Ironia është një mjet i fuqishëm i letërsisë. Studiuesit e ironisë, madje, thonë se nuk ka letërsi pa ironi. Se është e tillë e vërteton të kuptuarit dhe të interpretuarit e shënjuesve ironikë brenda një konteksti shoqëror, në të vërtetë të kuptuarit e gjuhës a të ligjërimit ironik.
Ironia – term që vjen nga greqishtja (eironeia) me kuptimin shndërrim, përqeshje, që në retorikën e moçme është quajtur trop, kurse sot në literaturën teorike konsiderohet figurë dhe trop, varësisht nëse realizohet përmes fjalës (trop) apo përmes një tërësie më të gjatë tekstore. Pas rrugëtimit të saj të gjatë nëpër shekuj, ironia ka ruajtur deri sot vendin e saj të rëndësishëm në letërsi, prandaj edhe në letërsinë moderne e sidomos postmoderne ajo zë vend qendror si strategji narrative[1].
Ironia konsiderohet edhe mjet stilistik dhe në këtë trajtesë për ironinë e Rexhep Qosjes në pesë romanet e tij si dhe në novelën e dramat e tij, ajo trajtohet si e tillë, pra si mjet stilistik, përkatësisht si veprim mbizotërues stilistik me ton diskursiv-mendimor i cili trajtohet përmes tipologjisë së veprimeve ironike dhe shënjuesve stilistikë të kodit ironik. Po kështu, pos si figurë mbizotëruese stilistike, ironia trajtohet këtu edhe si qëndrim i autorit, si qëndrim i rrëfimtarit dhe si qëndrim i personazheve, sepse ironia e Rexhep Qosjes, me dallim prej figurave të tjera si metafora, alegoria, antiteza, oksimoroni, paradoksi, provokon fuqishëm emocionalisht si te ata që e kuptojnë ashtu edhe te ata që nuk e kuptojnë.
Nuk lihet anash gjatë trajtimit as semantika e ironisë dhe formësimi i kuptimit të saj, gjithnjë duke pasur parasysh ndërvarësinë e madhe të tekstit të Rexhep Qosjes me kontekstin. Të gjitha veprat e tij, nisur nga “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, kërkojnë “lexim paralel: të lexohet teksti përballë kontekstit”.[2]
Rexhep Qosja, si shkrimtar dhe si studiues e kritik letërsie, e di fare mirë raportin letërsi – shoqëri dhe e di mirë si krijohet e si realizohet ironia. Duke qenë se ironia është jo vetëm proces i ndërlikuar i marrëdhënieve, i përdallimit dhe i kombinimit të kuptimit të thënë dhe të kuptimit të pathënë, por edhe proces i formësuar brenda një kulture[3], për të realizuar ironinë duhet paraprakisht të kesh një shoqëri a opinion përkatës, në mënyrë që shigjeta e mprehtë e ironisë të godasë si duhet e ku duhet. Prandaj, ironia e Rexhep Qosjes është jo vetëm e shumëkuptimshme dhe e shumëllojshme, por edhe shumëdrejtimshe e shumëaspektore.
Jo rastësisht, ironia është konsideruar armë elitare dhe jo rastësisht është zhvilluar në qarqet intelektuale. Shkrimtari Rexhep Qosja me veprën e tij të vëllimshme e të shumanshme ka zgjeruar kufijtë e ngushtë të këtyre qarqeve, përkatësisht i ka rrënuar kufijtë e shoqërive të mbyllura. Ironia e tij ka shpërthyer kufij vendorë e kombëtarë dhe ka marrë tiparet e një ironie origjinale në letërsinë e në kulturën tonë.
Studiuesit e njohur të ironisë më shumë se njëherë kanë shprehur “rrezikun” e ironisë, përkatësisht pasigurinë që ajo të moskuptohet prej atyre të cilëve u është drejtuar. Këtë “pasiguri” e këtë “rrezik” ironia e Rexhep Qosjes e ka tejkaluar mjeshtërisht, sepse teksti i tij është i lidhur shumëfishtë dhe ngushtësisht me kontekstin, pavarësisht nëse romanet e tij janë botuar në vitet ’70, ose në njëzet vjetët e fundit, ose madje edhe sot.
Duke qenë e tillë ironia e Rexhep Qosjes, interpretimi i saj është shumë kërkues dhe njëkohësisht jo i lehtë për trajtim, sepse duhet të përmbajë më shumë strategji e më shumë synime, kurse qëllimi i këtij vështrimi është dukshëm më i ngushtë dhe pashmangshëm jo gjithëpërfshirës, sepse ironia realizohet në ligjërim e kjo do të thotë se semantika e saj dhe përmasa e saj përgjithësuese nuk mund të trajtohet a studiohet ndaras aspektit shoqëror, politik, historik, kulturor, sociologjik dhe etik të kontekstit, ndërsa kjo gjerësi problemore i tejkalon kufijtë e një trajtimi gjuhësor e stilistik të ironisë si mjet dhe figurë stilistike.
Së këndejmi, ky vështrim gjuhësor e stilistik ka parasysh, pos të tjerash, faktin se ç’rol kanë emocionet në të kuptuarit dhe në përcaktimin e ironisë, gjithnjë duke pasur parasysh funksionin ekspresiv të gjuhës, sipas Jakobsonit, dhe gjithnjë duke ruajtur natyrën, formësimin dhe ndikimin e saj të jo drejtpërdrejtë. Ironia e Rexhep Qosjes nga ky aspekt paraqet një regjistër përcaktues, në të vërtetë shkallëzues të “fuqisë” së saj sipas funksioneve që ka. Fuqia e ironisë së tij lëviz prej shkallës më të ulët e deri te shkalla më e lartë e ngarkesës emocionale.
Të shohim dy shembuj:
“Kasandra di të parathotë të ardhmen, por Kasandra di edhe të bëjë shaka, i them.
Po të dija të bëja shaka unë në rrugë siç bëjnë ata në teatrin politik do t’i kisha punët më mirë se ç’i kam, jo, u shpreha gabimisht: do t’i kisha punët siç i kanë ata.” (“Nata është dita jonë”, 53)
Atdheu ynë po ndryshon me shpejtësi marramendëse.
Jemi të parët në Evropë! Me ekonominë tonë entuziaste! Me liberalizimin e tregtisë! Shqipëria 1 lek!
Jemi të parët në Evropë me shkallën e rritjes ekonomike – sivjet 9 për qind, kurse vitin tjetër do të jetë 13 për qind. Çfarë mrekullie! Franca ka rritjen ekonomike 2 për qind, kurse Shqipëria 9 për qind; Italia ka rritje zero për qind, kurse Shqipëria ka rritje 9 për qind; Gjermania ka rënie 2 për qind, kurse Shqipëria ka rritje 9 për qind; Anglia ka rënie 3 për qind, kurse Shqipëria ka rritje 9 për qind!
Jemi kampionë të Evropës:
me mirëqenien dhe me lumturinë e qytetarëve; “(“ Bijtë e askujt” I, 441)
Siç shihet nga këta dy shembuj, çdo funksion i ironisë ka anën e saj të mirë ose të keqe, pra pozitive dhe negative. Funksioni pozitiv i fuqisë sugjeron saktësinë dhe jo dykuptimësinë – te teksti i parë, kurse funksioni negativ sugjeron nënkuptimin, aluzionin – te teksti i dytë.
Veçori të përgjithshme
Veçoritë e ironisë së Rexhep Qosjes në rrafsh të përgjithshëm janë:
-zhvendosja e ironisë nga ligjërimi artistik në ligjërimin “shkencor” e “publicistik” të romaneve, me ndërthurje mjeshtërore kur tematizohen çështje që lidhin kulturën shqiptare me kulturën botërore, sidomos letrare dhe politike;
-prirja për të nxitur dialog të hapur për çështje nga më të ndryshme të jetës njerëzore dhe përpjekja për të rivendosur mundësisht gjedhe të reja kulturore e shoqërore;
– ndërvarësia e dukshme midis prozës së tij, tekstit ironik dhe kontekstit shoqëror-kulturor;
– përpjekja për të krijuar paradigma të reja e për të zëvendësuar paradigma të vjetra dhe jo pozitive në kontekstin e situatave të emërtuara si kriza; siç dihet për ndryshimin e paradigmave nevojitet kriza, jo qëndrueshmëria dhe pasiguria;
– ndriçimi i raporteve midis përbërësve të rëndësishëm të mënyrës së jetës shqiptare;
– bashkimi në një rrafsh i letërsisë së quajtur e “lartë” dhe letërsisë së e quajtur e “ulët”;
– njëjtësimi i jetës publike me jetën private në kontekstin e forcës;
– shpotitja e realizmit socialist dhe zëvendësimi i modernes me postmodernen, sidomos ne romanet e fundit.
Ironia – semantika dhe estetika
Ironia e Rexhep Qosjes në rrafsh të përgjithshëm semantik aktualizohet në këto fusha konceptore e tematike: fati i individit dhe fati i shoqërisë; intelektuali – shteti – familja; raporti burrë – grua; jeta publike – jeta private; individi – politika; politika – morali; identiteti – gjuha – feja; letërsia – politika; modernia – postmodernia; vlera – kiçi; liria – robëria; lufta – paslufta; njeriu midis dhunës dhe nevojës për reagim; dashuria – urrejtja; lindja – perëndimi.
Duke qenë se ironia është mjet i fuqishëm i letërsisë, ajo paraqet edhe një mjet të fuqishëm stilistik që zbulon shumanshëm një vepër letrare, që zbulon polifoninë dhe harmoninë e saj, që zbulon në të vërtetë aftësinë dhe shkathtësinë e shkrimtarit për t’i bashkuar e për t’i vënë përballë ato që bashkohen dhe ato që nuk bashkohen, ato që pajtohen dhe ato që kundërvihen dhe për t’i njëjtësuar ato pastaj në një tërësi më vete. Se është e tillë apo më mirë të thuhet se mund të jetë e tillë ironia, e zbulojnë qartësisht dhe mjeshtërisht romanet e Rexhep Qosjes, e zbulon ironia e tij plotësisht e veçantë në letërsinë shqipe. Krahas ndërtekstorësisë dhe kompozicionit, ironia e tij e fuqishme është treguesi më i dukshëm i modernizmit dhe i postmodernizmit të romaneve të tij. Si teknikë e si strategji mbizotëruese e postmodernizmit të tij, si ironia ashtu edhe porosia e romaneve të tij janë të natyrës dyvlerëshe, përkatësisht janë kundërvënëse. Në romanet postmoderne të Rexhep Qosjes, ironia si strategji narrative paraqet veçorinë qenësore dhe formën themelore ndërtuese.
Të shohim mënyrën kryesore të ndërtimit të ironisë në tekstin e tij letrar:
”Nëpër të gjitha sheshet, rrugët e rrugicat jehon lajmi i pikëllueshëm:
Ka vdekur Kush Akxhiu!
Ka vdekur, Çerem, ka vdekur!
Ka vdekur! Përgjithmonë!
Në qiellin e Vajazanit është shuar një yll i atdhetarizmit!
Ka vdekur një atdhetar i madh, të cilin vajazanasit aq shpesh e kishin dëgjuar duke u betuar për flamur!
Ka vdekur njeriu që sot ishte i këtillë, nesër ishte i atillë e pasnesër i këtillë dhe i atillë!
Siç e lyp Atdheu, thoshte!
Kohë kameleonësh!
Kurrkush si Kushi nuk e njihte dialektikën.
Teza.
Antiteza.
Sinteza.
Përfolshmëria: profesioni më i leverdishëm Atje dhe Këtu!
Sivjet janë shtuar shumë vdekjet, sidomos, vdekjet e papritura.
Ç’t’i bësh? Vdekjen e kemi më afër se jakën e këmishës.
Këmisha na lë, po vdekja nuk na harron.
Qyteti po rritet, kurse varret po zgjerohen.” (“Një dashuri”, 307)
Në teorinë mbi ironinë thuhet se ironia duhet të ketë cilësi të veçanta së paku minimale estetike, ndryshe nuk mund të quhet ironi. Ironia e Rexhep Qosjes në pjesën më të madhe të saj karakterizohet prej vlerës së shquar estetike, siç shihet edhe nga teksti i paraqitur më lart.
Thuhet po kështu se ironia, për t’u quajtur e tillë, duhet të përmbushë tri elemente çelës:
1. të përbëhet prej dy shtresave ose dy rrëfimeve;
2. të shquhet me praninë e kundërvënies së dy shtresave që mund të jenë kontradiktore, mospërputhëse dhe të papajtueshme;
3. të karakterizohet me një si pafajësi, sipas së cilës “viktima e ironisë nuk është e vetëdijshme ose ironisti shtiret se ajo nuk është e vetëdijshme”, të cilën Muecke-u e quan papërgjegjshmëri e përgjegjshme e shkrimtarit[4].
Të tria këto elemente i përmbush plotësisht ironia e shprehur në shembullin e mësipërm ashtu sikundër përgjithësisht ironia e romaneve të Rexhep Qosjes. Në tekstin e mësipërm flet rrëfimtari, por edhe Çerem Çapari përmes gojës së rrëfimtarit; ndërlidhen monologu dhe dialogu imagjinar; kundërvihen konceptet atdhetarizëm dhe tradhti; Kush Akxhiu ishte edhe Kush edhe kurrkush; ishte: njeriu që sot ishte i këtillë, nesër ishte i atillë e pasnesër i këtillë dhe i atillë, prandaj:
Në Varre u soll si atdhetar e u varros si hafie!
Atë ditë nëntori kishte filluar radha e vdekjeve të dyfishta në Vajazan!” (“Një dashuri”, 344)
E gjithë ironia e Rexhep Qosjes ndërtohet mbi kundërvënien, mospërputhjen e papajtueshmërinë. Shkalla e mospërputhjes midis kundërshtive ironike është anasjelltas proporcionale me shkallën e pasigurisë, që ndien viktima ose që ironisti shtiret se ajo e ndien këtë pasiguri.Ironia e Rexhep Qosjes e karakterizon edhe një estetikë e lartë – estetika e të shëmtuarës.
Funksioni i ironisë
Në romanet e Rexhep Qosjes ironia kryen funksion stilistik. Duke qenë shkrimtar me ndjenjë të mprehtë për të vërtetën, duke ndier neveri për shtirjen dhe patosin e rrejshëm, ai e përdor ironinë si instrument më se të gjetur për të realizuar qëllimin e tij artistik. Ironia e madhe thonë se qëndron në mendimet aforistike, në epigrafet, në titujt e nëntitujt e romaneve, në fjalitë nistore dhe ato fundore e të tjera Shkrimtari e ka shfrytëzuar gjerësisht këtë lloj të ironisë edhe në këto mikrostruktura[5].
Ironia, si figurë gjuhësore, përdoret në dy kuptime: në kuptim të gjerë, kur fjala e caktuar shpreh kuptim të kundërt nga kuptimi i saj tekstual, i fjalëpërfjalshëm, dhe në kuptim të ngushtë kur fjala a shprehja gjuhësore ka karakter shpotitës, përçmues. Në raste të tilla përdoren edhe figura e trope, aforizma, frazeologji, e të tjera.
“Në kohën e Keopsit, për të cilin është ngritur kjo piramidë, nuk mund të ndodhte ashtu. Jo. Kurrë. Ju thashë! Po përsëris: ai donte ta bënte Shqipërinë shtet. Të fortë. Me identitet. Me dinjitet. Me kulturë. Me moral. Nuk arriti!
Keni dëgjuar çka i kanë bërë për së vdekuri: ia kanë hequr zvarrë përmendoren!
Cilët?
Rrogëtarët! Hyzmeqarët! Puthadorësit! Puthakëmbësit! Këngëtarët e bëmave të tij! Shkrimtarët – himnizuesit e bëmave, të ideologjisë dhe të politikës së tij.
Bijtë dhe bijat e tyre!
Për së gjalli ia pinin ujin e këmbëve e për së vdekuri ia hoqën zvarrë përmendoren!” (”Bijtë…”I,214)
Kjo lloj ironie rrënon teknikat tradicionale të rrëfimit dhe realizon funksione të shumëfishta, në të vërtetë ajo është figurë ligjërimore polifonike, funksioni i së cilës karakterizohet me largesën e shenjës dhe të kuptimit, në të vërtetës të asaj që themi dhe të asaj që mendojmë. Ironia përforcon shprehjen dhe, siç është thënë edhe një herë në këtë krye, ajo mban baraspeshën ndërmjet binomeve: e butë – e vrazhdë; e matur – therëse. Ironia e Rexhep Qosjes është shprehje e inteligjencës dhe e kulturës së gjerë. Është metoda e tij për të realizuar funksionet e gjuhës në mënyra të ndryshme.
Veçori tipologjike
Ironia e Rexhep Qosjes përmbush edhe kriterin e të qenët ironi e thjeshtë dhe ironi e dyfishtë – klasifikim ky i studiuesve që e shohin ironinë të përbërë prej dy pjesëve a elementeve kundërshtuese. E para, ironia e thjeshtë, është korrigjuese, e dyta, ironia e dyfishtë, është kundërshtuese në shkallë të ulët.
Të shohim shembujt e këtyre dy llojeve të ironisë:
Ironia e thjeshtë (kundërshtuese): “gruaja më e mirë është gruaja e marrë… (se) të jep trupin dhe shpirtin”( “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, 23);
Ironia e dyfishtë (korrigjuese): (disa gra) “kur ta japin trupin s’ta japin shpirtin; (disa gra) kur ta japin shpirtin, kanë humbur bukurinë e trupit.” ( “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, 23);
Në romanet e Rexhep Qosjes dallojmë edhe ironinë verbale ose ironinë e fjalës dhe ironinë situatore. [6] Te e para, ironia verbaleoseironia e fjalës, rrëfimtari, përmes ligjërimit ironik, tregon se po ndodh diçka ironike, kurse te e dyta, ironia situatorerrëfimtari,përmes ligjërimit,kallëzon situataironike.
Një klasifikim tjetër shquan këto lloje të ironisë[7]: ironia e hapur, ironia e fshehur, ironia private, të cilat cilësohen sipas këtyre treguesve: jopersonale, vetëvlerësuese, e mprehtë dhe e dramatizuar[8]. Edhe këto lloje të ironisë mbushin romanet e Rexhep Qosjes. T’i shohim shembujt:
Ironia e hapurvetëvlerësuese dhe e mprehtë është ajo lloj ironie në të cilën ndjenjat mbizotërojnë arsyen, mbështetet në kontekst të gjerë, nuk fshihet vlerësimi, stigmatizohet objektime nënqeshje dyshuese dhe identifikohet përmes kontekstit, megjithëse kuptimi i shprehjes i kundërvihet formalisht.
“Nuk keni dëgjuar, ndoshta, se Vajazani në mesjetë ishte qytet më i zhvilluar se Londra dhe Parisi?
Kam dëgjuar.
Nuk keni dëgjuar, ndoshta, se paraardhësit tanë, ilirët, e kanë shpikur të parët pirunin.
Kam dëgjuar.
Nuk keni dëgjuar, ndoshta, se të parët e kemi pranuar krishterimin në Evropë.
Kam dëgjuar.
Nuk keni dëgjuar, ndoshta, se të fundit në Evropë e kemi pranuar islamin! …” (“Nata”, 94)
Forma më e shpeshtë e ironisë së fshehtë është ajo retorike, e cila i drejtohet gjithkujt dhe askujt, pra të gjithëve. Këtë lloj ironie e ndeshim në romanet, e sidomos në dramat e monodramat e Rexhep Qosjes.
MOLOSI
Është më e çmuar jeta e një gruaje apo ardhmëria e qytetit? Është më e shtrenjtë jeta e një gruaje apo dita e kiametit?
MONUNI
Ç’është tërë ky shqetësim? Ç’është tërë ky ngurrim tani, kur dyert e të fshehtës janë çelë? Do të sakrifikohet gruaja, do ta qajë i shoqi, do të qajnë fëmijët, do ta qajnë fqinjët, do ta qajmë të gjithë, por ajo nuk do ta qajë veten. Se viktima vullnetare nuk vdes, ajo jeton dhe na mëson ashtu si e shikuat në muret e kështjellës. Qëndronte krenare, si malet e amshueshme.” (“Mite të zhveshura”, 288)
Ironia retorikendërtohet në kontekst të gjerë dhe kuptohet lehtë nga të tjerët. Ajo nuk përmban ton përqeshës, po më shumë befasi dhe paradoks.
Një tipologji tjetër standarde ironinë e klasifikon dy llojesh: të veçantë dhe të përgjithshme[9]:

Ironia e veçantë
Kjo ironi në romanet e Rexhep Qosjes realizohet në tekst e kontekst të ngushtë dhe lidhet me njerëz, ngjarje e dukuri, që i përkasin një hapësire a bashkësie të ngushtë. Shkrimtari ka ndjeshmëri të veçantë për fatet e njerëzve të thjeshtë, prandaj tekstet që përshkon kjo ironi janë të ngjeshura me emocione, me leksik të përzgjedhur dhe me figurshmëri të lartë:
Ndoshta Trashen e kam harruar, po kurrë s’mund t’i harroj ata lot të saj mbi fytyrën time. Atëherë isha kalama, por deri në këtë moshë, kur më quajnë të pjekur e të djegur, unë s’kam parë lot ashtu të pastër, ashtu të ngrohtë, ashtu virgjër.
Njerëzit s’dinë të qajnë.
Athua edhe për këtë arsye më kujtohet mëkatnorja e pafajshme? (“Vdekja”, 32)
Ironia e përgjithshme
Me dallim prej ironisë së veçantë, ironia e përgjithshme zakonisht realizohet në makrokontekste, pra në kufij shumë të gjerë si tekstorë ashtu edhe hapësinorë, globalë. Në romanet e Rexhep Qosjes, ajo realizohet në kontekste të gjera së pari mbarëkombëtare, mbarëballkanike, evropiane e më gjerë ku shtrohen, diskutohen, kritikohen çështje nga më të ndryshmet me ton të fortë ironik si këto: ekzistenciale a ontologjike, etike, filozofike, ideologjike, fetare, shkencore, kulturore, të artit e letërsisë e të tjera. Po sjellim disa shembuj:
Përse njeriu është i dënuar të vdesë dhe, më në fund, a është dënim për njeriun Vdekja? Njeriu nuk vdes pse e vret dashuria ndaj Njeriut! Njeriu nuk vdes pse e vret dashuria ndaj Atdheut! Njeriu nuk vdes pse e vret dashuria ndaj të Bukurës! Njeriu nuk vdes pse e harron Jetën! Njeriu nuk vdes për shkak se mund ta vrasë çfarëdo dashurie tjetër! Merreni me mend se çka do të bëhej sikur mos të vdisnin njerëzit dhe mos të cofshin shtazët! Toka do të bëhej aq e rëndë saqë do të fundosej prej peshës së vet. Krijesat e gjalla vdesin apo cofin për arsye se natyra duhet të çlirohet prej tepricës së vet. Aq më parë duhet të vdesin çiftat e Xhezairit që s’i përulen vullnetit suprem. …
Po mos të kishte Vdekje, Toka jonë do të ndizej flakë dhe flaka e saj do t’i kapte edhe planetët, edhe yjet, edhe Diellin dhe krejt Gjithësia do të shndërrohej në një shkrumb të qelbur.” (“Vdekja”, 282-3)
Në këtë tekst – fjalim mortor të lexuar në varrimin e Xhezairit të Gjikës, autori i saj Astrit Zeka, njëri prej folësve në varrim, në vend se të fliste për të ndjerin që po varrosej, vendos të flasë për vdekjen dhe të mirën e saj duke e përgjithësuar vdekjen e tij. Fjalimi është kryekreje ironik. Më lart kemi shkëputur vetëm një fragment të shkurtër nga një tekst i gjatë ironik.
Romanet e Rexhep Qosjes dëshmojnë potencial të madh dituror dhe dhunti për të krijuar ironinë e përgjithshme, për të krijuar situata groteske të kombinuara me sarkazmin dhe satirën.
Vend të veçantë dhe denduri të lartë përdorimi në romanet e Rexhep Qosjes ka ironia e përgjithshme e quajtura ironia politike. Tekstet ironike të Rexhep Qosjes janë tekste të veçanta me të cilat komunikohet me veten e me botën. Ironia, si veçori e ligjërimit të tij, është e ngjeshur me intelektualizëm, ndërsa shprehja gjuhësore e pasuruar me shumë elemente simbolike. Larmia e temave, të formësuara me veprime simbolike realiste, ku shquajnë vëzhgimet kritike intelektualiste, edhe kur kemi të bëjmë me fabula të zakonshme, të thjeshta, prekin thellë problemin e konfliktit të njeriut me shoqërinë. Si të tilla këto tekste ironike krijojnë strukturën e përbërë semantike të romaneve të tij dhe mënjanojnë çdo përpjekje për thjeshtëzim dhe trajtim përjashtues a të veçantë nga tërësia e tyre.
Ironia e Rexhep Qosjes është ndërthurur mjeshtërisht brenda teksteve të pasura ligjërimore, ndërtimeve të larmishme sintaksore, gjedheve të goditura kompozicionale, teknikave dhe strategjive virtuoze, mjeshtërisë gjuhësore-stilistike, veprimeve risimtare rrëfimtare dhe kujtesës shumë të pasur të autorit. Ironia e tij në të vërtetë zbulon mjeshtërinë për ndërtimin e romanit postmodern dhe shquan, bashkë me ndërtekstorësinë, intuitën e veçantë dhe erudicionin e tij të rrallë.
Të lexojmë edhe një tekst ironik:
-Të veshur si shenjtorë këtu shpesh kanë ardhur shejtanë! Janë pritur derëçelur e krahëhapur
me bukë
e kripë
e zemër
e, mandej, nuk kemi mundur t’i dëbojmë, me lutje jo se jo, por as me shpata, me pushkë e me topa.” (“Një dashuri”, 32)
Në romanet e Rexhep Qosjes, ironia krijohet në situata nga më të ndryshme dhe me mjete e strategji të larmishme. Ndër to shquhen: Ajo funksionon në përputhje me botëkuptimin dhe pikëpamjet e tij filozofike, politike, shoqërore, kulturore, letrare dhe në pajtim me konceptimin e tij të mikro e makrobotës, ku përkasin shkrimtari, rrëfimtari a personazhet e tij.
Të vështruara edhe nga kjo pikëpamje, romanet e Rexhep Qosjes mund të quhen edhe romane–ese, romane filozofike, romane monologuese–asociative.
Teksti dhe konteksti
Në romanet e Rexhep Qosjes mund të zbulohen a identifikohen gjedhet e sjelljes shoqërore, posaçërisht politike, kulturore dhe etike, që paraqiten në mbarë hapësirën shqiptare e posaçërisht në Kosovë. Këto gjedhe të sjelljes shoqërore jo vetëm identifikohen, nga ana e shkrimtarit, por edhe ironizohen e satirizohen fuqishëm dhe me këtë veprim ai i hap mundësinë rikonstruktimit të tyre sipas një paradigme të re shoqërore, posaçërisht kulturore. Duke zbuluar këto gjedhe, në të vërtetë duke zbuluar plagë e të këqija të shumta të shoqërisë shqiptare, ai vë në dyshim edhe ekzistencën e një baze të caktuar shoqërore të ligjshme, të skajuar, rrjedhojat e të cilës kanë lëkundur edhe moralin shoqëror në përgjithësi dhe moralin e individit në veçanti. Temat e dhembshme njerëzore si rrjedhojë e praktikave negative mbizotëruese shtetërore, politike dhe shoqërore në përgjithësi janë objektivi qendror i ironisë së Rexhep Qosjes.
Duke shfrytëzuar letërsinë, dhe jo vetëm, sepse lexuesi e di mirëfilli se shkrimtari është edhe personalitet i tejangazhuar i jetës publike me shkrime publicistike, reagime, paraqitje mediale, ai jo vetëm paraqet njëmendësinë shoqërore, por dhe mundësitë e mjetet për ndryshimin e kësaj njëmendësie mbarëshoqërore dhe mbarëkombëtare dhe, sidomos, për ndryshimin e vetëdijes së lexuesve. Në përmbushjen e këtij qëllimi dhe të porosisë që përçon vepra e tij, ironia e Rexhep Qosjes është më se funksionale.

Romanet e Rexhep Qosjes janë të kufizuara kontekstualisht. Pa njohur veçoritë e hapësirës, të kohës, të kontekstit politik, shoqëror dhe kulturor, pa njohur historinë shqiptare, të vjetrën dhe të renë, e posaçërisht pa njohur periudhën e tranzicionit dhe të postranzicionit si dhe të aspekteve të tjera të rëndësishme shoqërore, madje edhe sociologjike, që lidhen me to, nuk mund të kuptohet dhe interpretohet sa e si duhet ironia e romaneve të tij.
Ironia, siç dihet, deri në kohën tonë postmoderne, ka kaluar rrugë të gjatë dhe është formuar dora dorës nga Sokrati, Platoni, Aristoteli, Shlegeli, Kierkegardi, Mani, Kafka, Llukaçi, Sartri, Adorno, Rorti dhe nga një numër i madh mendimtarësh, filozofësh e shkrimtarësh të tjerë të rëndësishëm, që nuk u përmenden këtu e që e kanë ruajtur vazhdimësinë e saj deri sot. Këta janë mësuesit më të denjë të shkrimtarit erudit Rexhep Qosja. Ai është formësuar mbi mësimet e tyre, prandaj ironia e tij sjell edhe frymën e ironisë së shekujve pararendës, sepse ai e njeh mirë trashëgiminë e pasur kulturore të njerëzimit nëpër shekuj. Të shohim disa shembuj dëshmues:
“…robëria e pakufizuar dhe liria e pakufizuar i asgjësojnë kufizimet: robëria të lirisë dhe liria të robërisë;
domethënë: duhet të jemi të robëruar për të qenë të lirë dhe duhet të jemi të lirë për të qenë të robëruar dhe robërues;
robërit e shijojnë lirinë e vërtetë vetëm kur i robërojnë të tjerët;
ata nuk dëshirojnë të bëhen shenjtorë për të gjallë;
ata dëshirojnë të bëhen shenjtorë pas vdekjes;”(“ Nata”, 373)
Të kuptuarit, shpjegimi dhe interepretimi i ironisë së Rexhep Qosjes, prandaj domosdoshmërisht kërkon njohjen e kontekstit shoqëror, politik dhe kulturor ku formësohet dhe lëviz artistikisht gjithçka. Por, kërkon edhe njohjen e traditës më të mirë të ironisë klasike mbi bazën e së cilës është krijuar.
Ironia – figurë dhe mjet stilistik
Kufijtë e ironisë së Rexheep Qosjes janë tepër të gjerë: sepse e ndeshim kudo e kurdo; sepse mund të jetë e hollë, e butë, finoke, e mezivërejtshme, e fshehur, e zhveshur, e tërthortë, e zgërtheshme, e fuqishme, e rreptë, e egër, e pamëshirshme, e tmerrshme, vulgare e kështu me radhë. Edhe vetë buzëqeshja gjysmironike e Mona Lizës, që është bërë objekt studimi e shumë studiuesve në botë, do të shfrytëzohet mjeshtërisht në romanet e tij. Të shohim disa shembuj:
E dija çka po vlonte në lukthin tim dhe çka po bluhej në mendjen time: ashtu siç nuk më pëlqejnë buzëqeshjet misterioze, si buzëqeshja e Monalizës, pas të cilave fshihen gjithfarë ndjenjash të pritura e të papritura, refuzuese dhe përvetësuese, po ashtu nuk më pëlqejnë as seriozitetet e shtangura, pas të cilave fshihen shumë nga pasanikët e rinj të Vajazanit, pas të cilave fshihen trashësia, krenaria e rrejshme, mashtrimet e gjithfarëllojshme.” (“Nata”, 183)
Jo vetëm buzëqeshjen ironike të Mona Lizës, por edhe shumë çka nga kultura jonë e kultura botërore është shfrytëzuar nga Rexhep Qosja për ironizim ose si lëndë ironizuese për të ndërtuar ironinë.
Shtrohet çështja ku realizohet ironia e tij?
Rrafshet kryesore ku realizohet ironia e tij janë: ligjërimi i rrëfimtarit, monologët dhe dialogët e personazheve, komunikimi zyrtar, shkresat zyrtare, tekstet me tematikë politike, shkencore, letrare: letrat, miniesetë, kujtimet, ëndrrat, domethënë në të gjitha romanet e tij.
Ironia në romanet e Rexhep Qosjes, ashtu si edhe në jetë, përdoret për baraspeshë të komunikimit. Ironia thuhet se është “çmenduri”, që e mban gjithsekush brenda vetes, po jo të gjithë e shprehin. Atë e gjejmë aq shpesh në ligjërimin e tij artistik sa të krijohet përshtypja se ai e përdor ironinë jo vetëm kur vërtet paraqitet nevoja, por edhe kur kjo nevojë është dukshëm më e vogël. E kuptueshme. Sot në jetën tonë ironia është kudo e pranishme, prandaj nëse ekziston ndjenja për realitetin atëherë ironia e tejkalon çdo përvojë tonën. Ajo, në të vërtetë, në komunikimin midis personazheve kryen jo vetëm funksion rregullues baraspeshe, por edhe funksion polemizues. Përmes saj, personazhet shprehin pikëpamjet e tyre të ndryshme, më së shpeshti me tone kritike, duke ndikuar kështu në krijimin e karakterit të veçantë, në marrëdhënieve njerëzore, në zbutjen e tonit kritik të gjykimeve negative ose përçmuese, por duke mos e zvogëluar, madje shpesh duke e shtuar, vlerësimin kritik. Ironia e Rexhep Qosjes shpesh merr edhe funksion konvencional duke ndikuar kështu në vendosjen e besueshmërisë në marrëdhëniet midis bashkëbiseduesve.
Veçori e dukshme e ironisë së Rexhep Qosjes është kthimi i saj i shpeshtë në sarkazëm të fuqishëm, në ironi sarkastike. Ndodh që të përzihet me të ose me satirën.
Ironia e Qosjes njeh edhe lloje të tjera klasifikimi, fjala vjen sipas kriterit sociologjik, si: ironia retorike, retorika e sjelljes, retorika e ndodhisë dhe ironia dramatike. Edhe këto lloje të ironisë i gjejmë në romanet e Rexhep Qosjes dhe i gjejmë në një mënyrë të trajtuar edhe brenda klasifikimeve të tjera, për çka nuk e shohim të udhës të trajtohen kët si të veçanta as ato as këto: ironia tragjike, ironia dramatike dhe ironia sarkastike.
Mjetet e ironisë dhe format kryesore.
Mjete kryesore që shfrytëzon shkrimtari Rexhep Qosja për ironinë janë të disallojshme:
1. mjete paragjuhësore: gjeste, shprehje të fytyrës, intonacion, përkatësisht toni i zërit, pauza, përmes shenjave të pikësimit, e të tjera, të cilat shërbejnë për të shprehur qëndrime vlerësuese-emocionale.
2. mjete gjuhësore-stilistike, përfshirë këtu njësi të ndryshme leksikore si neologjizma, arkaizma, epitete, vulgarizma e të tjera, si dhe ndërthurje të stileve dhe ligjërimeve.
3. mjete gramatikore dhe morfologjike, përfshirë këtu fjalët emocionale-shprehëse, onomatopetë, pezhorativët, pasthirrmat e të tjera.
Ndërkaq format kryesore për shprehjen e ironisë në romanet e Rexhep Qosjes janë: gjuha ezopike, aluzioni, alegoria, perifraza, parabola, antiteza, citatet, simboli, krahasimi, përshkrimet në formë skicash e të tjera.
Përfundim
Ironia e Rexhep Qosjes i ngjan ironisë së Sokratit. Ashtu sikurse ironia e tij, edhe ironia e shkrimtarit tonë, nuk ka vetëm funksion estetik, po krahas tij ka edhe funksion të iluminimit. Drejtpërdrejtësia dhe saktësia e ironisë së tij është mbresëlënëse. Me ironinë autori përshkruan në mënyrë objektive, por lehtësisht të fshehtë, gjendjen reale, dukuritë e ndryshme, personazhet e ndryshme, të mirat dhe sidomos të këqijat. Lexuesi ka mundësinë ta zbulojë dhe ta kuptojë ironinë e tij sado e përbërë dhe figurative të jetë ajo. Ironia e tij, prandaj, vendos lidhje të fortë midis rrëfimtarit dhe lexuesit.
Ironia e Rexhep Qosjes është e shumëllojshme, e shumëkuptimshme dhe shumëndikuese. Të tillë e bëjnë përmbajtja, situatat, personazhet, dialogët, monologët, ligjërimi, figurshmëria, gjuha, stili.
Dendësia semantike e ironisë së Rexhep Qosjes, sidomos e ironisë së situatës, është karakteristikë thelbësore e saj. Për faktin se karakterizohet edhe për epshmëri (elasticitet) dhe me ngjyresa pa fund të larmishme, ajo shquhet me natyrën e saj herë plot gëzim e ndriçim, herë të ftohtë dhe të errët, herë shumë emotive, herë të dykuptimshme e herë të dyshimtë, duke krijuar kështu antinomi origjinale e cila përjashton mendimin konvencional e logjik. Mbi të gjitha, ironia e Rexhep Qosjes ka karakter të fortë kritik, si karakteristikë e epërsisë shpirtërore e intelektuale të shkrimtarëve të mëdhenj.
Shkrimtari Rexhep Qosja nuk shkruan për ta argëtuar lexuesin, por për ta përfshirë në ato që ndodhin në botën artistike të romaneve të tij, në të vërtetë ai shkruan për ta ndryshuar lexuesin. Dhe, arma e tij e fuqishme për këtë qëllim të lartë është pikërisht ironia.
(P.s. Variant i shkurtuar
i një punimi të gjatë).
[1] Në librin e saj ”Irony’s Edge”, Linda Hutcheon e quan praktikë ose strategji diskursive, që funksionon në rrafshin gjuhësor (verbal) ose në rrafshin e formës (muzikor, pamor dhe tekstor). Shih: Linda Hutcheon, “Irony’s Edge, The Theory and politics of Irony”, Routledge, London, Neë York, 1994, f. 3.
[2] Ag Apolloni, “Parabola postmoderne”, “OM”, Prishtinë, 2016, f. 47.
[3] Linda Hutcheon, Po aty, f. 89.
[4] Douglas Colin Muecke, The compas of irony, Methuen, 1969, f. 19-22; 32; cituar sipas Josipa Korljan Bešlić, “Ironija u prozi” Dubravke Ugrešić, tezë disertacioni, Universiteti i Zagrebit, Zagreb, 2015, f. 58.
[5] Sh. Islamaj, “Ligjërimi, gjuha dhe stili në krijimtarinë moderne e postmoderne të Rexhep Qosjes, IA, Prishtinë, 2021, f. 292.
[6] Po aty, f. 42.
[7] Po aty, f. 59.
[8] Po aty, f.59.
[9] Muecke, Po aty, f. 121.


