel de Servantes Savedra ka një biografi të shkurtër (duke pasur një jetë plot aventura dhe rreziqe, të pabesueshme, si ushtar dhe aventurier) që e njohim të gjithë: ka qenë në luftë, ka qenë i burgosur pesë vjet në Algjer; në luftën e Lepantos ka humbur dorën e majtë nga një e shtënë pushkëtopi; ka qenë taksambledhës, ku pati probleme si i tillë, dhe këto janë ato që duhet t’i dimë për të, për kulturë të përgjithshme, megjithëse ka studime dhe ese për jetën e tij shumë më të bollshme, që nga lindja deri në vdekjen e tij, por këto nuk janë asnjëherë aq të gjera dhe as i kapërcejnë studimet dhe esetë për “krijesën” e tij më të dashur apo për personazhet e tjera të veprës së tij. Na është thënë se Migel de Servantesi nuk arriti ta gëzojë suksesin e veprës së tij dhe se nuk fitoi para me të, se ishte i varfër dhe se kishte vështirësi ekonomike, por ka ca kohë, jo shumë, që u zbulua se paskësh qenë inspektor taksash, që do të thotë të ardhura të mira, të cilat i dhanë mundësinë për të krijuar një familje dhe për të shkruar. Po të kishte lindur në këtë epokë, do të kishte qenë shumë i pasur. Dimë se Donkishoti i Mançës, duke qenë një personazh letrar fiksioni, përkundrazi, profesionistët më të mirë të botës së sjelljes dhe sëmundjeve mendore, vlen të thuhet psikologët, psikiatrit, neurologët, filozofët, etj., kanë bërë secili studime dhe analiza të personalitetit dhe shëndetit të tij mendor, duke e marrë si referencë. Dyshoj të kenë bërë të njëjtën gjë me autorin e tij, sepse duke qenë real dhe duke pasur një jetë të vrullshme, sa aventureske aq edhe të rrezikuar, ishte “normale” të mungonte interesi shkencor për t’u thelluar më shumë në mendjen dhe sjelljen e tij. Sot për sot, që nga pikëpamja antropologjike dhe mjekësore, nëse gjenden eshtrat e tij, do të ishte vërtet emocionuese t’i analizoje për të zbuluar misteret që mund të tregonte ADN-ja e tij, ndoshta do të tregonin farefisninë e tij me Donkishotin.

    Do të doja të flisja për diçka më metafizike, magjike apo të panjohur. E sjell shpesh në mendje çështjen, se kur, si dhe në ç›moment, i lindi Migel de Servantesit ideja për të shkruar kryeveprën e tij, duke menduar për veten, për të kënaqur egon e tij, duke njohur më së miri aftësinë narrative dhe talentin e tij, për të rrëfyer me çfarëdo fjale, ideje, ngjarje reale apo të sajuar në mënyrë interesante dhe emocionuese. A mendoi për këtë vepër kur ishte tërë ato vite i mbyllur në burg, ku ndoshta mundi të lexonte shumë libra kalorësie ashtu siç do të bënte Donkishoti në librin e tij? A i erdhi në kokë ideja që të niste e të shkruante librin e tij kur bridhte nëpër qytet duke mbledhur taksat për Kurorën Mbretërore, duke biseduar nëpër taverna, duke këqyrur, duke dëgjuar rrugëve krijimet popullore të poetëve endacakë, këngët dhe historitë e trubadurëve? Në ndonjë çast i lindi ideja që të qeshte pak me botën, duke e satirizuar përmes një personazhi të aftë për t’u përballur me simbolet e asokohe, me anë të një vepre të rrezikuar, të interpretuar nga një i çmendur dhe të çmendurve u falet gjithçka, akoma më shumë nëse është edhe plak (asokohe, 50 vjeçar ishe plak). Migel de Servantesi mori “modele” ekzistuese të burrave dhe grave reale, të cilët shfaqen në veprën e tij. I kishte “të gdhendur” në mendje, sepse ishin pjesë e jetës së tij dhe thjesht përshkroi karakteristikat dhe morfologjitë e secilit prej tyre në veprën e tij të shquar, asgjë më tepër. Mund të kenë qenë personazhe që i ka parë nëpër rrugët e qytetit, kur qe taksambledhës, tipa të shkathët dhe të rëndomtë si Sanço Panço, për shembull, dhe gra që i frymëzuan Dulqinjën, gra të tilla që vetë ai mund të binte në dashuri me to teksa kalonte dhe i këqyrte, duke i dëshiruar të largëta dhe të pamundshme. Kjo është shumë e zakontë në mendjen e një shkrimtari, i cili merr prej njerëzve që e rrethojnë apo që i sheh rastësisht, disa karakteristika, të cilat ua veshin personazheve të tyre letrare. Kjo është e thjeshtë për t’u kuptuar. Atëherë, fenomeni metafizik i ndërthurjes shpirtërore të autorit me personazhet e tij, më bën të pyes veten, në ç›moment Migel de Servantesi është Donkishoti dhe anasjelltas? Sigurisht, pyetja iu drejtohet më shumë shkrimtarëve sesa profesionistëve dhe ekspertëve të tjerë, të cilët janë profanë në dukurinë e artit narrativ. A është Servantesi, njëherazi Donkishoti dhe Sançoja? Unë besoj se po, se është një idealizim pak i grivët i vetvetes, që shkarkon dëshirat e zjarrta, zhgënjimet dhe rebelimet e tij, me anë të dy personazheve, njëri, Donkishoti, i padjallëzuar dhe i mirë, dhe tjetri, Sanço Pançoja, qerrata dhe finok, përfaqësim i lartësuar i së keqes. Dhe që të dy duken protagonistë të hemisferave të ndryshme të të njëjtit tru. Donkishoti është ana e idealizuar e autorit, që mësyhet kundër botës në kërkim të së mirës, të vendosjes së drejtësisë, rregullit, respektit dhe fisnikërisë, dhe Sanço Pançoja, shqytari i tij besnik, është ndërgjegjja e tij, nënvetëdija, frenat, instinkti i mbijetesës dhe bota. Me pak fjalë, Migel de Servantesi është njëherazi dy personazhet, prandaj ata janë aq dinak dhe të zgjuar dhe plotësues të njeri-tjetrit, njëri plotëson mangësinë e tjetrit.

    Është shumë e vështirë të shpjegohet procesi i trurit dhe neuroneve të një gjenie, nga një amator i neuroshkencës si puna ime. Mendoj se deri tani, në këtë çast, nuk ka shkencë që mund ta bëjë këtë, me gjithë përparimin që ekziston sot. Sot është e mundur që, me anë të tomografisë, skanimit të trurit, të këqyret se si aktivizohen pjesët që kontrollojnë imagjinatën dhe të folurit, por nuk ka mënyrë të shihet se si lindin idetë, në mënyrë të përsosur, në trurin e një gjenie. Tek kinemaja, të themi filmi apo celuloidi, kur shohim në dritë, thjesht me sy, fotogramet, mund të krijojmë një ide se si është një plan, një skenë sekondash apo një sekuencë, duke numëruar me durim një nga një fotogramet, që kanë mbetur të regjistruar nga një proces kimik. Brenda trurit gjithçka ngelet e regjistruar tek neuronet dhe kombinimet e mrekullueshme sinaptike që realizon kujtesa, por ende nuk ka një aparat që të riprodhojë në kohë reale atë që mendon një njeri dhe jo më, nëse ai është një gjeni. Më e përafërta e kësaj që parashtrova është se kujtesa njerëzore vazhdon të jetë shumë e ndryshme nga kujtesa e një kompjuteri, i cili ruan dhe përpunon me algoritme të ndryshme në një mënyrë shumë të thjeshtë krahasuar me trurin njerëzor të një gjenie që gjendet në kulmin e procesit të të shkruarit. Truri i një shkrimtari me përvojë, ka mundësi të ketë «tabela» me algoritme natyrore, të cilat lidhen mes tyre në një sinaps neuronal të jashtëzakonshëm, duke prodhuar të krijuarit, origjinalitetin, thellësinë filozofike, metafizike, reale dhe abstrakte, në mënyrë të logjikshme, me intrigë dhe emocion, që tremb edhe vetë shkrimtarin, i cili gjithashtu befasohet nga mënyra e tij e të shkruarit dhe i gëlojnë fjalët. Për sa i përket kësaj, pa pasur ndonjë interesim për shahun, marr guximin të them se tani inteligjenca artificiale e mund një kampion botëror në një lojë shahu. Pasi jam në dijeni se kjo është një lojë strategjie, logjike, por letërsia ka të tjerë parametra më të ndërlikuar, ku intuita luan një rol mjaft të rëndësishëm. A do të mundej inteligjenca artificiale të shkruajë me gjenialitetin e Migel de Servantesit, një vepër të barabartë apo më të mirë sesa Donkishoti i Mançës? A do të mundej një makinë e gjeneratës së fundit të inteligjencës artificiale (sibernetike) e programuar me algoritme më të përparuara, të shkruante një vepër gjeniale, si Donkishoti i Mançës, duke nisur vetvetiu, në mënyrë çastësore, ndoshta e papërqendruar, ashtu siç mund të ketë qenë Migel de Servantes Savedra kur nisi të shkruante nga asgjëja, pa një ide të qartë në kokë, një hyrje të turbullt le të themi, me një penë të bojatisur në dorën e ngritur mbi letër: «Në një fshat të Mançës që s›dua t›ia kujtoj emrin, rronte pak kohë më parë një sojli nga ata me shtijëzë në sallën e armëve, me mburojë të vjetër, me kalë thatanik e me langua të gjahut. Të tri çerekët e iratit të tij i harxhonte për ushqim, mish të zier prej lope më tepër se prej deleje ndonjëherë, pastërma me hudhra pothuaj për mbrëma, korminë të shtunave, thierpremteve dhe rrallë e tek ndonjë pëllumb të dielave. Restat i harxhonte për veshjen, një dolloma prej cohe, tirq prej velludhi për ditët e shënuara, me pantofla prej gjithasaj stofe, dhe për ditët e tjera të javës tesha prej shajaku nga më i miri. Mbante në shtëpi një kujdestare, që kishte kapërcyer të dyzetat, dhe një mbesë, që s’kishte arritur të njëzetat, dhe një shërbëtor për arën e për pazarin, që dinte t’i vinte shalën kalit dhe të përdorte kosoren. Sojliu ynë ishte nja pesëdhjetë vjeç; ish i fortë nga shëndeti, i thatë nga trupi, i mprehtë nga fytyra, ngrihej që menatë dhe ish merakli pas gjahut…»[1] Dhe fjalët gëluan njëra pas tjetrës, gjer sa e mbërthyen vëmendjen e Migel de Servantesit, i cili, pa e ditur, po shkruante në atë çast një nga veprat më të mrekullueshme të botës për të gjithë ne, lexuesit më të ndryshëm dhe shkrimtarët ëndërrimtarë që duam të ndryshojmë apo të përmirësojmë botën, pasi shumë shpirtra presin që ne t’u tregojmë rrugën ashtu siç bëri Donkishoti i Mançës… Dhe fatmirësisht e kemi njëherë e përgjithmonë Donkishotin e Mançës.

    Përkthyen nga origjinali spanjisht

    Erion Karabolli dhe Bajram Karabolli


    [1]  Marrë nga përkthimi i F. Nolit. (Shënim i përkthyesit).

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË