More
    KreuOpinionSuzanne Conklin Akbari: A mundet eseja të na befasojë sërish?

    Suzanne Conklin Akbari: A mundet eseja të na befasojë sërish?

    Kur isha rreth katërmbëdhjetë vjeçe, doja të mësoja të shtypja me makinë shkrimi, prandaj mora një manual që shpjegonte ku të vendosje gishtat dhe kishte disa ushtrime për shtypshkrimin – fjali të shkurtra (dhe më pas më të gjata) të cilët kërkonin që gishtat e tu të arrinin çdo cep të tastierës. Nëna kishte manual të vjetër për të shtypur në një makinë shkrimi, në bodrum, mbetur nga koha kur punonte si sekretare, por s’mu desh ta përdorja për shumë kohë pasi prindërit më blenë një makinë shkrimi elektrike.

    Ndërsa fjalitë bëheshin më të gjata, shtypja më shpejt, fillova të kërkoj diçka tjetër për t’u praktikuar. U ushtrova duke shtypur një libër me eseve të Virginia Woolf, jo përmbledhjen e famshme të vitit 1925, Lexuesi i zakonshëm, por një vëllim të vitit 1977 me titullin interesant Librat dhe portretet: disa përzgjedhje nga shkrimet letrare dhe biografike të Virginia Woolf-it. Kjo ishte mrekulli: pjesët e përzgjedhura ishin të shkurtra, por jo edhe aq, kurse gjuha ishte plotësisht përhumbëse, plot fraza të papritura që ishin deri diku në rregull. Për shembull, në një ese mbi biografinë e kohëve të fundit të një poeti të Luftës së Parë Botërore shkruhej: “Asnjë student i moshës së poetit Rupert Brooke s’do ta kishte vënë re “personalitetin e tij rrezatues, rinor, me petka ku mbizotëronte e kuqja, bluja dhe e arta e ndezur, si një faqe libri të moçëm në një kishëz të Firences; kjo është përshtypja që të krijonte ai burrë i moshuar”, shtypa. “Bluja, e kuqja dhe e arta mund të kishin qenë më pak të ndezura, më shumë ishin të përziera, shumëngjyrëshe dhe kjo është çështje për një debat serioz”. Edhe tani, të shkruash fraza të tilla të duket sikur krijon muzikë. Mund t’i dëgjoj fjalët ndërsa i shtyp, me një ritëm që ngrihet e ulet, si një zë apo notat e një violine.

    U hodha një sy kalimthi skicave të shkurtra letrare të Woolf-it si Në pemishtë ose Kolegji i një gruaje parë nga jashtë, redaktori dukej qartë se donte të theksonte vlerat e esesë së famshme Një dhomë më vete për të arritur tek recensat e librave, shumë prej tyre botuar fillimisht në The Guardian ose Times Literary Supplement në vitet 1910 -1920. Më pëlqeu të shtypurit e esesë mbi ditarët e shkrimtarit të shekullit të shtatëmbëdhjetë, Samuel Pepys, për të cilin Woolf përshkruan “lehtësinë e pastudiuar të gjuhës, e cila mund të jetë e shkujdesur, por gjithmonë ia del të jetë grafike, duke rrokur pareshtur gjendjet e fluturave, kandrrave dhe petaleve në një çast të caktuar”. S’i kisha lexuar ende ditaret e Pepys, por Woolf më ngjalli dëshirën t’i lexoja dhe të ndieja se i kisha lexuar, sepse aroma, e distiluar deri në thelbin e zjarrtë dhe përvëlues, si lëngu i jetës, ishte tashmë atje në esenë e saj. Dhe pasi i shtypa – pasi kishin interpretuar dhe unë kisha dëgjuar këngën e tyre, ato ishin tashmë brenda meje, gjithashtu.

    Por çfarë ishin këto ese? S’ishin analitike, s’ishin përmbledhje, ato ishin, ndoshta, përgjigje apo edhe kundërpërgjigje, fryt i kontaktit me një libër tjetër. Përveç eseve për shkrimtarët anglezë, kishte disa të tjera për rusët – për Dostojevskin, Turgenievin, Çehovin – dhe disa për shkrimtarë amerikanë – Emerson, Thoreau, Melville. E fundit nga këto botua në 7 Gusht 1919, duke përkujtuar 100 vjetorin e lindjes së Melville më 1 Gusht, megjithëse këtë fakt domethënës s’e vura re kur shtypa esenë e Woolf-it dyzet vjet më parë – domethënës epse botova një ese për të përkujtuar 200 vjetorin vitin e kaluar. Eseja ime kishte të bënte me romanin Mobi Dik, por eseja e Woolf-it ka të bëjë me veprat e hershme të Herman Melvilit, Typee dhe Omoo; në paragrafin e parë ka një moment të çuditshëm ku Woolf na tregon për diçka që s’e mban mend: “A s’ po fliste dikush për detet e Jugut? “Typee”, ishte për mendimin e tyre rrëfimi më i mirë shkruar ndonjëherë – në një mënyrë a në një tjetër. Kujtesa ka fshirë gjysmën e fjalisë dhe më pas, siç do kujtesa, ka krijuar një vijë të shkëlqyeshme blu dhe një plazh të verdhë. Ka valë; krijohen deri diku kreshta dallgësh; dhe si ta përshkruash atë që s’e e di, por ka, në të njëjtën kohë, palma, degë gjetheverdha dhe korale në ujin e pastër”.

    Çfare po ndodh këtu? Kjo s’është analizë, s’është përmbledhje. S’mësojmë asgjë për Typee. Ajo për të cilën mësojmë është reagimi: i vetë Woolf-it, i yni, ndoshta, ndërsa i përgjigjemi linjës rrëfimore të esesë. Këtu, Woolf po ndërton një ese ashtu siç zhvillohej nga William Hazlitt, në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Ashtu si C.L.R. James, i cili me kujtesën e tij brilante politike, kujtimet për kriketin, Përtej një kufiri pasqyron një reflektim të thellë mbi esetë e Hazlitt-it, veçanërisht ato për boksin -Woolf gërsheton një përmbledhje me sy të lirë të temës së saj me një reagimin vetjak dhe emocional.

    Pas këtyre shkrimtarëve shohim dorën aventurore dhe të vetmuar të Montaigne, tre vëllimet e të cilit Esse, u botuan në 1587. Dy vëllimet e para u botuan më herët, më 1580 dhe më 1587. Montaigne shtoi një vëllim të tretë por edhe iu rikthye eseve të mëparshme në përmbledhje – duke hequr disa, duke shtuar disa të tjera, duke i rishikuar disa. Esetë ishin, siç thuhet, punë në proces. Në këtë aspekt, ato ishin një reflektim – ato janë një reflektim – i vetë njeriut.

    Montaigne shpjegon se si ai filloi “ese-shkrimin”: “Ishte një gjendje shpirtërore melankolike”, shkruan ai, “pasojë e errësirës së vetmisë në të cilën isha zhytur disa vite më parë, kjo ishte më e para arsye që më futi në kokë këtë ëndrrën me sy hapur për t’u marrë më të shkruarit. Dhe pastaj, duke e parë se isha varfanjak dhe i lirë nga çdo gjë, i paraqita vetes për argument dhe temë: “Për dashurinë e etërve për fëmijët e tyre”. Folja në frëngjisht “essayer” do të thotë “të provosh”, “të përpiqesh”, madje “ të bësh provë”. Ashtu si “provat-bëma” tek Mobi Dik i Melville, ku vaji i kulluar i spermës është shkrirë nga copat e balenave të ziera në kazanët e kuvertës së anijes, esetë e Montaigne-s janë një vend ku uni shkrihet në thelbin e saj të kulluar, dhe prapëseprapë Montaigne është ndryshe, në atë që vetja është një kameleon i cili e ndryshon ngjyrën nga e kuqja në blu dhe në jeshile, nga rreshti në rresht, nga faqja në faqe. Uni krijohet dhe ndryshon në kohë reale, ndërsa lexuesi lëviz nëpër ese.

