More
    KreuLetërsiShënime mbi libraTempujt letrarë të Ismail Kadaresë

    Tempujt letrarë të Ismail Kadaresë

    I kandiduar me vite për çmimin Nobel në letërsi, shkrimtari shqiptar më i njohur dhe më i rëndësishëm, Ismail Kadare, ka lindur në vitin 1936, në një familje të varfër nëpunësi. Ka studiuar gjuhë dhe letërsi në Institutin Shtetëror në Tiranë dhe pastaj në institutin “Maksim Gorki” në Moskë. Në moshën 18-vjeçare ka botuar përmbledhjen e parë poetike “Frymëzime djaloshare”, për t’iu kushtuar më vonë prozës, romaneve dhe tregimeve. Ka botuar romanet “Kështjella”, “Pallati i ëndrrave””, Kronikë në gur”, “Dimri i madh”, “Nëntori i një kryeqyteti”, “Dasma”, “Muzgu i perëndive të stepës”, “Koncert në fund të dimrit” etj. Kadareja njihet edhe si tregimtar, poet, eseist, teoricien letërsie dhe kritik. Është anëtar i disa akademive. Është fitues i çmimeve ndërkombëtare, mes të cilave Man Booker International Prize, të Princit të Asturisë dhe i Legjionit të Nderit të Francës etj. Nga dhjetori i vitit 2018 është anëtar nderi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi. Libri i tij i parë, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, e ka bërë shkrimtarin shqiptar më të lexuar. Njëherazi edhe më të njohurin në Europë. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” është përkthyer në rreth tridhjetë gjuhë dhe ka zgjuar interesim të madh edhe për veprat e tjera të tij. Kadareja është shkrimtari që afirmon vlerat shpirtërore, etike e njerëzore dhe traditën e popullit shqiptar, por edhe kritik i regjimit diktatorial dhe i pushtetit në vendin e vet. Në Shqipërinë e Enver Hoxhës, në të cilën e gjithë kultura ka qenë nën kontrollin ideologjik, ndërsa letërsia e robëruar nën pasqyrimin soc-realist të realitetit, Kadareja ka futur risi dhe përvoja moderne të romanit europian, gjë që për letërsinë europiane ka qenë normale, e natyrshme, kurse në atë shqiptare ka shënuar avangardën dhe në letërsinë e saj ka pasur ndikim të fortë, mund të thuhet – reformator, edhe në planin tematik-përmbajtjesor, edhe në atë estetik. Me çdo libër të ri, Kadareja ka luajtur me formën, duke eksperimentuar me sukses dhe duke zgjeruar kufijtë e procesit dhe përvojës krijuese. Por nuk e ka bërë kjo të njohur në Shqipëri, aq më pak në Europë dhe në botë. Famën e shkrimtarit të madh e ka arritur me veprat, të cilat kanë plotësuar kriteret më të larta estetike, si dhe tematikën e lidhur me mileun social-kulturor shqiptar, ngjarjet dhe personalitetet historike. Në jetë, si edhe në art, asgjë nuk është e rastësishme. Italianët e kanë përkthyer “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” pothuaj afërsisht me botimin e tij në gjuhën shqipe; francezët menjëherë pas tyre. Befasia ka qenë sensacionale. Vallë, a është e mundur që një shkrimtar të tillë ta lindë një popull, kultura e të cilit është shikuar me paragjykime dhe skepticizëm? Vallë, a është e mundur që nga vendi më i izoluar në Europë, i rrethuar me tela me gjemba, i mbushur me bunkerë, ku prodhoheshin vazhdimisht armiq të brendshëm, në të cilin për shkak të vuajtjeve të një njeriu të pafajshëm, kanë vuajtur edhe dhjetë të tjerë të pafajshëm me pastrime partiake, burgosjen e më të merituarve dhe më të mirëve, të shfaqet një shkrimtar i tillë.
    I lavdëruar dhe i kritikuar, i botuar në tirazhe të mëdha e të pazakonshme, por edhe i ndaluar, nën frikën e arsyetuar se edhe ai mund të bëhej viktimë, Kadareja, për të shmangur atë më të keqen dhe që të mund të shkruante, disa libra i ka shkruar nën frymën e ikonografisë së realizmit socialist ose është angazhuar politikisht në parti, në tribuna dhe në kongrese. Ka mundur të heshtë, si Lasgush Poradeci, për të cilin që në vitin 1929 Eqrem Çabej ka thënë se është një poet që letërsia shqiptare do ia dhurojë një herë botës, por që për dyzet vjet të sundimit komunist nuk botoi asnjë varg. Ka mundur, por ky veprim do t’i sillte një dëm të pafalshëm dhe të pazëvendësueshëm. Kadareja e ka ditur këtë. Ndoshta edhe për këtë shkak i ka rrëshqitur edhe çmimi i Nobelit. Në të gjitha rastet, shkaqet kanë qenë jashtëletrare. Në ato intervale kohore shkruan romanet “më pak” të rëndësishme, “Dasma”, “Nëntori i një kryeqyteti”, “Dimri i madh” dhe “Koncert në fund të dimrit” – mbi fundin e një “miqësie shekullore” mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, respektivisht Shqipërisë dhe Kinës. Aprovimet, tumirimet, duartrokitjet dhe përshtatjet, sigurisht, i kanë ardhur më rëndë se të tjerëve, për shkak të forcës eruptive të talentit të tij dhe besimit se është i lindur të jetë “Homeri i Ballkanit”. Për këtë, ndeshjen me vetveten e ka pasur më të vështirën. Ka fituar me të tjerët dhe me veten duke shkruar kryeveprat, siç janë “Kështjella” dhe “Pallati i ëndrrave”, krahas romanit të shkruar më parë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. “Pallati i ëndrrave“ dhe disa libra të tjerë, me paraqitjen alegorike të totalitarizmit dhe diktaturës, nuk kanë mundur t’u shpëtojnë zhdanovëve të ngurtë ideologjikë. Është e çuditshme si nuk ia kanë përfunduar karrierën me izolim ose me burg. Dhe më e madhe është çudia se nga më e keqja e ka mbrojtur i vetmi që e ka pasur një mundësi të tillë – Enver Hoxha!

    Kjo, dhe akoma më shumë fama botërore, e kanë çliruar nga “dinakëritë” dhe frika nga dënimi. Duke kuptuar se sa dëm, por edhe fitim, mund të kishin prej tij, pushteti e ka lënë në qetësi. Kadareja shkruan “Pashallëqet e mëdha”, roman për Ali pashë Tepelenën, kryengritësin kundër pushtuesit osman, i cili për njëzet vjet ka sunduar në Janinë dhe popullit i ka vënë një sundim të frikshëm e mizor, më të ashpër se ata prej të cilëve e ka çliruar. Ka qenë kjo më shumë se një aluzion i qartë në regjimin diktatorial në Shqipëri. Sigurisht që kjo nuk do t’i falej, por Kadareja veç ka qenë i sigurt, në Francë – kandidat për çmimin Nobel. E kanë siguruar “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kështjella” dhe veçanërisht “Pallati i ëndrrave”.
    “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, kryevepra e parë, sipas shumë shkruesve, është vepra e tij më e mirë, moderne, e shkruar me stil origjinal, e cila për nga thjeshtësia të kujton Heminguejin, gjegjësisht Gogolin dhe klasikët rusë, të cilët i ka studiuar gjatë studimeve në Moskë. Por edhe shkrimtarët modernë të Europës, që rusët i kanë përkthyer me kënaqësi. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” është, sipas temës, përmbajtjes dhe mesazheve antifashiste dhe antimilitariste, sa universal dhe gjithënjerëzor, aq edhe odë e himn për njerëzit dhe popullin shqiptar. Njëzet vjet pas Luftës së Dytë Botërore, një gjeneral i ushtrisë okupuese vjen në Shqipëri të mbledhë kockat e ushtarëve fashistë për t’i kthyer në vendin e tij. Bashkë me një prift që ka qenë më parë në Shqipëri, gjurmon në varre, identifikon ushtarët e vdekur, duke vënë eshtrat e tyre në thasë. I vënë përballë popullit që ka mbrojtur lirinë, i përgatitur për të marrë mbi vete gjithë sakrificat, në takimin me njerëzit të cilëve okupatorët u kanë vrarë më të afërtit, gjenerali ballafaqohet me ndërgjegjen e vet, rishqyrton qëndrimet e tij njerëzore dhe ushtarake. Njohja me njerëzit, me traditën e tyre, zakonet, këngët, mikpritjen, guximin dhe moralin, bëjnë që gjithnjë e më shumë t’i kuptojë dhe vlerësojë. Përmes arsyetimeve të tij, bisedave dhe shmangieve të priftit, Kadareja, me qëndrimin e një artisti të madh, njohësit të mentalitetit dhe karakterit të bashkëkombësve, përmes skenave dhe personazheve episodike dhe veprimeve të tyre zbulon dramat e thella dhe fuqinë e frymës së vetë bashkësisë dhe të popullit. Duke kaluar dhe duke gjetur vendet ku janë varrosur ushtarët okupues, gjenerali në veçanti gjurmon pas kolonelit Z, me familjen e të cilit ka marrëdhënie miqësore. Thesin me eshtrat e saponxjerra nga dheu të kolonelit do t’ia hedhë para këmbëve plaka e prishur nga nervat, në mes gëzimit, në një dasmë fshati, duke zbuluar se koloneli i ka vrarë të shoqin dhe përdhunuar të bijën… Dhe se kjo u ka marrë hakun! Në një rast tjetër, mullisi i fshatit do t’i japë gjeneralit ditarin e dezertorit ushtarak të cilin e ka mbajtur të fshehur, por pjesëtarët e “Batalionit blu” e kanë zbuluar dhe e kanë vrarë. Ushtari, si e kanë quajtur në fshat, ka shënuar në ditar ndjenjat dhe përjetimet e veta, duke dëshmuar mbi fisnikërinë e të gjithëve, veçanërisht gruas së mullisit, “Teto Katës”. “Ajo më bën pyetje për gjëra të ndryshme. Unë i tregoj për prindërit, të mitë e afërt dhe shtëpinë, sa më ka marrë malli për ta, ndërsa ajo më sheh e mërzitur dhe bën shenjë me kokë. I ziu djalë, thotë në fund dhe shkon të mbrujë bukën ose të lajë enët”. Kadareja është mjeshtër i tërësisë dhe i detajit. Në mes të tregimit, duke e bërë atë më interesant, fut me mjeshtëri ndonjë “sekuencë” si ajo me malësorin Nik Martini, i cili krejt i vetëm, i frymëzuar me heroizmin e personazheve të traditës dhe epikës shqiptare, shkon të ndeshë brigadën e okupatorit “që të vritet me të”. Duke ndërruar me shkathtësi pozicionin dhe duke gjuajtur, i mban me orë të tëra dhe i provokon. Të tërbuar dhe të pamundur që t’i afrohen, e gjuajnë me minahedhës… Ai nuk ka varr. Ai jeton në një nga këngët, të cilat kanë lënë mbi gjeneralin përshtypje të veçantë, për të cilat mendon gjatë, i bindur se i kupton. I turpëruar me krimin e kolonelit, gjenerali e hedh në lumë thesin me eshtrat, edhe pse është i ndërgjegjshëm se padija e priftit do ta çojë në gjyqin ushtarak dhe do ta mbështjellë urrejtja e familjes së kolonelit. Telegramin që ia kanë dërguar veteranët e luftës, pas përfundimit me sukses të operacionit, gjenerali as nuk do ta shikojë, do ta zhubrosë, do ta grisë dhe do ta hedhë nga dritarja. Ndërsa në të ka qenë e shkruar: “Përshëndesim gjestin Tuaj…”.

    “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe “Kështjella” kanë “ngjyrë kombëtare” dhe apologjetë, por edhe me këtë arrijnë që lexuesi i huaj t’i pranojë me simpati dhe emocion. Sepse janë vepra të mëdha artistike dhe për këtë dallohen nga librat e tjerë të Kadaresë me “temë të ngjashme”. “Kështjella”, roman mbi fushatën pushtuese osmane mbi Shqipëri dhe rrethimin e qytetit të Skënderbeut, kundër të cilit pushtuesit nisen me një fuqi ushtarake dhe teknikë të paparë deri atëherë, me topa të rinj të derdhur, me njësitë e jeniçerëve, azapë, eshkinxhinj, akimxhinj, kurdë, tartarë, kallmikë, pjesëtarë të “Repartit të vdekjes”, të cilët kthehen nga luftërat ose fitimtarë ose të vdekur. Ndërpresin sjelljen e ujit në kështjellë, hapin tunele që t’i pushtojnë nga brenda, hedhin minj që të nxisin mortajën, helmojnë ujin, por kështjellën nuk mund ta marrin. Skënderbeu nuk është brenda, është diku afër ose në male, i padukshëm, i paparashikueshëm, i gatshëm që në çdo moment të godasë mbi llogoret osmane. Sulmet e tij të natës provokojnë panik dhe vdekjen e qindra ushtarëve armiq, fusin frikën në eshtra. Si shfaqet, ashtu edhe zhduket, por mbrojtësit dhe sulmuesit e dinë se ai është kudo. Disa edhe nga përmendja e emrit të tij i kap tmerri, të tjerëve u jep forcë dhe i bind se janë të pamposhtur.
    Në roman nuk ka përshkrim të figurës së tij, por ai nuk është i pafigurshëm. Përkundrazi, ai identifikohet me popullin. Njerëzit që sipas traditës dhe ndërgjegjes epike do të kishim më shumë arsye për ta përjetuar si qenie mitike, e shohin si një njeri të zakonshëm. Por kur si të tillë e përshkruan oficeri osman, i cili e ka parë gjatë një rasti në bisedë me Sulltanin, simbolika e unitetit të popullit me udhëheqësin është më shumë mbresëlënëse dhe e natyrshme. Nuk ka në “Kështjellë” as emra të komandantëve të Skënderbeut, as luftëtarë. Ata janë një. Ata janë populli, i cili edhe pse i paktë me numër, tregon se edhe “të vegjlit” mund të kenë rol historik dhe të ndikojnë në ngjarjet botërore. Prandaj në “Kështjellë” defilojnë shumë personazhe osmane – që nga komandanti kryesor Tursun Pasha, kronisti Mevla Çelebia, astrologë, shkrues, komandanti i jeniçerëve Tuz Okçan, mekaniku Saruxhe, mjeku Siri Selim, inxhinier Kauri dhe të tjerë, emrat e të cilëve do t’i fshijë koha. Ata do të shkojnë, të tjerë do të vijnë e arrijnë, por do të kthehen të mundur. E kupton këtë edhe komandanti kryesor me emrin e plotë, i quajturi Ugrulu Tursun Tunxhasllan Sert Olug Pasha, të cilin pas sulmit të dështuar e pret heqja e “pikëllimit”, brezi i mëndafshtë ose poshtërimi e degradimi. Ai vetëvendos, tërhiqet në çadër, dëshiron të mos jetë më, pi pluhurin e helmit, duke menduar “për jetën e tij të shkurtër dhe për gjithçka që ka bërë, për shpirtin që po i shkon në atë jetë dhe për Skënderbeun që mbetet në këtë jetë…”
    Mbi “Pallatin e ëndrrave”, kryeveprën e cila, nëse nuk është më e mirë se “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe “Kështjella”, gjithsesi është në atë rrafsh, ka shënuar: “Ka kohë që më ka tërhequr projektimi i një vizioni të ferrit. E di se kjo është e vështirë, për të mos thënë e pamundur, që të krijoj diçka origjinale pas arkitektëve të deritashëm të ferrit, siç kanë qenë egjiptianët anonimë, Homeri, Shën Agostini ose Dantja. Sa më shumë që kam menduar për këtë, e kam pasur gjithnjë e më të qartë se bëhet fjalë për njëfarë mbretërie vdekjeje të krijuar nga gjumi dhe ëndrrat tona, pra nga pjesa e përtejme e qenies sonë e cila, paralelisht dhe njëkohësisht, jeton pranë nesh… Kanë qenë këto ankthe, përpëlitjet e ndërgjegjes, shpresat e humbura. Por, mbi të gjitha, ka qenë aty edhe ai shkallëzimi administrativ, sektorët mbi të cilët kanë qenë të detyruara të kalojnë ëndrrat, për t’u studiuar e interpretuar me themel, çfarë e ka bërë ndërtesën e “Pallatit të ëndrrave”, në njëfarë mënyre, më të afërt me strukturën e ferrit dantesk…”
    Është e vërtetë se tema e ferrit nuk është e re, por është e re mënyra me të cilën Kadareja realizon vizionin e vet për ferrin. Në të vërtetë, regjimin në të cilin ka jetuar, totalitarizmin, kontrolli i gjithçkaje dhe i gjithkujt. I ndërgjegjshëm se, edhe pse në majë të Partisë dhe shkrimtar i njohur, mund të bëhet viktimë, jo për shkakun e vet sa nga të tjerët, Kadareja mendon se si shkrimtar dhe njeri t’i kundërvihet diktaturës. “Krijon” duke frikësuar institucionin në të cilin do të mbledhë, do të ruajë, do të klasifikojë dhe do të studiojë ëndrrat e çdo individi, grupi e populli në Perandori. Ideon “Pallatin e ëndrrave” – Tabir Sarajin dhe e vendos në kohën e kaluar, në qendër të Perandorisë Osmane, në sistemin e mbyllur të despotatit oriental. Në Tabir Saraj, arkivin me dosje të panumërta ëndrrash, ku gjithçka është e regjistruar, fillon të punojë Mark-Alem Qyprili, një pinjoll i një familjeje vezirësh të fuqishëm shqiptarë. Mbiemri i tij shqiptar është “shifra” që e lidh me “Tokën e shqiponjave”, paraqitjen alegorike të regjimit diktatorial të Enver Hoxhës. Derisa njeri nga administratorët e njeh me funksionimin e sektorëve në “Pallatin e ëndrrave”, rangimin dhe shkallëzimin e shërbimeve, ndikimin dhe rëndësinë e tyre, shpeshherë i përsërit: “Mos mendo se mbi ta nuk ka të tjerë…” dhe “se pranë Tabirit të zakonshëm ekziston edhe një Tabir ëndrrash i fshehtë, nga të cilët ka ardhur shteti në mënyrën dhe metodat e veta…”
    Mark-Alemi nga një “evidentues i thjeshtë” do të përparojë gjithnjë, duke fituar vende më të rëndësishme e më me ndikim, në fund edhe drejtues i “Pallatit të ëndrrave”. Kur e thërrasin të paraqitet në Seksion ose në Administratë, edhe ai, si të tjerët, më përpara ka menduar se më parë e pret dënimi ose shkarkimi, sesa ngritja në përgjegjësi. Që në fillim të shërbimit ka qenë dëshmitar se si për një diçka fare të vogël, për një interpretim të gabuar të gjumit, vriten anëtarët e familjes së Qyprilive të fuqishëm. Derisa një pasdreke pranverore vozitet me karro para parkut qendror, duke shikuar nga dritarja, Mark-Alemi, në kulmin e fuqisë, frikohet dhe e di se “ata do të vijnë e ta marrin për ta çuar atje, nga ku nuk ka kthim…”. “Mund të porosis menjëherë që mbi varr të më gdhendin një degë sallgami në lulëzim”, – thotë me vete. Gati të gjithë ata që kanë shkruar për “Pallatin e ëndrrave” e krahasojnë ose gjejnë ngjashmëri me Ferrin e Dantes, ndoshta “të mashtruar” me Kadarenë me deklarimin mbi strukturën infernale të “Pallatit të ëndrrave”. Kjo afërsi është vetëm formale. Sektorët e seleksionimit, sektorët e interpretimit, interpretuesit e mëdhenj, arkivi, shpërndarja e hapësirave, korridoret sekrete, sallat e shumta në “Pallatin e ëndrrave” mund të ngjajnë me “hinkën” e shkallëve horizontale, rrathët dhe këndet e Infernit të Dantes, por ndryshimi mes tyre është i madh. Në sarajin Tabir janë ëndrrat – ferri është jashtë mureve të tij, në Tokë, në shtet; kurse ferri i Dantes është në brendësi të Tokës, në hinkë. Në ferrin e Dantes janë vetëm mëkatarët, kurse në ferrin e Kadaresë – të gjithë. Prandaj është më i frikshëm dhe më i rrezikshëm. Në ferrin e Kadaresë mund të gjendet gjithkush, të pafajshmit para mëkatarëve dhe fajtorëve. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kështjella” dhe “Pallati i ëndrrave” janë kryevepra të cilat e kanë promovuar Ismail Kadarenë jo vetëm si shkrimtarin shqiptar më të madh e më të rëndësishëm ose si “Homerin e Ballkanit”, por edhe si shkrimtarin udhëheqës bashkëkohor europian dhe botëror. Ai nuk është njëri nga më të mëdhenjtë. Kadareja është – më i madhi.

    Përktheu: Dimitrov Popoviq

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË