More
    KreuOpinionTë kërkosh gjurmët e një rebeleje në Berlin

    Të kërkosh gjurmët e një rebeleje në Berlin

    Nga Ana Kove

    Cila grua do ketë bërë “të trandet” ky qytet? Legjendat urbane, por jo vetëm ato, thonë se është ndjellësja, rebelja, legjenda Marlene Dietrich. Ëndrra e të gjithë burrave në vitet
    ‘30-të; natyrisht atyre që josheshin jo vetëm nga erotizmi i pamjes dhe zërit, por nga cilësitë e saj si grua e papërballueshme në liri, mençuri, bukuri dhe dashuri. Femme fatale tek “Engjëlli blu”, frymëzimi verbues i Xhoan Madusë së “Harkut të Triumfit”, aktorja e famshme e Hollivudit, balerina, këngëtarja; e dashuruara e përjetshme “nga maja e flokut te gisht i këmbës” është berlinezja më e famshme edhe sot e kësaj dite.


    “Thuamë, ku janë lulet?”/”Sag mir wo die Blumen sind?” – Pyeti në këngë me zërin e saj drithërues. Ndjesitë e bukura lidhen me lulet; kur ngjyrat dhe aromat e tyre mungojnë, në shpirt s’ka lule, por dhimbje. Ai e takoi atë për herë të parë në qytetin e dashurisë dhe dhimbjes së madhe, në Venedig. Ata kishin mbi shpinë vitet e dashurive të shkuara, të martesave të tyre, famës, parasë, humbjeve. Aty mori jetë një ndjenjë tronditëse, por edhe e dhimbshme, dhe herë-herë dramatike. Ajo ishte një dashuri e madhe. Shumë e madhe. Ishte drama dhe ekstaza, ankthi, zemërimi dhe dëshira e madhe, gangrenë-vetëshkatërruese, dhe sërish çdo përpjekje e mundimshme t’u vetëharruar. Ajo ishte “Pantera e tij melankolike, zemra e butë, ëndrra që shndriste të gjitha pyjet, engjëlli blu, ylber i ëmbël para stuhisë së jetës, delfini në horizont, drita verbuese e veriut, flaka mbi dëborë.
    “Të gjitha udhët më sjellin tek ti; dhe gjithkund të kërkoj’/ “Thuamë se më dashuron!?”/ ‘Sag mir, dass Du mich liebst’ – i shkroi Remarku asaj në më shumë se 300 letra.


    Nuk paska ndjesi më identifikuese se dashuria; edhe post-mortum. Ajo i pranëvihet në kujtesën e brezave emrit dhe vendlindjes, që nuk zhduken as me zhdukjen e njeriut. Për Marlenën ishte dramatike dhe e dhimbshme edhe dashuria për vendlindjen. Berlini e lindi, e deshi, e dëboi; pastaj e përçmoi – dhe dikur e vlerësoi. Ajo e mbajti brengën e largimit, dhe të lëndimit për vete – pasi kështu mendonte – sepse: “Dhimbja është çështje tërësisht personale”. “Unë e kam lënë një valixhe në Berlin”/”Ich habe einen Kofer in Berlin” – këndoi, dhe, kur malli dhe kujtimet i rrihin fort në gjoks si një zemër e dytë, fluturonte… jo gjithmonë me avionë, “dashuria fluturon me zogjtë”. Sepse ajo dashuronte shume; dhe shume do të thotë “pa kushte”. “Unë s’di të bëj gjë tjetër më mirë, vetëm se të dashuroj…”


    Ja, edhe unë prej vitesh (për gjithë ç’kam lexuar dhe lexoj sërish) mbetem e joshur nga personaliteti artistik dhe njerëzor i Marlene Ditrich-ut, dhe gjithherë që vij, kërkoj gjurmët e saj nëpër Berlin: shtëpinë e lindjes, sheshin që mban emrin e saj, yllin me emrin e saj gdhendur në tokë para gjigantit Cine Star IMAX; në fund edhe varrin e saj. Ca njerëz ia vlen t’i njohësh edhe pas vdekjes…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË