More
    KreuÇmimeTestamenti i Nobelit, pse do të përkthehet sërish

    Testamenti i Nobelit, pse do të përkthehet sërish

    Ishte dëshira e fundit dhe testamenti i Alfred Nobelit, që i dha jetë më pas çmimit Nobel. Fondacioni, me të njëjtin emër, ka pajtuar një përkthim të ri në gjuhën angleze të testamentit, për ta bërë të menduarit origjinal të Nobelit edhe më të aksesueshëm. Lars Heikensten, drejtori ekzekutiv i Fondacionit Nobel, beson se qëllimet dhe vlerat e Nobelit janë më të rëndësishme se kurrë.

    Cila është historia pas testamentit të Alfred Nobelit?
    Kur Alfred Nobeli ndërroi jetë, më 1896-ën, dëshira e tij e fundit i dha jetë krijimit të çmimit Nobel. Alfred Nobeli ishte një industrialist dhe shpikës suedez, i cili besonte te përparimi, te shkenca dhe humanizmi. Ai dëshironte të shpërblente këtë progres dhe i theksoi qëllimet e tij në këtë dokument madhështor. Ideja ishte se këta laureatë të Nobelit duhet të shpërbleheshin pa marrë parasysh kombësinë dhe se ata duhet të funksiononin si role modele dhe të frymëzonin më shumë njerëz për të bërë të mirën. Të parat çmime në Fizikë, Kimi, Fiziologji ose Mjekësi, Letërsi dhe Paqe u akorduan në vitin 1901.

    Ç’domethënie ka testamenti për Fondacionin Nobel?
    “Do të thotë shumë për ne – përcakton udhëzimet se si i çojmë përpara veprimtaritë tona. Fondacioni Nobel ka përgjegjësi të përgjithshme për përmbushjen e qëllimeve në dëshirën e Nobelit.

    Përse keni bërë një përkthim të ri të testamentit?
    Duam që të jetë një dokument i gjallë dhe që fjalët e Alfred Nobelit të lexohen nga shumë individë. Për ta siguruar këtë, të duhet të përditësosh gjuhën, për ta bërë më të aksesueshme për audiencën bashkëkohëse.

    Çfarë ka ndryshuar në këtë përkthim?
    “Një aspekt që mund të tërheqë interes është formulimi qendror që çmimet duhet t’u akordohen atyre që kanë prurë “dobitë më të mëdha për njerëzimin (humankind)”. Versioni më i hershëm i përkthimit në gjuhën angleze thotë “mankind”, por kjo është një gjë e natyrshme për t’u përditësuar.

    Sa i rëndësishëm është testamenti i tij sot?
    Mënyra e të menduarit që Alfred Nobeli nënvizon në testamentin e tij, është më e rëndësishme se kurrë. Ne tani jetojmë në një kohë ku arsyetimi i bazuar në fakte dhe në fjalë të lirë, po sfidohet në shumë anë të botës. Duhet të ngrihemi për ato vlera; ne si Fondacioni Nobel kemi përgjegjësi për ta bërë këtë.

    Teksti i plotë i Testamentit të Nobelit, përkthyer nga gjuha angleze

    Unë, i nënshkruari, Alfred Bernhard Nobel, pas një shqyrtimi të pjekur, deklaroj këtu se kjo më poshtë është dëshira ime e fundit dhe testamenti në lidhje me pronësinë që mund të lë pas vdekjes sime: Nipërit e mi, Hjalmar dhe Ludvig Nobel, bijtë e tim vëllai Robert Nobel, do të marrin shumën e dyqind mijë kronave; nipi im Emmanuel Nobel do të marrë shumën e treqind mijë dhe mbesa ime Mina Nobel njëqind mijë krona; të bijat e vëllait tim Robert Nobel, Ingeborg dhe Tyra, secila do të marrë shumën e njëqind mijë kronave; zonjushë Olga Boettger, që aktualisht banon me zonjën Brand, 10 Rue St Florentin në Paris, do të marrë njëqind mijë franga; zonjushës Sofie Kapy von Kapivar, adresa e së cilës njihet si Anglo-Oesterreichische Bank në Vjenë, i është dhënë e drejta e një pensioni vjetor prej 6 mijë florinash Ö.Ë., që do t’i paguhen asaj nga banka e lartpërmendur dhe me këtë qëllim kam depozituar në këtë bankë sasinë e 150 mijë florinash në obligacione sovrane hungareze; zoti Alarik Liedbeck, banues në 26 Sturegatan, Stokholm, do të marrë njëqind mijë krona; zonjushës Elise Antun, banuese në 32 Rue de Lubeck, Paris, i është caktuar një pension vjetor prej dy mijë e pesëqind frangash. Për më tepër, asaj i është caktuar t’i kthehen dyzet e tetë mijë franga të kapitalit që i përket asaj dhe është aktualisht e depozituar tek unë; zoti Alfred Hammond, nga Waterford, Teksas, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të marrë dhjetë mijë dollarë; zonjushë Emmy Winkelmann dhe zonjushë Marie Winkelmann, nga Potsdamerstrasse 51, Berlin, do të marrin secila nga pesëdhjetë mijë marka; zonja Gaucher, nga 2 bis Boulevard du Viaduc, Nimes, Francë, do të marrë njëqind mijë franga; shërbyesit e mi, Auguste Oswald dhe bashkëshortja Alphonse Tournand, të punësuar në laboratorin tim në San Remo, do të marrin secili një pension vjetor prej një mijë frangash; ish-shërbyesit tim, Joseph Girardot, nga 5 Place St. Laurent, Châlons sur Saône, Francë, i është caktuar një pension vjetor prej pesëqind frangash dhe ish-kopshtarit tim, Jean Lecof, banues me zonjën Desoutter, në Curaliste, Mesnil, Aubry pour Ecouen, S.&O., Francë, do të marrë një pension vjetor prej treqind frangash; zotit Georges Fehrenbach, nga 2 Rue Compiègne, Paris, i është caktuar të mbledhë një pension vjetor prej pesë mijë frangash, nga 1 janari 1896 deri më 1 janar 1899, kur do të reshtë së marri; fëmijët e tim vëllai – Hjalmar, Ludvig, Ingeborg dhe Tyra – secili ka një shumë prej njëzet mijë kronash, të depozituara tek unë pa dijeni dëftese, do t’u kthehen.
    Të gjitha asetet e zbatueshme që mbeten, do të shpërndahen si vijon: me kapitalin e kthyer në depozita të sigurta nga ekzekutorët e vullnetit tim do të ngrenë një fond, interesi në të cilin është të shpërndahet çdo vit në formë çmimesh për ata që, gjatë vitit pararendës, kanë sjellë dobitë më të mëdha për njerëzimin. Interesi është të ndahet në pesë pjesë të barasvlershme dhe të shpërndahet si vijon: një pjesë për personin që ka bërë zbulimin ose shpikjen më të rëndësishme në fushën e Fizikës; një pjesë për personin që ka bërë zbulimin apo përmirësimin më të rëndësishëm kimik; një pjesë për personin që ka bërë zbulimin më të rëndësishëm brenda sferës së Fiziologjisë ose Mjekësisë; një pjesë për personin i cili, në fushën e Letërsisë, ka prodhuar veprën më të jashtëzakonshme në një drejtim idealist; dhe një pjesë për personin që ka bërë më shumë apo më të mirën për përparimin e shoqërisë mes kombeve, zhdukjen apo reduktimin e armatimeve dhe vendosjen dhe promovimin e kongreseve të paqes. Çmimet për Fizikën dhe Kiminë do të akordohen nga Akademia Suedeze e Shkencave; ajo për arritjet në Fiziologji ose Mjekësi nga Instituti Karolinska në Stokholm; ajo për Letërsinë nga Akademia në Stokholm; dhe ajo për kampionin e Paqes nga një komitet prej pesë personash, që do të zgjidhen nga Stortingu norvegjez. Është dëshira ime e shprehur që kur të akordohen çmimet, të mos merret në konsideratë kombësia, por që çmimi t’i akordohet personit më të vyer, qoftë apo jo skandinav.
    Si ekzekutues të dispozitave të mia testamentare,
    caktoj z. Ragnar Sohlman, banues në Bofors, Värmland, dhe z. Rudolf Liljequist, në 31 Malmski-llnadsgatan, Stokholm dhe Bengtsfors, pranë Udde-valla. Si kompensim për vëmendjen dhe përpjekjet e tyre, i akordoj z. Ragnar Sohlman i cili me gjasë do t’i kushtojë pjesën më të madhe të kohës kësaj çështjeje, njëqindmijë krona dhe z. Rudolf Liljequist, pesëdhjetë mijë krona.
    Asetet e mia aktualisht konsistojnë pjesërisht në pronat e paluajtshme në Paris dhe San Remo dhe pjesërisht nga depozitat e sigurta me Union Bank of Scotland Ltd, në Glasgou dhe Londër, me Crédit Lyonnais, Comptoir National d’Escompte dhe me Alphen, Messin & Co. Në Paris; me agjentin e bursës M. V. Peter të Banque Transatlantique, gjithashtu në Paris; me Direction der Disconto Gesellschaft dhe me Joseph Goldschmidt & Cie, në Berlin; me Bankën Qendrore Ruse dhe me z. Emmanuel Nobel, në Peterburg; me Skandinaviska Kreditaktiebolaget, në Goteborg dhe Stokholm; me Enskilda Banken në Stokholm dhe në kasafortën time në 59 Avenue Malakoff, Paris; si edhe me llogaritë e arkëtueshme, patentat, tarifat e patentave apo honorarët për mua etj., rreth të cilave ekzekutuesit e testamentit tim do të gjejnë të dhëna në shkresat dhe librat e mi.
    Sa për tani, kjo dëshirë dhe testament është i vetmi i vlefshëm dhe revokon të gjithë dispozitat e mia testamentare të mëparshme, nëse ndonjë i tillë do të gjendet pas vdekjes sime.
    Në fund, është dëshira ime e shprehur që pas vdekjes sime, arteriet e mia të këputen dhe kur kjo të jetë bërë dhe mjekët kompetentë të kenë pohuar shenjat e qarta të vdekjes, eshtrat e mia të digjen në një kremator.

    Alfred Bernhard Nobel
    Paris, 27 nëntor 1895

    Përkthyer nga Suadela Balliu

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË