“Kur njihesh me veprimtarinë shkencore në lëmë të përkthimit nga prof.Eshref Ymeri përgjatë më se gjysmë shekulli (në vijim, edhe në ditët tona), bindesh për barrën e rëndë të punës që ka mbajtur mbi supe ai, jo vetëm në fushë të dijeve enciklopedike e formimit si pedagog në aula universiteti, ku ka lënë gjurmë të një ndërgjegjeje të pakontestuar, por, në mënyrë të veçantë për realizimet e guximshme në disiplinën e leksikologjisë e leksikografisë, përndryshe, me mbledhjet e frazemave përballë shqipes dhe fjalorët dygjuhësh që ka hartuar i vetëm, apo me bashkautorësi. Ai na përcjell një përvojë të madhe në përpilimin e fjalorëve të veçantë, në përkthimin letrar prej autorëve të shquar nga letërsia botërore, por edhe me botimet origjinale, gjithë prurje kulturore e dokumentare mbi teoritëe përkthimit, pasionin ndaj kësaj mjeshtërie të lashtë, që ai e vuri në jetë edhe në interpretimin e drejtpërdrejtë në situate e nivele të larta e me aq përgjegjësi gjuhësore e politike.”
“Fjalori frazeologjik anglisht-shqip” është një vepër madhore (mbi 1250 faqe, mijëra njësi frazeologjike, fjalë të urta e proverba angleze e mijëra barasvlerës shqip), që mund ta bënte vetëm dija e gjerë dhe vullneti i paepur i prof. Eshref Ymerit. Me këtëFjalor frazeologjia shqipe dhe leksikografia shqipe barabiten denjësisht me frazeologjinë angleze dhe leksikografinë
angleze.”
(Prof. dr. Hajri Shehu)
Dy fjalë
“Ka qenë e kahershme dëshira për ta shkruar këtë libër për të gjithë ata lexues që kanë interesa
për fushën e përkthimtarisë. Por mundësitë m’u krijuan vetëm vitet e fundit. Ua blatoj të gjithë atyre Njerëzve të Shquar të Kombit Shqiptar, që ia kushtuan jetën artit të përkthimit, duke dhënë një kontribut
të pamohueshëmpër pasurimin e kulturës sonë kombëtare me thesare të kulturës botërore…” (Autori)
Kur ishim në përfundim të shkrimit lidhur me portretizimin akademik të prof. Eshref Ymerit, ai na njofton se sapo më ka nisur veprën e tij madhore “Fjalor frazeologjik i gjuhës shqipe”, publikuar nga Shtëpia botuese “Klubi i Poezisë”, Tiranë, 2022, me 1204 faqe! Është një libër shkencor filologjik i fushës së leksikografisë, që do të ishte krenari ta hartonte një institut kërkimor gjuhësie. Para kësaj vepre nuk mund të heshtësh, pa renditur dy fjalë përcjellëse të një pune disavjeçare të autorit tonë. Albanologjia ka edhe një fjalor tjetër, publikuar nga prof. Akademik Jani Thomai, në vitin 1999, si vepër e shkëlqyer akademike, me 1166 faqe. Natyrshëm gjykojmë se pasuria e një gjuhe, në fjalët e urta, në anekdota, në leksik e frazeologji, nuk mund të regjistrohet shterueshëm, prandaj dhe prof..E.Ymeri, ka vite e vite që vjel e përzgjedh lëndë gjuhësore nga kjo lëmë për të realizuar Fjalorin frazeologjik të gjuhës sonë. Vepra e tij ka disa veçori, të cilat i gjejmë vetëm tek puna e këtij albanisti, poligloti dhe përkthyesi të shquar.
Më së pari, vëmë në dukje që prof.E.Ymeri e ka ndërtuar Fjalorin, duke renditur fjalët bazë (bërthamat) e frazemave sipas alfabetit, çka e lehtëson gjetjen dhe përdorimin nga lexuesit apo kërkimtarët të njësive gjuhësore, quajtur frazeologji. Për shembull, pas fjalës-bazë të frazemës në trajtë sintagme “Dora e djathtë” (f. 155), autori sjell 246 frazema me dhjetëra e qindra shembuj përdorimi me fjali ose edhe thjeshtë, si njësi të ngurosura të ligjërimit.
E dyta, në shumnë frazema, lexuesi do të gjejë njoftime diturake me vlerë enciklopedie: shoqërore e historike, politike dhe diplomatike, filozofike dhe psikologjike, siç ngjet me frazemën “larg duart nga….!”, ku ka prurje dhe përqasje me ngjarje e popuj, të dhëna e krahasime me gjuhë të tjera ku gjallon frazeologjizmi, duke i dhënë në origjinal: nga anglishtja, gjermanishtja, gjuhët sllave, për më tepër edhe duke sjellë emrat e politikanëve që i kanë përdorur për herë të parë dhe kontekstin historik e gjuhësor të pjesëmarrësve, si: do not touch, hands hoff (angl.); ne touchez pas (fr.); Hȁnde weg (ger.); giù le mani (it.); ruki proç (rus.). Zanafillën historike të frazemës autori e lidh me vitin 1878, kur Perandoria Dualiste Austro-Hungareze pushtoi Bosnjën dhe Hercegovinën dhe kryeministri anglez Gladston ( Wulliam Ewart Gladstone – 1809 – 1898) e përdori në Parlamentin e MB. Po kështu, tek frazema “lau duart” për dikë a për diçka – doli (u hoq) mënjanë, bëri sikur s’dinte gjë, bëri të paditurin për dikë apo për diçka…ka prejardhje biblike (Bibla pas Mateut, 27-24;….sipas së cilës Ponc Pilati (Pontius Pilatus) prefekt i Judesë në vitet 26-36 e.r., duke qenë i detyruar ta miratonte ekzekutimin e Jezusit, lau duart para turmës dhe tha: “Nuk jam fajtor unë për gjakun e këtij të virtytshmi.”
Pasazhe të tilla shpjegimi ka përgjatë gjithë tekstit voluminoz, si tek frazema “përçaj e sundo” (f. 761), “pika shpon gurin” (f. 774), tek “djalë plëngprishës” (f.791), “politika e grushtit të hekurt” (f. 795-796), “politika e tokës së djegur” (f.796-797), “në pritje të Godosë” (f.808), “puna e Danaidave” “puna e Penelopës”, “puna e Sizifit” (f. 813) etj., etj., të cilat janë frazema të rrafshit intelektual, nëse mund të quhen kështu, sa u takon përmbajtjes së tyre, lidhur me një autor apo vepër, me mite apo gojëdhëna.
Së treti, autori është kujdesur që Fjalori të përmbajë shpjegime të thelluara edhe kur frazemat lidhen me epoka apo ngjarje historike e politika shtetërore; i tillë është fraologjizmi “pushteti i gjashtë”, pranë së cilës lexojmë se ka lidhje me shkrimtarin e madh anglez Filding, në fillimet e dëshmuara si përdorim, më tej, shpjegohet se shprehja është transformuar në kuptim si “fuqia e gjashtë” – si kundërvënie me fuqitë e mëdha: Anglia, Austro-Hungaria, Gjermania, Rusia dhe Franca. Në vijimësi të kohës, shkruan autori, shprehja kaloi në pushtetin e publicistëve. Historiani dhe kulturologu anglez, Piter Berk (Peter Burke – 1937) pati thënë se në parlament është ulur shtresa e katërt, më e fuqishme sa tri shtresat së bashku….sot është bërë e zakonshme që shtypin ta quajnë pushteti i katërt, pas pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. (f. 827). Këtu gjen edhe frazema me shpjegime aq interesante si aforizmi frazemë “qëllimi justifikon mjetin” (f.847), apo edhe “reaksioni zingjir” (f. 866), “republikë bananesh” (f. 870), “ndërton në rërë” (f. 873), “Sezam hapu”, (f. 907), “stuhi në gotën e ujit” (f.923) “shpif shpif se diçka do të mbetet” (f. 975-976), “shtet brenda shtetit” (f. 993), “shtet tampon” (f. 994), “gjuetia e shtrigave” (f. 998-999). “shtyllat e Herkulit” (f. 1000), “shtyp i verdhë” (f. 1001), “tetari i vogël” (f. 1019),
“tigër prej letre” (f. 1022-1023), “tokë e panjohur” (f. 1025), “tokë e premtuar”, “Zoti do trininë” (f. 1035-1036), “Harku i triumfit” (f. 1036). Jo rrallë, autori ka bërë edhe shoqërime në përmbajtje të disa frazeologjizmave, si: “ mollë e ndaluar “ dhe “mollë sherri”: nga qasja biblike mes çiftit të parë të njerëzimit, tek ajo mitike greke, mes perëndeshës Hera, Athina dhe Afërditës, nga njëra anë dhe Paridit e Helenës nga ana tjetër. (f. 669) Pranë këtyre lexuesi do përcjellë me etje të dhënat e frazemës “e shikon me ngjyra të trëndafilta”, ku zë fill me shpjegimin e hollë popullor – si diçka fushë me lule dhe sillet me prurjet enciklopedike, ku shpjegohet se ngjyra e trëndafilit i përket optimizmit e romantizmit, konceptuar edhe si ngjyrë që u atribuohet personave jo shumë të përgjegjshëm, që e vështrojnë botën nga një kënd lumturie, plot me
ngjyrime naiviteti fëminor; po kështu na njofton se shprehjen e ka përdorur edhe filozofi gjerman Arthur Schopenhauer (1788-1860), në veprën “Aforizma të urtësisë njerëzore”; më vonë frazema del tek shkrimtari i madh anglez Xhon Gollsuorth (John Galsworthy – 1867 – 1933), në veprën “Artikuj, fjalime, letra”: “Bota, po ta shikojmë pa syze në ngjyrë trëndafili, pasqyron në vetvete një skenë boll të shëmtuar.” (f. 704).
Disa frazema janë të lidhura me njëra-tjetrën, në përmbajtje e domethënie, siç dalin “gjarpër i pabesë” dhe “mban gjarpërin në gji” (f. 308-309), në të cilat aludohet ana biblike e lindjes së tyre dhe përdorimi në letërsinë e lashtë, qysh nga fabulistët e mëdhenj Esopi – më vonë La Fonteni – një shprehje që u bë e njohur dhe hyri në mjaft gjuhë të Europës: anglisht, frëngjisht, gjermanisht e rusisht. Ngjitur me këto, libri merr e rreshton disa njësi me burim vendës (ndoshta zhvillime të pavaruara, ose sipas dy modeleve më sipër.
Plot kulturë diturore, me të dhëna historike e dokumentare, sillen në këtë Fjalor, frazema që lidhen me fakte letrare dhe me autorë të shquar apo personalitete politike e shtetërore, si shpjegimi që i bëhet leksemës “Kult-i” – “kulti i individit” – si lavdërim i tepruar, lindur e përdorur për sindimtarët e monarkive dhe perandorive të lashta kineze, egjiptiane, romake; nga Kaligula (12 – 41 pas Krishtit), më vonë në shtete diktatoriale, si në Francë me Mbretin Diell, që thoshte “Shteti jam unë” (l’État c’est moi), në Rusinë cariste ku sunduesi vlerësohej si Hyjni. Dukuria u përsërit në Gjermaninë hitleriane, në BS, me Stalinin, Kinën e kohës së Maos, në Korenë e Veriut dhe në Shqipëri. Sipas autorit, kanë qenë poetë e shkrimtarë, artistë e kineastë që e kanë ushqyer e ngritur këtë Kult, deri në ditët që flasim, me V.Putin-in, të cilin regjisori Vitali Manski e quan hyjnor dhe shenjtor! “Praktika e deritanishme ka vërtetuarshkruan autori – se fati i diktatorëve dhe i kultit të tyre të individit, përgjithësisht, ka pasur një fund mjeran.” (f.502).
Duhet kuptuar se frazeologji të këtij vargu që sollëm, nuk janë frazema shqipe, as produkt i kulturës shqiptare në shekuj, por qëllimi i autorit, sigurisht, ka qenë të tregojë se ato vijnë e dalin përgjatë ligjërimit në gjuhën shqipe, se gjuha jonë pranon dhe përshtat ususe të tilla në situata kumtuese nga më të ndryshmet. Prurjet e tyre janë dëshmi i hapjes etnokulturore mes popujve, njëherësh edhe i modernizimit të gjuhës, në radhë të parë nga përvetësimi i një elite intelektuale, arsimuar apo formuar kulturalisht jashtë vendit. Për më tepëpr, përfshirja e tyre në Fjalor bëhet edhe me qëllimin e mirë që ato të përdoren me vend në logosin e duhur. Për shembull, lema “Kult-i” dhe sintagma “Kulti i individit” – si një stilemë mund të dalë natyrshëm edhe në togjet: “kulti i drejtorit, kulti i shefit, kulti i Konicës, i Naimit, i Fishtës” e të tjera, jashtë kuptimit të sunduesit, por i zotërimit apo mbizotësimit të veprës së tyre në një kohë të caktuar.
Së katërti, zëra me shumë pasuri gjuhësore, na vijnë edhe në shpjegimet e mjaft frazemave me përmbajtje nga jeta e gjallë e popullit, si: është pykë në diell, s’e prek dot as me pupël, është shkundur puplash, iu prish puna, kalbet në punë, i këputet qafa, kur të shohë qafen, i këputet qafa, di vetëm të bëjë qejf, i ka mbetur qejfi, ia tregoi qejfin, e rrahu si qenin në bostan, ka mbetur si qeni në qerre, s’ka ku ta kap qeni, tredh qentë, është me krye në qiell, i ktheu sytë nga qielli, mbahet te një qime, i kanë ndezur qiririn, i ka dalë qumështiu i nënës, kur të këndojë qyqja e kuqe, i kanë hipur rrebet, i bëri një reng, i sillet rreth, ia ndreqi samarin, e futi në sekëlldi, sillet sokakëve, jeton me sot me nesër, është bërë spec, kur të shohë shpatullat, ia bëri shpinën më të butë se barkun, ia ka ngrënë shpirtin, është bërë teneqe, i ka kërcyer trilli, i hedh trutë e
gomarit, është tufan, është tul fare, është tym e bën konak, etj. etj.
Fjalori me frazema i prof. E.Ymerit sjell jo vetëm një vepër më tepër në fushë të gjuhësisë sonë, i pajisur me aq shumë prurje bashkëkohore për artin e oratorisë, polemikës, apologjisë, humorit dhe mbarë zhanrave të letërsisë, por dëshmon se si gjuha shqipe merr e përthith sintagma e shprehje, fjali e sentenca, thënie e struktura të pafund, për t’i përdorur sipas situatave komunikative, në raste gëzimi e hareje, dëshprimi e empatie. Vepra si kjo e prof. E,Ymerit, si libër tryeze para gazetarëve, shkrimtarëve dhe studiuesve, do të jetë një garanci që frazema të pafund që kanë gjuhët natyrore, (në rastin tonë shqipja) të mos përdoren gabim, por në vendin e duhur e kontekstin e kërkuar. Lënda aq e pasur e këtij fjalori është njëherësh edhe një pasuri e
jashtëzakonshme për karakterizime letrare, me shumë tregues të shfaqjes intelektuale apo mungesës së saj, pa dyshim që do t’u shërbejë lexuesve dhe studiuesve të kësaj fushe si libër këshillimi e krahasimi me fjalët e urta, proverbat, të cilat janë formime aforistike apo të përvojës së gjatë të jetës së popullit. Kam bindjen se autori, me këto vepra të shënuara, po u bën një shërbim të veçantë edhe atyre që duan të hulumtojnë gjuhësisht si janë ndërtuar këto frazema, cili është rendi i përbërësve brenda strukturës, cili është roli i foljes – vetës së përdorur – dhe i njësive emërore të ngurtësuara prej shekujsh, por që ende, sipas modeleve të lashta, vijojnë ta pasurojnë gjuhën shqipe, që është një gjuhë e hapur, në këtë kohë kontaktesh globale të shoqërisë njerëzore.