More
    KreuForumi mbi përkthiminTheodhor Cico: Pasaktësitë e një përkthimi

    Theodhor Cico: Pasaktësitë e një përkthimi

    Mbi romanin “Vëllezërit Karamazov” të Dostojevskit

    Këtë analizë po ia kushtoj përkthimit në shqip të romanit të Dostojevskit “Vëllezërit Karamazov”, që është romani i fundit i shkrimtarit, i vlerësuar si një nga arritjet më të larta në letërsinë botërore, roman filozofik i pasionuar që hyn thellë në çështjet e Zotit dhe të moralitetit , një dramë teologjike, ku trajtohen problemet e besimit, të dyshimit dhe të arsyes. Është vepra më përfaqësuese e Dostojevskit, sinteza e hulumtimeve të tij dhe e kontradiktave të tij, me një temë që spikat mbi të tjerat: dialektika mes së mirës dhe së keqes, përplasja mes rrugës së arsyes, rebele dhe krenare, që shpall mohimin e Zotit dhe të krijimit, dhe rrugës së zemrës e të parandjenjës fetare. Zigmund Frojdi ka thënë: “Është romani më i shkëlqyeshëm i shkruar ndonjëherë…Sigurisht, nuk është një rastësi që të tri kryeveprat e të gjitha kohëve trajtojnë të njëjtën temë, atëvrasjen: e kemi fjalën për “Edipin mbret” të Sofokliut, “Hamletin” e Shekspirit dhe “Vëllezërit Karamazov” të Dostojevskit. Në të tria këto vepra del lakuriq edhe motivi i prapësisë: rivaliteti seksual për posedimin e gruas”.

    I përmendëm këto vlerësime për të thënë se sa kujdes duhej treguar në përkthimin e një vepre të këtij niveli.

    Romani në fjalë është përkthyer nga Xhemile Zykaj, është redaktuar nga Rexhep Hida dhe është botim i vitit 2017 i shtëpisë botuese “Fan Noli”.

    Qysh në krye të herës duhet thënë se përkthimi është një përpjekje për të qenë sa më korrekt me tekstin origjinal të veprës, në dallim nga përkthimi i romanit “Krim dhe dënim”, ku, në shumë raste, fillimisht gjërat rrotulloheshin në mendjen e përkthyeses, merrej me mend se ç’donte të thoshte autori dhe pastaj hidheshin në letër fjalitë dhe frazat e tij dhe aq me tepër në dallim nga përkthimi i “Doktor Zhivagos”, ku shtoheshin fjalë e fjali nga xhepi i përkthyesit, liheshin pa u përkthyer jo vetëm fjali dhe fraza, por edhe pasazhe të tëra, veç pasaktësive të tjera të shumta kuptimore e gjuhësore. Mirëpo, krahas vlerave pozitive të përkthimit të romanit “Vëllezërit Karamazov”, kanë kaluar edhe mjaft pasaktësi. Kështu, janë harruar pa u përkthyer fjalë (mbiemra që shoqërojne emra, ndajfolje që shoqërojnë mbiemra të ndryshëm etj.), si dhe fjali të tëra. Kemi përkthim jo të saktë të disa fjalive dhe të shumë fjalëve të veçanta, në shumë raste nuk respektohen shenjat e pikësimit të origjinalit (vihet pikë, kur s’ka pikë, hiqen dy pikat sipas qejfit dhe vihet pikë ose presje, hiqet pika dhe vihen dy pikat, ose kur është presje, hiqet dhe vihet pikëpresje dhe, e kundërta, kur është pikëpresje, hiqet dhe vihet presje etj.), si dhe kalohet në kryeradhë sipas dëshirës së përkthyeses.

    Le t’i shqyrtojmë këto pasaktësi duke analizuar disa momente të përkthimit të veprës, në pamundësi për ta analizuar të gjithë veprën fjali për fjali.

    F. 13-14 dhe 33-34: Thuhet “tridhjetë vjet më parë”, por në fakt është “trembëdhjetë vjet më parë (тринадцать)”, thuhet “ishte i martuar tri herë”, por në fakt është dy herë (два раза), «мозгляка» përkthehet “mendjelehtë”, se është nisur nga мозг-tru, por në fakt мозгляк do të thotë i dobët, shëndetlig (тщедушный, слабосильный, хилый), «богородица» nuk është

    “shenjtore”, por “nëna e Krishtit” (мать Христа). Kalohet në kryeradhë, kur nuk është kryeradhë, si në rastet “Tani do t’ju flas…”, “Kjo e gjitha…”, “Po kështu…”, “Ja kjo është tabloja!”, “Megjithatë ai donte…”, “Ai kishte shkuar…”, “I ati…”; këto raste janë vetëm të faqeve të mësipërme, sepse në kryeradhë, kur s’është kryeradhë në origjinal, përkthyesja ka kaluar me dhjetra e shumë më shumë herë gjatë përkthimit të veprës. E ka bërë shpesh këtë me mendimin se e lehtëson kësisoj lexuesin në leximin e paragrafëve vërtet të gjatë të veprës, mirëpo se kur kalohet dhe kur nuk kalohet në kryeradhë, këtë e ka përcaktuar autori, sipas shtjellimit të medimeve nga ana e tij në vepër dhe nuk ka aspak të drejtë as përkthyesi, as redaktori dhe as kurrkush tjetër ta ndryshojë këtë. Po kështu duhet të ndodhë edhe me shenjat e pikësimit, shkrimin me shkronja kursive të fjalëve a fjalive, vënien ose jo të kllapave, vënien ose jo të thonjëzave etj. Pra, në të gjitha rastet duhej zbatuar gjithçka me skrupulozitet, siç i ka autori, se vepra është e tija.

    F. 53-54: Kanë kaluar pa u përkthyer «о каких-то …deri в речке и проч.» që do të thotë “për disa të drejta të prerjes në pyll dhe të peshkimit në lumin e vogël e të tjera”, si dhe «и всë ещë…deri границе», pra “dhe ende vazhdonte davaja për të përcaktuar kufirin ndërmjet tokave”. Nuk janë kryeradhë “Papritur…”, “Sipas të gjitha gjasave…”, “Vëlla Ivani dhe Miusovi”, “Pak kohë…”, kurse “Kur mori vesh për takimin…” është kryeradhë, por përkthyesja nuk del me kryeradhë. Për sa i përket “kryeradhës” nuk do t’i përmendim më rastet e tjera në vepër, se janë shumë. Në këto faqe dhe në shumicën e rasteve «отец игумен» përkthehet “kallogjer”, kur është “atë igumeni” dhe të jepej shpjegimi në fund të faqes që është “ati epror në një manastir të rëndësisë mesatare”, kurse “kallogjer” është thjesht murg ortodoks. Sa mirë në f.134 e përkthen “atë igumeni”’?!. Tе fjalia «Если кто …deri съезд» i ka rënë shkurt, sepse përkthimi është “nëse ekzistonte dikush mes këtyre rivalëve dhe grindësve që mund ta merrte seriozisht këtë mbledhje (dhe jo kongres), ky ishte, pa dyshim, vetëm vëlla Dmitrij (nuk përkthen “vëlla” dhe emri është Dmitrij dhe jo Dmitri, siç jepet në të gjithë romanin. Po kështu duhet Dostojevskij dhe jo Dostojevski, Grigorij dhe jo Grigori, Varvinskij dhe jo Varvinski).

    F. 73: «послушник» (siç rezulton edhe në f.353) nuk është “dhjak”, por “rishtar”- fillestar në manastir që përgatitet të bëhet kallogjer, kurse “dhjak” është thjesht ndihmës i priftit në kryerjen e shërbesës fetare, pra s’ka të bëjë me manastirin. Lë pa përkthyer një pasazh të tërë: «Это я всë…deri и замолчу» që do të thotë “Gjatë gjithë kohës desha t’ju prekja me dorë, të mësoja nëse ishte e mundur të jetoja me ju. A ka vend për përuljen time pranë krenarisë suaj? Ju jap një fletëlavdërimi: me ju është e mundur të jetosh! Dhe tani do të hesht, gjatë gjithë kohës nuk do ta hap gojën. Do të ulem në kolltuk dhe do të hesht.”

    F. 93-94 dhe 113-114: «старец» do të ishte mirë ta linte “starec”, duke dhënë, në fillimin e përdorimit të kësaj fjale, shpjegimin “murg i shkuar nga mosha” (është tipike ruse si fjalë, kurse “kallogjer” nuk është e saktë, pastaj si «старец», ashtu edhe «игумен» i përkthen “kallogjer” që s’është e saktë, sepse “kallogjer” në rusisht është «монах». Edhe në f.253-254 «старец» përkthehet “kallogjer”, sikurse edhe në f.233, 253, 314, 360 dhe 407. «Половина первого» e përkthen “ora një e gjysmë”, por është “dymbëdhjetë e gjysmë”.

    F. 113-114 dhe 133-134: Lë pa përkthyer «как-то…deri сгорбившись», që do të thotë “duke i ngritur aq shumë supet, saqë dukej gati si gungaç”; «ограда» nuk është “porta”, por “muri rrethues, gardhi”, mirëpo në f.11 të vëllimit të dytë këtë fjalë e përkthen mirë “gardh”; përkthen jo saktë “Kam dëgjuar shumë, kam parë nga pak”, jo, është “Kam dëgjuar gjithçka tek luaja rolin tim, dhe pa bërë as gëk as mëk shikoja gjithçka, kurse tani dua t’ju vë në skenë edhe aktin e fundit të shfaqjes”. Këtë ka thënë autori. Ka lënë pa përkthyer «Нет, отцы, с вами тут, пожалуй, в хлыстовщину втянешься…» që do të thotë “Jo, etër, këtu me ju ka rrezik të përfundosh mes hllistëve (хлыст-shufër, purtekë), pra lidhet me një nga sektet fetare në Rusi, që lindi në fund të shekullit XVII-fillimi i shekullit XVIII, i cili nuk pranonte ritet e kishës ortodokse dhe kultivonte vetëfshikullimin me kamxhik. Po pse e ka lënë pa përkthyer? Sepse i ka dalë përpara kjo «хлыстовщина» që e shpjeguam, dhe ka thënë me vete “Kaloje, se s’ka për ta parë njeri”. Po ja që s’është gjëja tënde, që të bësh si të duash.

    F. 153-154: Nuk është “krejtësisht i qetë”, por është e kundërta “me gjithë shqetësimin e tij” (при всем беспокойстве); lë pa përkthyer katër vargje të poezisë së Shilerit: “И куда…deri зрит!”, që do të thotë: “Dhe kudo ku Cerera// Hedh shikimin e trishtuar// Sheh kudo njeriun// Në poshtërim të thellë!”

    F. 173-175: Është në titull «вверх пятами» që e përkthen “me këmbë përpjetë”, por nuk tingëllon mirë, prandaj duhej përkthyer “kryengulthi” (p.sh. hidhem kryengulthi në ujë), pra që thembrat (пятами) janë lart dhe koka poshtë. Për sa i përket titujve, kemi edhe disa raste të tjera me përkthime të pasakta. Kështu, në f.383 titulli “Hë për hë, jo shumë e qartë” (se ç’do presja këtu një zot e di) në origjinal është «Пока ещë очень неясная», domethënë “Hë për hë ende shumë e paqartë”, pra “e errët”, por kur thua “jo shumë e qartë”, nënkuptohet sikur diçka edhe është e qartë, kur në fakt çdo gjë është shumë e paqartë, e errët. Në f. 138, vëll.2,titulli “Ai i mëparshmi” është lënë përgjysmë, sepse është “Ai i mëparshmi dhe i padiskutueshmi” (Прежний и бесспорный). Në f.608, vëll.2, titulli “Një sofist” duhet të jetë rezultat i hasjes së fjalës «мысли» (mendime). Mirëpo këtu «прелюбодей» është «человек, который совершил прелюбодеяние (нарушение супружеской верности)», që do të thotë “njeriu që ka kryer shkelje të besnikërisë bashkëshortore”, pra s’ka të bëjë me “sofistin”. Ka lënë pa përkthyer «да на продаже…deri хорошенько», që do të thotë “mirëpo në shitjen e biletës pesëmijëshe u verifikua një humbje prej dyqind e më tepër rublash. Më dërgoi mua gjithsej dyqind e gjashtëdhjetë, më duket, rubla, nuk e mbaj mend mirë…”.

    F. 193-195: harron «то и съедет…deri приказанию», që do të thotë “dhe do të zhytet (mali) pa ngurruar fare, me urdhrin tuaj të parë”. Gjithashtu harron «вот что…deri течëт», pra “ai (lumi) që rrjedh (kalon) tе nе pas kopshtit”, sikurse harron edhe «Ибо если…deri гора», që do të thotë “Sepse edhe nëse do të ma kishin rrjepur lëkurën deri në mesin e shpinës, edhe atëherë me fjalën time dhe me thirrjet e mia ai mali prapëseprapë nuk do të kishte lëvizur”.

    F.213-235: «Смеясь над ним» nuk do të thotë “qeshte me të aq çiltërisht”, por kuptimi është «насмехаться, подвергать кого-нибудь насмешкам», pra “tallej, e përqeshte atë”.

    F.253-276: Smerdjakovi kishte dalë për të bërë pazarin e drеkës – e gjithë kjo është në kllapa, të cilat përkthyesja nuk i vë. Ka edhe raste kur ndodh e kundërta, pra vihet kllapa, kur në origjinal s’ka kllapa, si në f.13-14 (siç e quanin atëherë të gjithë Fjodor Pavlloviçin), ose f.464 (sipas mbresave të njerëzve), apo f.540, vëll.2, (nga trashëgimia e së ëmës) etj. Në f.276 ka gabuar, duke thënë të kundërtën: “dhe…dhe ajo do më shumë Dmitrin!” Në fakt është e kundërta “dhe…dhe ajo nuk e do më Dmitrin!” (и…и она более не любит Дмитрия!».

    F.293-295: Tek “vajza, e cila deri tani nuk kishte qëndruar, pa folur, në vendin e saj…” ka thënë të kundërtën, sepse është “vajza, e cila deri në atë çast kishte qëndruar pa folur (e heshtur, gojëmbyllur) në karrigen e saj (dhe jo në vendin e saj)”.

    F. 313-316: Lë pa përkthyer «И вот…deri к лучшему», që do të thotë “Dhe ja sepse, ndonëse e gjithë kjo është aq e ndyrë, prapëseprapë do të jetë për më mirë”, si dhe «что если б он…deri деньги», pra “nëse ai nuk do t’i kishte shkelur këto para, por do t’i kishte marrë ato…”, ose «И вот,что…deri примет, а?», që do të thotë “Dhe ja që me siguri kështu vendosëm tani, që ai paratë do t’i marrë, ë?”

    F. 333-336: Përkthehet “Forca centrifugale”, por është forca centripete ose qendërsynuese (центростремительная) dhe jo centrifugale që në rusisht është «центробежная».

    Dhe vijmë te kapitulli “Inkuizitori i madh”, ku do të ishte mirë të mos kishte asnjë pasaktësi, sepse kemi të bëjmë me “majat e letërsisë universale”, siç është shprehur Frojdi, i cili ka thënë se “Episodi i Inkuizitorit të madh është një nga majat e letërsisë universale, një kapitull i bukurisë së paçmueshme…”. Por prapëseprapë fatkeqësisht edhe këtu hasim mjaft pasaktësi, të cilat po i rendisim më poshtë. Në f.359 thuhet “…kanë kaluar pesëmbëdhjetë vjet”, jo “vjet”, por shekuj (веков); «но дьявол не дремлет…» në përkthim është “Por djalli nuk flet…” Do të këtë qenë “fle” dhe do të jetë shtuar gabimisht një “t” gjatë punës me përkthimin. Më e saktë do të ishte këtu “nuk dremit” (не дремлет). Në f. 361 përkthen “në vatrat më të nxehta të qytetit jugor”, jo, «стогны» janë rrugë të gjera, sheshe (широкие улицы, площади) dhe jo “vatra”. Pra duhej “në rrugët përvëluese (стогны жаркие) të qytetit jugor”. Në f.380 kjo fjalë përkthehet “mullarët”, pra, siç duket ngatërrohet me «стог-mullar». Fjala “podium” për «автодафе» (autodafe) nuk është aspak e saktë. Autodafe është shpallja solemne e vendimit të inkuizitorit që pasohej me ekzekutimin, djegien për së gjalli mbi turrën e druve të heretikut në Spanjë, gjatë periudhës së inkuizicionit. Pra jo “podium” , por duhej ta linte “autodafe”. Lë pa përkthyer në fund të faqes shprehjen latine “ad majoren gloriam Dei”, që do të thotë “për lavdinë më të madhe të Zotit”. Në f. 362 «восста девица» nuk duhej ta linte “vosta devica”, por ta përkthente “ngrihu vajzë”. Po në këtë faqe gjejmë “Në dorë ajo mban buqetën me lule”, jo, është “Në dorë ajo mban një buqetë me trëndafila të bardhë” (букет белых роз), që është detaj i vogël, por i bukur. Në f. 364 “…dhe t’ua marrësh njerëzve lirinë, për të cilën ti ke këmbëngulur aq fort…”, jo, është e kundërta “dhe për të mos ua hequr njerëzve lirinë” (и чтобы не отнять у людей свободы), se për këtë kishte këmbëngulur Zoti, jo për të kundërtën. Në f. 366 nuk përkthen saktë «и до того угадано и предсказано и до того оправдалось, что…», e ka përkthyer “ishte aq e goditur, aq e saktë, aq e qartë, saqë…”, pra nuk është përkthyer asnjë nga përcaktimet e autorit, i cili thotë “dhe deri në atë pikë është parashikuar dhe parathënë, dhe deri në atë pikë është provuar se është e drejtë, saqë…”. Këtë ka thënë autori dhe jo fjalë të përgjithshme, si “aq e goditur, aq e saktë, aq e qartë, saqë…”. Në f.371 harron «Жаждал …deri ужаснувшим», që do të thotë “Lakmoje dashurinë e lirë dhe jo entuziazmet servile të skllavit përpara fuqisë që e kishte terrorizuar atë njëherë e përgjithmonë”. Në f.374 pas “një fushe tjetër” lë pa përthyer «и кончат…deri знамя», që do të thotë “dhe do të përfundojnë duke ngritur kundër Teje flamurin e tyre të lirë. Por Ti e ngrite vetë këtë flamur”. Po kështu në f. 376 “ Dixi” nuk duhej lënë pa shpjegim në fund të faqes “Kështu thashë unë” (nga latinishtja), pastaj pas “se do të rebelohen sërish të dobëtit” ka harruar «что разорвут порфиру еë…deri  греха», që do të thotë “se do ta shqyejnë pëlhurën e saj të purpurt dhe do ta zhveshin lakuriq trupin e saj “të fëlliqur”. Por atëherë unë do të ngrihem dhe do të të tregoj mijëra milionë fëmijë të lumtur që nuk e kanë njohur mëkatin”. Në f.380 duhej të ishte përkthyer përherë “Gjithçka është e lejueshme”, siç e ka edhe autori «всë позволено» kudo, nuk lëviz kjo, sepse ka të bëjë me botëkuptimin e Ivanit (njërit prej personazheve kryesorë të veprës), është kuintesenca e botëkuptimit të tij, dhe jo të përkthehej herë “t’i lejosh vetes gjithçka”, herë “gjithçka të lejohet” dhe herë “gjithçka lejohet”. Këtu përfundojnë vërejtjet për kapitullin “Inkuizitori i madh”, kapitull, i cili, për madhështinë që ka dhe për pasaktësitë që konstatuam, më detyron t’i them tani dy fjalë për përkthimet e tri kryeveprave të letërsisë ruse të analizuara prej meje gjer më sot: “Krim dhe dënim”, “Doktor Zhivago” dhe “Vëllezërit Karamazov”. Pra, përfundimi është se shtëpitë botuese përkatëse nuk janë në ato lartësi, sa të arrijnë të përkthejnë siç duhet veprat e “gjeneralëve” të letërsisë botërore. Tjetër është dëshira dhe tjetër aftësia.

    Afërsisht të kësaj natyre janë edhe pasaktësitë në vëllimin e dytë, por po mjaftohemi duke përmendur vetëm disa raste. Në f.100 gjejmë…nga ai “vend i gjoksit”, jo, thonjëzat fillojnë “nga ai vend i gjoksit” dhe e gjithë kjo është me shkronja kursive, që nuk pasqyrohen. Për sa  u përket thonjëzave, ato në disa raste harrohen, nuk vihen, dhe në raste të tjera vihen, kur s’janë në origjinal (shembujt janë nga të dy vëllimet): p.sh. në f.120 “trojkë” nuk është as në thonjëza dhe as në kursiv; në f.160 “mjedisin” nuk është në thonjëza në origjinal, sikurse edhe “mbushte”, kurse “atëherë” është në thonjëza; në f.583 “një pajisje” nuk është në thonjëza etj. Po kështu ndodh edhe me shkronjat kursive. Fjala vjen, janë me shkronja kursive rastet e mëposhtme: në f.356 “edhe po s’pate të drejtë”, në f.357 “për gjithçka”, në f.368 “të gjithë së bashku”, në f.372 “në mrekullinë, në të fshehtën dhe në autoritetin”, në f. 376 “ që po ndreqnin heroizmin tënd” është e gjitha me kursive, në f.140 “Të paktën të kishe një shkak” edhe kjo e gjitha me kursive etj. Në f.140 të vëllimit të dytë përkthen “dhe ia dha të qeshurit, disi në mënyrë të pazakontë për të”, duke i rënë shkurt, sepse është «но не деревянным…deri смехом», pra “por jo me të qeshurën e tij të sforcuar e me hope, por me një lloj të qeshure të qetë, të zgjatur, nervoze, që e shkundte atë”. Si mund të lihen pa u përkthyer si duhet, në detaje, në mënyrë skrupuloze fjalët e autorit, kur pikërisht këtu qëndron bukuria dhe veçantia e mjeshtërisë së stilit të tij mahnitës?! Mos e prek anën më të bukur të këtij shkrimtari, ku ai është e paarritshëm – përshkrimin me imtësi, duke pasur forcën e një psikologu gjenial, të gjithçkaje që ka të bëjë me njeriun dhe me çdo gjë që atë e rrethon. Në f.321 lë pa përkthyer dy vargje “I çuditi ata të klasës së tretë// Lajmi që lloshko Kollbasnikovi u martua”; në f.441, para “Krejt ndryshe qëndronte puna”, harron një pasazh të tërë «напротив…deri утëк-с», që do të thotë “Përkundrazi, nëse hajduti do të kishte qënë një si unë, për shembull, thjesht do ta kishte futur zarfin në xhep, pa humbur kohë për ta hapur atë, dhe sa më shpejt do t’ua mbathte këmbeve”; në f.460, pas fjalëve “është një legjendë”, e ka pasur të vështirë ta përkthejë dhe nuk e ka përkthyer «За что купил, за то и продал», që është një fjalë e urtë ruse, e cila do të thotë «только повторяю то, что слышал» (veç përsëris ç’kam dëgjuar) dhe këtu duhej përkthyer “Po ta tregoj siç ma kanë treguar”. Dhe tani disa pasaktësi gjuhësore dhe drejtshkrimore: në f.33 jo personale, por personal, dhe jo e rëndësishme, por i rëndësishëm (sepse të dy mbiemrat lidhen me emrin shqëtësim); f.53 “me sebepin se të biseduar” duhej “me sebepin për të biseduar”; vë presje kot se koti, p.sh., f.53 “Gjithsesi, kallogjeri”, ose, po në kete faqe “madje, u caktua”; përdoret “ndaj” në vend të “prandaj” (f.73) “ndaj u gëzua” (vetëm në raste të rralla “ndaj” mund të përdoret për “prandaj” si, p.sh., “të dua të mirën, ndaj të thashë”); “Fjodor Pavlloviçi, (ç’do presja këtu?!) “nuk u durua”, duhej “s’iu durua” ose “nuk iu durua”; f.93 “një farë” duhej shkruar bashkë “njëfarë” si përemër që është (në shumë raste të tjera është shkruar si duhet, pra bashkë); “shpesh herë” duhej bashkë “shpeshherë” si ndajfolje që është; në f. 154 hasim “vëllain” dhe “babain”, por duheshin shkruar “vëllanë” dhe “babanë” (“vëllain” e gjejmë edhe në f.640, vëll.2); f.174 “Plaka…iu gëzua Katerinës” (ndikohet nga rusishtja «Кате обрадовалась», por në shqip duhej “u gëzua për Katerinën”; f.175 “sipas këndvështrimit tuja” duhej “tuaj”; f.194 “ju besoni qa shumë” duhej “aq”; f.214 “me hapa të shpejta” duhej “ma hapa të shpejtë”; f.194 “tek fshatari”, f.215 “tek vetja”, f.253 “tek llogaritë”, “Tek babai”, f.369 “tek jeta”, “tek qëllime”, f.100, vëll,2, “tek sheshi”, f.129, vëll.2, “tek dyqani” etj., në të gjitha këto raste duhej “te”, sipas rregullit që trajta “tek” perdoret zakonisht kur fjala ndjekëse nis me zanore dhe trajta “te”, kur fjala nis me bashketingëllore. Në f.274 “më momentin” duhej “në momentin”; f.293 “duke ju drejtuar” duhej “duke iu drejtuar”; f.314 “ai u ndje i fyer” duhej “u ndie”, po aty “hapi zemrën qa çiltërisht” duhej “aq”; f.334 “Europë” duhej “Evropë” dhe po kështu në f. 541, vëll.2, “europiane” duhej “evropiane”; f.368 “përgjatë shekujve” duhej “gjate shekujve”, sepse “përgjatë” përdoret kur tregohet vend dhe jo kohë (p.sh. përgjatë lumit, përgjatë bregut etj.); f.369 “jepte jetën e vet për rata!” duhej “për ata!”; në f.370 “ për një minut”, duhej “minutë” dhe e hasim “një minut” edhe në f.181, vëll,2, si dhe në f.449, vëll.2; f.372 “po iu prinin” duhej “po u prinin”; f.375 “dhe iu mësove” duhej “u mësove”; f.379 “përgjigja” duhej “përgjigjja”; f.383 “edhe pse ndjente në shpirt” duhej “ndiente” dhe po këtu “prapë se prapë” duhej bashkë “prapëseprapë” si ndajfolje që është; e hasim edhe në vëll.2, f.80 “prapë së prapë”; f.443 “ndjehesha” duhej “ndihesha”; f.160, vëll.2 ( me tutje janë faqet e vëll.2) “iu bënte komplimente të gjithëve” duhej “u bënte”; f.180 “nguli këmbë si mushk” duhej “mushkë”; f.260 “proces-verbalit” duhej bashkë “procesverbalit”; f.280 “sado pak” duhej bashkë “sadopak” si ndajfolje që është; po aty “shtatzaninë” duhej “shtatzënësinë”; f.301 “ndërgjegja” duhej “ndërgjegjja”; f.343 “mëndjelehtësia” duhej “mendjelehtësia”; f.360 gjejme pranë e pranë “pa pritur” që është gabim, dhe pak më poshtë (çudi!) “papritur” që është mirë; po aty “dipllomaci” dhe “dipllomat” duhej “diplomaci” dhe “diplomat”; f.440 “kopësht” duhej “kopsht”; f.460 “tregëtarëve” duhej “tregtarëve”; f.462 “tepëroj” duhej “teproj”; f.481 “ u muar” duhej “u mor”; f.560 “ai…heshtëte” duhej “heshtte”; f.620 “nëqoftëse” duhej veç “në qoftë se” si lidhëz që është; f.640 “rojet” duhej “rojat”, sepse kemi të bëjmë me rojtarët, pra rojë-a dhe shumës roja, rojat, kurse roj, roji është luzma e bletes që ka për shumës roje, rojet.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË