Nga Eris Rusi
Kemi kohë, pra, si jo, kemi kohë. Sa të duash kemi kohë. Vetëm kohë kemi dhe asgjë tjetër. Asgjë. Ah, gati harrova, edhe pak shpresë… Po e nis me një citim nga libri që vërtet i jep një lloj vërtetësie të kurdohershme këtij romani, i botuar për herë të parë në vitin 1983 dhe që ky është botimi i gjashtë. Dyzet vjet kanë kaluar nga momenti i përfundimit të këtij teksti dhe koha sot vazhdon të jetë me tepri në jetën tonë, një kohë e mbushur me gjëra të vogla, me mangësi që ngjajnë si cikërrima pa vlerë. Por, ndryshe nga dje, sot dhe shpresa ngjan të jetë bjerrë. Romanin Dashuria e kapitenit e lexova me përkushtim.
Ai nis në formën e një dialogu të vazhdueshëm mes dy miqsh: një kapiteni dhe një profesori, të cilët kanë mbi tridhjetë vjet miqësi me njëri-tjetrin dhe presin çastin të ndahen, e shtyjnë atë çast, edhe pse kjo duket e pashmangshme. Resul Shabani rrëfen jetën e kapitenit, botën misterioze të këtij personazhi që e bën fatin e tij të trishtuar dhe melankolik, por që nuk dorëzohet lehtë. Ata që ende nuk e kanë lexuar librin, mund të presin të dalë nga ky tekst një subjekt, ku dashuria, siç e dëshirojmë ne, ajo shpirtërore, por edhe fizike, të mbizotërojë përgjatë rrëfimit. Në fakt, paraprakisht, ne mund ta pyesim veten, si lexues dhe si njerëz të kësaj bote: Çfarë është dashuria? Të gjithë kemi një përgjigje tonën individuale për këtë, askush nuk mund të reagojë njëlloj përpara një pyetjeje të tillë. E, megjithatë, po të më pyesnin kush është e kundërta e dashurisë, do të përgjigjesha: indiferenca. Sot, ne jetojmë në një kohë kur indiferenca nuk është më habi, nuk është provokim, pasi bota ku jemi ngjan e gjitha indiferente, po njëlloj anormale, dhe njerëzit janë të izoluar dhe të kufizuar brenda interesave të vogla, personale. Indiferenca ngjan sikur tashmë është rregulli, e jo përjashtimi mes nesh. E gjithë ekzistenca jonë, edhe ne vetë, gjendemi të përfshirë në të. Dhe kjo është keq. Ne jetojmë në një kohë të shqetësuar, ku ndihet pasiguri në fillim dhe në mbarim të ditës, ku gjërat shpesh ndodh të bëhen të vështira pa asnjë motiv dhe ku nuk është e thjeshtë t’i shpëtosh tundimit të banales, rënien thellë në baltën e monotones, së zymtës dhe prozaikes që i bën jetët tona të zbehta, apatike e deri diku qesharake. Në komunikimin e përditshëm të gjithë jemi të përndjekur nga indiferenca: botë indiferente, jetë indiferente, rrjedhje indiferente e gjërave, dashuri indiferente, buzëqeshje indiferente, ekzistencë e tillë dhe harresë e hidhur në fund. Por në fjalët e krijimit letrar të Resul Shabanit gjithçka ndryshon dhe asgjë nuk është më indiferente, por e shemb këtë paranojë të madhe të njeriut dhe afrohet me lirinë. Prandaj, dashuria për të cilën flasim, është një kundërpërgjigje e veçantë ndaj indiferencës. Personazhi i kapitenit është i veçantë dhe mbizotëron në të gjithë dialogët, duke e shpalosur veten ndaj marrëdhënieve që shtjellohen me miqtë dhe botën e tij. Por fati i këtij njeriu, është në udhëkryq, jeta e tij nuk vlen më, nga momenti që po i privohet liria. Pyes unë: po sot, njerëzit a mund të bëjnë dot kompromis lirinë e tyre me dëshirë? Ka që e bëjnë, ose liria është zhvlerësuar në njëfarë mbijetese që nuk pyet dhe nuk di ç’është frymëzimi për t’i lëvizur gjërat vetë, për t’iu përveshur punëve, apo edhe për t’u sakrifikuar për një ide të vetme, si liria. – A dashuron kapiteni? Na duket sikur kërkojmë ta dimë që në fillim e në fund të librit. Dashuria brenda tij paraqet një tjetërbotë shpirtërore, ku ngre krye vetmia dhe ankthi, tensionet e kohës dhe ëndrrat e gjymtuara të njeriut bashkëkohor. Me afirmimin e shoqërisë së masave, njerëzit humbën njëra pas tjetrës liritë e tyre, ndaj perceptimi i reales u fut në krizë dhe vetëm një lloj i veçantë dashurie, ajo për liri, mund të shërbente si gjuhë e përkthimit të njerëzve-numra, në individë me shpirtra të lirë. Një jetë boheme dhe shumë trishtim, kështu ngjason sikur kërkon të më thotë libri përmes leximit të kapitenit. Edhe këtu kemi të pranishëm një lloj të veçantë kohe dhe hapësire të zgjedhur nga autori për të ambientuar historinë e tij. Struga është qyteti ku zhvillohen ngjarjet, jemi në periudhën e Luftës së Dytë Botërore dhe pushtimi nazist strukturohet në gjithë egërsinë e tij mes njerëzve dhe ndijimeve të tyre. Por çdo diktaturë e tillë është, një e keqe e madhe, një makineri që përkul jo vetëm kurrizin, por sa keq, shpirtin e njerëzve. Sikur të bëjmë një paralelizëm dje dhe sot, mund të themi që nëse dje njerëzit kishin frikë të flisnin, sot mendohen mirë para se ta bëjnë këtë ose, kur flasin, e dinë që nuk do t’i dëgjojë njeri. Absurde në të dyja rastet situata dhe mendoj që vetëm letërsia mund të përafrojë një zgjidhje për situatën. Kjo është një letërsi e mirë dhe që i mbijeton subjektit të saj. Kështu dhe kapiteni vepron, megjithëse nën egërsinë e pushtetit totalitar, e drejta zhbëhet dhe denatyrohet, shitet si diçka e tjetërsuar, që manipulon njerëzit dhe jep variantin e ndryshëm të saj. Vrasja e Majorit nazist e organizuar nga kapiteni, është shenja e qartë e rebelimit ndaj së padrejtës. E kjo jepet me një teknikë shkrimi të kthjellët, të kuptueshëm, asnjëherë të komplikuar. I tillë është ky libër dhe me vdekjen, vrasjen e kapitenit, ne e kuptojmë që njeriu e ka në dorë të zgjedhë fatin e tij tragjik, në shërbim të asaj çka është dashuri për lirinë, për të drejtën dhe të duhurën. Ndaj ky libër ngjason si një rrugë ku edhe sot mund të ecim dhe të përballemi me ide që mund të ndryshojnë bindjet tona, sjelljen tonë, indiferencën tonë, mund të gjejmë mallin për kohën e shkuar dëm, për kujtimet e lëna pas, dhe dashuri mund të gjemë. Shumë Dashuri. Pasi kapiteni i thotë lexuesit që me të ndan diçka të përbashkët, zemrën e tij. Atë që na ngroh të gjithëve dhe na bën të ndihemi të jashtëzakonshëm, qoftë edhe për fare pak, sepse kapiteni i këtij libri është i veshur me dritë, edhe kur gjithandej muzgu duket të zbresë, i pashpresë, kërcënues, i pakuptimtë.