Poezia “Hënë mitare njëzet vjeçe” e Niko Kacalidhës shfaq një tërësi emocionesh të heroit lirik në një çast intimiteti, duke i shprehur ndjenjat me metafora dhe imazhe sa të bukura aq dhe të misterëshme. Qysh te titulli “Hënë mitare njëzet vjeçe” poeti kombinon elemente artistike dhe realiste në një mënyrë elegante.
I-Në aspektin artistik, titulli është shumë misterioz, pse përdorimi i detajeve si “Hënë mitare”dhe “njëzet vjeçe” sjell një imazh poetik romantik, duke e bërë lexuesin të ndihet si në një botë ëndrrash apo një atmosferë magjike. Detaji “Hëna mitare” është një nga elementet kryesore simbolike, pse me termin “hënë” poeti cilëson vajzën, ndërsa fjala “mitare” shton një dimension te ri në imazhin e hënës, pse “mitare” mund të interpretohet si diçka e ndezur, e prushtë, plot me energji, pamje që i afrohet shumë bukur qenia e një vazje njëzet vjeçe, plot zjarr të brendshëm dhe fytyrë që i shkëlqen nga puthja e parë. Për shkak të kësaj, “hëna mitare”, paraqet një tipar të hënës, ndriçimin e saj të veçantë, si një shkëlqim. Metafora “mitare” i jep hënës cilësi të jashtëzakonshme, nxit ndjesinë e mahnitjes dhe emocionit, pasi paraqet një hënë që është e ngrohtë dhe plot energji. Mirëpo me këtë fjalë përfaqësohet vajza e dashuruar, e porsa puthur, me faqe te skuqura dhe zemrën që i gufon. Pra në këtë lojë, hëna dhe vajza japin e marrin cilësi mes njera tjetrës. Po ashtu, fraza “Hëna mitare” përcakton atmosferën pasionante të poezisë, me një ndjesi misteri dhe intensiteti magjik në lidhjen e personazheve. Kjo shërben si kryefjalë që përmbledh një gamë të gjerë emocionesh e imazhesh në kontekstin e poezisë.
Në dialektin toskë fjala:“mitare” përdoret në formën “miturake” dhe i referohet një vajze në prag të adoloshencës, kur nisin dhe i formohen linjat, të cilën dhe përdorimi kompozicional i frazës “Hënë mitare njëzet vjeçe” nuk e përjashton nga interpretimi i mësipërm, pse, vërtet që mosha njëzet vjeçe për një vajzë quhet moshë e pjekurisë, por në kontekstin e poezisë mosha njëzet vjeçe është tepër miturake para moshës shumëshekullore të hënës si planet. Qasja është se vajzat e vogla të njoma, “miturake”, kanë një fytyrë të bukur plot shkëlqim, që i qaset bukurisë dhe shkëlqimit të hënës, janë plot energji dhe ngrohtësi trupore. Pavarësisht kësaj qasjeje, fjala “mitare” duhet të shihet si term i përzgjedhur me finesë për të paraqitur hënën metaforike, e cila krijon një ndjesi të hollë poetike.
Hëna, si një element natyror i dukshëm në qiell, në kontekstin e poezisë merr një domethënie të veçantë, si shenjë lumturie, shprese ose romantizmi. Pra, poeti mund të ketë përdorur fjalën “mitare” për të shprehur një ndjenjë ose moment të veçantë, kur ai mund të jetë frymëzuar nga hëna e plotë që ka dalë në çastin e përjetimit të idilit romantik. Ky shfrytëzim i dukurisë natyrore në poezi ka krijuar një atmosferë të bukur e të ndjeshme dhe pikërisht përdorimi i kësaj fjale, i jep poezisë një dimension emocional dhe artistik të shtuar. Ndërkohë detaji “njëzet vjeçe” përfaqëson një çast të rëndësisëm në jetën e personazhit (vajzës), por ajo që duam të theksojmë është fakti se pikërisht kombinimi i “hënë mitare” dhe “njëzet vjeçe” krijon imazhin poetik që ndihmon në krijimin e një atmosfere të veçantë. Hëna, si objekt qiellor, ka qenë një simbol shumëplanesh, përtej asaj që është thjesht një trup qiellor. Ajo shpesh është shfaqur si simbol i ëndërrimit, romantizmit, dritës dhe ndriçimit të rrugës së njeriut. Në këtë kontekst, “Hënë mitare” mund të interpretohet si hënë e veçantë, me një domethënie më të gjerë se sa një hënë e zakonshme. Mund të jetë një hënë që sjell ndriçim dhe shpresë në një kontekst emocional apo simbolik. Po ashtu, futja e “njëzet vjeçe” në titull sjell një dimension misteri,pse përtej aspektit personal kjo moshë është e mbushur me ëndrra, shpresë e kurajë, është një moment i ndryshimit dhe rritjes personale.
-Në aspektin realist, titulli përdor elemente të njohura nga jeta e përditshme, si hëna dhe mosha e vajzës. Ky përdorim i elementeve realiste e bën poezinë të lidhet me botën tonë dhe të identifikohet më shumë me temën dhe përmbajtjen e poezisë. Përqafimi i elementeve artistike dhe realiste në titullin “Hënë mitare njëzet vjeçe” krijon një harmoni dhe tension tërheqës mes ëndrrës dhe realitetit, duke e bërë atë një titull që të ngacmon të ndihesh i interesuar për të mësuar më shumë. Pra, Niko Kacalidha ka ndërthurur një lojë paralele midis universales, dashurisë, vajzës që dashuron dhe hënës, si planet milionavjeçar.
Ka edhe diçka tjetër që duhet të shihet me vëmëndje në tekstin poetik, i cili është shkruar në dy kohë: më 1978 në prag-fejese në shtëpinë e së dashurës në Shëndre dhe më 2003 në qytetin e Sarandës, kur e ripunoi në prag të botimit, (paçka se data figuron Shëndre për të respektuar çastin e frymëzimit). Kjo duket lehtasi, pasi imazhet ndërthurren, herë flet për hënën në një ambient rural ndërkohë përmend guackat e detit dhe ballkonet, por pavarësisht kohës së gjatë të ndërmjetme, është meritë dhe talenti i poetit që këtë dykohësi e ka bërë të pandi-kueshme te lexuesi. Duhet të njohësh botën e autorit që të dallosh kufijtë e dy kohëve me një lexim të kujdesshëm.
II-Poezia “Hënë mitare njëzet vjeçe” e Niko Kacalidhës shfaq disa elemente të modernitetit dhe postmodernitetit në qasjen e saj artistike.
Në aspektin modern, poezia përdor një gjuhë dhe një strukturë të lirë të vargjeve, që i jep liri për të shprehur ndjenjat dhe përjetimet në një mënyrë subjektive dhe inovative. Kacalidha përdor imazhe të natyrës dhe metafora të pasura për ndjenjat dhe përjetimet emocionale, duke e bërë të përshtatshëm me traditat moderne.
-Në aspektin postmodern, poezia përmban elemente të shfaqjes së një realiteti të fragmentuar dhe të ndërlikuar. Psh.: “E puqe puthjen time duke rendur tej, ballkonesh/të vesuara, e imja virgjërore njëzet vjeçe me puthjen/buzëve, meduzën e kafshimit.”, ku paraqet një realiteti të fragmentuar dhe të ndërlikuar përmes përdorimit të imazheve poetike e metaforave. Puthja e heroit lirik, si “meduzën e kafshimit”, jep një realitet të ndryshuar, ku emocionet dhe përjetimet janë paraqitur nëpërmjet një imazhi të papritur dhe ndryshues. Po ashtu, “rendur tej, ballkonesh të vesuara” sugjeron një përjetim të ndërlikuar, ku realiteti perceptohet në një mënyrë subjektive. Kjo lloj shprehjeje ilustron qartë elementet e një realiteti të fragmentuar, karakteristikë e zakonshme e poezisë postmoderne. Kjo paraqitje e imazheve dhe metaforave bën që të ketë një ndikim të veçantë emocional dhe krijon një hapësirë për shumësi interpretimesh, karakteristike kjo e poezisë postmoderne. Për shembull: “Herë kryet m’i kthen supeve netëve kaçurrelse/herë kryet fut nën sqetullat e tua duke erëmuar/ brigjet”, ku hëna përdoret si një metaforë për të shprehur një mënyrë të veçantë të sjelljes së personazhit në ndjenjat e tij. Duke u kthyer “supeve netëve kaçurrelse” dhe duke u futur “nën sqetullat e tua”, hëna përfaqëson një tërësi emocionesh dhe refleksionesh që lindin në mendjen e heroit, të cilat janë të ndjeshme dhe subjektive, tipar i poezisë postmoderniste.
-Gjithashtu, autori përdor një ironi fine dhe ndjenjë humori, element i zakonshëm në poezinë postmoderne. Për shembull, në vargun “Të ndoqa pas guackave duke u puthur/xhelozisë së limonishtes”, mund të perceptohet një ndjenjë e humorit në paraqitjen e një situate që mund të shkaktojë zili, por në një mënyrë që është tërësisht tërheqëse dhe befasuese. Përdorimi i “guackave” dhe “xhelozisë së limonishtes” shfaq një imazh të qartë të një momenti të këndshëm, duke e bërë atë një pikë interesante, tipike për poezinë postmoderne, ku përdorin humorin, ironinë ose elementet e papritura për të sfiduar perceptimet tradiciona-le. Pra, në qasjen e modernitetit dhe postmodernitetit, “Hënë mitare njëzet vjeçe” kombinon lirizmin dhe subjektivitetin e poezisë moderne me fragmentimin dhe subjektivitetin e poezisë postmoderne.
III-Poezia “Hënë mitare njëzet vjeçe” e Niko Kacalidhës është një kombinim i disa elementeve poetike, por me theks më të madh në llojin metaforik dhe imazhist.
Poezia përdor metafora për të shprehur ndjenjat dhe përjetimet,siç është hëna si një simbol i dashurisë dhe misterit. Përdorimi i shprehjeve “E puqe puthjen time duke rendur tej” dhe “E imja virgjërore njëzet vjeçe me puthjen buzëve, meduzën e kafshimit” shfaq një lloj metafore pëmes emocioneve dhe përjetimeve. Poezia është e pasur me imazhe të natyrës dhe ndjenjave, si “Herë kryet m’i kthen supeve netëve kaçurrelse”, “brigjet”, “rënë petale rërës”, etj, imazhe këto që ndihmojnë në krijimin e një atmosfere të ndjeshme. Poeti përdor simbole, ku psh, hëna përfaqëson vajzën e dashuruar dhe misterin, ndërkohë elemente natyrore si deti dhe limonat shprehin emocione dhe përjetime intime. Megjithatë, edhe pse poezia ka elemente simbolike dhe metaforike, ajo paraqet situata dhe ndjenja reale, siç janë çastet emocionale intime të dashurisë, si pasojë e të cilave mbart dhe një theks realist, por këto elemente nuk janë as zotëruese dhe as orientuese. Më së shumti ato shërbejnë si pjesë të truallit dhe sfondit poetik. Pra, kjo poezi përmban një larmi elementesh dhe llojesh të ndryshme, po në përgjithësi, është orientuar në llojin metaforik dhe imazhist, si poezi moderne që synon postmode-rnizmin.
IV- Poezia e Niko Kacalidhes është e pasur me elemente mistike dhe magjike që i japin një atmosferë të veçantë dhe të mahnitshme, si rrjedhojë romantizmi i saj i përzier me hijet mistike e trasferon atë nga moderniteti në postmodernizëm. Përgjithësisht Kacalidha përdor në krijimtarinë e tij një shumësi elementësh poetikë që përmbajnë a të shpien në shtigje mistike. Analiza na ndihmon të kuptojmë dhe impaktin emocional duke shërbyer edhe si argument pse synon postmodernizmin.
-Vargu:“e imja virgjërore njëzet vjeçe me puthjen/buzëve, meduzën e kafshimit” ka diçka që duhet parë hollësisht,pse përmendet meduza, sepse nuk është fjala për meduzën mitologjike, e cila me shikimin e saj i ngrinte njerëzit. Poeti flet për një meduzë tjetër, e cila quhet “meduza e hënës” (latinisht “Aurelia aurita”) dhe ky është një detaj poetik që Kacalidha e përdor sikur kjo meduzë kafshon buzët, pasi sigurisht në eros edhe ajo ka anën e saj sensuale. Meduza e hënës është larg meduzës mitologjike, ka formën e buzëve të femrës dhe kafshon butësisht gjatë puthjes, por ndërkohë kujtojmë se puthja mes dy të dashuruarve e ka pjesë të vetë dhe një lloj kafshimi të ëmbël. Puthja e kësaj meduze në poezinë e Kacalidhes shton një ndjenjë magjie në aktin e puthjes. Meduza e hënës përfaqëson një lidhje të pazakontë mes natyrës dhe heronjve lirikë, duke na çuar në një interpretim mistik, ku natyra dhe universi tërheqin njëri-tjetrin në një lidhje të fshehtë, të padukshme, dhe të përjetshme. Ndërkohë themi se puthja e meduzës së hënës ngjan dhe si akt ndriçimi, duke rritur ndjenjën e të jashtëzakonëshmes dhe të përjetshmes. Përmes këtij imazhi, hyjmë në një botë të fshehtë dhe magjike, ku natyra dhe personazhet janë në një bashkëveprim të veçantë dhe të mahnitshëm.
-Vargu: “Shtrirë pranë meje/gji më gji si në mëkatin e magjisë” një metaforë dhe një krahasim për një përvojë të pazakontë, siç mund të jetë një ndjenjë dashurie apo një lidhje emocionale. Përjetimi i “mëkatit të magjisë” përbën një moment të shenjtë, ku personazhet janë të lidhur në një mënyrë të veçantë që i tejkalon kufijtë e zakonëshme të kohës dhe hapësirës. Ky përjetim quhet mëkati i magjisë, sepse shpalos një dimension të fshehtë të emocioneve e lidhjeve njerëzore.
-”Me ëmbëlsinë e brishtësisë në gjuhësinë e zogjve”, paraqet një atmosferë të ëmbël e të pazakontë që rrethon çastin magjik të përjetuar. Përdorimi i detajeve si “ëmbëlsia” dhe “brishtësia” shprehin një ndjenjë delikate që ka prezencë magjike. Përdorimi i “gjuhësisë së zogjve” nënvizon një element të natyrës, atmosferën magjike të momentit, pasi ata pëshpërrisin si zogjtë fjalë dhe fraza melodike, shpesh të pakuptimta literalisht.
Vargu: “E puqe puthjen time duke rendur tej, ballkonesh/të vesuara, e imja virgjërore njëzet vjeçe me puthjen”, ku termi: “e imja virgjërore njëzet vjeçe” është përshkrimi e një vajze vergjine, gjendje me përmasa efiçente, ofron mistiken, pse e paraqet me një magji dhe pasuri të brendshme, gjë që shton ndjenjën e misterit. Ne mund të flasim edhe për misterin që përmban imazhi i hënës si personazh që e “mban në gji” heroi lirik dhe “mbush mbrëmjen” me drithërimë, duke i dhënë jetë, një atmosferë më shumë se natyrale, për përdorimin e ngjyrave dhe imazheve të përziera në natyrë, të cilat forcojnë atmosferën mistike dhe romantike, por do të ndalesha te përdorimi i fjalëve dhe tingujve poetikë që krijojnë atmosferë mistike.
V-Në poezinë “Hënë mitare njëzet vjeçe” të Niko Kacalidhes, përdorimi i fjalëve dhe tingujve kontribuojnë në krijimin e një atmosfere mistike poetike:
-Fjalët dhe shfaqjet e detajuara të natyrës për të krijuar pamje mahnitëse si “brigjet”, “sandale”, “petale rërës”, dhe “jasemini bardhësinë”, ose pasazhi: “Të ndoqa pas guackave duke u puthur xhelozisë së limonishtes.” ku, fjalët e detajuara shfaqin një pamje të mrekullueshme, duke forcur imazhin e një natyre mistike e të pazakontë.
-Përdorimi i metaforave dhe simboleve është tjetër mjet që krijon atmosferë mistike. Përshembull, hëna e shfaqur “mitare” i shton poezisë një ndjenjë misteri, fshehtësie, si dhe imazhet “jasemini bardhësinë”.
-Struktura ritmike dhe zëri poetik ndihmon në krijimin e një atmosfere origjinale, ku përdorimi i zërit të butë dhe tonalitetit të ulët shton një ndjenjë misteri pasi poezia lexohet si një fjalë që pëshpëritet me një melodicitet të ulët dhe të ngrohtë, që më shumë se sa kuptohen fjalët, ndjehet timbri i dashurisë. Përshembull: “E puqe puthjen time duke rendur tej, ballkonesh të vesuara” ku zëri i butë dhe i ngrohtë shton ndjenjën e misterit, duke e bërë poezinë të përjetohet si një përvojë magjie. Kësaj i shtohet fakti që autori përdor gjuhë poetike me larmi tingujsh e imazhesh, duke shtuar zhdervjelltësinë e muzikalitetit. Kjo gjuhë poetike krijon një atmosferë që përforcon ndjenjën e misterit. Përshembull, pasazhi: “Me ëmbëlsinë e brishtësisë në gjuhësinë e zogjve” përdor një gjuhë dhe strukturë të veçantë të fjalëve që krijon një ndjenjë muzikaliteti, të ëmbël, të ngrohtë, si të fshehtë nga veshi i lexueesve.
VI- Imazhet në poezinë “Hënë mitare njëzet vjeçe” të Kacalidhës janë të pasura e të ndjeshme dhe krijojnë një atmosferë emocionuese, por ne mendojmë që mos t’i shohim ato thjeshtë si figura artistike por si ndërveprime të simboleve, metaforave, personifikimeve dhe elementeve natyrorë, në funksion të shfaqjes së ndjenjave dhe emocioneve të heroit lirik. Ajo që ka shumë rëndësi është ndërveprimi i elementëve të njësisë në funksion të së tërës. Asgjë nuk është e vetme si një meteor i rënë s’di se nga. Elementët artistikë ndërveprojnë mes tyre si pjesët e një peme apo fidani si rrënjët, kërcelli, gjethet, ku në saj të ndërveprimit të tyre të natyrshëm, te pema shohim lulet që çelin, ndjejmë aromën e tyre dhe marrim frutat.
-Imazhi i “Hënës mitare” në poezinë e Niko Kacalidhes është një metaforë e fuqishme që shpreh një ndjenjë të thellë romantike dhe një lloj magjie. Leximi i kësaj metafore shfaq një imazh poetik të natyrës që shpreh emocione, ndjenja dhe përvoja njerëzore në një mënyrë të bukur dhe të ndjeshme. Përdorimi i “Hënës mitare” si një metaforë për të paraqitur një person, shpesh konsiderohet romantik dhe mistik. Në këtë rast, ajo simbolizon një vajzë, me një ndikim shpirtëror të fuqishëm. Mirëpo hëna është simbol dhe në këtë rast, përfaqëson ndjenjë të thellë romantike dhe magji që mbulon botën. Kur përshkruhet si “mitare” dhe “njëzet vjeçe”, ajo personifikohet, duke i dhënë një karakteristikë njerëzore me një personalitet të caktuar. Me “mitare” dhe “njëzet vjeçe” e paraqet si një figurë femërore, e re, e bukur dhe plot energji, e cila përforcon ndjenjën e magjisë dhe mistikës së saj. Pra imazhi është një ndërthurje simboli, metafore, mistike dhe personifikimi dhe jam i bindur se ne gjithmonë shohim hënën dhe nuk mendojmë për elementët që ndërthuren për imazhin e saj.
-Vargu:”Herë kryet m’i kthen supeve netëve kaçurrelse/herë kryet fut nën sqetullat e tua duke erëmuar/brigjet” është i pasur me imazhe. Imazhi “Supeve netëve kaçurrelse” paraqet një natë të errët, ku yjet janë të shumtë e të ndritshëm, duke krijuar një pamje magjepsëse. Imazhi “Sqetullat e tua” shfaq diçka që është i fshehur si në një lojë fëmijësh. Ndërsa imazhi:”Duke erëmuar brigjet”shpreh një lloj veprimi krijon një ndjenjë shpirtërore të ngrohtë dhe intime. Këto imazhe janë krijuar në ndërveprimin e simboleve, metaforave dhe personifikimeve:
Simbolet në formimin e imazhit të mësipërm janë: Hëna, që mund të interpretohet si një simbol i pasqyrimit të ndjenjave dhe emocioneve, të forta romantike. Netët kaçurrelse, ku netët simbolizon një kohë të errët dhe të pasigurt ku ndodhin gjëra të pazakonta dhe të fshehta, ndërsa: “Sqetullat e tua”: shfaqin simbolin e një qëndrimi të fshehtë, intim, që lidhet me ndjenjat e thella.
Metaforat që ndërveprojnë: “supeve netëve kaçurrelse” janë personifikuar subjekt që mund të kthejë kryet në drejtim të errët të natës, duke treguar për një lloj kthimi të një personi ndaj natës dhe mendimeve të thella. Përdorimi i “sqetullave” si një metaforë për mendime të thella dhe emocione të fshehta.
Personifikimet që ndërveprojnë: “Supeve netëve kaçurrelse” ku supet shfaqin si një lloj vetëdije ose karakteristikat e një personi, ose një mister.“Sqetullat e tua”,shfaqin ndjenja të fshehta dhe mendime që lidhen drejtpërdrejt me personin në fjalë.
-Në këtë linjë janë imazhet “gjurmeve të sandaleve”, “petale rërës”, që përfaqësojnë praninë dhe ndikimin e vajzës në jetën e poetit,si dhe fragilitetin dhe bukurisë e saj. Gjurmet e sandaleve të saj mund të interpretohen si simbol i pranisë së saj dhe ndryshimet që ajo sjell në jetën e poetit. Janë gjurmet e përnatshme të vazhdimësisë së takimeve të tyre, të lëna rërës netëve duke e bërë të ndjehet si një prezencë e gjallë dhe e perceptueshme.
“Rënë petale (në) rërës” është një imazh i bukur që shfaq një petale që ka rënë në rërën e plazhit, pavarësisht se kjo petale është gjurma e sandales. Ajo që ka rëndësi është fakti se dhe ky imazh ka në përbërjen e tij simbolikën e petales së rënë në rërën e plazhit si simbolikë e një bukurie të brishtë. Petalet e rëna rërës së plazhit janë metaforë për të shprehur gjëra delikate e të bukura që shkatërrohen lehtësisht, duke treguar për fragilitetin e asaj që është e bukur por jetëshkurtër. Njëkohësisht petalet e rëna rërës së plazhit mund të personifikohen për të paraqitur natyrën si subjekt që ka gjallëri e ndjeshmëri, ka aftësi për të shprehur emocione dhe për të ndikuar në ndjenjat e njerëzve.
VII- Poezia “Hënë mitare njëzet vjeçe” e Niko Kacalidhës shfaq një ndjenjë të thellë romantike dhe intime ndaj vajzës që ai dashuron, pikërisht në çastin e parë intim dhe për këtë arsye kjo poezi moderne përmban elemente romantike tradicionale të huazuar nga artet gojore, që i qëndrojnë poezisë moderne jo vetëm si sfond, por edhe si truall të cilat janë: a)-Romantizmi është atmosfera zotëruese në poezi krahas atmosferës pasionante të dy të rinjve, e shprehur kjo nëpërmjet imazheve të natyrës (si hëna) dhe puthjeve që shpalosen.b)-Përdorimi i elementeve natyrore (nëpërmjet imazheve), aq të përdorur në artet gojore dhe romantike: hëna, brigjet, petale rëra, dhe jasemini, forcon ndjenjën e romantizmit dhe bukurisë së natyrës.c)-Hëna përfaqëson një simbol të fuqishëm të dashurisë dhe puthjeve, ndërsa imazhet si “petale rërës” dhe “jasemini” përshfaqin një ndjenjë përkujdesjeje për vajzën.ç)-Po ashtu puthjet dhe shprehjet e kontaktit fizik forcojnë temën e intimitetit dhe lidhjes së thellë emocionale me vajzën e dashur.d)-Poeti përdor imazhe të forta vizuale dhe sensoriale që lexuesi të ndjehet i lidhur me emocionet dhe përjetimet intime.
Fjala “sensorial” nënkupton diçka që lidhet me ndjenjat e shqisave, pra diçka që paraqet përjetimet që mund të ndjehen me anë të një ose më shumë nga shqisat tona, si pamja, dëgjimi, ndjeshmëria, shija ose ndjenjat e lëkurës. Në kontekstin e poezisë, një frazë “sensoriale” shprehë përjetimin e një ndjenje të tillë. Pëshembull, në poezinë “Hënë mitare njëzet vjeçe”, fjala “sensoriale” mund të përfaqsojë ato pjesë që paraqesin pamje, tinguj, aromat, ndjesi fizike, emocione të lëvizura nëpërmjet përjetimit poetik. Vargu “mbushe mbrëmjen time drithërime” mund të interpretohet si një përfaqësim sensorial i ndjesive të stresit, ankthit, emocioneve të forta që mbushin heroin lirik në këtë moment të veçantë të poezisë. Ai mund të ndiejë drithërimin e shpirtit apo tensionin e fshehur që e përjetohet në momente të trazuara shpirtërore. Pra, kuptimi i “sensoriales” në kontekstin poetik është për të shprehur përjetimin e ndjenjave dhe emocioneve përmes imazheve të detajuara. Poezia “Hënë mitare njëzet vjeçe” e Niko Kacalidhës është e pasur me imazhe vizuale dhe sensoriale që e bëjnë atë të përjetohet në një mënyrë të ngjashme me një film ose me një pikturë.”Hënë mitare, njëzet vjeçe, që të mbaj në gji” sjell para syve një pamje të “hënës”, realisht të vajzës që mban në gjirin e tij në çaste intimiteti. Po ashtu:”mbushe mbrëmjen time drithërime”: ndjesinë tensionit emocional dhe të presionit të pashpjegueshëm që ndien heroi lirik gjatë atij çasti, (ku paraqet mbrëmjen si çast intimiteti) duke shtuar një dimension të thellë emocional.
Një detaj i rëndësishëm që tregon se tradicionaliteti s’është vetëm sfondi poetik, por edhe trualli mbi të cilin është ngritur poezia moderne, janë motivet romantike: hëna, brigjet, petalet, rëra dhe jasemini, elemente që përfaqësojnë artet gojore. Po ashtu përmbajtja e poezisë, që përqendrohet te tema e dashurisë, është një element tradicional i poezisë. Dashuria dhe adhurimi i vajzës janë motive që janë trajtuar gjer në atë shkallë sa që mund t’i quajmë tema “monopol” të tyre. Po çfarë bën poeti modern dhe si e mend këtë traditë shekullore? Poeti modern këto elementë i disponon kryesisht në shërbim të modernitetit poetik pikërisht si elemente strukturale të imazheve dhe jo si elementë qëndrorë të poezisë. Pikërisht ky “spostim” i rolit të tyre e ka ngritur poezinë në stadin e një moderniteti poetik që synon postmodernizmin. Ky është shtegu i artë nga është ngjitur poezia e Niko Kacalidhës.
Sarandë, në fillim prilli 2024
Niko Kacalidha
HËNË MITARE NJËZET VJEÇE
Hënë mitare, njëzet vjeçe, që të mbaj në gji
dhe mbushe mbrëmjen time drithërime.
Herë kryet m’i kthen supeve netëve kaçurrelse
herë kryet fut nën sqetullat e tua duke erëmuar
brigjet. Të ndoqa pas guackave duke u puthur
xhelozisë së limonishtes. Të numërova gjurmët
e sandaleve të tua, rënë petale rërës dhe gjirin
fshehtas ta grisa mos shihte jasemini bardhësinë.
E puqe puthjen time duke rendur tej, ballkonesh
të vesuara, e imja virgjërore njëzet vjeçe me puthjen
buzëve, meduzën e kafshimit. Shtrirë pranë meje
gji më gji si në mëkatin e magjisë, e sy ndër sy,
duke vesuar syrin nëpër qiej.
E imja virgjërore njëzetvjeçe hyn e del dritareve.
Ngopur me puthje deri vonë, pa na pikasur nata.
Me ëmbëlsinë e brishtësisë në gjuhësinë e zogjve.
Hënë njëzetvjeçe që bën të paputhurën dhe hiqesh
kaq naïve për syrin e botës.
Si mund të fshihen njëmijë puthje buzëve të tua?
Hënë mitare njëzetvjeçe, që të mbaj në gji
dhe mbushe mbrëmjen time drithërimë.
Shëndre, më 5.5.2003
Heraldikët e bores, Onufri 2023