More
    KreuLetërsiShënime mbi libraVeprat e Azem Deliut – liria me “krimbin” e njerëzores/humanes brenda

    Veprat e Azem Deliut – liria me “krimbin” e njerëzores/humanes brenda

    Nga Ballsor Hoxha

    …Pikërisht këtu është çështja, e dashur. E arsyeshmja s’e bën botën as më të mirë as më të keqe. Bota është e papërmirësueshme. Të thash se e ndiej në çdo çast praninë e vdekjes. Duket sikur ajo ka filluar të frymojë fare pranë meje. … në fund të letrës, m’ u si në fundin e një dremitjeje të gjatë e të mundimshme, gardiani pa pak lagështirë… (“Puthësi i paligjshëm”)

    Azem Deliu është shkrimtar i cili e rikthen një letërsi të largët prej arritjeve letrare të letërsisë shqipe, rikthen një letërsi mjeshtërore. Ai, në tërë vërtetësinë e mjeshtërisë letrare, krijon shoqërinë dhe botën në tërë lakuriqësinë e ankthit të saj ndaj pandreqshmërisë së po të njëjtës në përhershmëri.

    Deliu në dy veprat e tij “Puthësi i paligjshëm” dhe në “Shënimet e krimbit Smolinski” shpërfaq mitin për lirinë/ideologjinë, apo njërën të pandashme nga tjetra. Dhe në tërë mjeshtërinë e tij, e shpërfaqë atë prej përbrenda saj si të paikshme nga ankthi i temporales, përkohshmërisë së njeriut dhe me këtë ankthin për të kontrolluar dhe për të ‘vdekur’ të paparashikueshmen njerëzore. Në të vërtetë, krahasuar këto dy vepra, është krejtësisht paradoksale, Deliu krijon lirinë përbrenda Ideologjisë më të tmerrshme, aty ku ndalohet dashuria, duke i dhënë lirinë infinite ndalesës, apo thënë më saktë rendit, dhe renditjes së çdo gjëje, deri në emocionet e njeriut. Derisa në novelën tjetër “Shënimet e krimbit Smolinski” e jep lirinë ashtu si është sot, pas ideologjive komuniste, si ankth, po ashtu, si ikje dhe si e paikshme nga paparashikueshmëria e njeriut, duke vendosur një “krimb” si personazhi i Smolinskit pëbrenda kësaj lirie.

    1. “Puthësi i paligjshëm” – ideologjia si liri

    … – Ku jam? –

    – Je në vendin tënd të punës….

    – Unë punoj në burg zotëri – u çudit gardiani

    – Pikërisht pra. Në vendin tënd të punës je. Veçse, ke ndërruar pak rol.

    Në novelën “Puthësi i paligjshëm” sekuencat e narrativit, megjithëse realiste, kanë kalimet e tyre të cilat sikur nënshtrohen, dhe aq më shumë përshkallëzohen dhe shtrihen si – shtretër të burgut –, e burgu në të vërtetë siç thuhet në këtë novelë është “mendja e njeriut”. Janë – shtretër burgu – në të cilin gjendesh, zgjohesh nga ‘gjumi’, i zënë, i kaluar, i shndërruar nga i privilegjuari në të burgosurin.

    Më tutje, në fillim të novelës, personazhi “34” pasi që ka dëgjuar në një fjalim… – A nuk jemi të gjithë shokë të barabartë? – …, pyetet në vete … tentoi të kujtonte emrin e vet të parë dhe, kur e pa që s’po ia dilte, iu kthye pyetjes…

    Një herë pasi që është shtrirë – gjumi – dhe pafuqia e individit në një përkufizim të kudondodhshëm dhe gjithëpërfshirës, pasi që emrat, të harruar në këtë shtrat, janë hequr të papërdorshëm, individi, apo shtytja individuale në njeriun, vetë instinkti, kërkon identitetin e vet. Kërkon identifikimin e vet, kërkon kufirin e vet, atë që e bën.

    Janë dy shtresa që mjeshtërisht shtrijnë në gjumë, në – shtratin e burgut të zvetënimit – individin: ndalimi i çdo gjëje, për të vënë një rend mbi çdo gjë; dhe më tutje harrimi/zvetënimi i njeriut në këtë ndalim, në këtë rend, në këtë pamundësi të prishjes së rendit. Në të vërtetë prishja e rendit është aq e thellë në këtë shoqëri të “Puthësi i paligjshëm” sa që njeriu e censuron, e kapë, e dënon dhe gjykon veten në intimitetin më të thellë të tij, qoftë edhe duke menduar:

    … ja pikërisht tani, ai po pendohej për këmbëngulësinë e tij por, ai e dinte se pendimi ishte diçka që i takonte çastit, kurse qëndrimi përjetësisë. Pyetjen “A mund ta ndryshojë pendimi qëndrimin?” vetes ia tha në trajtën e përkthyer “A mund ta ndryshojë çasti përjetësinë?” dhe menjëherë thuajse frikësohej nga ikja e mundshme e pyetjes, u përgjigj “Përjetësia ndërtohet nga çastet, për të mos thënë që çdo çast është i përjetshëm.” Por, mendoi menjëherë, a mos po them që çasti dhe përjetësia janë e njëjta gjë?…

    Por, këtu, gjykimi i vetes për ‘individualizëm’ qoftë edhe në intimitetin më të thellë në të vërtetë është sipërfaqësor. Loja e autorit Deliu këtu, me – përkthimin – e pendimit në çast, dhe të qëndrimit në përjetësi është lojë e ndikuar (indirekt) nga Kierkegaard dhe pasuesi i tij Heidegger. Gjë që në të vërtetë, sipas Heidegger, njeriu në Temporalen, e ndanë kohën në një çast (influencuar nga Kiekegaard) dhe aq më shumë, në çast i cili i ikë dhe e bën të Pa-vërejtshme Temporalen e pevitueshme, si hije që ndjek njeriun  në çdo gjë. Aq më shumë sipas Heidegger çasti bëhet i përhershëm si ikje nga ankthi i vdekjes në praninë, në rajonin e jetës sonë. Dhe në këtë, Qëndrimi (apo Resolutness sipas koncepteve Heideggeriane) është vetë përballja/hapja e njeriut ndaj temporales/ankthit të vdekjes.

    Në këtë dinamikë, në mes këtyre dy pjesëve të cituara dhe të shtjelluara lidhur të “Puthësi i paligjshëm” ndërmjet shtrirjes në gjumë të përhershëm të shoqërisë, në universalen e saj, dhe të nxitjeve dhe shpërthimeve si ky në pjesën e dytë të citimit, apo sikur në letrat e personazhit Shollohov, lexuar nga gardiani i burgut, është loja mjeshtërore autoriale e Deliut me atë që ai e quan Qëndrueshmëri, apo që sipas koncepteve Heideggeriane do të ishte Resoluteness (vendosmëri) përballë ankthit të vdekjes, apo në jetë.

    Sipas po kësaj njeriu shpikë ideologjinë, dhe tërë shtjellën e qeniesimit si një Publike, e cila në të vërtetë krijon Pa – vërejtshmërinë e ankthit nga vdekja, apo thënë më saktë ankthit të temporales, ankthit të paqëndrueshmërisë së njeriut dhe aq më shumë të ankthit të pamundësisë së zotërimit apo pronësimit të ekzistencës.

    Në të vërtetë kjo novelë, thellë në shtjellimin e saj shpërfaq, përmes episodeve të saj që fundosen dhe shtrihen në gjumë edhe më të thellë, pikërisht Publiken e njerëzimit e cila ideologjizon, përkufizon çdo gjë në pragmatizëm të përpiktë, deri në “orar për puthje”, apo dënim me vdekje të “puthjes së paligjshme”, për të evituar çdo individ, dhe individi si mundësi e rastit, apo mundësi e humbjes së kontrollit apo edhe mundësi e të paparashikueshmes.

    Novela është një mjeshtëri e rrallë e krijimit të kalimeve të ‘përgjumjes’ së njeriut në ankthin e tij për të kapur/ndalur historinë, jetën dhe kontrollin mbi njeriun, gjë që krijon shtretër, shtresa të ndërdijshme të cilat kalojnë në njëra tjetrën dhe ndërthurin një ‘përgjumje’ totale të individuales, e me këtë të dashurisë, instinktit dhe tutje të vetë nevojës së njeriut. Është labirint i cili ka rënë (Heidegger) nën ankthin e të qenit gjallë, dhe me këtë, në tërë ironinë, letrare, e gjen të arsyeshme edhe – ndalimin e dashurisë -.

    2. “Shënimet e krimbit Smolinski” – liria si ankth

    Novela “Shënimet e krimbit Smolinski” ka dy masa të shtjellimit, në të vërtetë një dinamikë të ndërveprimit të masës primitive, masës që është ngritur në kërcënim ndaj çdo gjëje të ndryshme prej saj, me masën subjektive të personazhit, prej më të arrirëve në letërsinë shqipe, atij të Piotr Smolinski, shkrimtar polak i ardhur në Prishtinë përkohësisht. Kështu duke krijuar masën e lirisë primitive/ekstreme me një krimb përbrenda saj si personazhi i lartcekur.

    Është masa primitive e cila ka rënë në ankthin e pranisë së vdekjes së pakontrollueshme, të paparashikueshme, nga vetë njeriu ndaj njeriut, dhe e cila po e ngushton çdo dallim dhe çdo veçanti në inercionin e primitives dhe në dehumanizimin e çdo personaleje.

    Në anën tjetër është Smolinski apo Krimbi Smolinski, i cili si epitom i letërsisë shqipe, i personazhit të “ndyrë”, “subterrenian”, të një morali krejtësisht të pamëshirë ndaj moralit dhe ndjeshmërisë primitive, apo edhe Publike (Kierkegaard) shpërfaq me përsiatjet e tij dhe me veprimin e tij, ironinë e tërë shoqërisë njerëzore, dhe me këtë e nxjerrë shumëfytyrshe  prej brenda saj, para vetes së saj.

    Në të vërtetë personazhi Smolinski është i depersonalizuar, i cili në masë të lehtë vuan përbrendësimin dhe identifikimin subjektiv në disa karaktere të imagjinuara personale. Është krimb dhe shkrimtar, dhe herë të tjera njeri. Por paradoksalisht, një krimb në mesin e një lirie primitive apo thënë më saktë të një lirie ekstreme dhe ekstremiste, që arrin të reflektojë më tutje në fajin dhe fajet e veta të cilat e kthejnë prapa thënien e novelës “Puthësi i paligjshëm” – bota është e pandreqshme.

    Në përshkallëzimin e mëposhtëm të narrativit të “Shënimet e krimbit Smolinski” siç është

    1. Tregimi të cilin është duke e shkruar Smolinski në Prishtinë, ardhur nga Polonia, rreth një hakmarrjeje alla shqiptare ndaj një hebreu i cili ka qenë nën mbrojtje të një shqiptari, në ironi:

    … pra, – vazhdoi ai, – nuk mjafton ta vras dikë që më ka bërë ketë ç’ nderim. Duhet të sigurohem që ai të vuajë sa më shumë. … do të shkoj te pleqnari ta pyes, nëse e di ai, se si po i vret Hitleri hebrenjtë. … nga Hitleri po e mbroja, si Hitleri do ta vras!…

    2. Makthi të cilin e vuan Smolinski derisa të gjitha personazhet, ato reale dhe ato letrare të vetë tij kthehen dhe e përdhunojnë:

    “rrëshqit më ngadalë, krimb Bytyqi”, – tha Paweli urtësisht… Oh dreq! Ishte Hajdini ai që hynte mbrapa meje… Sapo u ktheva pashë që s’ishte Hajdini… “Ç’ është kjo poezia e ngjyrave tha burri”… duke bërë gati rripin e lagur për rënë këmbëve… Veç kur u ktheva përmbys ngaqë ndieja mjaftueshëm dhembje përpara, ndjeva pas një prej fshikullimave një malor burri t’ia bënte me të madhe hiaaaa”… pashë mbrapa meje, në vend të babait, qerrexhiun e veprës që po shkruaja.

    3. Përsiatja e Smolinskit rreth përvojës së tij në Prishtinë:

    Është e çuditshme prirja e primitivëve për ta bërë doemos tjetrin si veten. Ngaqë s’e kuptojnë botën përtej vetes, mundohen ta mohojnë atë

    4. Përsiatja e Smolinskit pasi që e kanë vrarë të dashurën e tij prishtinase, gjë që ka ndodhur në lidhje me tregimin e tij që ia ka dërguar kosovarëve për shtyp:

    Ndërkohë që e gjithë bota e shante Hitlerin, për çudi, e gjithë bota e përsëriste atë

    Në këtë përshkallëzim përvoja prej subjektives, në imagjinaren e saj, dhe tutje në ëndërr, më pastaj në përsiatjet e tij të vetëdijshme rreth primitivizmit dhe po ashtu ndaj gjithë botës që përsërit Hitlerin, janë një qark i cili qoftë edhe në liri dhe përtej tiranisë diktatoriale, apo thënë më saktë pas saj, ngutet dhe rikrijon të njëjtën në liri, për të mbrojtur veten në pakotrollueshmërinë dhe paparashikueshmërinë e njeriut, dallimin e tij, veçantinë e tij.

    Në të vërtetë problemi në përsiatjen e personazhit Smolinski që gjen fajin për fajësimin e njeriut të vdekur si dhunues të vetin, përballë një bote që imiton Hitlerin, si në tregimin e tij, si në makthin e tij, dhe po ashtu edhe në vrasjen e gazetares së ngritur nga gazetare e kulturës në gazetare të politikës, është në paikshmërinë e lexuesit/njeriut nga e “pista” e botës, nga pandreqshmëria e saj, nga ndërthurja e të mirës me të keqen, dhe nga ankthi i njeriut për të kapur pikërisht këtë të keqe brenda tij, për ta kontrolluar me imagjinatë po aq megalomane dhe po aq të sëmurë sa ajo e personazhit Hajdin Bytyqi i cili e akuzon Smolinskin për spiun rus dhe e vret gazetaren Prishtinase për një tregim krejtësisht të parëndësishëm.

    Në të vërtetë tregimi, i cili bën pjesë në narrativin e novelës “Shënimet e krimbit Smolinski” është jetësim dhe vazhdimësi e kësaj të keqeje të njeriut edhe ‘ndër shqiptarë’ si e paikshme në sjelljen e njeriut. Si faj i cili rri tutje prej çdo gjëje, prej çdo ndërveprimi dhe çdo ideologjie, në të cilën duhet të varet apo vritet secili që është jashtë ideologjisë.

    Në tërë narrativin krijohen qarqe të tij, të cilat kthehen dhe ri-marrin, ri- dhunojnë, ri-kontrollojnë individin i cili e ka shkelur pragun e ideologjisë së ekstremit/primitives ku çdo gjë në tërë botën duhet të jetë si ti. Këto qarqe janë një dhe kanë një të vetmen zanafillë: Fajin. Nuk munden pa atë dhe kur e mbajnë i përkulen dhe qarkohen nën qarkun vicioz të dhunës.

    Në novelën “Shënimet e krimbit Smolinski” krimbi është brenda lirisë, dhe me këtë ai sikur edhe sjellë, apo kudo që është sillet dhe vdekja rreth tij, në të vërtetë ai konstaton në fund se ndoshta edhe dheu hyn përmes tij, në vdekjen e paevitueshme kudo që shkon.

    Përfundim

    Vdekja dhe Faji, ekzistenciale, si të dhëna të paikshme dhe të para-lindjes së Publikes apo ideologjisë së njerëzimit në novelat e Azem Deliut janë edhe në realen e njeriut por edhe shpërfaqen si “krimb” prej brenda po kësaj ideologjie, si në ekstremizëm të post-komunizmit dhe po ashtu në tirani të diktaturës.

    Në ndërthurjen e të ligës, të “ndytës”, të keqes së njeriut përbrenda tij dhe në rajonin e asaj që ai e ka bërë të Pa – vërejtshme, të ankthit të përkohshmërisë së njeriut, secili është në vrap për të krijuar dhe për të skalitur heroizmin dhe pavdekshmërinë e tij. Secili është në akth për të qenë mbi, mbi njerëzoren e papërkryer, mbi njerëzoren e brishtë, mbi njerëzoren e papremtim, mbi njerëzoren e pathemel.

    Si në “Puthësi i paligjshëm” kuthemeli i njerëzimit është i – marueshëm – (identike sipas koncepteve të Publikes në ekzistencializëm), duke e ndaluar ‘dashurinë; dhe aq më shumë në “Shënimet e krimbit Smolinski” ku themeli i njerëzimit është një qark i cili e dhunon dhe e dënon veten në mungesë të Gjykatësit – Zotit të të gjitha gjykimeve, qeniesimi përmban krimbin brenda vetes. Në anën negative të tij krimbin e dashurisë, dhe në anën pozitive të qeniesimit, krimbin e “subterrenit”.

    Themeli i njerëzimit është i pazëtorueshëm, është i papronësueshëm, është i paparashikueshëm dhe me këtë përkujtues i nevojës për “Qëndrueshmërinë” e njeriut që ndien dashurinë, i nevojës për përballje/hapje ndaj po kësaj mungese themeli në afërsinë e vdekjes të pakontrollueshme në lirinë e njeriut.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË