More
    KreuIn memoriamUran Butka: Kafja e fundit me Pjetër Arbnorin

    Uran Butka: Kafja e fundit me Pjetër Arbnorin

    Një ditë para se të shkonte nga kjo botë, Pjetër Arbnori  më mori në telefon. Pimë një kafe?- më pyeti. Te Kullat. -Mirë, i thashë dhe u nisa.

     Për çudi nuk lamë orë të caktuar. Në lokalin lluksoz të katit të dytë prita veç disa sekonda. Ishte veshur me një kostum gri të hapur në të bardhë, që i shkonte shumë dhe e tregonte më të ri. Fytyrëqeshur dhe i qetë, si gjithnjë. Porositëm kafet.

     – Nesër do të shkoj në Itali, më tha. Jam i ftuar në një takim ndërkombëtar. A mund t’i bashkosh të dy temat në një?

     – Patjetër.

     Të nesërmen, në ditën ndërkombëtare të viktimave, do të bëhej një konferencë në Tiranë, ku do të fliste Arbnori për viktimat e burgjeve komuniste, ndërsa unë për viktimat e  jashtëburgjeve.

    – Nëse më lejon, do të them edhe për ju diçka, kuptohet për lëvizjen politike socialdemokrate, që u bë shkak për burgimin, – i thashë.

    – Fol për ata që s’janë më, për ata që s’ka kush flet, jo për ne të gjallët.

    – Unë flas edhe për të gjallët edhe për të vdekurit.

    – E di.

    U bë një heshtje e gjatë.

    I rufitëm të menduar kafetë.

    M’u duk sikur dallova në thellësi të syve të tij një hije trishtimi.

    – Zoti Pjetër , i thashë, ju kini arritur në jetën tuaj disa kulme. Ishit në burg dhe mund të mos kishit dalë i gjallë. Por ja që qëndruat dhe dolët. Pak i moshuar, burgaxhi dhe punëtor krahu jashtë burgut, por brenda një burgu tjetër më të madh, mund të mos krijonit dot familje. Por ja që e krijuat një familje të mirë dhe kini dy fëmijë të mrekullueshëm. Arritët të bëheshit kryetar parlamenti dhe të delnit s’andejmi me qafë të hollë dhe me faqe të bardhë. Së fundmi, keni botuar disa libra që ju kanë nderuar në fushën e letrave. Jeni një personalitet, që e kapërceni edhe PD-në. I paprekshëm. Atëherë, përse nuk e ngini zërin më fort, zoti Pjetër?

    U habita edhe vetë për ato që thashë me një frymë. Siç duket më ishin mbledhur brenda vetes mendimet dhe dolën natyrshëm.

    Ai nënqeshi, po nuk foli.

    Unë qëndrova në timen:

    – Dikur, cari i Rusisë ishte në përplasje me Tolstoin. Gazetat e Perëndimit shkruanin: “Cari s’ka ç’t’i bëjë Tolstoit, Tolstoi ka ç’t’i bëjë Carit”…Ty Pjetër, s’ka ç’të të bëjë Cari i PD-së!

    – Ti mendon se kam frikë? Frikën e kam humbur qysh kur provova burgun, vdekja s’më hyn në sy, se e kam prekur disa herë.

    – Edhe në grevën e urisë, për një grimë, shkove e vajte në atë botë.

    – E kisha përnjimend.

    – Nuk bëhet fjalë, i thashë. Ishte grevë për fjalën e lirë.

    – Pikërisht.

    – Po kur fjala e lirë shpesh pengohet edhe brenda PD-së, si i bëhet? Mos duhet të heshtim?

    – Përballjen kryesore e kemi me shtetin, tha ai.

    – Ndërsa unë mendoj se përballjen e parë duhet ta kemi me veten.

    – Të përgëzoj për kurajon që ke. Për çdo gjë që s’ecën, ti e nge fort zërin, qoftë edhe ndaj Njëshit. Ndërsa unë kam mënyrën time të të thënit të gjërave. Qetë- qetë. I kam shprehur mendimet në kryesi, por ia kam thënë edhe veçmas Berishës në zyrë, megjithatë ai nuk ndryshon. Ashtu është formuar. Edhe gjatë këtij viti i kam kërkuar takim për punën time, se nuk jam as në qiell, as në tokë, po nuk më ka pritur. Së fundi, më dërgoi një mesazh me celular: “Takohu me shefin e kabinetit, Arben Imamin”!?

    – E pabesueshme!

    – Ja që është e vërtetë.

    – Nuk është më e dobishme t’i themi gjërat vetëm midis nesh, duhet t’i themi me zë të lartë, që të na dëgjojnë edhe të tjerët. Si do ta ndryshojmë mendësinë apo ndërrimin e tyre? Qoftë edhe të Njëshit…

    – Kjo gjë nuk bëhet menjëherë, kërkon durim dhe kohë.

    – Po kohën njerëzit e bëjnë. Dhe kur koha kalon, çdo gjë bëhet edhe më e vështirë, ndoshta e pakohë. Aq më tepër që në PD po bjerret demokracia dhe theket autoritarizmi i Njëshit.

    – Shqiptarët ende shkojnë verbërisht pas më të fortit, pas njëshit, jo pas arsyes.

    U nder mes nesh  një heshtje e mundimshme. Për herë të parë, në thellësi të tij  vura re një trishtim të pashprehur. Asnjë herë ai nuk ishte thyer, ndoshta as tani, por gjithsesi mërzia e tij e dëlirtë më preku.

    – Kur unë kandidova për kryetar i PD duke rivalizuar Berishën, Berisha ma largoi nga komisioni I numërimit të votave përfaqësuesin tim në atë komision. E dërgoi me shërbim në Shkodër, megjithëse ishte ditë e “dile”…

    – E di. Kjo ndodhi edhe me mua, katër vjet më pas, kur kandidova për kryetar te PD. Përfaqesuesin tim në komisionin e numërimit të votave  e hoqi nga komisioni. Shkak u bë flala ime në kongres, kur u duartrokita me thirrjet “Butka, Butka!” Atëherë Berisha thirri Ritvan Boden dhe i tha që ta hiqte përfaqesuesin tim mbikqyrës , kryerarin e PD te Kolonjës. Arsyeja është se ai, edhe kur është i sigurt që fiton, ka frikë nga vota e lirë, ka frikë nga kundërshtari zgjedhor, edhe kur ai nuk e rrezikon.

    – Këtë ngjarje nuk e di, – tundi kokën në mënyrë mohuese , Pjetri. Di që kandidove për kryetar në një moment të vështirë për PD, kur PD-ja rrezikonte të mbetej vetem me nje kandidat, Berishën, pas largimit të Pollos.

    – Megjithatë, ti je i fortë dhe i paprekshëm, i thashë sa për t’i ngritur humorin. Sa për të tjerët, si dihet se çdo të ndodhë.

    – Askush sot nuk është i paprekshëm, por në mënyra të ndryshme. Edhe unë. Cari i PD-së ka ç’t’i bëjëPjetër Arbnorit. Dhe, besa, i ka bërë boll, deri sa e ka lënë jashtë parlamentit dhe pa punë, pa rrogë. Është përjashtues. Ndërkohë, dua të punoj, qoftë edhe në administratën e PD-së, se jam në gjendje të mirë shëndetsore, por edhe  sepse i kam fëmijët të vegjël.

    Heshtje.

    U ngritëm.

    – Kur do të nisesh? – e pyeta.

    – Nesër.

    – Të vesh e të vish shëndoshë!

      Po ai nuk u kthye.

      Kishte ligjëruar në në konferencë ndërkombëtare për liritë dhe të drejtat e njeriut, që e kishte pike të dobët dhe devizë, mandej ishte operuar nga prostati, por për fat të keq bëri trombozë pasoperatore.

    Iku  pa pritur dhe i dëshpëruar nga kjo botë, Pjetër Arbnori.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË