Nga Jean-Paul Champseix
Në numrin e saj të fundit, gazeta e njohur letrare EaN (En attendant Nadeau) boton një analizë të studiuesit Jean-Paul Champseix, autor i librit të njohur “Bulevardi Stalin 47”, mbi botimin në Francë të romanit të Ylljet Aliçkës
Nga Shqipëria vjen një vepër e re e Ylljet Aliçkës, me një titull në ekstremet e ironisë: Valsi i lumturisë. Autori është frymëzuar nga një histori e vërtetë ndodhur në Tiranën e tij në vitin 1985. Një familje, katër motra e dy vëllezër, ia dalin t’ia hedhin rojës së ambasadës italiane për të kërkuar azil politik.
Të gjashtë shpresuan naivisht se brenda disa ditësh çështja e tyre do të rregullohej dhe do ta gjenin veten në Romë, pa llogaritur ashpërsinë e regjimit të hekurt stalinian të Enver Hoxhës, i cili i konsideronte qytetarët e tij krejtësisht si pronë e shtetit.
Për pasojë, atyre iu desh të jetonin pesë vjet në bodrumet e ambasadës, rrethuar tashmë nga policë e ushtarë. Personeli italian i ambasadës, përfshi edhe ambasadorin, pësuan poshtërime dhe fyerje pafund nga autoritetet shqiptare.
Natyrisht, ata i druheshin ndonjë të çare në kështjellën e rrethuar që kishte farkëtuar vizioni i tyre maniak. Nuk dyshonin aspak se çfarë i priste…
Ylljet Aliçka është autori i “Parullave me gurë” që evokonte në një formë tragjikomike detyrën e shkrimit të parullave me gurë në faqet e kodrave për lavdinë e regjimit të Hoxhës.
Një film u realizua mbi skenarin e autorit të të njëjtit libër nga regjisori Gjergj Xhuvani, i cili mori edhe çmim në festivalin e Kanës.
Aliçka ndjek hap pas hapi kalvarin e familjes Popa, që në roman i quan Tota, – duke i sjellë lexuesit tiparet e një prej diktaturave më të pashpirta të planetit.
Autori përkon hyrjen e familjes në ambasadë me vdekjen e diktatorit.
Situatë e rëndë: populli duhet të derdhë lot, ndërsa sigurimi ka për detyrë të vlerësojë seriozitetin e qarjeve. Drejtuesit e administratës dhe të ndërmarrjeve rivalizojnë me nivelin e dhembjes, gjë që nuk është fort e lehtë. Ndërsa gratë, atyre u vjen në ndihmë rënia e të fikëtit. Njerëzit e pasinqertë ndëshkohen, duke mos u lejuar të marrin pjesë në funeralin e Udhëheqësit.
Bie fjala, njëri prej vëllezërve të familjes Tota, Vangjeli, meritoi etiketimin e hidhur: “Lot hipokritë dhe mungesë e theksuar pasioni gjatë shprehjes së dhembjes.”
Familja Tota është “e deklasuar”, biografia e tyre ka një hije të rëndë: babai i tyre, që kishte studiuar në Itali për farmaci, gjatë luftës u kishte shitur barna ushtarëve të plagosur italianë, fakt ky për të cilin vdiq në burg nën regjimin e Hoxhës.
Ky është edhe shkaku që fëmijët e farmacistit mbetën të pamartuar, sepse çdokush me biografi normale që do të guxonte të martohej me ta, do të thoshte që ishin kundër regjimit. Bie fjala, rasti i një inxhinieri i cili u josh nga bukuria e Irena Totës, të cilin e degdisën në një hidrocentral malor për shkak të “zbutjes së luftës së klasave”.
Është Simoni, vëllai i vogël, hamall, sepse nuk ishte autorizuar për të ndjekur studimet, ai që konsiderohej si “një agjent perëndimor i pazbuluar”, i cili pati idenë që të kapërcejë me gjithë familjen pragun e ambasadës italiane. Veshur me rrobat e tyre më të mira, “që mbanin erë naftalinë”, tek kapërcejnë gardhin e ambasadës, ata flasin italisht për të krijuar përshtypjen se janë italianë.
Roja shqiptare, i ndërgjegjshëm se është mashtruar, përpiqet të hyjë në oborrin e ambasadës me pistoletë në dorë e më pas për t’ia drejtuar armën vetes, sepse ai e dinte fatin që e priste.
Ambasada italiane rrethohet nga 600 policë dhe një sistem përgjimi instalohet aty pranë.
Por, meqenëse gjethet e pemëve pengojnë valët e përgjimit, atëherë u hidhet helm gjithë pemëve përreth ambasadës.
Altoparlantët përhapin muzikë funebre, për t’u ndërprerë nga zëri i rëndë i spikerit, i cili deklaron se Totat janë agjentë të huaj të implikuar në veprimtari kriminale kundër shtetit shqiptar. Qeveria do të donte të sulmonte ambasadën italiane, por ndofta një fakt banal i frenoi: italianët ua kanë marrë ndërtesën me qira Shteteve të Bashkuara, të cilat e zotëronin këtë terren që para luftës.
Përpara ambasadës organizohen “spontanisht” manifestime kërcënuese, duke u kujtuar pipinove të kaluarën e tyre fashiste, të cilët partizanët shqiptarë i kishin flakur në det.
Veteranët këmbëngulin që të mos i lënë të gjallë, por zhgënjehen kur marrin vesh se kardinal Mindszenty ka qëndruar 15 vjet brenda ambasadës amerikane në Budapest, duke u kujtuar veteranëve reumatizmat e gjymtyrëve të tyre. Në Shqipëri, në rast të një krimi, faji bëhej kolektiv. Pra, krejt familja duhej të mbante përgjegjësi për fajin e dikujt.
Pushteti kërkon arrestimin e kushërinjve, qoftë edhe të largët, të familjes Tota. Duke qenë se familja Tota nuk la të afërm, arrestohet një familje me mbiemër të përafërt: Popa! Ata jetojnë në qytetin N., aluzion ky me një qytet anonim që hasim shpesh në veprën e Ismail Kadaresë.
Ylljet Aliçka na zbërthen deformimet e një regjimi ku çnjerëzorja rivalizon me groteskun.
Gjashtë Totat që besuan se shpëtuan, kuptuan se me gjithë përpjekjet e ambasadorit italian, pasuesi i zbehtë i Hoxhës, Ramiz Alia, nuk u tërhoq, pa guxuar të ndryshojë gjë.
Vitet kalojnë dhe Totat e stërlodhur detyrohen të marrin antidepresivë.
Një herë provojnë të bëjnë grevë urie. Fillesa e një idili mes Ileanës dhe një polici të pashëm italian nuk tolerohet nga i vëllai, Simoni, i cili qorton të motrën se “nuk jemi futur këtu për të bërë gilivili me pipinot”. Totat u liruan falë një ngjarjeje historike: në shkurt të vitit 1991 rrëzohet përdhe statuja e Enver Hoxhës, qeveria detyrohet të bëjë koncesione.
Të ndodhur në territor italian, Totat refuzojnë të plotësojnë formularët shqiptarë. Çështja zgjidhet nga Tirana, falë premtimit të një ndihme ekonomike si dhe të vizitës historike të Pérez de Cuellar-it, sekretar i përgjithshëm i OKB-së që garanton mbrojtjen e familjes.
Ndërkohë, ambasadori italian ka vdekur i rraskapitur vetëm një muaj pasi ka dorëzuar funksionin. Zëvendësi i tij, që i gëzohet largimit të Totave, është shumë larg asaj që e pret: nis pushtimi i ambasadave perëndimore nga mijërat e shqiptarëve. Madje, edhe skulptori i kokës së statujës së çmontuar të Enver Hoxhës kërkon azil, sepse nuk pranon kërkesën e pushtetit për të bërë një statujë të re dhe parapëlqen të lërë vendin (fakt autentik).
Totat, që u shndërruan në pionierët e ekzilit, shpresojnë të priten si heronj, por përfundojnë në një kamp refugjatësh, në shoqërinë e emigrantëve afrikanë, për t’u sistemuar më pas në një ndërtesë komunale në periferi të Romës, ku edhe sulmohen nga fqinjët.
Ëndrra kapitaliste u shkërmoq shumë shpejt dhe tragjedia vazhdon: një grindje bëhet fatale për Simonin; Irena shtrohet në psikiatri, pasi fyhet nga dikush që i propozon martesë; Ileana, e kthyer në Shqipëri, përpiqet më kot të rimarrë shtëpinë familjare të zënë tashmë nga një djalë i ri që pretendon se e ka blerë atë.
Autoritetet lokale që besojnë se familja Tota jeton në mrekullitë e Kaprit a në gondolat e Vencias, nuk e kuptojnë dot se pse ajo kërkon të rimarrë këtë karakatinë dhe t’u bëjë dëm shqiptarëve të varfër që kanë mbetur në vend… Ramiz Alia, i cili kishte bërë be se askush nuk mund të braktiste vendin, u detyrua të lejonte largimin e të gjithë shqiptarëve futur nëpër ambasada. Ata mbërrijnë në Itali dhe dëshpërojnë një funksionar italian, i cili nuk pranon më të dëgjojë nga refugjatët, se ata të gjithë kanë marrë pjesë në rrëzimin e statujës së Enver Hoxhës.
Nën një ironi të distancuar, me një ndjesi mbytëse, ngjarje të dhembshme përshkallëzohen pa vështirësi në roman, parë nga një logjikë vërtet tragjike.
Ismail Kadareja në parathënien e librit, ndër të tjera, thotë se “terrori bëhet lidhja e vetme e mundshme sociale dhe e papërfytyrueshme. Çmenduria bëhet kështu sjellja më banale”.
Në realitet, çështja Popa përfundon me dy vetëvrasje, dy shtrime në psikiatri, ndërsa e mbijetuara e vetme jeton sot duke mbledhur kanoçe bosh në kazanët e plehrave ku grindet me mbledhës më të fortë se ajo. Ylljet Aliçka ia ka dalë të shkruajë pa pathos, përderisa vetë realiteti e kapërcen fiksionin. Cilësisë së padiskutueshme letrare të romanit i shtohen dhe vlerat historike e morale. Kjo është aq e vërtetë, përderisa një numër fatesh janë humbur në anonimat dhe harresë nga një regjim që nuk i ka njohur kurrë krimet dhe që autori di t’i përshkruajë me mençuri dhe humor të zi.