More
    KreuLetërsiBibliotekëTefë Topalli: Një roman në... pentagram

    Tefë Topalli: Një roman në… pentagram

    Leksema “album-i-et” në Fjalorë shpjegues të shqipes, në valencë me shumë fjalë, vjen e krijon sintagma fort të përdorura në të folur e në të shkruar, si: album fotografish, albume me pulla poste, album me skica pikturash, album me piktura, album me peizazhe, Album i Pavarësisë, Album i Nënë Terezës, Album i Kongresit të Manastirit, Album i vëllezërve Frashëri etj.; kurse, më gjerë, në fushë të artit: album me poezi (Noli), album me këngë, album me përralla, album me melodi etj. Por, të rrimë shtrembët e të flasim drejt, album i thashethemeve, nuk kishim dëgjuar; këtu e rreth një shekull më parë, sociologu dhe filozofi Anton Harapi, pat shkruar thana e thasha popullore dhe me ngjyrim intelektual, rrëfenja moralizuese….mes së mirës dhe së keqës. Në Shkodër, janë quajtur edhe përgojime, një fjalë që ka mbetur aq pak e normës letrare.

    Papritur, në Panairin e Librit, që sapo u mbyll, (si përherë) me rekord në numër vizitorësh, sidomos moshash të reja dhe po aq edhe blerësish (kupto: lexuesish), takoj shkrimtarin e ri Stefan Çapaliku, tek hapësira e Entit Botues “Fishta”, ku çifti Kulli, me disa vajza studente lëviznin dhe sistemonin autorët e tyre. Sa më shikoi, më mori krahun dhe, pa një pa dy, më bëri shenj se do të ngjiteshim bashkë në katin e dytë dhe …drejt e në stendën e botimeve të Akademisë së Shkencave të Kosovës, tek Albanologjia, sigurisht. Më pyeti për librin e akademikut Ismajli “Për historinë e gjuhës shqipe”, e mori në duar dhe shkroi dy fjalë blatimi….jo pa humor! Njëfarë habie ky veprim miqësor dhe i një bashkëpunimi para disa vitesh, kur patëm përgatitur së bashku, për botim, “Letrat e P.Bogdanit”. E dija se ka fjalë dhe thonë se Stefani, si të gjithë shkrimtarët, marrin libra, por ja që u dashka besuar se edhe japin, jo për veprat e tyre ku vënë kushtesa shtampë, me pak rreshta, ose edhe vetëm firma, por dhurojnë jo rrallë libra me vlerë, siç veproi me mua. Ky nuk është thashethem, si ato të albumit të tij…..shihni firmën në fund të shkrimit, po nuk e besuat…..!

    ***

    Kur kemi lexuar çfarë ka shkruar deri më sot S.Çapaliku, bindemi se shkrimtaria e tij në prozë e meriton plotësisht sentencën latine “De novo ad novum” (atribuar ndoshta, filozofit stoik Seneka),[1] një shprehje që, për t’iu larguar termit “novator” të një kohe të njohur me  punëtor novator, brigadë novatore, kolektiv novator, do të mund të përdorej në kuptimin “nga risia në risi”. Dhe kështu ngjet me trilogjinë “Secili çmendet sipas mënyrës së vet”, ku autori karakterizon kohën në ndryshim, “Përtej së mirës e së keqës”, si shkruante në devizën e tij Nietzsche; kur portretizon inxh. Eqremin a profesor Ashtën, Pietro Marubbin,  personazhin kryesor nenin Age, nënën e tij si Helenë Troje, Doktor Mentorin apo axhën Zef. Është rasti të vihet në dukje se vështrimi letrar i autorit, këtu përqëndrohet brenda një shtëpie, në një lagje të një qyteti, por thashethemi depërton e rrezaton në mbarë shoqërinë, si një veti jo e njeriut të punës, njeriut të lirë, në daç, edhe jo e njeriut të kapitalizmit…. Fundi i fundit, thasha e thana në letërsi, ndeshen prej kohësh, edhe tek autorë të  njohur, si te George Orwell, në librin-kronikë me titull “Lavdi Katalonisë”, ku rrëfimi mbahet në një linjë nëpërmjet thashethemeve nga dy kampet: Republikanëve dhe Frankistëve.[2] Autori luftëtar i brigadave republikane, merr e i regjistron ashtu si vijnë në përmbajtje, duke ia lënë lexuesit të mbajë krahun nga e vërteta.

    Në prozën e gjatë romanore Çapaliku tregohet i kujdesshëm për vendosjen e ngjarjeve e përshkrimeve në një kuadër kohe të ravijëzuar imtësisht. Tablotë kohore, edhe kur ngjajnë se përputhen me njëra – tjetrën, nga vepra në vepër, nuk mbivendosen asnjë herë. Duket se janë vetë personazhet e skalitur saktë e shkurt, që e dëshmojnë atë, siç mund të themi me agronomin Lazër, një specialist i rrallë që ka lënë gjurmë në jetën e tij shkencore dhe në praktikën bujqësore prodhuese, në kohën e planifikimit, por edhe në ditët e sotme, ai është një pikë referimi për prurje të reja varietetesh bimore dhe metodave të kultivimit të tyre. Po ashtu, Zonja e shtëpisë që pret e përcjell vizitorë e shokë e miq, kujtohet në Shkodër si drejtuese aq e përpiktë e një shkolle emërmirë si ajo pedagogjike, vite me radhë. Brenda kësaj kohe, fëmijëria dhe rinia e autorit është e shpërndarë aq bukur në sagën e romanit trevëllimësh me  titullin “Secili çmendet sipas….”, po ashtu tek “Engjëlli me frak”; ndryshe në romanin që po paraqesim: ka më shumë fimijëri dhe rini te fabula e tij dhe gërshetimi i ngjarjeve.

    Nuk është e para herë që ky shkrimtar nxit përjetimet fëminore dhe ato të adoleshencës për të na sjellë vepra letrare si trilogjia Secili çmendet sipas mënyrëssë autorit, apo Një engjëll me frak, por kësaj herë, përveç gjenerimit impresionist, gjen një mbështetje dokumentare tepër të pakundërshtueshme, siç janë fotot e një albumu; kështu bëhet një lidhje e fortë midis fotografive, thanave e thashave që ndërtojnë ciceronët rreth tyre, nisur prej neni Ages (bashkëshortes së mrekullueshme të axhës Zef), pak prej rrethit familjar dhe vetë tregimtarit-fëmijë, i cili, herë sheh e dëgjon të tjerët në ballë të kallëzimeve, herë i plotëson ato, por edhe vjen e del vetë në plan të parë, si peronazh i gjithëditur. Dallohet në kallëzimin e autorit, kalimi hera-herës, simbas ritmit të metronomit muzikor, ç’është thanë e thashë e çfarë është reale, një mjet që ruan lidhjen drejtvizore të fabulës e gërshetimit të saj.

    Është i njohur në letërsi një proces si ky, kthim  imagjinativ deri në fëmijëni, siç shprehet S.Hamiti, si hyrje në një botë të lirë, në një kulm strehimi shpirtëror, ku mbretëron qetësia dhe liria.[3] Parafrazat e teksteve letrare (shpjegimeve) që dalin prej fotove, si pasqyrime të tyre, përbëjnë dhe vijën lidhëse të fabulës së romanit më të ri të S. Çaçalikut.

    Një strukturë shumë origjinale proze, që çuditërisht, ka një lidhje të dukshme, e cila herë shihet qartë si vijimësi, herë edhe fshihet e fragmentararizohet, duke qenë e lidhur me vendin e kohën e zhvillimit të fabulës: me një fmilje, me një shtëpi, pothuajse me të njëtët njerëz të moshave të ndryshme, që ndryshon aq pak dhe koha që nuk lëviz përpara: ajo e para vitit 1990…Ka pasur për një periudhë të gjatë, kur si qendra bisede e tubimi bëhej një familje brenda një lagjeje qyteti, ku përshkoheshin jo vetëm të afërt gjaku e fisi, por vizitorë të tjerë, të dëshirueshëm si nga pritësit, edhe nga ardhësit. Komponimi i rrëfimit me intermexo, thurur me terma muzikorë ngjet me një kompozim të vërtetë, dhe vjen me përqasje natyrshëm, sepse edhe letërsia është kompozim: me gërshetim ngjarjesh, kolizion dhe antagonizëm, sekuenca interpretuese, kundërvënie dhe ujdi me fabulën. Lexuesi shfleton romanin me sythet e nominuar me terma orkestralë: nga simfonia, da capo, me alegrot e llojet e saj, andanten, kreshendon, ad libitum, alegron kapriçiose me forcë dhe energji, skerco-t dhe kadencën, deri tek  kujtimi për coda funerale të neni Ages dhe vizitën  që bën autori (tashmë në moshë të pjekur) në shtëpinë e vjetër të fëmijërisë së tij ….Ka në këtë album thanash e thashash gjithsej tetë, për të cilat, si të mos donte të ndahej prej tyre e të thoshte se ato nuk mbarojnë asnjëherë në qytetin e Shkodrës (jo se në vende të tjera nuk kultivoheshin), autori del nga numrat romakë dhe kalon në një rend tjetër, si: nji shmangie e paparashikueshme nga tema, nji variacion mbi temën, stretta finale (që shënon fazën konkluzive), elegjinë kushtuar njeriut të mirë, inxhinier Eqremit, që nuk u realizua asnjëherë në jetë – si fundi i dashurisë së tij tragjike me polaken Malgorzata Kaczmarek, edhe një herë thashethemin fundor, me emërtimin triste finale- një shkurtore për doktorin dhe bashkëshortën e tij, shoqen Fitore, më vonë, në zhvillim të këtij karakteri,  zonjën Vitore, sepse tashmë ajo ishte shndërruar shpirtërisht dhe mendërisht në emrin e fundit. Loja me fonemën e një emri (F/V), apo me kundrëvënien Fitore/Vitore, e çon autorin në përcaktime tërheqëse, si: “Në fakt, po ta shikosh hollë, si Fitore e si Vitore kishin me qenë e njajta gja, por ne këtu në Shkodër, Zoti na ka dënu me qenë bullista të fortë. I madh e i vogël këtu asht bullist. Mos të faltë Zoti nji difekt se nuk mbesim pa e marrë në gojë. Bullizmi këtu ka shpinë e vet.” (f. 143-144)

     Vijon rrëfimi me një diminuetotërheqëse, e cila sikur e bind autorin dëshirën për t’u marrë me letërsi!  Në një shenj leximi të librit, vjen papritur   thashethemi i mbramë (i fundit), një tjetër e rimerr (me da capo), vijon me kadencën, për ta mbyllur me andante-n e dhimbshme: kujtimit të paharruar të nenit Age, e cila arrin të karakterizohet aq mirë nga autori, sa ajo, megjithëse nuk kishte pasur fatin për të dhënë jetë, ishte një grua që u jepte jetë të gjithëve, kudo ku i shkelte këmba, me kujtesën e saj dhe fjalën e bukur, deri edhe në mbylljen e cadensës, me porosinë “Mos harroni me thirrë një fotograf, me fiksue funeralin ceremonial!”. Lexuesi e kupton menjëherë se ky roman i sillet një kohe të vështirë jetese, në mjaft pikëshikime, e para e të gjithave qëndron varfëria, një atribut i padëshirueshëm përgjatë  jetës së njeriut, për të cilën edhe filozofët kanë shkruar se është një fatkeqësi të rrosh në perandorinë e nevojës, por nuk është e domosdoshme të jetosh nën pushtetin e saj. [4] Gjithë skenat e kësaj gjendjeje materiale, vijnë e dalin nga vërejtjet apo shërbimet në tregtore që i ngarkohen të bëjnë autorit-fëmijë, në kohën e atyre viteve. Është pikërisht ajo periudhë e ngjashme jetese, për të cilën nuk kishte ëndërruar kurrë populli shqiptar, dhe për të cilën Kadareja pat shkruar: “Megjithatë, nën qiellin si helmetë,/ Ëndërrova lule të tjera klime !”[5]

                                                                                                                           *** 

    Duke shfletuar Albumin e fotografive, si kronikë dokumentare e jetës së një familjeje, gjenerohen kallëzime thshethemore gjithnduerësh: disa u referohen ngjarjeve të vërteta, disa të tjera janë imagjinore, siç del minitregimi për Lecin (Kolecin), që nis me parashikimin e një fallxhoreje në Itali, dhe thonë….e thonë, thonë se, thoshin thashethemet, me gjasë se….e ta marrin gjermanët e ta çojnë Lecin si rob në Hamburg dhe…thonë se e ka shpëtue grueja e nji oficeri gjerman, sepse ngjasonte me të vëllain e vdekur në luftë…janë ndie fjalë mandej se i paska thanë….! Por ka edhe rrëfime historike sipas fotove, siç është ajo e ftesës së P.Gjergjit e Koliqit, drejtue Asdrenit dhe Lazgushit, me ardhë në Shkodër për vizitë…një fakt që, kohë më vonë, sipas ndonjë studiuesi të thellë, qenkesh bërë për t’i përfshirë të dy poetët toskë në ideologjinë fashiste, kur shkodranët e mësipërm po përgatisnin pushtimin e vendit nga Italia fashiste….! Ka biseda thanash e themesh, ku dalin përpjekjet e rrfimtarëve për t’i afruar me të vërtetën, si ajo për zhdukjen e dajës Luigj, për të cilin kërkohet mbështetje tek dëgjuesit, nëpërmjet një “thonë ashtu, por ne ende nuk e dimë mirë”, një ndërmjetim logosi, që ngjet sikur së shpejti do të merren lajme të sigurta prej të dërguarëve të posaçëm ! Disa janë edhe thasha narrative me forcë prekëse, siç është ajo e italianit Renco, në dashuri fatkeqe me motrën  e nenit Age. Fotot e Albumit kanë bërë që autori të sjellë e të risjellë portrete dhe emra të njohur shkodranësh, si pianistën Ida Mëlgushi, profesor Ashtën, bashkëshortën e tij, Aneta Baba – veprimtare sporti, mësuese, pedagoge dhe mjeshtre e lëndës së Bukurshkrimit në shkollën pedagogjike; Ndoc Ashikun, etj. Personazhe të tjerë të realizuar në nivel të lartë janë: Silva, vajza e ëndërruar prej adoleshentit – autor dhe për të cilën shpërthen në poezi aq të ndjeshme të moshës rinore, krahasuar me Vuajtjet e djaloshit Werther…..

    Në mbyllje do të themi se edhe struktura e këtij romani vjen me novum, por ndryshe prej veprave të tjera, organizimi i rrëfimit del i kryqëzuar, i ndërprerë prej dialogjesh, me të dhëna gojore të ndryshme, kundërshtime, aprovime, info kulturore për autorë e vepra letrare, kompozitorë dhe piktorë

    Ndoshta, jo mbarë lexuesit, por unë nuk mund të ndahem prej këtyre shënimeve miqësore, pa u ndalur sadopak në gjuhën e autorit (jashtë dëshmive me foto dhe larg thanave e thashave). Në këtë roman, Çapaliku merr guximin dhe afron mjaft gjuhën e shkrimit me gjuhën e folur, i shpëtojnë rrallë, disa përsëritje leksiku, jo pak shmangie drejtshkrimi, por që asnjë autor nuk merr përsipër të fajësohet për këto devijime a lapsuse shkrimore.

    Ai shfaq prirje të dukshme të rrafshimit të togut –ue në –u, sidomos në klauzolat verbale, si: për ta posedu, du me dalë, ka mbaru, duke shqyrtu, asht pershku, por detyrohet ta vërë në dukje tek mbiemra si: e kishte lanë të shkrueme, krijues, gjenerues. Me një kujdes të lehtë, mund të ishte shmangë ndonjë leksemë si pa u hukubetu, të bamit, guhak-e, do gjana, u thandru, dekoloronte, suspansë, i binte pianos (luante në piano), kisha pasë qenë i shtërnguem, po i restaurohej simpatia e rrënueme, kishte xhelozu, entuziastik, etj.

    Shkrimtari S,Çapaliku dallohet për frazën e shkurtër, fjalitë dialogjike me elipsë, dhe për pasurinë e mjeteve lëdhëse konektive mes njësive predikative, por lexuesi nuk recepton me kënaqësi struktura të panatyrshme, p.sh.: “Siç lehtësisht pra merret vesh, nëpërmjet kësaj letre…”. Ai është shprehur vetë se mendon të provojë si gjuhë letërsie  edhe idiomën gege, për shprehësinë dhe praninë e endiadave foljore, sidomos, por për këtë duhet një normë shkrimi, që nuk e kemi. Mjaft gjuhë europiane, të lëvruara prej shekujsh dhe me ndryshime dialektore shumë të mëdha, kanë letërsi në dialekte, po njëherësh brenda një standardi të njësuar. 


    [1]  Seneka: Lucius Annaeus Seneca ( viti IV para Krishtit – LXV, pas Krishtit), ishte një filosof, dramaturg e

      politikan roman. Njihet gjithashtu, si  Seneca filozof;  është rreshtuar mes  eksponentëve më të mëdhenj 

      të  stoicizmit eklektik të kohës së perandorisë. Ai ka qenë shumë aktiv në disa fusha të jetës publike, si

      senator. Tri vepra moralizuese të  Senekës, i ka përkthyer në shqip N.Sotiri, Botimet Apprimus, 2015-2016.

    [2]  George Orwell, Lavdi Katalonisë, Shtëpia e Librit, Tiranë, 2021.

    [3]  Sabri Hamiti, Vepra letrare – 6, Faik Konica, Prishtinë, 2002, f. 94.

    [4]  Seneka, Mëso të jetosh – Letra për Lucilin, Botimet Apprimus, Tiranë, 2016, f. 26.

    [5]  Ismail Kadare, Vepra poetike në një vëllim, Onufri, Tiranë, 2018, f. 220.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË