Nga Evalda Paci
Në çdo trajtesë të natyrës historiografike dhe analitike mbi autorët e teksteve të vjetra shqipe, Dicionari latinisht-shqip i Frang Bardhit (1635) radhitet krahas librit kompleks nga përmbajtja të Gjon Buzukut, shqipërimeve të rëndësishme doktrinare dhe kateketike të Pjetër Budit, veprës shumëdimensionale me titull Cuneus prophetarum (1685) të Pjetër Bogdanit e ndonjë arritjeje tjetër të mëvonë me të njëjtin destinacion e rëndësi për historinë e shkrimit shqip.
Rëndësia e tij nënvizohet që në përpjekjet e para për të përmbledhur në përmasat e një historiku sprovat shkrimore që shënuan edhe një periudhë të rëndësishme të historisë së letërsisë së shkruar shqipe. Frang Bardhi trajtohet tradicionalisht si një nga autorët më të rëndësishëm të një tradite shkrimore që përfaqësohet me veprat e sipërpërmendura, të gjitha të denja për vëmendje, falë përmbajtjes dhe ndërtimit të veçantë tekstologjik, por nuk mbetet më pas as fakti që emri i tij figuron në modele tekstore që dëshmojnë përfshirjen e tij në aprobatur-e që lidhen me lejimin e botimit të veprave doktrinare e kateketike, të rëndësishme për praktikën kishtare e liturgjike në vendin tonë në kohën kur ai jetoi dhe kreu veprimtarinë e tij meshtarake.
Tradita studimore historiografike i njeh gjithashtu këtij prelati një vepër apologjetike të botuar në gjuhën latine (Venedik, 1636), kushtuar njërës prej figurave më emblematike të historisë së kombit tonë (Gjergj Kastriotit-Skënderbeut), mjaft e rëndësishme edhe për periudhën specifike historike në të cilën Ballkani dhe Europa përballen dhe përfshihen drejtpërdrejt, në veçanti për prirjet që autori pasqyron dhe argumentet mbi të cilat e ka përpiluar këtë vepërzë.
Përfshirja e trashëgimisë shkrimore të këtij prelati në sprovat e para që shënuan përvijimin e një historiku të shkrimit shqip, të letërsisë së shkruar shqipe, nënvizon njëkohësisht promovimin e emrit të tij në një kontekst të rëndësishëm nga pikëpamja historike, por dhe socioletrare. Emri i tij shfaqet dhe në elemente dokumentare të epistolografisë së kohës, ndërsa shprehet për rëndësinë që kanë për rrënjosjen e besimit në popull doracakët kateketikë dhe sprovat doktrinare të shqipëruara në variante të përshtatshme në pikëpamjen e gjuhës, por dhe të aprovimit nga hierarkia kishtare e asaj kohe. (Shih në veçanti trajtimin përkatës në lidhje me këtë argument në veprën Popolo, lingua e letteratura albanese, të Gaetano Petrottës, përgatitur nga M.Mandalà), Edizioni Mirror, Palermo, 2003). Pikërisht në trajtesa me objekt historinë e letërsisë së vjetër shqipe, në vitet ’30 të shekullit të kaluar, Frang Bardhi paraqitet si një personalitet kompleks që u përpoq me çdo kusht të jepte ndihmesë konkrete për kapërcimin e vështirësive në konsultimin e librave kishtarë dhe të praktikës liturgjike. Këtij destinacioni duket se do t’i shërbejë dhe një nga kontributet themelore të tij në fushë të leksikografisë shqipe, edhe pse qëllimi i këtij të fundit si autor nuk qe pikërisht të paraqitej në veshjen e leksikografit. Kjo vepër komplekse në shumë pikëpamje për vite me radhë ka ofruar lëndë të vyer gjurmimi për disa disiplina studimore, kryesisht në fushë të albanologjisë. Albanologë, romanistë e latinistë, studiues të teksteve të vjetra shqipe e të fushës së historisë së gjuhës shqipe, etnologë dhe antropologë, tekstologë dhe filologë gjetën lëndë të mjaftueshme për të plotësuar mjaft studime të iniciuara në fushat përkatëse të hulumtimit. Një kontribut të çmuar e të papërsëritshëm dha në këtë drejtim filologu frëng Mario Roques, që jo vetëm krijoi një minikontekst të përshtatshëm për vepra të tilla me botimin e veprës së mirënjohur me titull Recherches sur les anciens textes albanais (Paris, 1932), por dhe realizoi në të njëjtin vit me këtë të fundit një botim fotomekanik të Dicionarit në fjalë që përmban një parathënie që, në fakt, paraqitet për hulumtuesit si një studim më vete, që trajton një sërë çështjesh të rëndësishme për këdo që synon të merret me këtë vepër, kryesisht të natyrës leksikografike. Edhe në lidhje me Fjalorin latinisht-shqip të Frang Bardhit janë realizuar gradualisht studime të rëndësishme, duke nisur nga më fragmentaret, për të vijuar me sprova që paraqiten edhe në trajtë artikujsh shkencorë dhe me parathënie botimesh që në parim janë edhe ato studime më vete. Secili studiues kontribuon në një mënyrë origjinale, kjo edhe falë faktit që lënda e ofruar nga Dicionari është mjaft e pasur dhe interesante në disa pikëpamje. Në aspektin gjuhësor dhe të nënsistemeve që përfshihen, në këtë vepër gjurmohen tipare që janë tamam të kohës në të cilën jetoi Bardhi, gjurmohen gjithashtu përkime dhe risi në krahasim me autorët e tjerë të së njëjtës traditë shkrimore. Ndërsa mëtohet të theksohet vendi që këtij autori i takon në kontekstin e historisë së letërsisë së shkruar dhe të shkrimit shqip, nuk mund të mos vihet në dukje citimi i vijueshëm e sistematik si dhe marrja në konsideratë e jo pak fjalëve të gjendura në këtë vepër nga studiuesit e historisë së gjuhës shqipe. Në një sërë trajtesash e në veçanti në lidhje me emërtimet dhe dendurinë e përdorimit të emrave të festave të praktikës kishtare si dhe në lidhje me fjalët që paraqesin origjinë latine apo latino-romane, emri i autorit të këtij Dicionari citohet jo rrallë edhe nga Eqrem Çabej. (Në lidhje me të tilla citime shih, ndër të tjera, dhe Çabej, E.: Shumësi i singularizuar në gjuhën shqipe, Botime Çabej, Tiranë, 2012, përkatësisht në f. 39; f. 178; f. 179.)
Në pikëpamje të modeleve tekstore që mund të gjurmohen në këtë vepër, filologu gjen gjithashtu një fushë të veçantë studimi, duke qenë se ka mundësi qasjeje jo vetëm me ato modele që disponojmë nga veprat e mëparshme dhe të mëvona, por dhe me modele të kohës që përdoreshin në funksion të introduktimit apo përmbylljes së veprave që botoheshin me lejen e të parëve, që në latinisht zakonisht përkufizohet me ndërtimin superiorum permissu. Admonitio de erroribus me të cilën autori ka përmbyllur veprën e tij mund të qaset si me kolofonin apo pasthënien e librit të Buzukut, ashtu dhe me Të Primitë para letërarit të veprës Cuneus prophetarum (1685) të Pjetër Bogdanit. Fjalori latinisht-shqip i Frang Bardhit përmban gjithashtu në Hyrje të tij një tekst të konsiderueshëm të titulluar Gjithë atyne t arbëneshëve gji ta marrënë me e xgiedhunë e me e xanë. (Demiraj, B.: Dictionarium latino-epiroticum (Romæ 1635), per R.D.Franciscum Blanchum, Botime Françeskane, Shkodër, 2008, f. 75-85.)
Një tekst i tillë pasqyron natyrshëm një sërë ndërtimesh gjuhësore dhe stilistikore të rëndësishme që të çojnë në përfundimin se autori i veprës ka konsultuar edhe modele analoge në veprat që përpiloheshin dhe gatiteshin për botim në atë kohë. Të gjitha këto modele tekstore mbajnë gjurmë të qarta të formimit të secilit prej autorëve që i shkroi dhe të një fryme pozitive që i shoqëroi ata ndërsa ndërmerrnin të tilla sprova aspak të lehta në shërbim të promovimit të gjuhës, kulturës dhe shkrimit shqip. Janë një sërë studimesh dhe punimesh në të cilat vepra e Frang Bardhit me një gradualitet krejt të natyrshëm gjeti vlerësim dhe gjykime që i bëjnë vendin e merituar në kontekstin e një historiku që ka objekt të vetin shkrimet e vjetra shqipe dhe autorët që e përfaqësojnë periudhën së cilës i përket dhe prelati ynë. Përmendim këtu W. Kamsin (shqipërues i parathënies së rëndësishme të shkruar mbi veprën dhe autorin nga M. Roques), G. Petrottën, J. Rrotën, E. Çabejn, K. Kamsin, P. Gecin, I. Zamputin, E. Sedajn, M. Camajn, Sh. Bardhin (M. Krujën), K. Ashtën, S. Rizën, K. Topallin, R. Ismajlin, B. Demirajn. Secili prej tyre ofroi një kontribut të çmuar për çdo aspekt që trajtoi dhe mori përsipër të shqyrtonte. Ndër to një vend të veçantë nga natyra e ndërmarrjes dhe përmasat e saj zë edhe botimi kritik-filologjik i viteve të fundit, përgatitur nga studiuesi Bardhyl Demiraj, që për vetë përmbajtjen, aparatin e pasur përmbajtësor dhe elementet filologjike me të cilat është pajisur, afroi më shumë studiuesit e teksteve të vjetra me këtë vepër dhe me elementet e saj. Duke rinënvizuar pas kaq vitesh nga botimi i Dicionarit të sipërpërmendur ndihmesën e çmuar në fushë të leksikografisë shqipe dhe në drejtim të promovimit të shkrimit shqip, e gjejmë me vend të ricitojmë një përkufizim të gjetur e në përmasat e një vlerësimi pozitiv mbi figurën dhe kontributin e tij, nga studiuesi Engjëll Sedaj: Fjalori latinisht-shqip është kryevepra e Frang Bardhit dhe njëherazi vepra e parë leksikografike në kulturën shqiptare. Është i pari libër shqiptar që dimë ta ketë botuar shtypshkronja e Kongregacionit të Propagandës në Romë. Ndonëse deri në vitin 1850 kemi pasur më tepër se 22 fjalorë të ndryshëm të gjuhës shqipe, asnjë prej tyre nuk ka qenë më cilësor e as më i begatshëm se ky i Bardhit. Ky fjalor monumental, që e ngriti lart leksikografinë shqiptare para popujve të tjerë të Ballkanit, çeli rrugën në punë të hartimit të të gjithë fjalorëve të tjerë dygjuhësorë e njëgjuhësorë që i ka shqipja sot. Prandaj, mund të themi se ky është fjalori i parë i botuar, në të cilin lëvrohet gjuha shqipe me qëllime eksplicite leksikografike.
Një vlerësim i tillë mbi një nga veprat më të rëndësishme të traditës sonë leksikografike dhe shkrimore pasqyrohet me të drejtë edhe në sprovat e para të mëvona mbi këtë fushë të qasjes së këtyre gjuhëve. Dhe sot e kësaj dite, vepra në fjalë mbetet një dëshmi e efikasitetit të gjurmimit kryesisht tipologjik të këtyre dy gjuhëve, të ndryshme në disa pikëpamje, por të përafrueshme nga të tjera, në të cilat mund të citojmë edhe elemente të caktuara qytetërimi. Më e rëndësishmja si përmasë mbetet ajo e promovimit të arsenalit të pasur të gjuhës sonë nga ana e këtij autori në një kontekst të rëndësishëm historik ballkanik dhe europian.