    Ne duhet të mendojmë se si përfshirja e shkrimtarëve vendas, duke përfshirë mënyrat e tyre të njohjes, filozofitë dhe mënyrat e tyre të të menduarit për formën letrare e prish vetë idenë e “kodit”, të “esesë”, të “letërsisë”. Pavarësisht nga mundësitë dhe liria e mjaftueshme e esesë në duart e Woolf dhe Montaigne, eseja e ditëve tona është bërë e zbutur dhe, urrej ta them, shpesh është jointeresante. Eseja me tre pjesë, eseja me pesë pjesë, e cila u mësohet në vitin e katërt të shkollës së mesme dhe fillestarëve të kolegjit, është një formulë si rrugë pa krye – një terren i domosdoshëm trajnimi, ndoshta, për të zhvilluar aftësitë e të shkruarit, por pa asgjë të bukur apo të papritur në të. Apo jo? Jam befasuar nga eseja vetëm dy herë.

    Hera e parë ishte kur sapo kisha filluar shkollën pasuniversitare në Columbia në fund të viteve 1980, në një seminar mbi “Tekstet e shekullit XVII” me mësimdhënës Edward Tayler-in. Pavarësisht nga titulli shumë i përgjithshëm, seminari kishte vetëm dy tekste thelbësore: poezitë e John Donne Përvjetori dhe Religio Medici i Thomas Browne, dhe një gamë të gjerë veprash plotësuese, nga Timaeus i Platonit dhe De anima i Aristotelit deri në studimet akademike (të atëhershme) për Historizmin e Ri.

    Kam shkruar për metodat e jashtëzakonshme të mësimdhënies së Tayler-it diku tjetër, në një ese mbi shkrimin dhe leximin, por këtu dua të përshkruaj versionin e tij të esesë me tre pjesë. Ai na kërkonte të shkruanim një ese çdo dy javë, duke na bërë të shkruajmë disa ese të shkurtra gjatë semestrit, metodë e cila ishte shumë e ndryshme nga standardi i shkollës pasuniversitare që kërkonte një ese kryesore kërkimore për kurs. Tayler-i na kërkonte të shkruanim një paragraf mbi një fragment të veçantë nga Religio Medici të Browne ose disa rreshta nga një prej poezitë e “Përvjetori” të Donne; një paragraf të dytë për një fragment tjetër nga e njëjta vepër; dhe pastaj një paragraf të tretë për, le të themi, kohën. Ose unin. Ose vdekjen. Ose të vërtetën.

    Thuajse s’kishte rëndësi se për çfarë ishte paragrafi i tretë. Gjëja kryesore, ese-shkrimi, ndodhte midis dy paragrafëve të parë dhe të tretit. Ky ishte një lloj kapërcimi imagjinar në të panjohurën, ku do të gjeje diçka, diçka të fshehur, madje as s’e dije se si mund të dukej; mund të ishte me ngjyra të ndezura, do të ishte e gjallë, kjo ishte gjithçka që dije. Herën e parë që shkrova një nga esetë e Tayler-it, u shqetësova shumë, duhet ta pranoj, nga formati. S’e kisha idenë se si të kaloja nga e veçanta – leximet tekstore të paragrafëve një dhe dy – tek e përgjithshmja (koha; vetvetja; vdekja; e vërteta). Na kishte thënë në klasë, sidoqoftë, se vetëm duhej të fillonim të shkruanim për atë gjë të përgjithshme, duke u mbështetur në atë që kishte ndodhur në dy paragrafët e parë për të mbështetur përgjithësimet dhe paragrafi i tretë do të vinte. Dhe kështu ndodhte – me një shpërthim befasues të vëzhgimeve interesante, lidhjeve të papritura dhe fjalëve gati muzikore.

    Hera e dytë që u befasova nga eseja ishte para disa javësh, kur lexova përmbledhjen me ese të vitit 2019 Format e joletrares vendase: ese të shkrimtarëve bashkëkohorë, redaktuar nga Elissa Washuta dhe Theresa Warburton. Hyrja e tyre, e titulluar “Enë të brishta”, paraqet një rrëfim rrënjësisht të ndryshëm të asaj që mund të jetë eseja – çfarë mund të bëjë ese-shkrimi. Duke ndjekur Montaigne, ata e pranojnë se “të shkruash ese do të thotë të provosh, të testosh dhe të praktikosh”. “Forma e esesë”, atëherë, “është një vend i përshtatshëm për punën vëzhguese dhe ndonjëherë të dhimbshme të kërkimit të përgjigjeve”. “Ena e brishtë” është si forma e esesë, ashtu edhe procesi nëpërmjet të cilit krijohet.

    Ndërsa ky akt i ese-shkrimit mund të kuptohet brenda një linje standarte, me qasje evropiane – Montaigne, Hazlitt, Woolf – Washuta dhe Warburton qëllimisht e paraqesin përmbledhjen në aspektin e vendit, duke e rrënjosur në tokat autoktone të ishullit Turtle (Amerikë e veriut). Duke u mbështetur në gjuhën e Montaigne-s për të përshkruar esenë (“të provosh, të testosh dhe të praktikosh”), dhe ndërsa secila prej eseve në përmbledhje është shkruar nga një autor i veçantë, individualiteti si i tillë s’duket të jetë në ballë të asaj që po praktikohet këtu. “Ena e brishtë” mund të dalë nga duart e një mjeshtri të vetëm, por pas këtij individi është një botë e lidhur me të – njerëzore, kafshësh dhe bimësh – dhe një tokë e veçantë.

    Parathënia shpalos konceptin e “enës së brishtë” duke e krahasuar me thurjen e një shporte. Do të ishte e gabuar ta kuptonim këtë shportë si metaforë apo edhe alegori për esenë, apo edhe për aktin e ese-shkrimit: është shumë më tepër se kaq. Washuta dhe Warburton kërkojnë “të përmbysin procesin e kolonizimit” në mënyrë që letërsitë vendase të shihen dhe lexohen si “proces i çkolonizimit”. Ky proces paraqitet si një akt thurjeje, esetë janë shporta, kolektivisht, ato përcjellin formën e enës së brishtë. Ju gati mund t’i shihni gërshetimet, degëzimet dhe rrënjët.

    Megjithatë, këto ese, këto shporta, s’janë të gjitha shembuj të një forme të vetme. Disa prej tyre ngjajnë me “shportën e molusqeve”, e cila ka hapësira të gjera midis rrënjëve të ndërthurura të kedrit nëpër të cilat rrjedhin uji dhe rëra ndërsa molusqet qëndrojnë në shportë, disa ngjajnë me “shportën e dendur”, të thurur aq fort sa të mbajë ujë, ndërsa të tjerat thuren së bashku “përdridhen dhe bashkohen”. Shumëllojshmëria pasqyron gamën e kombeve ose përkatësive fisnore të përfaqësuara nga kontribuesit, si dhe natyrën e tyre individuale, dhe secila shportë i shërben në mënyrë të përsosur natyrës së vendit nga buron – lumë i rrëmbyeshëm ose breg oqeanik, pyll ose shkretëtirë. Individi dhe bashkësia ku jeton, vendi dhe toka, koha që ikën, të gjitha bëhen bashkë në enën e brishtë, e cila është edhe një (shporta) edhe shumë (secila lloj shporte). Washuta dhe Warburton tregojnë për shportën e thurur nga plaku Suquamish Ed Carriere “me të cilën ruajti dhe rrëfeu historinë e jetës së tij”. Në këtë rast, lënda e shportës ka të bëjë me vendin, ose, ndoshta, kumtet – eseja, secila prej tyre “ka ngjallur shpesh interes si një objekt antropologjik më shumë sesa si objekt letrar”, dhe megjithatë secila prej tyre qëndron më vete si një enë e brishtë.

    Në librin e saj të vitit 2015 Kujtesa shërben, shkrimtarja kanadeze Lee Maracle përshkruan se si njohuria kërkohet kolektivisht, në shumë komunitete rrënjëse (indigjene). Njerëzit mblidhen në një rreth – ose në një seri qarqesh bashkëqendrore, në një grumbull të madh, ku pritet të flasin ata në rrethin më të brendshëm, ndërsa të tjerët veprojnë si dëshmitarë dhe flasin nëse është e nevojshme. Në qendër të rrethit është “ajo që s’shihet, s’dihet, ajo që çmohet dhe fshihet”. Së bashku, përmes një akti të përbashkët të të folurit me radhë, çdo person shton diçka që s’është thënë ende, duke kërkuar që ajo gjë që është në qendër, të bëhet e dukshme. Besoj se jemi mirë për sa i përket epistemologjisë perëndimore. Është e kuptueshme dëshira për ta bërë të fshehtën të njohur, është zbulim. Por çfarë nënkupton “të çmuarit” e kësaj njohurie të fshehur?

    Kur lexova për herë të parë Kujtesa shërben dhe dëgjova që Lee Maracle përshkruante se si funksionojnë këto qarqe, u hutova nga kjo ideja e gjërave që “çmohen dhe fshihen”. I fshehur – po, e kuptoja. Por e çmuar? Ky hendek në njohuritë dhe të kuptuarit është i njëjti me të cilin përballem gjatë leximit të përmbledhjes me ese të Washuta-s dhe Warburton-it. Mund t’i vë ato në të njëjtin rang me esetë e Woolf dhe Montaigne, dhe të them diçka rreth eseve dhe aktit të “ese-shkrimit”. Madje mund ta lavdëroj veten që kam bërë bashkë shkrimtarë kanonikë me shkrimtarë autoktonë, duke zgjeruar fushën e mësimit dhe studimit të esesë në institucionet akademike të Amerikës së Veriut.

    Përkundrazi, një pranëvënie e tillë vë në dyshim vetë bazën e esesë perëndimore, kaq shpesh të marrë si të mirëqenë – dhe të cilën edhe Washuta dhe Warburton e pranojnë, në komentet e tyre si pasardhëse e esesë së Montaigne. Çfarë do të thoshte t’i zhbësh këto hamendësime? Çfarë do të thoshte t’i afrohesh asaj gjëje që çmohet dhe fshihet në mënyrë kolektive, të përbashkët, si kundërvënie ndaj brendakëqyrjes individuale që krijon pjesën e tretë të esesë, në klasën e Tayler-it? Çfarë do të thotë të shkruash ese – të provosh, të testosh – të dyja?

    Së fundi, çfarë do të thoshte të çkolonizosh kodin, konkretisht, kodin e shkrimit të esesë që e vë Montaigne në themele dhe përshkruan Woolf në kulm? Washuta dhe Warburton hapin një shteg për “procesin e çkolonizimit” përmes rrëfimit për “enën e brishtë”. Megjithatë duhet të kujtojmë gjithashtu se çkolonizimi s’është metaforë; ka të bëjë me tokën dhe ujin, me gjëra reale në botën reale. Bëhet fjalë për dëmshpërblime, vetëqeverisje dhe autonomi. Ne, me këtë nënkuptoj të ardhurit, ata që s’janë vendas në këto territore – duhet të jemi të gatshëm të heqim dorë nga shumë gjëra për të përqafuar çkolonizimin.

    Çfarë do të kërkonte kjo nga ne, për sa i përket kodit letrar? A mund t’i mbajmë Montaigne dhe Woolf, edhe pse përqafojmë “enën e brishtë”? Kur përfshijmë shkrimtarët vendas në kodet eurocentrike, s’mjafton thjesht të shtojmë disa shkrimtarë. Duhet të mendojmë se si përfshirja e shkrimtarëve autoktonë – përfshin mënyrat e tyre të njohjes, filozofitë dhe mënyrat e tyre të të menduarit rreth formës letrare – përfshin vetë idenë e “kodit”, “esesë”, dhe “letërsisë”. ” Kjo pyetje e domosdoshme është një nga ato që ne bëjmë në bisedat për letërsinë: çfarë do të thotë të kesh një kod? Çfarë përfshihet dhe çfarë përjashtohet? Cilat vepra pranëvihen? Kush flet, dhe kur? Kush dëgjon? Çfarë do të thotë të jesh dëgjues aktiv, dëshmitar, krahasuar me një joaktiv? Çfarë ndikimi mund të kenë tek ne librat – jo vetëm një, por sëbashku?

    Nëse imagjinojmë rrethin e përshkruar tek Kujtesa shërben, mund të themi se i kam shtuar diçka – qoftë edhe disa pyetje – përpjekjes sonë të përbashkët për t’iu afruar asaj që është “e fshehur dhe e çmuar”, ndërsa qarkullojmë librat që duam, esetë që lexojmë. Washuta dhe Warburton, me autorët e tyre, kanë kontribuar shumë në këtë përpjekje. Prandaj dëgjoni me kujdes, bëhuni dëshmitar, nëse keni diçka për të shtuar, lexues, shtojeni. Ne vetëm mund të rrekemi, të provojmë ese-shkrimin, së bashku.

    Përktheu: Granit Zela

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË