KreuLetërsiBibliotekëFlurans Ilia: Libri është si një festë që njeriu duhet ta ketë...

Flurans Ilia: Libri është si një festë që njeriu duhet ta ketë përherë me vete

Kam qenë i ftuar në një takim në Toronto në 13 Prill 2024, titulluar  “Fjalë midis brigjesh” ku në një panel të përbashkët me autorët Ajkuna Dakli dhe Gazment Kapllani do të diskutonim rreth letërsisë, mërgimit, gjuhës shqipe, dhe të tjera tema të përbashkëta si këto. Kam përshtypjen se në këtë periudhë kohore lindi ideja e prurjes së librit shqip në këto brigje të Amerikës së Veriut për disa arsye të veçanta. Së pari ngaqë ‘epoka” e transportit të librave nga Shqipëria me valixhe konsiderohej tashmë si e tejkaluar, sepse njerëzit preferonin të sillnin më mirë dy bidonë raki në vend të dy tre librave. Së dyti, për t’i dhënë një shans brezit pasardhës që të jetë në kontakt me gjuhën, kulturën dhe librin shqip, përkrah gjuhës së biznesit në të cilën janë shkolluar dhe i përkasin në realitetin e këndejmë. Së treti, për vet ne, autorët në dhe të huaj që vazhdojnë të shkruajnë “kokëfortësisht” shqip. Dua të theksoj qysh në kryeradhë se ideja ka qenë e zotit Rudin Dakli dhe e shoqatës ACDA (Albanian Canadian Development Alternative), një shoqatë jo fitim prurëse për t’u pirë në kupë si i themi ne shqiptarët, e cila në të gjitha këto vite të fundit ka përballuar me dinjitet koston, mundin, e mbështetjes së krejt aktiviteteve kulturore artistike në komunitetin shqiptar në Kanada, çka personalisht nuk e kisha menduar kurrë si autor në të gjitha këto 25 vite që jetoj dhe shkruaj në këtë vend si shumë kolegë të tjerë.

Është normale që në fillesat e një sipërmarrje të tillë tërësisht individuale, thjesht të nisur nga dashuria për kulturën tonë, për të krijuar ura lidhëse me atdheun, qofshin këto thjesht nëpërmjet gjuhës së shkruar por edhe në nivelin akademik, do të kishte njëfarë skepticizmi se si do venë gjërat? A jemi të aftë për ta bërë realitet një sipërmarrje të tillë kaq të madhe? Përtej të gjitha këtyre pikëpyetjeve ACDA organizoi për herë të parë në historinë e diasporës shqiptare në Amerikën e Veriut, Festivalin e Librit Shqip në 30 Nëntori dhe 1 Dhjetor të vitit 2024 në Toronto. Pjesëmarrja ishte aktive jo vetëm nga Kanadaja por edhe nga Shtete e Bashkuara, madje mbresëlënëse do e quaja në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Duhet theksuar se kjo vinte në një kohë kur gjithandej interesi për librin ka rënie të ndjeshme jo vetë në raport me librin shqip. Pa e kuptuar as vet, po krijonim një oazë që jo vetëm shërben për të shuar etjen në kohën e thatësirës së leximit, por akoma më gjerë, po i jepnim një shtysë vëmendjes kundrejt librit (shqip) nga një hapësirë gjeografike pothuajse e pa imagjinueshme prej së cilës mund të lindë ky fenomen. Këtu dua të shtoj daljen në pah të autorëve shqiptaro-kanadez në takime dhe biseda direkt me publikun por edhe ardhjen e shkrimtarëve dhe poetëve nga Shqipëria në gjirin e diasporës shqiptare. Papritur, si të thuash me vullnet të lirë dhe me dëshirën e mirë, kishim krijuar një urë lidhëse midis dy brigjeve.

Pas edicionit të parë të Torontos, në 27 Prill 2025 zhvillohet Festivali i Librit Shqip në Montreal. Sërish një pjesëmarrje dhe interesim për t’u admiruar nga komuniteti shqiptar i Montrealit i cili dëshmoi se jo vetëm që interesi për librin (shqip) nuk ka vdekur, por jemi një komunitet shqipfolës me identitet të veçantë dhe ndjeshmëri po aq të veçantë kundrejt kulturës tonë.

Këtë fund javë që vjen, në 9 dhe 10 maj 2026 zhvillohet edicioni i radhës i Festivalit të Librit Shqip në Kanada, ku larmia e të ftuarve dhe temave ka një dinamikë ndryshe nga vitet e tjera. Kjo tregon jo vetëm besim për të bërë gjëra të cilat as që i kishim në mendje dy apo tre vite më parë, por njëherazi dëshmon se komuniteti shqiptar është rritur në raport me kulturën dhe identitetin e vet. Nuk është rastësi që ky aktivitet, më i madhi i librit shqip në Amerikën e Veriut, quhet Festival dhe jo Panair, për të nënkuptuar faktin se, Libri është si një festë që njeriu duhet ta ketë përherë me vete.

Montreal, 4 maj 2026

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË