Nga Virion Graçi
Monografia shkencore “Skaje të poetikave në poezinë shqipe bashkëkohore” ka për objekt studimi tre poetë të letërsisë bashkohore shqipe, Dritëro Agollin, Martin Camajn dhe Ali Podrimjen. Tre poetët përfaqësojnë jo vetëm vetjet e tyre poetike, por edhe tre realitete të ndryshme social-kulturore e politike në të cilat është zhvilluar letërsia shqipe në gjysmën e dytë të shekullit XX; në Shqipëri, në të cilën lind, zhvillohet e popullarizohet krijimtaria e Dritëro Agollit është sanksionuar me ligj vetëm një metodë krijimtarie, ajo e realizmit socialist; krijimtaria e pasur e Martin Camajt, nisur në Shqipëri, Kosovë duke u kurorëzuar në pjesën më të madhe të saj në Gjermani, përfaqëson si fatum letrar e krijues atë pjesë të çmuar të letërsisë shqipe që u krijua jashtë kufijve shtetërorë të vendit amë, çka ishte pozitive sa i përket lirive krijuese vetjake, por penguese për fatin e mëtejshëm të veprës për të qarkulluar e për t’u bërë pjesë e jetës shpirtërore, intelektuale e vendit të cilit i përket autori. Poeti tjetër, Ali Podrimja me krijimtarinë e tij të pasur, cilësore dhe të popullarizuar në të dy anët e kufirit shtetëror ndërshqiptar përfaqëson letërsinë shqipe të krijuar në ish Jugosllavi dhe në Kosovë, hapësirë kulturore-politike ku nuk ka pengesa zyrtare botuese sa i përket metodologjisë krijuese, aspekteve estetiko-filozofike të artit, por hetohet ndëshkueshëm nga autoritetet përkarëse fryma atdhetare në letërsi, përkatësia etnike, afirmimi i saj nëpërmjet veprave letrare – artistike.
Libri është konceptuar në tre pjesë; pjesa e parë: – Larmia e stileve në poezi; pjesa e dytë: Anatomia e strukturave poetike; pjesa e tretë : – Aspekte sintaksore të poezisë. Duke qenë duke lexuar/interpretuar shkencërisht tre individualitete të spikatura të poezisë moderne shqipe, autorja e punimit, dr. Jolanda Lila në varësi të karakteristikave mbizotëruese të secilit, e ka emëruar drejt, për mendimin tonë secilën pjesë, sikurse shohim: Risimi i lirikës shqiptare, vlerëson/koncepton/emërton saktësisht pjesën kushtuar trashëgimisë së D. Agollit; Ekonomizimi i shprehjes dhe pasurimi i përmbajtjes, pjesa që i përgjigjet krijimtarisë së A. Podrimjes; poezia e trashëguar prej M. Camaj përkufizohet objektivisht si: Krijimi i konvencioneve të reja poetike.
Pjesa e dytë e librit: Anatomia e strukturave poetike është praktikisht studim i plotë për të tre poetët ku trajtohen dhjetëra aspekte si: eufonia, simbolizmi fonetik, eufonia semantike, eksperimenti poetik akustik, dualizmi mes tingullit dhe kuptimit, struktura muzikore e poezisë, aspekti ritmik, kronotopia, simbolet mitikë dhe ata mitologjikë, disonanca dhe gjuha e sugjestionit; jashtë metodës interpretuese të autores nuk qëndrojnë as kategoritë estetike të hetuara në korpuset gjegjës poetikë si ironia, tragjikja, dramatikja, sikurse, nga ana tjetër janë me vend e tepër zbuluese analizat të rendit gjuhësor-sintaksor; pjesa e parë, Larmia e stileve krijuese merret në fakt me parashtrim problemesh e njohurish teorike ku problemet e stilit, të dominantes, të ligjërimit poetik në kontekste të ndryshëm social-kultutorë trajtohen në paradigmën e tyre historike. Dr. Jolanda Lila për herë të parë dëshmohet me një punim të këtyre përmasave e ky lloj prologu i pasur teoriko-metodologjik në libër vjen si domosdoshmëri duke i dhënë punimit karakter shumë dimensional pa humbur nga perspektiva e gjykimit detajet petike, nuancat kuptimore, konotocionet metaforike, simbolike e metonimike. Në pjesën e tretë: Aspekte sintaksore të poezisë kemi përsëri një shalosje njohurish teorike dhe skema analizash të imëta për sintaksën poetike, për ligjërimin harmonik e simetrik të poezisë, për ligjërimin asmietrik si tipar i poezisë moderne, për funksionet shprehëse/domethënëse të entropive/epilepsave, etj.
Vlerat dhe arritjet e librit studimor: Skaje të poetikave në poezinë shqipe të Dr. Jolanda Lila janë evidentuar me kohë nga kolegët tanë të departamentit të letërsisë, si dhe ka merituar vlerësime entusiaste nga kolegë të tjerë të dalluar si Prof. Dr. Bashkim Kuçuku, Prof. Dr. Akademik Shaban Sinani, Prof. Dr. Agim Vinca, Prof. Dr. Ymer Çiraku, etj. Personalisht çmoj te ky libër mënyrën si kultura e mirë profesionale, dijet teorike, njohuritë bashkëkohore nga fusha e interpretimit të teksteve poetike janë ndërthurur organikisht jo si qëllim në vetvete , por me një synim madhor praktik, metodologjik e afirmues: vendosja e korpuseve të mirënjohur poetikë në një optikë të re studimi për të mundësuar riperceptimin e tyre me tërësinë e kuptimeve e vlerave të larta artistike-emocionale e ideore që ato mishërojnë. Parë edhe nga ky këndshikim i fundit ky libër po zë një vend të spikatur në bibiliotekën e Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë shqipe krahas monografive të tjera shkencore të botuara në Akademinë e Studimeve Albanologjike.