More
    KreuLetërsiBibliotekëTre tregime nga Qazim Shehu

    Tre tregime nga Qazim Shehu

    FLOBERI

    Kisha botuar një tregim në një revistë letrare dhe në këto raste, njeriu kërkon një opinion. Në përgjithësi, opinionet mungojnë dhe stisen kur nuk gjendesh ti në praninë e personave që i shqiptojnë ato. Unë gjithnjë rri me shkrimtarin AT, i cili është i ditur dhe i rreptë në gjykime, edhe pse ka një prirje nihiliste, nuk mund të them se nuk e pëlqen të bukurën. Lexon, shkruan, komenton tregimet e veta në një rreth miqsh. Shpesh ia kam treguar disa tregime të miat dhe më ka bërë vërejtje. Disa vërejtje ia kam pranuar, por shumicën jo. Atëherë me sjell një episod nga jeta e Mopasanit që ia çonte tregimet Floberit dhe ky i fundit i thoshte: Grisi nuk bëjnë! Vetëm kur Mopasani botoi tregimin ”Topi me dhjamë” dhe mori famë, u tha se kjo ishte leje e Floberit. Shkrimtarët shkruan dhjetë tregime dhe duan t’i botojnë të dhjeta. Po kështu poetët, po kështu muzikantët, këngëtarët e ç’të them. Inflacioni dhe banalja e vret artin. Floberi shkruante një mijë faqe dhe botonte treqind, për një roman, ndërsa sot quhet roman një ngjarje dashurie, ca përshkrime eseistike mbi veprimet e personazheve që sillen si hije, që s’janë as konvencionalë. Nuk përshkruhet mjedisi, kontradiktat, nuk ka dramë, ka fjalë të përsëritura. Tregimi është si zari, thotë Çehovi, hidhe, nëse nuk ngec, atëherë ai është i mirë. Ndryshe!…

    Këto mendime i shtjellojmë përditë. Shkrimtari AT, si i vjetër, ka lexuar shumë dhe thotë se nuk bën kompromis në kurriz të artit, por le të kthemi te tregimi im.

    – Grise, – thotë ai, – nuk bën!

    – Si ta gris, ai është botuar?

    – S’duhej ta kishe botuar, pa ta parë unë!

    Nuk më pëlqyen fjalët e tij. Edhe unë e kam një vetëdije estetike, por e kam mësuar veten që ta dëgjoj me respekt dhe shumë herë i kam dhënë të drejtë, edhe kur ai nuk ka pasur. Nganjëherë më pëlqen që ai kënaqet kur i përkrahet mendimi, varësisht ka apo nuk ka të drejtë. Edhe mua më pëlqen tek e shoh të kënaqur, dhe kjo është një lojë trilli, por duke mos e kundërshtuar, a mos vallë nuk po tregohem i sinqertë me të? Nganjëherë mungesa e sinqeritetit është aq e padëmshme si një shi që lag tokën e etur.

    Po atë ditë në mbrëmje, të dy po merrnim pjesë në një mbrëmje letrare. Para dy ditësh, AT kishte botuar një tregim. Ai po rrinte me studiuesin dhe kritikun e shquar VB. Unë nuk e njoh VB personalisht, por u afrova.

    – Më falni, – tha studiuesi, – por, më thoni emrin?. . .

    U prezantova.

    Studiuesi VB e la gotën e verës në tavolinë dhe ma dha dorën.

    – Gëzohem që të njoha. Sot kam lexuar një tregim të bukur nga ty!

    Unë u skuqa.

    – Po po, -tha AT, vërtet tregim të bukur ka shkruar, por unë ia kam dhënë lejen ta botojë!. . .


    TESTI

    Ajo ishte një vajzë hollake, me një vështrim të qetë, por inteligjent. Sa herë e pyesja në mësim më jepte përgjigje të shkurtra, nganjëherë aq befasuese, sa më habiste. Nuk ngurroja t’ia vija notën maksimale dhe për këtë ndieja një kënaqësi, e cila më lehtësonte goxha ndërsa pyesja nxënës të tjerë që jo vetëm nuk përgjigjeshin, por vazhdonin të këmbëngulnin duke mos hapur libra e duke mos lexuar gjë.

    Atë ditë sapo shpërndava testet e lëndës dhe pashë sesi nxënësit përkulën kokën dhe u përqendruan në letër. Unë si gjithnjë rrija diku, përpara klasës duke hedhur vështrimin herë-herë tek ndonjë i pavëmendshëm ose që bënte përpjekje të merrte falas nga shoku ndonjë qarkim të përgjigjeve që duhej t’i jepte ekzaktësisht. Çdo tentativë që niste për shkëmbim fjalësh ndërpritej në çast dhe binte qetësia e murmurima zhdukej. Sytë më vajtën te Mira. Ajo nuk po shkruante. ”Si ka mundësi, mendova, ajo këtë test e zgjidh për pak kohë”. Në fillim nuk i fola, por pas pesë minutash e vura re sërish. Mira nuk po shkruante. Kishte vënë stilolapsin mbi fletën e bardhë dhe ishte skuqur. Mos kishte ndonjë hall, ndonjë brengë? Edhe nëse nuk e bën tani, ajo mund ta kryente testin herës tjetër. Nxënësi duhet njohur, mendova. Por fytyra e saj nuk shprehte gjë. Vetëm ishte skuqur pakëz, dhe skuqja nuk tregonte brengë. ”Ec e kuptoje këtë gjë”, mendova dhe bëra një ecejake kot nëpër klasë. Ndërkohë ca nxënës të dobët kishin përfituar nga kjo dhe i kishin transmetuar me njëri-tjetrin ca të dhëna zgjidhjesh. Kur u ktheva vura re sesi lëvizën me shpejtësi dhe murmurima u ndërpre. Mira ndodhej vetëm në bankë. Shoqja e saj atë ditë mungonte. Njëri nga djemtë më kërkoi leje të ulej me të. Ai nuk po e duronte shokun e bankës, i cili po e pengonte. I fola djalit tjetër, por Gimi këmbënguli. ”Ulu!”, i thashë.

    Ai u ul pranë Mirës dhe bëra lëvizjen e zakonshme duke vëzhguar me kujdes sa majtas djathtas. Unë e di që Mira nuk do t’i tregojë gjë, mendova, ajo nuk e bën këtë, sepse është vajzë e ndërgjegjshme dhe nuk e pashë më bankën e saj, por kur ktheva vështrimin vura re se Mira po qarkonte pyetjet e testit të Gimit. ”Po kjo, mendova, ndërsa nuk iu afrova afër, vetëm se i hodha një vështrim të pjerrët. Ajo nuk më pa dhe vazhdonte me ndërprerje të zgjidhte ushtrimet e Gimit. ”Si mund të gabojë kjo vajzë, mendova, ajo është një nxënëse e mirë. A mund të ndihmohet shoku kështu?”

    Iu afrova bankës dhe mora në duar testin e Gimit.

    – Si shumë paske shkruar ti Gim! -thashë. Ti nuk e ke nxirë ndonjëherë fletën kështu. Asaj nuk i rashë në sy. Le ta kuptonte vetë.

    – Kam mësuar, profesor.

    – Atë dua edhe unë, të mësosh, por bën mirë ta dorëzosh fletën!

    Ai nuk reagoi. Unë lëviza tutje për të ndenjur afër një nxënësi i cili më kërkoi një shpjegim për kuptimin e një pyetjeje. Ia shpjegova. Pastaj u ktheva. Gimin nuk po shkruante më. Mira kishte ulur kokën dhe kur e ngriti atë ishte skuqur dyfish. Më bëri përshtypje vështrimi i saj i përhumbur. Ajo e kishte kuptuar që unë e pikasa mirë veprimin e saj, e mbase për këtë u skuq edhe më. Kur ra zilja e mbarimit të orës, nxënësit dorëzuan testet dhe ndër të parat ishte Mira. Fleta e bardhë dhe e vetmja gjë e shkruar në të ishte emri i saj.

    -Profesor, më tha, unë nuk jam përgatitur. Vër katër!

    Unë heshta. Ndoshta me heshtjen time i dhashë të kuptonte se kjo gjë ishte normale dhe ajo nuk kishte pse ta thoshte ose ndoshta ta lija atë të reflektonte më shumë për gjestin e saj jo të mirë.

    Isha i shqetësuar se çdo të bëja me atë test. Kur i shpërndava testet e korrigjuara, e ngrita Mirën në mësim dhe e pyeta për të gjitha kërkesat e tij. Ajo u përgjigj në mënyrë perfekte ashtu siç kishte ndodhur në çdo orë mësimi. Gimi e kishte kapërcyer pragun e një note kaluese, kuptohet me ndihmën e Mirës. Duhej t`ia vija atë notë. Ishte edhe gabimi im, që nuk ia mora fletën.

    -Ti, Gim, – thashë, -kujdes herë tjetër. Nuk është Mira që duhet të nxjerrë ty në breg, duhet të dalësh vetë, ndryshe mbytesh…


    IDENTITETI

    Ishte rastësi njohja jonë. Ai sapo ishte kthyer nga Greqia. Kishte të veshur një kostum të kaltër dhe në qafë mbante një zinxhir të hollë floriri. Më tha të ulesha në tavolinën e tij dhe nuk e di pse ma bëri këtë ftesë, por, nganjëherë njerëzit ftojnë kot, ngaqë kanë një prirje të brendshme ta konsumojnë një gotë apo një kafe me ndonjë, qoftë ky edhe i panjohur. Sesi mund të bëhet biseda me një të panjohur, kjo, në fillim, të jep vështirësitë e kuptueshme në rrjedhën e ngecjes së mosnjohjes, por gjithmonë gjendet një shteg, dhe kjo është krahina. Mbasi tjetrin e pyet nga është, atëherë fillon dhe e pyet për krahinën e tij, dhe, nëse je i lexuar, i flet për historinë e saj dhe kur ai nuk e di aq mirë, me gjërat interesante që i tregon, e afron atë më shumë. Mund të ndodhë që edhe për ndonjë njeri të cilin e njeh nga ajo zonë, të qëllojë kushëri i tij. Dhe rrjedha e bisedës merr vrull e, pa dashur apo natyrshëm, bëhesh mik me të.

    Ai më tha se quhej Pjetër dhe ishte nga Mirdita. Kishte mbi njëzet vjet që punonte në Greqi. Vinte shpesh në atdhe, sidomos tani, sepse me të gjitha dokumentet ishte në rregull. Pastaj filloi të më tregojë për fillimet e shkuarjes së tij ilegal në atë vend, për rrugët e fshehta malore, rendjet nëpër natë për t’iu fshehur policisë, kthimet, dëbimet, rishkuarjet e të gjitha ato episode që kanë një ngjashmëri të habitshme me rrëfimet e dhjetëra emigrantëve të treguara më parë. Më dukej se i kisha dëgjuar dhjetëra herë, po në respekt u përmbajtja të mos rrëfeja ndonjë shenjë bezdie.

    Pjetri ishte i zgjuar, këtë e shprehnin sytë e tij të përmbushur me një dritë refleksesh të shkathta, që lëviznin në një hapësirë të ngushtë midis shtegut të vetullave. Kur ai mbaroi së rrëfyeri, unë ngrita gotën dhe e urova, pastaj, si për ta forcuar këtë urim, i thashë se isha i gëzuar që takova një mirditor, një njeri që ishte nga një krahinë e lavdishme, e cila në shekuj kishte ruajtur katolicizmin, kishte luftuar me të huajt dhe, siç quhej nga disa studiues, ishte tokë e katedraleve. Konservatorizmi shekullor i malësorit tonë është i habitshëm dhe impresionues. Më kanë mbetur në mendje dy vargje të një kënge popullore nga Curraj i Epërm, i thashë. Dhe ia recitova ”Se për doke, zakone të veta/kemi lënë fusha, kemi lënë qytetet”. Nuk ka nevojë për koment, shtova duke vijuar se njihja shumë poetë e shkrimtarë nga Mirdita, por edhe piktorë, artistë, valltarë, regjisorë, si dhe juristë me emër. Kisha lexuar bukur mirë mbi historinë e saj martirizuese, si një krahinë që u vu në qendër të syrit të ciklonit të kuq. Një vend me bajraqe e kapedanë, mbartës i shkëlqyer zakonesh e dokesh, një shembull qëndrese…. Në këtë pikëpamje, shtova, Mirdita përbën një gonxhe të freskët të genit iliro-arbëror. Fjala ”në këtë pikëpamje”, nuk më pëlqeu, sepse sikur arnonte situatën e një leksioni. Po të shprehesha së dyti mbi këtë ide, do ta hiqja, por rrjedha e bisedës mori vrull, kur Pjetri filloi të më rrëfente për gjyshërit e tij nga Oroshi, për besatimin e burrave të malësisë, për gjithë atë rezistencë të gjatë të malësorëve kundër turkut, serbit e sa e sa hordhive të huaja, por edhe kundër komunizmit.

    Ngazëllimi i tij nuk vinte vetëm nga pija (ne po pinim uzo që Pjetri e kishte marrë nga Greqia, dhe mund ta shijonim me lejen e pronarit të lokalit, leje të cilin e kishte kompensuar me mezet e shtrenjta), por edhe nga ato që unë i fola, dhe nga ato që dinte. Në të vërtetë nuk kishte lexuar, por ca gjëra ia kishin përcjellë njerëzit e vendlindjes. Dhe dukej i kënaqur se nuk gjendej bosh në informacion. Kjo hetohej. Biseda, vjen një moment që vetiu vjen drejt fundit natyrshëm. Duhej të paguanim dhe nxora nga xhepi portofolin tim. Pjetri menjëherë vuri dorën përpara dhe më tha se më kishte ftuar ai, por në lëvizjen e shpejtë që bëri, nga portofoli i tij i fryrë ranë mbi tavolinë një tufë me karta. Ca u shpërndanë në dysheme. I mblodha tri prej tyre, por ndërkohë, si kurioz që jam, vura re një kartë identiteti me emrin Petro.

    – Kjo, besoj nuk është karta juaj e identitetit, -thashë, ndonëse fotografia në të përafronte me të Pjetrit.

    – Po, e imja është, – më tha ai…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË