Është ndarë nga jeta Profesor Rexhep Qosja: shqiptarët në zi. Tek po priteshin aktivitetet për të shënuar 90-vjetorin e lindjes së tij, është ndarë nga jeta Profesori, vetëm pak muaj pa e kurorëzuar vitin e 90-të të lindjes. Profesor Rexhep Qosja (Vuthaj, 26 qershor 1938 – 23 prill 2026) ishte njëri prej personaliteteve më të mëdha të dy shekujve të fundit, i cili në të gjitha periudhat e mëdha historike të gjysmëshekullit të fundit u ka folur shqiptarëve pa kufij si një zë i vetëm, me gjuhën, me veprën dhe me mendimin e pavarur prej intelektuali me vetëdije të lartë historike, i vetëdijshëm se gabimet për çështjet e vogla të kohës janë të përkohshme, ndërsa qëndrimet e mbështetura në vetëdijen historike janë të përhershme.
Autor i më shumë se pesëdhjetë veprave letrare, historiko-letrare, dokumentare dhe publicistike, ai shquhet për veprat me të cilat ka krijuar një yjësi kombëtare në botën shqiptare: romanin Vdekja më vjen prej syve të tillë (1972–1974); Anatomia e kulturës (1976); Mite të zhveshura (1978); Historia e letërsisë shqipe (Romantizmi I–III) (1984–1986); Porosia e madhe (Naim Frashëri) (1986); Populli i ndaluar (1978); Çështja shqiptare – historia dhe politika (1994); Tri mënyra të shkrimit shqip (2004); Bijtë e askujt I–II (2010; 2013); Dëshmitar në kohë historike I–IX (2014–2023) etj.
Profesor Rexhep Qosja ishte intelektuali që fjalën dhe veprën e tij asnjëherë nuk i ndau nga përgjegjësia kombëtare; prandaj vepra e tij nuk ishte thjesht ide personale e çliruar nga bota, por ndërgjegje kritike dhe protestë ndaj trashëgimisë historike, artikulim racional për kohën dhe përgjegjësi për të ardhmen e shoqërisë shqiptare.
Profesor Rexhep Qosja ishte shkrimtari që krijoi universin e tij letrar: përndjekjen e intelektualit, demonstratat e vitit 1981, kapërcimin e madh nga sistemi komunist në demokracinë evropiane, postkomunizmin – historinë më tipike të botës materiale dhe shpirtërore të hapësirës së popullit shqiptar.
Profesor Rexhep Qosja ishte kritiku i letërsisë dhe jo vetëm i saj, i cili depërtoi në thellësinë e mendimit gjuhësor, kulturor, letrar e historik, duke e rindërtuar atë, duke e ridimensionuar, duke e pastruar nga iluzionet, nga folklorizmi, nga gjykimi sipërfaqësor, nga pasioni i një brezi që, duke përjashtuar trashëgiminë kombëtare, mendonte se mund të krijonte historinë e re, dhe që, duke e hedhur pas shpine hapësirën etnike, besonte se mund ta ndërtonte atë në një provincë të saj.
Profesor Rexhep Qosja ishte historiani i letërsisë që ridimensionoi konceptin për historinë kombëtare si një lëvizje nacionale, që kishte jo vetëm luftëtarët e armës, por edhe bardët e mendimit. Ai, duke kurorëzuar veprën unike në kulturën shqiptare (Romantizmi I–III), i dha popullit shqiptar burimet e krijimit të vetëdijes kombëtare në vend të një kronologjie të thjeshtë të kryengritjeve dhe heronjve.
Profesor Rexhep Qosja ishte publicisti dhe polemisti i betejave të mëdha, i vetëdijshëm se polemika nuk është përplasje, por dialog i sinqertë dhe i vërtetë. Prandaj, aty ku ishte ai – në rrethet kulturore e shkencore në Prishtinë, në polemikat me shkrimtarët serbë në Novi Sad, në diskutimet në shtypin jugosllav të viteve ’80–’90, në debatet e tranzicionit nga komunizmi në demokraci, në qëndrimet për Luftën e Ushtrisë Çlirimtare dhe mbrojtjen e saj në Rambuje – aty zhvillohej beteja e madhe e lirisë së mendimit intelektual.
Profesor Rexhep Qosja ishte autori i veprës më të madhe në kulturën shqiptare, ditarit Dëshmitar në kohë historike, në shumë vëllime, prej të cilave deri më tash janë botuar nëntë vëllimet e para për periudhën 1968–2008. Ditarin kishte filluar ta mbante që në vitin 1956. Në dorëshkrim mbeten edhe vëllimet që mbulojnë periudhën 2008–2026. Si askund tjetër në tekstet e historisë bashkëkohore, në dokumentet shtetërore e qeveritare apo në shtypin ditor e shkencor, në këtë ditar prej disa mijë faqesh bota shqiptare shfaqet e dokumentuar, e sistemuar, e zhveshur katërçipërisht, pa maska dhe pa ndërmjetësim – e vërtetë.
Në këtë vepër ai është dëshmitari i parë, shpesh i vetëm dhe gjithmonë i saktë, që lufton me fjalën si Muhameti dhe e pranon peshën e kryqëzimit si Krishti. Me këtë vepër, Profesor Qosja i ka ngritur vetes dhe kulturës shqiptare një monument, për të cilin brezat e ardhshëm do ta kenë të vështirë të gjejnë vendin; prandaj, më parë se në një shesh, ai ka më shumë gjasa të qëndrojë në ndërgjegjen tonë dhe të brezave që vijnë.
Rexhep Qosja ishte nga ata njerëz për të cilët koha nuk gjen fjalë të mjaftueshme, sepse ata nuk i përkasin vetëm një epoke, por vetë bëhen një epokë. Ai është një nga ata mendimtarë që zhvendosin vëmendjen e një shoqërie nga kokat që sundojnë te kokat që mendojnë, dhe kur një mendje e tillë hesht, vendi e ndien si një tronditje të thellë – një boshllëk që nuk mbushet me zhurmë, por vetëm me kujtesë.
Ai ishte intelektuali që nuk pranoi rehati, shkrimtari që nuk u mjaftua me rrëfim, kritiku që nuk kurseu të vërtetën, historiani që nuk e trajtoi traditën si relike, por si energji, polemisti që e bëri mendimin fushë beteje, publicisti që e ktheu fjalën në akt dhe politikani që e pa përgjegjësinë si barrë dhe jo si privilegj. Ai mbetet një ndërgjegje që e ndërtoi vetë piedestalin e saj.
Prishtinë, më 23 prill 2026


